Limaj: Po hetohet EULEX-i

0
646

PRISHTINE- Një institut evropian i pavarur është duke e hetuar EULEX-in. Edhe ata e kanë parë se unë jam simboli që EULEX-i ka bërë shkelje eklatante. Kështu ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj.

Duke folur në lidhje me pretendimet për korrupsion dhe për krime lufte, Limaj ka thënë se mendon se është abuzuar dhe po vazhdon të abuzohet shumë me fjalën “askush mbi ligjin”. Sipas tij, ka njerëz në EULEX “që janë me mentalitetin e UNMIK-ut, ku bëjnë pjesë si personel i tyre dhe vazhdojnë ta shohin Kosovën jo si shtet i pavarur, por si protektorat i UNMIK-ut dhe tutorët vazhdojnë të shikojnë se ata mund të bëjnë çdo gjë dhe kur të duan dhe kjo fatkeqësisht po i kushton vendit tonë”.

“Kësaj fryme i ka ndihmuar edhe mënyra jonë e qeverisjes, ai mentaliteti jonë servil, dhe kam frikë që këtu po tentohet të mbytet çdo zë i pavarur, po tentohet të mbytet çdo iniciativë që buron nga vendorët, që i shërben vendit. Dikush po i sheh me sy të keq këto iniciativa, sepse shtimi i këtyre iniciativave sikur i bën të panevojshme misionet e tilla dhe fatkeqësisht e kanë gjetur rrugën… e kam thënë dhe tashmë përfundimisht jam i bindur që ky mentalitet i UNMIK-ut dhe protektoratit duhet të marrë fund në Kosovë. Ata, të cilët kanë ardhur, duhet të ndihmojnë dhe të na këshillojnë”, ka thënë Limaj duke shtuar se “fatkeqësisht, misioni është duke bërë të kundërtën këtu, po i ngulfat, po i shtyp këto iniciativa dhe këtë zë, ose këtë mentalitet të pavarur që po tentohet të ndërtohet në Kosovë”.

I pyetur se ku ka ngelur çështja për pretendimet për korrupsion dhe krime lufte, deputeti i PDK-së ka thënë se as ai nuk ka informacion dhe se askush nuk e ka informuar edhe për pretendimet sa ka qenë në ministri.

“Mund të them që ka ardhur një institut evropian ose një organizatë joqeveritare, institut i pavarur, i cili është duke bërë hulumtime, duke e hetuar EULEX-in dhe ka ardhur konkretisht me mua një kohë, për rreth 4-5 ditë. Ata kanë kërkuar nga unë të jap mendimet e mia rreth tij, sepse ata janë duke e hetuar punën e EULEX-it se sigurisht edhe ata e kanë parë se unë jam simboli që EULEX-i ka bërë shkelje eklatante në të dyja rastet. Unë jam shumë kureshtar të di se a ka ndonjë komision Bashkimi Evropian brenda për brenda për të kontrolluar mënyrën dhe punën se si e përmbush mandatin EULEX-i gjë që kjo tash e tutje do të jetë aktuale, sepse ky institut përmes avokatëve të mi do ta ngre këtë çështje për ta parë se çka po ndodh. Tani për tani asgjë nuk kam”, ka shtuar Limaj.

(telegrafi/BalkanWeb)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu