Limaj: Reformim ose humbje e PDK-së

0
518

(Vijon nga numri i kaluar) Nënkryetari i parë i PDK-së, Fatmir Limaj, në pjesën e dytë të intervistës e paraqet idenë se si duhet të shkojë përpara Partia Demokratike e Kosovës. Ai për herë të parë e zbulon formulën që duhet ta implementojë PDK në mënyrë që të mos e humbë primatin e partisë më të madhe në vend. E ajo “formulë” sipas Limajt është 1 anëtar- 1 votë.

Sipas njeriut të dytë të PDK-së, me këtë formulë “do t’iu jepej mundësia të gjithë njerëzve që dëshirojnë ta sfidojnë veten, të futen në garën politike, të demokratizohej partia… dhe ajo pa dyshim se do të dalë edhe më e fortë nga ato zgjedhje”. Ai është kundër mbajtjes së kongresit të partisë, siç kishte ndodhur më 2010, pak para zgjedhjeve të përgjithshme.

Limaj flet edhe për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut, i cili sipas tij u “fal”. Ish- ministri i Transportit është kundër privatizimit të PTK-së në këto momente, kur i ka rënë shumë vlera këtij aseti kaq të rëndësishëm për vendin. Sipas tij, qeveria Thaçi II për një vit e gjysmë nuk është marrë me probleme reale, por vetëm me dy çështje: “me bisedimet teknike apo politike, politike apo teknike…” dhe me çështjen e koalicionit.

Zëri: Thatë që PDK-ja është mbledhur shumë rrallë. Një çështje që është përfolur janë zgjedhjet e brendshme në PDK. Madje është thënë se është formuar edhe një komision me në krye Jakup Krasniqin, i cili do t’i udhëheqë këto zgjedhje. Cili është qëndrimi juaj, si duhet të shkojnë këto zgjedhje?

Limaj: Ju po e shihni me çka po ballafaqohemi. Unë mendoj që Kosova ka sfida të mëdha, sfida të cilat po na presin, nuk folëm për problemet ekonomike dhe sociale që ky vend i ka. Partia Demokratike është partia e cila është duke e udhëhequr qeverisjen, e ka përgjegjësinë kryesore në vend, për atë që folëm më herët për dialogun dhe bisedimet. Dhe ajo që unë mendoj është se ne para së gjithash duhet të mendojmë për interesin e vendit.

Në fund të fundit, partitë politike janë në funksion të mbrojtjes së interesave të shumicës së qytetarëve dhe do të doja shumë që energjitë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe jo vetëm të PDK-së, por edhe të grupeve tjera politike të fokusohen në mbrojtjen e interesave nacionale dhe çështjeve të domosdoshme të rëndësishme për vendin, siç e biseduam më parë. Mendoj se zgjedhjet në parti janë çështje e rendit të dytë, sekondare, përpara sfidave dhe problemeve.

1 anëtar- 1 votë, formula e suksesit

Zëri: Kur do të mbahen këto zgjedhje?

Limaj: Do të ketë zgjedhje patjetër, por po flas për këtë fazë, për këtë kohë ku jemi ne sot. E dyta, PDK dhe partitë politike në Kosovë për dy-trembëdhjetë vite tash pas luftës mendoj se janë konsoliduar mjaftueshëm, janë organizuar mjaftueshëm, janë shtrirë mjaftueshëm dhe kanë krijuar një përvojë të mjaftueshme sa që ne të kalojmë në një stazë tjetër të zhvillimit tonë të brendshëm.

Unë nuk jam për një kongres të Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpo jam për një reformë të thellë, jo reformë kozmetike, por një reformë të mirëfilltë demokratike duke marrë shembujt e partive simotra qoftë në rajon, qoftë në BE. PDK-ja si partia më e madhe në vend, do të duhej të fillonte një reformim të brendshëm për t’i hapur rrugë edhe grupeve tjera politike.

Unë do të paraqes idenë sepse këtë çështje s’e kemi diskutuar, do ta paraqes idenë kurdo që të mblidhet, që zgjedhjet e ardhshme PDK t’i zhvillojë në modelin një anëtar një votë. Nuk mundemi më të shkojmë me zgjedhje dosido, me improvizime formale siç kanë ndodhur në të kaluarën. Në të kaluarën janë të arsyeshme pse kanë ndodhur.

Por mendoj se tani duhet të kthehemi kah vetvetja dhe ta bëjmë një reformim të thellë, të kthehemi në bazë, reformat duhet të fillojnë nga baza, ta fuqizojmë anëtarin e thjeshtë të Partisë Demokratike të Kosovës, t’i hapim dyert për energji të reja, për konkurrim të anëtarëve të Partisë Demokratike që të jenë pjesë e strukturave nga niveli më i ulët deri te ai më i lartë dhe kjo mund të bëhet në qoftë se ne e hapim një proces të mirëfilltë brendapartiak që do të thotë një anëtar një votë.

Do të doja shumë që edhe kryetari i partisë, edhe kongresi i partisë të dalin nga vota e anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, jo nga votat e strukturave, por nga vota e secilit anëtar. T’i jepet mundësia dhe e drejta secilit anëtar të PDK-së të votojë për secilin përfaqësues të vet, edhe për kryetarin por edhe për kongresin, pastaj Kongresi mund të krijojë Këshillin Drejtues dhe udhëheqjen e partisë dhe kjo praktikisht do të jepte shembullin më të mirë të reformimit të partisë, do t’iu jepte mundësi njerëzve të rinj të aktivizohen dhe do të prodhonte udhëheqje dhe kuadro edhe profesionale të përgatitura por edhe të përgjegjshëm që pastaj kjo do të reflektonte nesër në qeverisjen qoftë në nivelin qendror apo në nivelet lokale. Kjo është ideja të cilën unë do ta paraqes.

Zëri: Jeni të bindur se do të gjeni mbështetje apo keni folur privatisht me njerëz, udhëheqës të PDK-së?

Limaj: Shiko, idetë është e rëndësishme që secili t’i japë, të kontribuojë. Unë e shoh detyrë timen që të kontribuoj në partinë time për të dhënë ide. Sa do të gjej mbështetje dhe si do të gjej mbështetje, si do të realizohet, kjo është një çështje që do të debatohet jo vetëm në kryesinë e partisë, por edhe në anëtarësinë e gjerë.

Unë besoj që kjo është ajo që do të dëshironin ta shihnin anëtarësia e gjerë, që është interesi i partisë, se unë jam i bindur se kështu, vetëm kështu mund ta ndryshojmë, reformojmë, fuqizojmë Partinë Demokratike të Kosovës. Dhe unë jam këtu për të parë se cili është interesi i partisë, i cili do t’i ndihmonte më së shumti PDK-së, por jam i bindur gjithashtu se kjo do t’i ndihmonte jetës politike në Kosovë. E tash, se si do të gjej mbështetje, kjo mbetet të shihet…

Zëri: Në bazë të kësaj ideje që do ta propozoni ju, shihet se do të marrë një periudhë të caktuar kohore, ndërkohë që në opinion është thënë se shumë shpejt në PDK do të futen edhe emra me ndikim. Madje është përmendur shtatori ose tetori. Si do të bëhet kjo?

Limaj: Jemi duke folur për dy çështje të ndryshme. Ajo që unë po them është se procesi i zgjedhjeve në PDK do të duhej të fillonte kështu dhe të kemi zgjedhje të mirëfillta dhe ta bëjmë reformën, ta reformojmë partinë. Tjetra, angazhimi i njerëzve është pikërisht kjo që po them unë, t’i jepet mundësia secilit, kushdo që është i interesuar, jo vetëm emra por secilin që është i interesuar që të futet që nga baza atje, dhe ka me dhjetëra qindra njerëz, që janë të interesuar të bëjnë jetë partiake, politike, por t’i ofrohet mundësia që atje si anëtar të konkurrojë, kandidojë dhe të futet tek figurat e partisë.

Por në qoftë se PDK e sheh të nevojshme që në këtë fazë ka nevojë për njerëz të veçantë, të ndryshëm për t’u aktivizuar, ju e dini që në Kosovë është shumë i zhvilluar ky sistemi i kooptimit, sepse s’ka parti politike në Kosovë që nuk ka bërë kooptime për një periudhë të caktuar. Por, unë po flas për një proces më të gjatë, për një vizion të PDK-së, nuk jam duke folur për një moment të veçantë, unë jam duke folur për atë që është e mira e Partisë Demokratike të Kosovës dhe është e domosdoshme të bëhet në Kosovë.

Jo vetëm në PDK, por besoj edhe me partitë tjera, të fillojnë demokratizimin e brendshëm në parti, sepse pa një reformë të mirëfilltë, pa një demokratizim të partive kurrë asnjëherë ky vend nuk do të ketë institucione të mirëfillta demokratike dhe nuk do të ketë kuadro të përgjegjshme të cilat nesër do të marrin përgjegjësinë për ta qeverisur vendin. Kjo është ideja ime për të cilën thashë se do ta paraqes. Pastaj edhe të tjerët mund të japin idetë dhe shpresoj që ne do të jemi partia e parë që do ta instalojmë këtë sistem të përzgjedhjes dhe reformës të brendshme në parti.

Ju e dini si gazetarë, vazhdimisht keni kërkuar reformimin e brendshëm të partive politike. Mendoj se ky është çelësi, nuk po zbulojmë asgjë, po e marrim kopjen që bëjnë partitë qofshin social-demokrate, qofshin partitë popullore në Evropë e në rajon, të gjitha e kanë instaluar këtë sistem, sepse ka treguar se është më rezultativ, më efektiv dhe gjithëpërfshirës.

Domethënë iu japim mundësi të gjithë atyre vajzave, djemve, burrave dhe grave të cilët janë të interesuar dhe e shohin vetën se mund të ndihmojnë në jetën politike në vend, t’iu ofrohet mundësia e barabartë të gjithëve për të konkurruar dhe për të dhënë kontributin e vet përmes një grupi politik, për interesa të caktuara për vendin në fusha të ndryshme ku ata mendojnë që mund ta ndihmojnë më shumë vendin e tyre.

PDK duhet të profilizohet

Zëri: Edhe një pyetje rreth kësaj. Ju përmendët partitë simotra të PDK-së jashtë dhe përmendët në një moment partitë socialdemokrate. Cili është vizioni juaj për këtë parti, e majtë, e djathtë?

Limaj: Edhe kjo çështje duhet të qartësohet mirë. Në Kosovë nuk ka profilizim të partive. Të gjithë thonë se jemi të djathtë, nëse ua kërkon puna të gjithë kthehen bëhen të majtë, sepse kjo është ajo që ne kemi kaluar qe dymbëdhjetë vite për të ardhur deri te konsolidimi.

Edhe kjo çështje pse mos të hapet me atë që e thash unë, një anëtar- një votë, një program politik, një orientim, një kongres i cili pastaj nxjerrë vizionin e saj dhe ecin gjërat dhe bëhet pastaj profilizimi i qartë i partive politike. Mendoj se është koha që edhe për këtë çështje të hapet debati.

Zëri: Po ju ku qëndroni, qendër e majtë apo e djathtë?

Limaj: Jo, unë jam qendër e djathtë.

Zëri: T’i kthehemi pak çështjes së privatizimit, ekonomisë. Shoqëria civile dhe një pjesë e opozitës e kanë kritikuar qeverinë për privatizimin, sidomos për Distribucionin e KEK-ut. Cili është qëndrimi juaj si deputet?

Limaj: Ne kemi probleme të shumta me privatizimin. Edhe këtu ka munguar një dialog i mirëfilltë me grupet e interesit. Ka munguar një komunikim me grupet e interesit. Së pari, duhet të jem i qartë, privatizimi është promotor i zhvillimit të një vendi, këtu s’ka askush asnjë dilemë. Sa më pak qasje e qeverisjes në këto ndërmarrjet publike, mundësia është më e madhe për investim dhe mundësia më e vogël për afera korruptive të cilat e kanë ballafaquar këtë vend.

Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ju me sy të mbyllur të shkoni e të bëni çdo gjë. Mendoj se ka munguar një komunikim në mes të grupeve të interesit, sidomos, tash kur jemi te KEK-u, te Distribucioni. Unë nuk po jap përgjigje, por po bëj një pyetje, çka ua merr mendja juve, a ka Kosova biznesmen që nuk do të konkurronte për ta blerë Distribucionin po ta dinin se njëzet e dy-njëzet e tre milionë është vlera e Distribucionit.

Zëri: A ka, zoti Limaj?

Limaj: Unë mendoj se ka. Kosova nuk ka biznesmen që mund ta blejnë me pesëqind e gjashtëqind milionë, por jam i bindur se Kosova ka pasur, ka nga bota e biznesit njerëz të cilët për njëzetegjashtë milionë do të ishin në gjendje që vetë ta blejnë.

Zëri: A nënkupton kjo se nuk e keni shumë problem çmimin, por më shumë e kini se te kush është shitur, sepse ka mundur të jetë shitje e brendshme?

Limaj: Jo, unë problemin e kam të dyanshëm. Mendoj se vlera, ekspertët e dinë më mirë, por besoj shumë që vlera e distribucionit është shumëfish më e madhe, nuk është kjo që është. Dhe në anën tjetër, për këtë çmim e dimë se kanë mundur dhe mund ta blejnë biznesmenët kosovarë.

Ne po duam investitorë të huaj, këtu është ideja, investitor të huaj Kosovës i duan më shumë se kushdo tjetër, por investitor të fuqishëm që ia vlen, por njëzetegjashtë milionë nuk besoj se është investim, ose shpenzim i madh. Aq më tepër, atë që ne e shesim, pra distribucionin, kurrë ajo më nuk bëhet e jona.

Këtë e dinë më mirë ekspertët, jam i bindur se distribucioni ka vlerë shumë më të madhe, por edhe ka pasur kohë. Vetëm asetet e distribucionit thuhet se janë dhjetëra fish më të madha se sa që është çmimi i krejt distribucionit. Për shembull, vetëm ndërtesa e Elektrokosovës.

PTK nuk duhet të privatizohet tani

Zëri: Atëherë, a është e ngutshme shitja e PTK-së, a është tash momenti më i mirë. Ju keni qenë ministër i Telekomunikacionit, i dini rrethanat edhe në PTK dhe jeni i thirrur të flisni për ekonomi?

Limaj: Për PTK-në e di cila ka qenë vlera përpara, besoj edhe ju e dini. Një kohë i ka kaluar mbi një miliardë euro, një kohë PTK-ja e ka pasur këtë vleftë. Në atë kohë vlera e PTK-së ka qenë jashtëzakonisht e lartë. Tani ku jemi sot? Për sot kam dilema a është momenti.

Zëri: Gjithmonë flasim për momentin, jo për nevojën për t’i privatizuar?

Limaj: Për nevojën nuk diskutohet, që duhet të privatizuar. E thashë edhe më parë se kapitali privat duhet të futet, por gjithmonë institucioni kujdeset t’ia gjejë momentin, kohën kur është më e përshtatshme. Ju e dini që ka qenë një ide e Post-Bankës përpara.

Po të ishte realizuar ajo ide, sot posta do të kishte një vlerë krejt tjetër, jo vetëm posta, ekonomia e Kosovës do të ishte më ndryshe, bujqësia e Kosovës do të ishte më ndryshe, biznesi i vogël do të ishte më ndryshe, mirëpo lobingjet e atëhershme nuk lejuan që të kemi post-bankë.

Edhe unë mendoj se vazhdimisht janë dëmtuar asetet e postës, kanë shkuar duke u zvogëluar, dëmtuar deri me afera, për ta zvogëluar vlerën e PTK-së. Kështu që unë nuk jam i sigurt që është momenti tani të privatizohet posta.

Zëri: Ju keni nënshkruar para dy viteve një kontratë me Bechtel&Enka për ndërtimin e rrugës. Tash qeveria thotë se ajo kontratë disi duhet të paguhet. Ne e shohim buxhetin në krizë dhe nevojën e qeverisë për të shitur asete për të paguar këtë kontratë. Nga kjo perspektivë, mendoni se kjo është arsyeja, dhe mendoni se kjo kontratë ka qenë e shtrenjtë?

Limaj: Unë mendoj që koha e ka treguar se nuk lidhet Posta me projektin e autostradës. Për këto dy vite e ka treguar koha. Ju e dini edhe para dy viteve kemi folur për këtë temë. Tash koha e tregoi se nuk ka qenë e lidhur çështja e autostradës me PTK-në, sepse pagesat janë kryer në raport me autostradën, bile në këtë vit shumica e autostradës përfundon.

Zëri: E kemi autostradën e re që po niset.

Limaj: E tani kjo është çështje tjetër. Nëse ideja është për të shitur postën për të filluar në drejtim të Shkupit është çështje që mund të diskutohet. Do me thënë, ka mundësi kjo të ndodhë. Pastaj do të vijë në shprehje, a duhet të fillojmë me një autostradë të re apo jo.

Zëri: Z. Limaj, duhet të fillojmë me një partneritet publiko-privat, atë autostradë, apo duhet prapë ta fusim në buxhet?

Limaj: Unë e kam parë që ka pasur debate të shumta se çfarë do të bëhet në këtë drejtim, në drejtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit. Projekti, krejt projekti, parapërgatitja, ndërtimi i projektit, analiza, çdo gjë që ne e kemi bërë, se kjo është bërë në kohën kur unë kam qenë ministër është përgatitur për të shkuar në partneritet publiko-privat. Janë shumë arsye pse nuk ka shkuar autostrada Prishtinë-Durrës në partneritet publiko-privat. Për faktin që nuk ka pasur interes nga investitorët të investojnë në drejtim Prizren-Prishtinë.

E vetmja mundësi për t’u ndërtuar autostrada Prishtinë-Morinë ka qenë me buxhet, ndërsa Prishtinë-Hani i Elezit gjatë kohës së ndërtimit të projektit ne kemi pasur të lajmëruar më shumë se dhjetë kompani të cilat kanë qenë të gatshme të hyjnë në partneritet publiko-privat.

Pse? Sot aktualisht nga matësit e rrugëve që i ka ministrja qarkullojnë mesatarisht në ditë prej pesëmbëdhjetë deri në njëzet e pesë mijë automjete në rrugën Prishtinë-Kaçanik. Ky korridor i plotëson të gjitha kushtet që të shkohet në partneritetin publiko-privat, në mënyrë që buxheti i Kosovës të mos preket për asnjë cent. Unë kam dëgjuar zërat që do të shkohet me buxhet të shtetit, por ky do të ishte gabim shumë i madh, përderisa ka mundësi që të shkohet me partneritetin publik- provat.

Kjo qeveri s’ka bërë asgjë

Zëri: Po flitet se në shtator ose në tetor do të ndodhin ndryshimet në qeveri. Do të hynit në këtë qeveri?

Limaj: Ajo çka unë mendoj është se edhe para riformatizimit duhet një bilanc edhe një analizë e asaj që ka bërë kjo qeveri. Nëse do të vijë deri te riformatizimi nuk është nevoja që të ndërrohen njerëzit. Riformatzimi duhet të vijë si rezultat i disa problemeve dhe i mosrealizimit të disa objektivave në dikasteret e caktuara.

Kjo nënkupton se duhet të shikohet edhe programi qeveritar, kjo nënkupton se duhet të qiten edhe disa prioritete të reja, dhe ai riformatizim të shkojë i freskuar për t’i realizuar ato objektiva. Prandaj, unë nuk jam i gatshëm të flas për asgjë tjetër përderisa kjo të mos bëhet.

Në qoftë se qeveria vlerëson se duhet të shkohet drejt riformatizimit, duhet të diskutohet në parti, të bëhet bilanci, të arriturat e deritashme dhe pastaj të kemi qëndrimet edhe të partisë, por edhe të individëve veç e veç. Tani për tani për çdo gjë që flasim është spekulative dhe qeveria është duke qeverisur.

Zëri: Thoni se duhet ta kemi një bilanc të punës së kësaj qeverie. Ju si nënkryetar i keni bërë ndonjë bilanc punës së kësaj qeverie?

Limaj: E kam thënë dhe e them se për një vit e gjysmë këtë qeveri e kanë karakterizuar dy gjëra: bisedimet, se a janë teknike apo politike, politike apo teknike… Dhe e dyta që gjashtë muaj jemi duke e mbajtur opinionin me koalicionin, për ndryshimin e koalicionit, zgjerimin… S’ka rezultat tjetër.

Zëri: Kjo bëhet për t’u ikur problemeve reale, gjendjes së rëndë ekonomike e sociale?

Limaj: Kjo ndodh për t’iu ikur problemeve reale dhe gjendjes së rëndë me të cilën ballafaqohet qytetari i Kosovës. Ka pak investime, investimet e jashtme janë krejt simbolike. Dhe gjendja ekonomike nuk është ajo që është pritur. Nuk e di a e keni parë ju, por në një nga ministritë e Kosovës e pashë që kishin qitur shpallje ku thuhej se Gjermania kërkon doktorë, në kohën kur mjekësia e këtij vendi është tmerr.

Unë e kuptoj se individi, me këtë rast mjeku të bëjë zgjidhje personale, por jo institucioni t’i ftojë njerëzit që të shkojnë në Gjermani, ndërsa gjendja e mjekësisë në Kosovë dihet se në çfarë gjendje është. Cila është më e keqja, se me miliona në Kosovë para shpenzohen për të mjekuar qytetarët tanë jashtë Kosovës…

Zëri: Z. Limaj, ne kemi investuar në rrugë? Dhe ju keni qenë ministër

Limaj: Ku do të shkonin ato para po të mos ishin rrugët. Kjo duhet të merret si një shembull i mirë, si tregues se poqë se do të punosh, këtë mund ta bësh. Ky vend mund të ndërtohet, mund të zhvillohet. Kjo duhet të merret si një matës edhe për shëndetësinë edhe për ministritë tjera. Rruga është këtu dhe është parakusht.

Pse s’mund të bëhet edhe një spital i mirë… Investimi në rrugë duhet të merret si shembull pozitiv. Dhe në Kosovë përfundimisht duhet të hiqet dorë nga ajo që ku punohet të shahet dhe aty ku s’punohet të mos bëhet zhurmë. Mendoj se ka ardhur koha që aty ku nuk punohet, të bëhet zhurmë në mënyrë që edhe ata të punojnë.

Shteti të merret me radikalët

Zëri: Dhe një pyetje ndoshta e fundit, ndoshta jashtë temës, por lidhet me realitetin në Kosovë. Ne po flasim për mungesë totale të një debati shoqëror, në të gjitha pikat, jo vetëm në politikë, për ekonomi, për një moszhvillim të vendit, për mungesë të investimeve të huaja, për mungesë të lirisë së investimeve të brendshme, dhe për gjëra tjera. Një klimë pak a shumë e moszhvillimit të plotë të vendit. Dhe në anën tjetër kemi një frikë që është shumë e mëhershme, që një klimë e mosinvestimit të vendit, moszhvillimit të vendit, mosprespektivës së vendit mund të prodhojë ekstreme, dhe jo vetëm politike, por edhe fetare, pra një radikalizëm të mundshëm islamik. Mendoni që ka bazë një frikë e tillë posaçërisht tek partnerët tanë ndërkombëtarë?

Limaj: Mendoj që pyetja juaj është shumë me vend për ta mbajtur gjithmonë një temë, për ta diskutuar. Siç e thatë ju, hapja e temave të mundshme vetëm sa e ndihmojnë shoqërinë. Nëse është problemi të ballafaqohemi me problemin, nëse nuk është problemi, paraprakisht të mos krijohet problemi. Unë së pari besoj shumë në traditën e këtij populli, besoj shumë në një vlerën me qindra e qindra vjet me të cilën ndjehemi krenarë, dhe është vazhdimisht nga leva që ne përdorim dhe kemi të drejtë ta përdorim tolerancën tonë fetare, traditën tonë fetare dhe një lloj islamizimi kosovar.

Ne kemi fenë islame të traditës tonë, është burimore, është kosovare. Por unë dua të them, dua ta shfrytëzoj rastin t’i shprehi mirënjohje Bashkësisë Islame të Kosovës në krye me myftiun Naim Tërrnava edhe të gjithë atyre imamëve, eprorëve fetarë që janë në kuadër të Bashkësisë Islame në gjithë territorin e Kosovës, të cilët, mesa unë kam informacione vazhdimisht kanë punuar edhe vazhdojnë të punojnë e predikojnë në kuadër të kësaj tradite tonë, të kësaj tolerance tonë, të këtij islamizmit kosovar të cilin ne e kemi.

Edhe detyra jonë është edhe shoqërore edhe institucionale ta fuqizojmë Bashkësinë Islame, ta ndihmojmë Bashkësinë Islame, të jemi afër saj, dhe sa më të fuqishme ta kemi Bashkësinë Islame, sa më të angazhuar ta kemi Bashkësinë Islame, udhëheqjen e Bashkësisë Islame, aq më pak i jepet hapësirë elementeve të tilla radikalë, të cilët shfaqen dhe janë, ka aty- këtu në Kosovë. Atij grupi nuk duhet t’i jepet hapësirë, nuk duhet të ketë vend në realitetin jo vetëm kosovar, por po flas shqiptarë, në tërësi.

Nuk ka armik më të madh për këtë komb sesa elementë të tillë, të cilët absolutisht nuk kanë asgjë të përbashkët, e asgjë të bëjnë as me fenë e as me kombin. Unë jam njeri që besoj në Zot, po ata absolutisht asnjë gjë të përbashkët nuk e kanë, as me fenë, as me besimin, e as me kombin, as me të mirën e Kosovës dhe popullit të saj. Prandaj, sa më shumë që t’i ndihmojmë elementët e moderuar, në këtë rast Bashkësinë Islame si institucion, të krijojmë hapësira, të krijojmë kushte, të krijojmë mundësi, sepse edhe ata kanë kërkesa nga besimtarët e tyre dhe t’i krijojmë ato parakushtet e tyre për t’u zhvilluar normal me ritet e tyre fetare, për t’i respektuar datat e tyre dhe për t’i nderuar kudo që kemi mundësi, kjo ndihmon dhe i fuqizon ata për t’i luftuar ata elementë ekstremë, radikalë, ku do që shfaqen në njërën anë dhe në anën tjetër shteti.

Shteti duhet të jetë i pakompromis ndaj shfaqjes së elementëve të tillë. Unë mendoj se këtu nuk duhet të ketë kompromis. Duhet automatikisht të shikohen se kush janë ato OJQ, në emër të saj, çka hyn, ku hyjnë, të mbikëqyren me çka merren, cila është veprimtaria e tyre, cili është qëllimi i tyre. Po në perspektivë, unë nuk shoh, nëse funksionojmë kështu, nëse vazhdojmë kështu, nuk shoh ndonjë problem, por nëse i injorojmë, nëse i mbyllim sytë, dhe nëse e lëmë vetë Bashkësinë Islame të merret me ta, rrezikun e kemi te dera.

 

Nga Astrit Gashi & Adrian Çollaku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu