Linja me Kosovën, qeveria anulon tenderin. Dëmi, 15 mln euro

0
802

Ngërçi i krijuar midis qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane të zhvillimit KFW në lidhje me ndërtimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, krahas vonesave në realizimin e saj, pritet t’i kushtojë buxhetit të shtetit edhe disa milionë euro më shumë. Por kjo shtesë nuk do të jetë nga ndyrshimi i projektit apo ndonjë shkak tjetër, por nga anulimi i tenderit.

Ishte pikërisht çështja e ndërtimit të linjës 400 kilovolt me Kosovën ajo që dominoi debatin politike dje në Kuvend midis deputetëve të majtë dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode.

Debati filloi kur deputetet Erjon Braçe dhe Arben Ahmetaj akuzuan qeverinë për afera korruptive në sektorin e energjisë duke favorizuar kompanitë serbe. “Të paktën 92 % të vlerës dhe 95 % të sasisë të përgjithshme të energjisë për KESH-in importohen nga vetëm tre kompani, që të treja serbe. Se si nuk e shqetëson kryeministrin tonë, aq patriot, që e ka bërë vendin tërësisht të varur nga këta importues, për këtë duhet të japë ai përgjigje”, – tha Braçe. Bode më pas vijoi duke akuzuar bankën gjermane se nuk kishte venë në dijeni qeverinë shqiptare për përzgjedhjen e fituesit duke aluduar edhe për praktika korruptive.

Por çfarë do të thotë për Shqipërinë tërheqja nga ndërtimi i një projekti, ku madje është përzgjedhur edhe fituesi? Ndikimi i parë lidhet me vonesat që do të paraqiten në përfundimin e linjës midis Tiranës dhe Prishtinës, e cila do të nxirrte Kosovën nga varësia direkte e furnizimit me energji elektriken duke ulur kështu edhe çmimin mesatar me të cilin ajo e blen nga Serbia. Krahas kësaj, ndërtimi sa më shpejtë i linjës do të krijonte një rrugë të re për Shqipërinë për të siguruar energji nga Kosova apo linjat e rajonit. Ndikimi tjetër do të ishte ajo financiare. Gjatë letërkëmbimeve dhe debatit mbi përzgjedhjen e fituesit, KFË paralajmëroi qeverinë shqiptare se ose duhej të pranonte si fitues kompaninë kroate ose duhej të anulonte tenderin, ajo zgjodhi këtë të fundit. Në këto kushte, riorganizimi i një tenderi tjetër mund t’i kushtojë vendit edhe 15 milionë euro të tjera plus projektit sipas bankës.

Ndërkaq, nuk dihet ende reagimi i kroatëve në këtë mes. Nëse ata do të hidhnin në gjyq shtetin shqiptar për këtë veprim dhe gjykata e arbitrazhit do të vendoste në favor të tyre, atëherë fatura do të ishte më e lartë. Një shembull i ngjashëm është ai i anulimit të projektit për ndërtimin e trenit elektrike Tiranë-Durrës, ku shteti shqiptar u detyrua që t’i paguante kompanisë amerikane “General Electric” 20 milionë dollarë në formë dëmshpërblimi.

Problemet me qeverinë, CEZ kërkon ndihmën e SHBA-ve

CEZ vazhdon të jetë e pakënaqur me qeverinë shqiptare edhe pas vizitës së Kryeministrit çek në Tiranë për zgjidhjen e problemeve financiare. Gazeta çeke në anglisht, The Prague Post, i referohet zëdhënëses së grupit CEZ në Pragë tek shpreh pakënaqësitë ndaj situatës së CEZ Shpërndarjes në Shqipëri. Madje, zëdhënesja e CEZ-it në Çeki, Eva Novakova i kërkon ndihmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas saj duhet të ndërhyjnë pranë Bankës Botërore si aksionerët kryesorë që të aktivizojë kredinë-garanci prej 60 milionë euro në favor të CEZ Shpërndarjes.

Kjo është një deklaratë e fortë krahasuar me qëndrimet e mëparshme të kompanisë duke nxjerrë në pah faktin se as vizita e Petr Necas në Shqipëri nuk ka mundur të gjejë një zgjidhje për situatën e kompanisë. “CEZ Shpërndarja nuk mund të operojë më gjatë më humbje. CEZ nuk është e kënaqur me hapat që janë marrë deri më tani. Ajo ka detyrën që të mbrojë kompaninë për investitorët dhe aksionerët. CEZ është duke negociuar me qeverinë shqiptare për të gjetur një zgjidhje të pranueshme”, – citohet të ketë thënë Novakova.

Gazeta vijon më tej duke cituar se kjo e fundit i ka bërë thirrje SHBA-ve që në cilësinë e aksionerit kryesorë të Bankës Botërore, e cila ka dhënë edhe garancinë financiare prej 60 milionë euro në favor të kompanisë, të jetë e interesuar në zgjidhjen e problemeve të CEZ Shpërndarjes në Shqipëri. Kredia-garanci mund të tërhiqet nga CEZ Shpërndarja në momentin që vlerëson se qeveria shqiptare nuk i përmbahet kushteve të privatizimit.

Çfarë ndodhi?

OST zhvilloi në mars të vitit të shkuar tenderin për ndërtimin pjesës shqiptare të linjës me Kosovën. Në garë morën pjesë dy kompani, kroatja “Dalekovod” duke u ofruar me 36 milionë euro dhe boshnjakja “Energoinvest” me 27 milionë euro. Kriteret e vendosura nga financuesi parashikonin se 70 për qind të pikëve për përcaktimin e fituesit do të vareshin nga kushtet teknike dhe 30 për qind nga ato financiare. Pra më shumë rendësi kishte garancia se punimet do të bëheshin cilësore se sa çmimi me të cilin do të bëheshin ato. Në kushte të tilla, kompania kroate u lajmërua në nëntor se ishte shpallur fituese, nisur nga garancia teknike që ofronte, pavarësisht çmimit. OST ngurroi të shpallte fituese këtë kompani duke bërë që marrëdhëniet me bankën gjermane të acaroheshin për të arritur në debatin e këtyre ditëve.

 

Nga, Emirjon Senja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu