Lista e Ministrisë së Mbrojtjes, javën e ardhshme

0
928

Luta ne UCK

Verifikimi i njësiteve operative të UÇK-së, të udhëhequra nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës (FARK-u), nuk është bërë ende. Ndonëse janë shpallur të gjitha listat e zonave të UÇK-së, nuk janë shpallur listat e veteranëve edhe për ushtarët nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes të qeverisë në ekzil, të cilët ende nuk e dinë statusin e tyre.

Komisioni për Njohjen dhe Verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit si dhe veteranit të UÇK-së nuk ka publikuar ende këto lista.
Rrustem Berisha, anëtar i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Listave të Veteranëve, thotë se listat e veteranëve, dëshmorëve, si dhe invalidëve që kanë qenë pjesë e njësiteve nën komandën e FARK-ut do të publikohen më së largu në javën e ardhshme. Ai thotë se procesi i verifikimit po vazhdon dhe se Komisioni është duke punuar të mos bëhet ndonjë gabim. Sipas Berishës, në këto lista do të dalin emrat e anëtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, njësiteve… “Nuk do të mbetet pa u përfshirë asnjë pjesëmarrës në kuadër të këtyre njësiteve apo Ministrisë së Mbrojtjes, as Tahir Zemaj. Në lista do të jenë dhe anëtarë të Ministrisë sikurse Ahmet Krasniqi, Halil Bicaj…etj”, ka konfirmuar ai për “Zërin”.

Berisha thotë se sapo të përfundojë verifikimi, e që ai beson se do të jetë mesi i javës së ardhshme, do të publikohet dhe lista e Ministrisë së Mbrojtjes. Më 4 prill 2014, pas 15 vjet pritjeje e reagime, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash e miratoi Ligjin për Veteranët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). 73 deputetë votuan për këtë ligj, aq sa dhe ishin të pranishëm në seancë, nuk pati kundër, por amendamentimi i këtij ligji ngjalli reagimin e ashpër të deputetëve opozitarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që edhe e lëshuan seancën gjatë votimit, pasi që kërkesa e tyre që në këtë ligj të futen edhe pjesëtarët e rekrutuar nga ish-Ministria e Mbrojtjes (FARK) nuk kaloi në Kuvend. Pengesa ligjore për verifikimin e ushtarëve nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes mohohet nga Komisioni për Verifikim. /Zëri/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu