Lista e Zonës së Dukagjinit për veteranë, nuk është përfundimtare

0
594

Avdyl Mushkola

Pas publikimit të listave paraprake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Dukagjinit, ashtu sikurse edhe në rastet e zonave të tjera operative, janë shfaqur pakënaqësi e shqetësime te një pjesë e bashkëluftëtarëve tanë.

Sipas Zonës Operative të Dukagjinit, kjo nuk është lista përfundimtare e veteranëve të luftës nga kjo pjesë e Kosovës.

Ja reagimi i plotë:
Pas publikimit të listave paraprake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Dukagjinit, ashtu sikurse edhe në rastet e zonave të tjera operative, janë shfaqur pakënaqësi e shqetësime te një pjesë e bashkëluftëtarëve tanë.
Pakënaqësitë shfaqen në radhë të parë për shkak se Ligji për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, padrejtësisht nuk ua njeh kontributin luftarak në mënyrë meritore atyre që ishin të angazhuar edhe nga 6-7 muaj gjatë vitit 1998 në vijat e para të frontit, ndërkaq ua njeh të drejtën atyre që janë angazhuar ndoshta vetëm një apo dy javë para përfundimit të luftës, pa marrë pjesë në asnjë veprim luftarak. Kur kësaj i shtohet fakti se ky proces i verifikimit po bëhet me 16 vjet vonesë, përfshirë edhe gabimet e shumta teknike dhe lëshimet e shfaqura në lista, si në rastet kur një person gjendet në dy-tri lista të ndryshme, kur një dëshmor nuk gjendet në asnjë listë apo gjendet në listat e të refuzuarve apo të pjesëmarrësve, kur emri i një luftëtari që e ka filluar e mbaruar luftën nuk gjendet në asnjërën prej listave, etj., ka bërë që pakënaqësitë dhe shqetësimet të rriten. Por, sqarojmë se këto lista NUK JANË LISTAT PËRFUNDIMTARE.
Prandaj, të gjithë bashkëluftëtarëve dhe kontribuuesve të UÇK-së që janë të pakënaqur me pozicionet në listat e publikuara, apo të bashkëluftëtarëve të tyre, të gjithë atyre që mund të na ofrojnë fakte dhe argumente se në këto lista mund të kenë hyrë njerëz jomeritorë dhe të kenë mbetur jashtë listave njerëz meritorë, ju bëjmë thirrje të na ndihmoni, që të gjithë së bashku t’i përmirësojmë dhe t’i mënjanojmë lëshimet apo gabimet eventuale. Mbi të gjitha u themi se nuk ka arsye që këto lista të bëhen shkas për hidhërime, grindje e ngatërresa ndërmjet bashkëluftëtarëve.
Bashkëluftëtarë të nderuar, ju bëjmë thirrje dhe ju udhëzojmë të gjithë juve që pakënaqësitë t’i kanalizoni zyrtarisht duke ushtruar ankesa pranë zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës, apo pranë Komisionit për Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të UÇK-së.
Përsërisim edhe një herë dhe sqarojmë publikisht se këto lista janë lista paraprake dhe nuk janë lista përfundimtare. Prandaj, kushdo që konsideron se i është bërë e padrejtë, le të orientohet për ankesë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Deçan apo në komunat tjera përkatëse. Të gjitha ankesat, do të merren parasysh, do të shqyrtohen dhe do të trajtohen me seriozitetin më të lartë, dhe askujt nuk do t’i mohohet kontributi i dhënë në luftë për liri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu