Lista “Srpska”: Nuk mund të jemi në një koalicion me Vetëvendosjen

0
556

Lista serbe

(E Plotsuar) Kryetari i Listës “Srpska”, Aleksander Jabllanovic ka thënë se nuk mund të jenë në një koalicion me Partinë e Albin Kurtit.

Ai ka thënë se kanë kërkuar kohë shtesë për konsultime me Beogradin dhe partitë politike për të vendosur për të ardhmen e Listës.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes LDK-AAK-Nisma me Vetëvendosjen, duke e ditur se VV-ja është subjekt që kërkon anulimin e marrëveshjeve të Brukselit me Serbinë, pjesëmarrja jonë në këtë koalicion në këto rrethana të reja është e pamundur. Ne kërkojmë që të kemi konsultime shtesë me Beogradin por edhe me subjektet e tjera relevante politike në Kosovë për të ardhmen tonë”, ka thënë ai.

_ _ _ _ _ _ _

Lista “Srpska” kërkon të shtyhet seanca për t’u konsultuar me Beogradin

Deputetët e Listës “Srpska” kanë kërkuar të shtyhet seanca konstituive për të pasur kohë të konsultohet me Beogradin. Këto kohë për konsultime po e kërkojnë edhe pas përfshirjes së Vetëvendosjes me Bllokun LDK-AAK-NISMA….

Vazhdimi i seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës me pikën e vetme, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të legjislativit, e paraparë që të mbahet të premten më 12 shtator, mund të shtyhet me kërkesë të Listës Serbe.

Siç kanë njoftuar zyrtarë të partive politike në Prishtinë, Lista Serbe, e cila përfaqësohet me 9 deputet në Kuvend, ka kërkuar konsultime shtesë me Beogradin pas, siç thuhet, zhvillimeve të reja politike që pasuan përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin LDK, AAK dhe Nisma, ku bënte pjese edhe Lista Serbe.

Deputeti Rasim Demiri, nga komuniteti boshnjak i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Lista Serbe ishte ajo që kishte kërkuar shtyrjen e seancës.

“Sot do të takohemi edhe me kryesuesen Flora Brovina në bazë të kësaj kërkese të Listës Serbe e cila ka thënë se i nevojiten konsultime me Beogradin pas përfshirjes së Vetëvendosjes në koalicionin egjerë”, ka thënë Demiri.

Ky zhvillim i ri i ka mbledhur në një takim edhe liderët e koalicionit pas zgjedhor. Me këtë rast, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk po sheh arsye pse duhet të shtyhet seanca, kur nuk kanë mbetur as 24 orë para fillimit të saj.

“Edhe ne jemi të informuar për kërkesën e listës “SRPSKA”, për shtyrjen e seancës. E dimë që është lista serbe ajo që ka kërkuar të shtyhet seanca, mirëpo marrëveshja jonë me këtë Listë qëndron, është partneritet i qëndrueshëm, dhe kërkesa e Listës për shtyrje është vetëm për shkaqe teknike”, ka thënë Haradinaj.

Për vendimin përfundimtar, pritet që kryesuesja e seancës, Flora Brovina të konsultohet me partitë parlamentare dhe të marrë vendimin definitiv nëse do të shtyhet apo jo kjo seancë.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu