Loja e Thaçit me veteranët

0
834

Ish-luftëtarët e “pensionuar” të UÇK-së kanë humbur besimin në autoritetin e Qeverisë së Kosovës, i cili sipas tyre, po zbehet për çdo ditë. Dërgimi i Projektligjit për veteranët e UÇK-së nga ana e qeverisë në Kuvend, nuk i ka bindur ish- guerilët se do të “shpëtojnë” nga varfëria. Zgjidhjen e statusit të tyre ata e shohin vetëm nëse ky projektligj trajtohet me seriozitet nga Qeveria, dhe do të realizohet në praktikë.

Por, duke pasur parasysh se projektligji dërgohet në fund të mandatit dhe në periudhën kur po bëhen plane për zgjedhjet e ardhshme, veteranët e shohin vetën të instrumentalizuar. Këtë bindje ata e forcojnë edhe me faktin se Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë buxhet për t’i paguar veteranët.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së e quan lojë procedimin e Projektligjit nga qeveria në Kuvend, në kohën kur sipas këtij këshilli, ka dështuar verifikimi i veteranëve në afatin e duhur nga ana e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e statusit për Kategoritë e Luftës, i cili udhëhiqet nga ministri i FSK-së, Agim Çeku. Madje, ky këshill ka kërkuar të premten dhe dorëheqjen e Çekut.

Ndonëse mbi 40 veteranë të luftës kanë bërë vetëvrasje për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe për shkak të mosmbështetjes nga institucionet e Kosovës, qeveria sipas analistëve e ka gjetur momentin dhe kohën para zgjedhjeve të dalë me projektligjin për veteranë, dhe jo më herët. Një ditë më parë në rrjetin e tij social kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se me këtë ligj veterani luftëtar realizon pensionin personal, shtesa në pensionin e pleqërisë si dhe pensionin e trashëgimtarëve, pas vdekjes së veteranit.

“E procedova në Kuvendin e Kosovës projektligjin për Veteranët e UÇK-së, të aprovuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Me këtë ligj përcaktohen të drejtat në benificione për veteranët e UÇK-së dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre…Veteranit luftëtar i UÇK-së, përmes njohjes së të drejtës në pension dhe benificione të ndryshme, i sigurohet mbështetje financiare dhe benefite të caktuara për kontributin e dhënë në luftën e UÇK-së”, ka shkruar Thaçi në facebook.
Mest: Veteranët : Agim Ceku të japë dorëheqje.

Por, ish-ushtari i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi dhe kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë se veteranët janë skeptikë se ky projektligj do të ecë përpara. Ai thotë se as nuk e ka parë projektligjin dhe se nuk kanë njohuri çfarë përmban e çfarë jo.

Qeriqi bën të ditur se ky projektligj ka dalë disa herë në Parlament dhe është kthyer sërish në qeveri. Bazuar në këtë shqetësim, ai tha se më 13 shkurt i kanë dërguar një shkresë kryeparlamentarit Jakup Krasniqi duke kërkuar që të mbështesë këtë projektligj dhe të ecë procesi i zbatimit të tij sa më shpejt. Sipas Qeirqit, veteranët kërkojnë po ashtu edhe të amendamentohet projektligji në ato vende ku nuk përfaqësohen interesat e veteranëve si duhet. Qeriqi dyshon se procedimi i projektligjit në Kuvend mund të jetë një lojë e qeverisë, dhe këtë e bazon në prolongimin e verifikimit të veteranëve. Sipas tij kanë kaluar deri tash të gjitha afatet që verifikimi të kryhet. Në qershor të vitit 2013, ai thotë se ka përfunduar afati i aplikimit dhe është dashur deri tash të kryhet verifikimi . “Nuk ka kryer punën komisioni nëse nuk përfundohet sa më shpejt ky proces duhet të japë kryetari dorëheqje… Ka një vit që ka përfunduar procesi i aplikimit, prandaj Çeku duhet të japë dorëheqje se ka dështuar të kryejë këtë punë, apo qëllimisht nuk ka dashur”, ka thënë Qeriqi, i cili thekson se deri tash veteranët kanë qenë të shkelur në të gjitha të drejtat e tyre dhe asnjëherë nuk kanë marrë pagë.

OVL e UÇK-së i kërkon parlamentit mbështetje

Gjatë ditës edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar përshpejtim të këtij ligji në takimin e zhvilluar me kryekuvendarin Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se Projektligji tashmë është dorëzuar në Kuvend, ndërsa komisionet përkatëse do të japin kontributin e tyre për shqyrtimin dhe aprovimin e tij. Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli ka kërkuar angazhim për nevojën e përshpejtimit të dinamikës së shqyrtimit të këtij projektligji me rëndësi të veçantë. Ai ka theksuar se me anë të këtij projektligji do të kontribuohet në përmirësimin e pozitës së veteranëve, një pjesë e të cilëve jetojnë në kushte të rënda sociale.

Kreu i veteranëve të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, më parë ka adresuar kritika te Komisioni Qeveritar se po e prolongon çështjen e verifikimit e veteranëve të luftës. Ai të premten ka thënë për “Zërin” se që nga janari ky komision është duke punuar për t’u kryer verifikimi sipas agjendës, e cila ai thotë se nuk mund të kryhet aq shpejt pasi dhe procesi i verifikimit do kohë. Xhemajli ka thënë se eprorët e zonave janë duke verifikuar se kush ka qenë në strukturat e UÇK-së, proces ky që në një pjesë të zonës së Shalës është kryer dhe po vazhdon në atë të Karadakut. Xhemajli ka theksuar se pas verifikimit të veteranëve listat me emrat e tyre do të jenë të hapura-publike për një muaj, dhe të gjithë ata që mendojnë se i është bërë e padrejtë dikujt apo dikush është pa meritë në atë listë do të rishqyrtohen nga komisioni, kurse më pas bazuar dhe në ligj do të kategorizohen për të marrë benificionet që iu takojnë.

Ai ka thënë se me këtë projektligj do të kthehet dinjiteti i veteranit të UÇK-së dhe do të rregullohen shumë çështje të veteranëve, edhe pse sipas tij, nuk do të përmbushen të gjitha kërkesat dhe nevojat e veteranëve. Por, me miratimin e projektligjit, sipas Xhemajlit, do të dalin nga kriza mbi 700 familje të veteranëve që kanë vdekur pas luftës dhe familjet e tyre nuk marrin të ardhura nga shteti si dhe veteranët që nuk janë në marrëdhënie pune. Mirëpo, në qoftë se projektligji për veteranët nuk kalon para datës 10 mars në Kuvend për miratim ai ka thënë se do të vazhdohet me protesta dhe forma tjera të pakënaqësisë.

Rritja e pagave ka dhe ngjyrim politik

Paralajmërimi i Qeverisë për rritje të pagave dhe në anën tjetër procedimi i Projektligjit të veteranëve në Kuvend që kërkon mjete shtesë, shihet jo pak si komplikim buxhetor nga analistët e ekonomisë. Profesori i Fakultetit Ekonomik Musa Limani ka theksuar se rritja e pagave është vendim i mirëseardhur për shoqërinë kosovare, pasi ai konsideron se ka një shpërputhje të madhe ndërmjet konsumatorit dhe çmimeve sot në Kosovë.

Sipas tij, paga minimale në Kosovë është 250 euro dhe ajo mesatare 350-380 euro që është një proporcion jo i mirë në mes mesatares dhe minimales së të ardhurave. Ndërsa, procedimi i projektligjit në Kuvend ai thotë se kërkon po ashtu mjete e që nuk janë paraparë në buxhet, prandaj në këtë situatë, ai sqaron se në buxhet paraqiten lëvizshmëri duke u bërë ndarje, të destinuara për diçka tjetër të përdoren për projektligjin. Limani thotë se bazuar në një logjikë të thjeshtë, rritja e pagave ka dhe ngjyrim politik, pasi po ndodh në kohën dhe momentin kur po flitet për zgjedhjet.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se ligji mund të ndryshohet për shkak të procedurave. Por, sipas tij, po të donte qeveria ta zgjidhte këtë problem pa pasur mundësi ta bëjë këtë që në mandatin e parë si dhe atë të dytë. “Nuk e ka zgjidhur dhe nuk e ka në plan ta zgjidh”. Selimi thotë se kjo dokumentohet me grevën e veteranëve të cilët për 61 ditë qëndruan në një tendë dhe asnjëherë kryeministri nuk i takoi dhe nuk foli me ta. Ndërsa, ai thekson se është po ky kryeministër që për të ndalur grevën tha se do ta procedojë Projektligji për veteranë në Kuvend. “Në Kuvend nuk solli këtë ligj, por për të drejtat e invalidëve civilë dhe të luftës së UÇK-së…”.

Ai vlerëson se tash nuk ka kohë të implementohet ky ligj në kohën e përfundimit të mandatit. Madje ai thotë se Komisioni për verifikimin është themeluar për të dështuar pasi që komisioni nuk ka kriteret për të bërë verifikimin. “Si mund të verifikohen veteranët kur nuk ka kritere. Nuk ka kriterin e kohës së luftës, vendi i luftës dhe në struktura të UÇK-së”, ka thënë Selimi duke shtuar se po të donte qeveria të zgjidhej ky problem, do ta linte verifikimin në duar të organizatave të luftës. Ai ka vlerësuar se edhe Komisioni për verifikimin e veteranëve dhe projektligji, sipas Selimit, janë vetëm një veprim mediatik për të dalë në pah sikur duam ta zgjidhim problemin.

 

Nga: Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu