Loja me EULEX-in

0
849

(E plotësuar) Rezoluta që ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës për të përcaktuar epilogun e funksionimit të misionit EULEX në Kosovë, duket se do t’i dalë “dardhë me bisht” Prishtinës zyrtare.

Mund të jetë kjo rezolutë e cila e vë në mes dy zjarreve Qeverinë e Kosovës, e cila kërcënohet nga ish-guerilët e UÇK-së që të krijojë infrastrukturën e tranzicionit për përfundimin e EULEX-it, ose t’ia vazhdojë mandatin EULEX-it, sepse Beogradi zyrtar kërcënon me moszbatim të marrëveshjes pa një EULEX ekzekutiv.

Më serioze duket se është kërcënimi që vjen nga Qeveria e Serbisë e cila nuk u beson institucioneve kosovare, prandaj praninë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) për zbatimin e marrëveshjes, e konsideron të domosdoshme.

Dy ditë më parë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se asnjë marrëveshje nuk vlen nëse EULEX-i nuk do të ketë rol ekzekutiv.

“Dua t’ua tërheq vërejtjen përfaqësuesve të institucioneve në Prishtinë. Por edhe bashkësisë ndërkombëtare se jemi shumë seriozë në qëndrimin tonë se asnjë marrëveshje nuk vlen nëse nuk ka rol ekzekutiv të EULEX-it. Lëkundja dhe shkuarja e EULEX-it për ne do të thoshte se marrëveshjet janë zero dhe se ato nuk mund të zbatohen”, ka deklaruar Vulin për mediet serbe.

Sipas tij, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit nuk ka ardhur në Kosovë me dëshirën dhe vullnetin e Prishtinës zyrtare, por me vullnetin dhe dëshirën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe të Republikës së Serbisë. “Nga atje (Kosova) mund të largohet vetëm me këto dëshira”, është shprehur ai.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një rezolute i rekomandon Qeverisë Thaçi që deri në dhjetor ta hartojë një plan tranzicioni për përfundimin e misionit EULEX. Madje deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë akuzuar misionin e BE-së, lidhur me hetimin dhe gjykimin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat për krime lufte.

Ligjvënësit kosovarë pothuajse njëzëri kanë adresuar kritika të ashpra ndaj qasjes së EULEX-it në raport me luftën e UÇK-së, por edhe mungesën e hetimeve të krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës së pafajshme civile shqiptare.

Menjëherë pas këtij debati reagoi shefi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili tha se EULEX-i ka ardhur në Kosovë me ftesën e kosovarëve për të forcuar rend dhe ligj, prandaj edhe po e bën këtë detyrë.

Ivanoviq: S’kemi besim në njëri-tjetrin

Ish-sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq, thotë se Vulin ishte i ashpër me deklaratë për EULEX-in, por, sipas tij, kishte të drejtë, ngase nëse nuk ekziston Misioni i BE-së në Kosovë, atëherë pala kosovare nuk do ta zbatojë asnjë marrëveshje që ka arritur me Serbinë.

“Ne nuk kemi besim në njëri-tjetrin, edhe EULEX-i është njëfarë garancie. Vulin është i vetëdijshëm që pa praninë e palës së tretë ne nuk mund të merremi vesh në mes vete”, thotë Ivanoviq.

Ai thotë se nuk mjafton që garantues i zbatimit të marrëveshjes është Bashkimi Evropian dhe baronesha Ashton, ngase për t’i jetësuar marrëveshjet nevojitet “forcë në terren”.

“BE-ja nuk i ka veglat praktike, vegla praktike është EULEX-i, ai mund të intervenojë e jo Bashkimi Evropian prej Brukseli, duhet ta ketë dikë në terren”, nënvizon ai.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, beson se Serbia e sheh EULEX-in si “rrugë” të vetme për ta zbatuar marrëveshjen, prandaj nuk parapëlqehet largimi i mundshëm i këtij misioni.

“EULEX-i është i domosdoshëm për Kosovën dhe jo për vendet tjera në rajon, e dyta, sa i përket zbatimit të marrëveshjeve, Bashkimi Evropian është garantuesi dhe EULEX-i është mekanizëm i garantuesit”, thotë Ramadani.

Sidoqoftë, ai shprehet i bindur se deklarimi i Vulinit për EULEX-in është politikë e Serbisë, siç thotë ai, që të hapë debate të panevojshme në Kosovë.

“Kjo sepse EULEX-i nuk i duhet Serbisë, EULEX-i i duhet Kosovës, i duhet vendosjes së ligjit dhe luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse institucionet e Kosovës për mendimin tim nuk kanë arritur edhe më tutje të forcohen që të luftojnë rastet e rënda të krimit të organizuar, shpëlarjes së parave, fshehjes së tatimeve apo korrupsionit”, thekson ai.

EULEX-i duhet të largohet gradualisht

Shpend Kursani nga Instituti KIPRED kujton se misioni i EULEX-it ka qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës, dhe gjithashtu ky mision është adresa e vetme për bashkëpunim me palën serbe, gjë që, sipas tij, janë dy faktorët kryesorë që ndikojnë që autoritetet serbe ta duan EULEX-in në Kosovë.

“Shkuarja e EULEX-it do të thoshte se Kosova i merr përgjegjësitë më të mëdha dhe në njëfarë mënyre kjo do të tregonte se Kosova është edhe më shumë e pavarur sesa që është aktualisht, pra nuk do të ketë ndonjë autoritet mbikëqyrës, apo me kompetenca ekzekutive nga jashtë që punon me Rezolutën 1244”, thekson ai.

Sipas tij, EULEX-i do të duhej të “paketohej”, dhe kosovarët do të duhej t’i kryenin punët e veta. “EULEX-i gradualisht duhet të shkojë, dhe jo në mënyrë të menjëhershme, madje për disa arsye. Arsyeja e parë është se nuk ka treguar ndonjë efikasitetet për ndarje të drejtësisë siç e ka pritur popullata, por edhe institucionet e BE-së”, thotë ai.

Por, për analistin politik, Behxhet Shala, sikurse pala kosovare që herë pas here e përmend largimin e EULEX-it, edhe ajo serbe që insiston në qëndrimin e saj, janë duke bërë lojëra për interesa të ngushta personale.

“Kjo është një lojë edhe nga ana e Kosovës edhe nga ana e Serbisë. Keni parasysh se Serbia përpara as që ka dashur të dëgjojë për mandatin ekzekutiv të EULEX-it, ka kërkuar që UNMIK-u të jetë i pranishëm dhe të jetë bashkëpunëtori i ngushtë i Serbisë. Ndërkaq, institucionet e Kosovës e dinë shumë mirë se nuk janë ato që e përcaktojnë mandatin e EULEX-it, prandaj, tash po duan t’i tregojnë pak muskujt edhe pse e dinë se kjo nuk ka kurrfarë efekti”, thekson ai.

Sipas tij, Serbia po e përdor situatën aktuale për të shantazhuar, ndërsa për t’ia bërë asaj “qejfin”, EULEX-it në të ardhmen do t’i vazhdohet mandati.

“Zëri” të shtunën ka bërë përpjekje që të marrë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili zakonisht prononcohet për medie nuk është paraqitur gjatë tërë ditës, ndërsa ministrat e tjerë nuk flasin për çështje që dalin “jashtë domenit të tyre”.

Megjithatë, një ditë më parë ai ka thënë se EULEX-it do ta përfundojë misionin në Kosovës sipas planit të parashikuar. Kjo i bie se EULEX-i mund të shpërbëhet si misionin në verën e vitit 2014.

Ndërkaq në anën tjetër, janë ish-guerilët e UÇK-së të cilët kërcënojnë qeverinë se nëse EULEX-it nuk i krijohen kushtet e epilogut, ata mund të dalin me një listë të përbashkët në zgjedhje, ose mund t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme. Guerilët janë të indinjuar me aksionet e fundit të EULEX-it kundër veteranëve të UÇK-së, kryesisht pas ngritjes së akuzave për krime lufte.

Bisedimet i shpëtuan politikanët e korruptuar

Shpend Kursani nga Instituti KIPRED thotë se hetuesit dhe prokurorët e EULEX-it kanë dështuar në Kosovë në luftimin e shumë dukurive negative, të cilat në thelb kanë prekur zyrtarë shtetërorë, përkatësisht drejtues të Qeverisë së Kosovës.

“Nëse do ta luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin, ajo do t’i rrokte zyrtarët e lartë shtetërorë, shumë prej tyre të përfshirë direkt dhe indirekt në dialogun me Serbinë, dhe duke menduar BE-ja se dialogu me Serbinë është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër, edhe EULEX-i ka rënë pre e dialogut, ku nuk i ka prekur disa figura që është dashur të preken”, thotë ai.

 

Nga: Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu