Luan Çipi: Për Bajram Currin, trimi i vegjëlisë shqiptare!

0
16

Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës të 1913-s që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun.

Bajram Curri, u lind në vitin 1866, në Krushë të Madhe të Anadrinit, rrugës ndërmjet Gjakovës dhe Prizrenit dhe vdiq, më 29 mars 1925, në Dragobi. Ishte politikan, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë, nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Hero i Popullit shqiptar nga Kosova. Ishte djalë i Shaqir Agë Currit, pjesëmarrës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u plagos në luftën, të cilën forcat e Lidhjes shqiptare e zhvilluan kundër Maxhar Pashës, në verë të vitit 1879, në Gjakovë. Maxhar Pasha, kishte arritur në Kosovë me urdhër të Stambollit, me qëllim për t’ i bindur krerët shqiptarë të Lidhjes që t’ia dorëzonin Malit të Zi tokat shqiptare të Ulqinit, Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë. Në atë kohë shumë prej bejlerëve shqiptarë ndodheshin para dilemave, të ruanin postet pasuritë dhe sarajet dhe t’i pranonin vendimet e padrejta dhe antishqiptare të Kongresit të Berlinit, apo të rreshtoheshin me Lidhjen, në luftë për realizimin e aspiratave për çlirim nga robëria shekullore e Shqipërisë. Duke qenë pjesëtar i një familjeje patriotike tradicionale, Bajram Curri me kohë e kishte kuptuar se duhet ta vazhdonte rrugën e babait dhe bashkëluftëtarëve të tij. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ai ishte vetëm 12 vjeçar, por jehona e atyre zhvillimeve iu kishte ngulitur thellë në qenien e tij. Kjo Lidhje Shqiptarësh e kishte thelluar hendekun mes shqiptarëve, të cilët duke parë se Perandoria Osmane po bënte tregti me tokat shqiptare, ata përfundimisht u shkëputen nga ndikimi i Stambollit dhe morën armët për të mbrojtur trojet, që u kishte grabitur Mali i Zi.

Bajram Curri ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet politike e luftarake, qysh prej Lidhjes Shqiptare të Pejës të viteve 1899-1900. Atij përket merita edhe në themelimin e klubeve e të shkollave shqipe në Kosovë. Ka qenë mbrojtës i alfabetin e gjuhës shqipe të vendosur në Kongresin e Manastirit dhe nënkryetar i klubit “Bashkimi” të Shkupit nga viti 1908. Ndihmoi kryengritjen e armatosur të Malësisë së Mbishkodrës të vitit 1911, u bëri një qëndresë të fortë ushtrive osmane në Qafën e Morinës.

Në maj të vitit 1912 u bashkua me vendimet e mbledhjes së Junikut, mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, u shqua si një nga komandantët e talentuar popullorë që theu ushtritë osmane në Qafën e Prushit në korrikun e 1912 dhe në fushën e Kosovës. Së bashku me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Idriz Seferin dhe Riza bej Gjakovën, në krye të forcave kryengritëse, hyri në Shkup, ku u vendos besa e përgjithshme për të mos cenuar rendin dhe qetësinë e qytetarëve. Pas 1912 punoi në Kosovë për mbrojtjen e shtetit të pavarur shqiptar.

Bajram Curri nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës të 1913 që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar Kosovën dhe vise të tjera shqiptare dhe luftoi për bashkimin e tyre me atdheun. Në vitin 1913 qe një nga drejtuesit e kryengritjes së armatosur popullore në Kosovë kundër zgjedhës serbo-malazeze. Në vitin 1914 mori pjesë në luftën kundër veprimeve antikombëtare e separatiste të Revoltës së Shqipërisë së Mesme në Durrës. Me të hyrë ushtritë austriake në Gjakovë më 1916, shkon në terren ku interesohet për rendin, qetësinë dhe për zhvillimin arsimor.

Në vitin 1918 u zgjodh anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe u bë një nga udhëheqësit e tij kryesore. I ngarkuar nga ky Komitet, i dërgoi një protestë Konferencës së Paqes në Paris (1919) në të cilën kërkonte që të njiheshin të drejtat e Shqipërisë dhe që popullsisë shqiptare në Kosovë t’i jepej e drejta të shprehte lirisht aspiratat kombëtare.

Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, i cili e caktoi ministër pa portofol të qeverisë dhe komandant të përgjithshëm te forcave të armatosura. Ai udhëhoqi veprimet ushtarake për shtypjen e lëvizjes esadiste. Me anë të ndikimit të tij bën të mundur që të dërgojë jashtë shteti me bursë shtetërore të rinj premtues, si Rexhep Krasniqi, Xhevat Korça e Krist Maloki. Ishte kundër forcimit të pozitave të Ahmet Zogut në shtetin shqiptar, iu kundërvu atij qysh në fillim. Në ndihmë të qeverisë së Tiranës bashkëpunon për paqësimin e situatës në Revoltën e Mirditës. Në dhjetor 1921 u caktua Komandant i Përgjithshëm i forcave të armatosura në qeverinë disa ditore të Hasan Prishtinës. Pas marrjes së pushtetit nga Ahmet Zogu u vendos në Krasniqe nga ku vazhdoi luftën në gjirin e malësorëve të Veriut kundër dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre që kishin ndërmarrë serbo-malazezët. Mori pjesë në Lëvizjen e Marsit të vitit 1922 kundër Ahmet Zogut, bashkë me Elez Isuf Ndreun dhe Mustafa Krujën me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Krijoi një zonë të lirë në Malësinë e Gjakovës, në Tropojë, nga ku kërcënonte qeverinë e Tiranës dhe bashkëpunoi me çetën e Azem Galicës që luftonte në Kosovë për çlirim kombëtar.

Ishte ndër udhëheqësit kryesorë të forcave demokratike revolucionare, në krye me Fan Nolin që shpartalluan repartet zogiste dhe i hap rrugën fitores së Revolucionit demokratik-borgjez të Qershorit 1924. Bajram Curri u vra më 29 mars të vitit 1925, në Shpellën e Dragobisë nga forcat zogiste dhe agjentët e shovinistëve serbë. Rrethimi i çetës së Bajram Currit u bë nga oficeri i Zogut Kadri Mehmeti, ndërsa planin për likuidimin e tij e kishte marrë përsipër, dhëndri i Zogut, Ceno beg Kryeziu i Gjakovës. Vrasja e Bajram Currit kishte goditur rëndë forcat më përparimtare dhe më të devotshme të kombit. Pas kësaj, satrapi Ahmet Zog, vrau edhe Luigj Gurakuqin, Elez Isufin, Hasan Prishtinën, Avni Rrustemin e sa e sa të tjerë.

Jeta dhe vepra e Bajram Currit lidhet me angazhimin e tij patriotik për bashkimin e Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare me Shqipërisë, andaj emri dhe vepra e tij kanë qenë e po mbesin burim frymëzimi për gjeneratat atdhetare liridashëse. Jeta dhe vepra e Bajram Currit kanë qenë burim frymëzimi për këngëtarët, poetët, shkrimtarët, regjisorët. Janë këngët e shumta që populli i ka kushtuar tribunit të vegjëlisë shqiptare, që kishte lindur në burg në kohën e sundimit turk, ndërsa kishte rënë në Dragobi të Malësisë, i rrethuar nga forcat mercenare zogiste e jugosllave.

Edhe Fan Noli i madh i ka kushtuar njërën ndër poezitë më të frymëzuara të tij, bashkëkombësit, bashkëluftëtarit, i cili nuk pranoi të syrgjynosej e të vritej pas shpine nga bandat zogiste, por qëndroi trimërisht e burrërisht deri në regëtimën e fundit të shpirtit, për të mbetur prore i gjallë:

Heroi i Popullit, Bajram Curri, e mbylli jetën e tij ashtu si jetoi, me nder e arme ne dore, shkrep i pathyeshëm në Shpellën e Dragobisë. Ai mbeti i pavdekshëm në kujtesën e brezave, imazhi i një figure legjendare, si rralle bashkëkohës i tij, shok e bashkëluftëtarë. Heroi i Popullit, Bajram Curri, me veprimtarinë e gjatë prej atdhetari konsekuent, ku krahas luftës për çlirimin e bashkimin kombëtar, spikat edhe përpjekja për konsolidimin dhe demokratizimin e Shqipërisë së pavarur. Ka lenë gjurmë të thella e të pashlyeshme në ndërgjegjen e kombit dhe konsiderohet si një “figurë e ndritur” e historisë sonë.

Veprimtaria e shumanshme atdhetare e Bajram Currit, spikati me force edhe në jetën politiko-shoqërore shqiptare të viteve 1920-1924. Ai dha një ndihmese të dorës së parë si në luftën për konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar, ashtu edhe në konfrontimet që i hapnin rrugë demokratizimit të jetës politike në Shqipëri. Edhe kësaj radhe u tregua konsekuent, prandaj qeveria e dale nga Kongresi i Lushnjës gjeti tek ai i një mbështetje të fuqishme dhe prijësin që i duhej për të shpartalluar çdo pengesë në rrugën e sigurimit dhe konsolidimit te pavarësisë së vendit. E thërrisnin të ishte aty ku situata ishte më kritike, dhe ai me atdhetarizmin dhe aftësitë e tij e normalizonte. Goditi e shpartalloi esadistët në Shqipërinë e Mesme në prag të fillimit të Luftës së Vlorës, mandej pa u çlodhur ende, vrapoi ne Koplik për të sprapsur intervencionin sllav. Një vit më vonë, asgjësoi në Mirditë komplotin e agjenturës së Pashiçit, të kryesuar nga kapedani separatist i krahinës. Bajram Curri në jetën dhe veprën e tij vetëmohuese u bë për popullin shqiptar një ndër heronjtë më të dashur të të gjitha kohërave. Djaloshi i ri gjykoi drejt për çka kishte ndodhur e po ndodhte. Kjo përcaktoi rrugën e jetës se tij, gjithnjë me popullin në rrugën, ne luftën për aspiratat e tij sublime. Edhe populli e deshi për prijës, ia dha pa hezitim “votën”, duke e ndjekur pas, jo vetëm ne fitoret e bujshme, por edhe në kohë të vështira. Lëvizjet popullore që nuk reshten deri në shpërthim të fuqishëm, që çoi në Shpalljen e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, janë të lidhura shpesh me emrin e Bajram Currit. Ne 1899 u bë përkrahës besnik i Haxhi Zekës dhe krah i sigurt i Lidhjes Shqiptare të Pejës, vazhdues i denjë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Heroi i Popullit, Bajram Curri, e mbylli jetën e tij ashtu si jetoi, me nder e armë në dorë, shkrep i pathyeshëm e i palatueshëm, duke shkruar më 29 mars 1925 ne Shpellën e Dragobisë, pjesën e fundit të jetës së tij epope, për të mbetur i pavdekshëm në kujtesën e brezave, imazhi i një figure legjendare, si rrallë bashkëkohës i tij.

Kush e vrau legjendarin Bajram Curri?

Ndërsa kanë kaluar kaq vite, ende e vërteta e vrasjes së bujshme rri pezull mbi mistikën e atyre maleve të Dragobisë sot e kësaj dite, si për të ngjallur kureshtjen e trazuar prej amshimit për legjendën, Bajram Curri. U vra apo u vetëvra? Kush e vrau Bajram Currin? U tradhtua dhe pse? Ishin shqiptarë apo serbë ata që e ndoqën deri ku ai hoqi shpirt? Janë këto pikëpyetje që mbajnë të gozhduar të vërtetën e pasaktësuar të kësaj ngjarjeje. Ngase është thënë, është dëshmuar dhe përfolur nëpër malësinë e Gjakovës, e pamundur të mbetet e të mos zbardhet e vërteta. Dikujt i ka interesuar dhe vazhdon t’i interesojë, që kjo të mbetet e mbyllur. Ato gjysmë të vërteta që kanë qarkulluar nën zë, brez pas brezi në Malësinë e Gjakovës të kthyera tashmë në legjenda thonë se për vrasjen e tij ishte vënë një çmim, dhe ishin me qindra ata që i ishin vënë pas. I gjendur pa rrugëdalje, Burri i Malësisë ka hequr xhamadanin për të mos e njollosur me gjak dhe me një plumb në kokë i ka dhënë fund jetës. Zëra të tjerë thonë se Ahmet Zogu nuk ka pasur gisht në vrasjen e tij, i vetëdijshëm se një veprim i tillë do të nxiste tërbimin e malësorëve që e admironin pafundësisht heroin e tyre. Të tjerë thonë se u vra në shpellë nga bejlerët e Gjakovës në pabesi.

Dëshmitarët e këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë pohuar se xhamadani i Bajram Currit u gjend i hequr dhe i vendosur disa metra larg trupit të tij të vdekur, pa njolla gjaku. Sipas të drejtës zakonore të Veriut të Shqipërisë, ky gjest i tij në momentet e fundit të jetës interpretohej si mesazh për pasuesit e gjakut të tij që ta konsideronin të mbyllur konfliktin e familjes Curri me familjen Kryeziu të Gjakovës. U vra vërtetë Bajram Curri nga njerëzit e Ahmet Zogut, apo ky i fundit duke shfrytëzuar ndonjë hasmëri a konflikt e përdori atë për të larë hesapet me kundërshtarin e tij më të flaktë, dhe për të mbajtur nën fre zemëratë e malësorëve që shikonin tek ky burrë udhëheqësin liberator. Zogut nuk i interesonte të ishte pas këtij akti dhe gjithë mekanizmi që ngrihet rreth fundit të legjendarit Bajram Curri, duket si një përpjekje e matjanit të rafinuar për të mbetur pa faj. Por faktet janë kokëforta. Me 9 janar 1925, Ceno Begut iu dërgua telegram urgjent, (dokument i publikuar nga Veli Haklaj), me të cilin kryeministri Ahmet Zogu urdhëronte: “Currin gjallë â vdek duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt tue marrë gjithë masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet mâ”. Me anë të këtij telegrami Ceno Begu autorizohej nga Ahmet Zogu që: “batalionin e atyshëm ta merrte nën urdhnin e tij; në qoftë se kompanikomandantat nuk ishin të besueshëm të emnonte të tjerë besnikë; prefektin, në qoftë se i sillte pengime, ta pushonte nga detyra dhe për këtë të lajmëronte”.

Në vijim të veprimeve operacionale, më 11 janar 1925, Ceno Begu me forcat qeveritare mbërrini në Gash dhe të nesërmen sulmoi Krasniqen. Sipas informacioneve që vinin nga Prefektura e Shkodrës, rezultonte që Bajraktari i Bujanit, Sali Mani me 60 veta i ka shkue në ndihmë Currit. Si rrjedhim kjo ministri urdhëronte Komandën e Operacionit të Veriut që “një kompani 110 vetësh të asaj komande pa vonesë me zânë të gjitha vanat e Drinit për mos me lânë me kalue për në Pukë komitat e fuqisë së Currit.” Kështu thuhet në evidencën e dokumentuar të fakteve nga zoti Haklaj.

Nga një burim përftojmë një dëshmi që flet për një tjetër moment të rëndësishëm të ngjarjes. Kur janë rrethuar në Dragobi nga forcat zogiste, Sali Mani mbështetësi kryesor i Bajram Currit, ka pyetur çfarë të bëjmë? Bajram Curri mësohet të jetë përgjigjur se duhet me luftue se nuk ka asnjë besë, ata kane ardh me na vra. Kështu kanë dalë nga shpella dhe ka filluar pushka. Mbas disa orësh luftime, kanë marrë vesh lajmin e kobshëm se Bajram Curri, i cili kishte vrarë veten. “Nuk e besoj se Bac Bajrami të vriste veten. Por duhet ta kenë vra në pabesi”, paska thënë më vonë një nga bashkëluftëtarët e Shpellës së Dragobisë. Sali Mani dhe luftëtarë të tjerë, pasi kanë mësuar për vdekjen e Bajram Currit kanë ikur për të përfunduar mbas disa ditësh në Gjakovë, prej nga nuk do të mund të lëviznin për rreth 7 vjet nën kërcënimin me vrasje të Zogut. Në ditët tona rezultati i kësaj heshtjeje të imponuar dihet: konjukturat politike i fshijnë të gjitha me heshtje. Të paktën, këtë e bënë me Luigj Gurakuqin, që u vra tre javë para tij. Në përvjetorin e vrasjes së Bajram Currit, pothuaj nuk dimë asgjë të veçantë dhe versionin më të afërt të vrasjes.

Duke cituar Skënder Drinin, mësojmë: “Bajram Curri na e la një porosi shkollore civilizuese që Evropa, që bota e civilizuar duhet ta mësojë edhe sot. Bajram Curri e dinte fare mire kush po e lufton për vdekje. Por si burrë i pjekur prej shqiptari do ta lënë për histori këtë shkollë civilizuese “Kush prek popullsinë serbe të paarmatosur, ka punë me mu! Kush djeg e vjedh, e din çka e pret! Mjafton kaq për të frenuar vrasjen e njerëzve të paarmatosur dhe për të mos i lënë shqiptarët të bëheshin ‘serbë’”. Kujtimet e Sejfi Vllamasit ishin ‘të parat’ pas viteve të komunizmit që hodhën dritë mbi personalitetin e Bajram Currit: “Vishej bukur. Ishte patriot i rrallë dhe i ndershëm me virtytet më të mira të racës sonë”, thotë ai.

Për të ilustruar mendimin e tij ai e citon vetë fatosin e madh te Kosovës. “Me pas 4000 kosovarë të zgjedhur, Serbisë kisha me i shkuar në Beograd”.

Në fakt, ishte Beogradi që erdhi vetë në Tiranë dhe ia solli Ahmet Zogun, armikun e vet bash në Tiranë.

Bajram Curri, ky burrë i jashtëzakonshëm trim, nuk u bë dot asnjëherë politikan mirëfilli, edhe pse gëzoi ofiqe. Informacioni për të merret gjithnjë në mënyrë të tërthortë. Historia e hedh në krah të italianëve ashtu si figura të tjera të kohës, pasi Italia shprehet hapur si mbështetje e shqiptarëve. Dhe Currin kanë ku ta kapin. E do Kosovën pa asnjë çmim dhe është gati të bëjë gjithçka për të, qoftë dhe me ndihmën e italianëve. Ama jo serbët.

Ndërkohë, ky burrë simpatik, vishet bukur dhe prish shumë para. I ngjan një ranger-i amerikan, shprehet Vllamasi, por edhe di të argëtohet… Cilësi që thuhen pak, sepse heronjtë shqiptarë janë të përkorë. Vetëm të përkorë. Kjo na e bën të prekshëm figurën tonë, por edhe shumë simpatike. Ishte njëri si të gjithë të tjerët dhe më shumë akoma me shumë pritshmëri.

Marenglen Verli është një nga historianët më të vjetër tanët, që është marrë me problemin kosovar. Prej tij kemi përcaktime më institucionale për heroin: “I pakthyeshëm dhe gjithnjë në krye të forcave popullore, u përlesh me ushtritë pushtuese serbo-malazeze në Plavë e në Guci, në Krasniqe e në Gash.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më pas e pati nder ta zgjidhte atë si anëtar të vetin dhe t’i ngarkonte detyrën e përfaqësuesit në Konferencën e Paqes për mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Përfundimisht mund të themi se Bajram Curri ka qenë atdhetar e demokrat i shquar revolucionar e trim, udheheqes popullor i lëvizjes për çlirimin e bashkimin kombëtar të vendit, antiturk, antiserb dhe antizogist, senator, ushtarak i lartë me gradë deri kolonel, Hero i Popullit.”

Shkruan, Luan Çipi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu