Lubonja: Berisha si Enveri, nuk pyeti njeri për plehrat

0
765

Intelektualë dhe një grup aktorësh të shoqërisë civile në vend, mes tyre dhe ish-presidenti i Republikës Alfred Moisiu, shpallën ditën e djeshme krijimin e Aleancës Kundër Importit të Plehrave. Duke lexuar deklaratën e përbashkët, analisti Blendi Kajsiu sqaroi se qëllimi i këtij grupimi është ndalimi i importit të plehrave, veprim ky që legjitimohet nga ligji i fundit “Për Menaxhimin dhe Integrimin e Mbetjeve”. Ligji në fjalë u kthye për rishqyrtim në Parlament nga Presidenti Bamir Topi ndërkohë që AKIP theksoi se me të njëjtin argument, kërkon me këmbëngulje eliminimin e nenit 49 të ligjit. Madje AKIP ka paralajmëruar se nëse mazhoranca e miraton sërish ligjin, atëherë do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne mendojmë se lejimi i importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë është një akt që rrezikon jo vetëm ambientin por dhe jetën e qytetarëve sot dhe nesër”, theksoi Kajsiu. Ndërkohë, pjesëmarrësit në tryezë vlerësuan se lejimi i importeve bie ndesh me strategjinë kombëtare për zhvillimin e qëndrueshëm sidomos në atë turistik. Në fjalën e saj, aktivistja Kozara Kati, theksoi se neni 49 i ligjit shkel në mënyrë makabre të drejtat e njeriut. i pakursyer në fjalën e tij ka qenë dhe analisti Fatos Lubonja. Duke akuzuar drejtpërdrejtë kryeministrin e vendit, Lubonja e krahasoi atë me ish-diktatorin Enver Hoxha. Ky i fundit, sipas Lubonjës, veproi po njësoj si kryeministri aktual në kohën kur ndërtoi Azotikun e Fierit apo Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. “Nëse Sali Berisha do të merrte një vendim për familjen e tij, për oborrin e tij, ai nuk do të bënte këtë që bëri për shtëpinë tonë të madhe. Nuk do të lejonte që ta bënte oborrin e familjes vend ku hidhen  plehrat e komshiut.”, tha Lubonja. Nga ana tjetër, Lubonja akuzoi ashpër Berishën, i cili, sipas tij, “pasi shiti gjithçka dhe nuk ka ç’të shesë më që të mbajë pushtetin, kërkon të nxjerrë fitime me importin e plehrave”.

Duke folur për rëndësinë e rezistencës qytetare, studiuesi Ardian Klosi solli në kujtesë të të pranishmëve situatën e ngjashme në vitin 2004 me rastin e Kasharit. AKIP është vazhdim i Grupit për Reagimin Qytetar i cili iu kundërvu marrëveshjes koncensionare për djegien e plehrave në Kashar ku një sasi e madhe ishte planifikuar të vinte nga Italia. Reagimi qytetar në atë kohë ja arriti qëllimit për të penguar importin e mbetjeve që vendi fqinj kishte rënë dakord të sillte në Shqipëri.

 

Përbërja e AKIP

1. Lavdosh Ferruni                                             Ambientalist

2. Kozara Kati,                                                    Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut

3. Alfred Moisiu                                                  Ish President i Republikës së Shqipërisë

4. Ermira Pirdeni,                                                Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat

5. Elton  Kacidhja                                                Lëvizja Mjaft

6. Aldo Merkoci                                                   Lëvizja Mjaft

7. Blendi Kajsiu                                                   Analist

8. Fatos Lubonja                                                 Publicist

9. Andi Kananaj                                                  Res Publica

10. Ardian Klosi                                                  Studiues

11. Përparim Kabo                                              Sociolog

12. Premto Gogo                                                KRIK Albania

 

ARSYET KUNDËR IMPORTIT

Në mungesë të kapaciteteve për trajtimin e mbetjeve importi i do ta përkeqësojë nivelin e papastërtisë në territorin shqiptar.  Në vend të importit të mbetjeve shtesë Shqipëria duhet të merret me trajtimin e mbetjeve që ne vetë prodhojmë.

Mungesa e kapaciteteve administrative, e infrastrukturës ligjore dhe monitoruese, e bën të vështirë kontrollin e importit të mbetjeve në Shqipëri.

Kontrolli i biznesit të mbetjeve në vendet fqinje nga organizata mafioze rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një destinacion të mbetjeve të rrezikshme.

Lejimi i importit të mbetjeve bie ndesh me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Lejimi i importit të mbetjeve bie ndesh me Konventën e Aarhus-it pasi është një vendim që merret pa u konsultuar me komunitetet mbi jetën e të cilëve ai do ketë ndikim direkt.

 

Importi

Qeveria ka hartuar një ligj për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve duke deklaruar se qëllimi i këtij ligji është përmirësimi i situatës së plehrave në Shqipëri. Por neni 49 nuk ka fare lidhje me këtë qëllim. Në këtë nen qeveria lejon importimin e mbetjeve nga jashtë. Në një situatë ku Shqipëria nuk po arrin të menaxhojë mbetjet e saj, qeveria kërkon të marrë edhe mbetjet e vendeve të tjera.

 

 

Përse ligji i plehrave cilësohet si antikushtetues

Ligji që lejon importimin e plehrave nga jashtë është cilësuar si antikushtetues nga juristët pasi ai cenon jetën e njerëzve. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 59, kreu i pestë, sqaron objektivat socialë që ka shteti ndaj qytetarëve. “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm”,- thuhet mes të tjerave në neni 59 të kushtetutës. Sipas juristëve, këtu është përplasja e ligjit me kushtetutën pasi ligji që lejon importin e plehrave nga jashtë nuk do të sjellë një ambient të pastër për të jetuar qytetarët shqiptarë.

Problemi i mbetjeve është një shqetësim i konstatuar nga të gjithë shqiptarët dhe në parim ligji synon të rregullojë çështjen. Por në një kohë kur i gjithë ligji flet për menaxhimin e mbetjeve, gjendet neni 49, i cili lejon importin. “Ky nen është totalisht jashtë ligjit. Ne jemi pro zgjidhjet së çështjes së plehrave pasi të gjithë e ndjejmë si problem, por zgjidhja duhet të vijë duke menaxhuar plehrat që ndodhen në Shqipëri, jo duke sjellë plehra nga jashtë. Nëse duhet bërë një ligj për importin e plehrave, le të bëhet, por jo të integrohet si pa dashje në ligjin për menaxhimin e mbetjeve. Pa mbaruar punë me plehrat tona që po na zënë rrugët çdo ditë, ne duam të marrim përsipër edhe plehrat e botës. Mendojmë se këtë arsyetim ka bërë edhe Presidentit Topi ku vendosi kthimin e ligjit”,- thanë dje juristët e kontaktuar nga “Shekulli” për të sqaruar refuzimin e Presidentit. Sipas tyre, ligji bie haptazi ndesh me objektivat socialë që ka shteti shqiptar. “Këto quhen objektiva socialë dhe jo detyrime kushtetuese pasi janë disi subjektive. Kushtetuta saktëson se përmbushja e objektivave socialë nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë. Kjo pasi ti nuk mund të shkosh në gjykatë dhe të padisësh shtetin që nuk të ka pastruar plehrat ose rrugët në një kohë kur shteti aq mundësi ka. Por nga ana tjetër institucionet shtetërore duhet të kenë parasysh objektivat socialë sa herë që hartojnë një ligj apo marrin një vendim”,- thanë juristët.

 

 

Ç’do ndodhë

Pas rrëzimit të ligjit për mbetjet nga Presidenti i Republikës ai do të kalojë dhe njëherë në komisionet përkatëse parlamentare për diskutim. Në mbledhjen e konferencës së ardhshme të kryetarëve, drejtuesit e Kuvendit dhe të komisionet do të duhet që të përfshijnë në axhendë diskutimin dhe miratimin e këtij ligji.

Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” do të kërkojë 71 vota, të cilat mazhoranca i ka. Opozita do të kundërshtojë këtë ligj në komisione dhe seanca plenare. Por këto kundërshtime nuk do të ndikojnë në miratimin e këtij ligji. Mazhoranca mund ta miratojë këtë ligj dhe pa ndryshime, për të mos marrë parasysh sugjerimet e Presidentit.

Cilido qoftë fati i këtij ligji në Kuvendin e Shqipërisë, me marrjen e votave që duhen për ta miratuar, ai do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Me rikthimin në parlament të këtij ligji shumë të diskutuar, Presidenti nuk do të shprehet më për këtë çështje, pasi e ka bërë njëherë një gjë të tillë.

 

Blendi Kajsiu

“Në rast se Parlamenti Shqiptar e rikalon ligjin duke lejuar importin e mbetjeve urbane Aleanca do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese për ta ndaluar këtë akt të rrezikshëm. Këto rrugë përfshijnë dërgimin e ligjit në Gjykatë Kushtetuese dhe kërkesën për referendum”

 

Fatos Lubonja

“Nëse Sali Berisha do të merrte një vendim për familjen e tij, për oborrin e tij, ai nuk do të bënte këtë që bëri për shtëpinë e madhe, nuk do të lejonte që ta bënte oborrin e familjes vendi ku hidhen plehrat e komshiut. Ka shitur gjithçka dhe tani, meqë nuk ka më të ardhura për të mbajtur pushtetin, thotë hajde hidh plehrat në oborrin tim, por më jep ca para”

 

Ardit Rada

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu