Lufta dhe prapaskenat e Pacollit për “Trepçën”

0
846

Largimi i përfaqësueses amerikane nga bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, dorëheqja e kreut të kësaj agjencie, Blerim Rexhës, marrëveshja vetëm pak ditë më vonë mes kompanisë amerikane dhe qeverisë serbe për “Trepçën”, emërimi i Fadil Ismailit në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nga Behgjet Pacolli, në një kohë të shkurtë janë rrethana politike dhe ekonomike, që ngjallin dyshime të mëdha për një skandal të përbashkët, i cili ka të bëjë kryekëput me “Trepçën”. Këto zhvillime në shikim të parë të lënë përshtypjen se kanë ndodhur për arsye të ndryshme, por në esencë nëse analizohen zhvillimet dhe deklaratat e protagonistëve, problemi të çon drejt e te “Trepça”.

E para: Para pak ditësh, Bernadette Roberts, përfaqësuesja e Ambasadës së SHBA-së në Bordin e Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), dha dorëheqje me arsyetimin se është e pakënaqur me mënyrën e privatizimit dhe menaxhimit të bordit të AKP-së nga ana e kryetarit të porsazgjedhur Blerim Rexha. Si ndodhi që përfaqësuesja amerikane pikërisht tash të jetë e pakënaqur me punën e AKP-së, kur dihet shumë mirë se në këtë Agjenci për vite me radhë kanë ndodhur shumë skandale, ndërhyrje politike, shitje të dyshimta ku janë të përfshirë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, akuza për politikanë sekserë në shitjen e “Grand”-it, vdekja e dyshimtë e ish-kreut të bordit, Dino Asanaj. Për vite me radhë, kjo përfaqësuese ka pasur një milionë arsye të japë dorëheqje. Blerim Rexha dihet se ka qenë i dërguar politik në këtë bord, si rezultat ai personalisht nuk ka fuqi t’u thotë jo ndërhyrjeve politike, sepse ai është dërguar aty për të implementuar kërkesat e politikës, andaj këto rrethana e sqarojnë edhe pozicionin e tij të papeshë në këtë bord.

E dyta: Pak ditë pas lajmit se përfaqësuesja amerikane u largua nga AKP-ja, na doli se kompania “New Generation Power” nga shteti Illinois, ka nënshkruar një kontratë me Ministrinë e Minierave dhe Resurseve Natyrore të Serbisë për bashkëpunim biznesi dhe teknik në kombinatin e “Trepçës” në veri të Mitrovicës. Ministri serb, Milan Baçeviq, tha zyrtarisht se nënshkrimi i kontratës erdhi pas marrëveshjes së arritur mes Prishtinës dhe Beogradit. Pas bujës së madhe që bëri ky lajm, Ambasada Amerikane reagoi duke sqaruar se “ambasada amerikane në Prishtinë nuk është marrë me “New Generation Power”, por zyrtarë të Departamentit të Shtetit në Washington e kanë këshilluar këtë kompani se Kosova është shtet sovran dhe se qeveria e Serbisë nuk ka juridiksion mbi kompleksin e minierave të ‘Trepçës’”. Kurse drejtori i konsorciumit “New Generation Power” deklaroi se për arritjen e marrëveshjes ai ka bashkëpunuar ngushtë me Departamentin Amerikan të Shtetit. Ai ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes me Beogradin, do të nisë bisedimet edhe me Qeverinë e Kosovës.

E treta: Behxhet Pacolli ka kohë që e ka bërë të ditur haptazi interesin e tij për asetin më të vlefshëm të Kosovës “Trepçën”. Se ai me çdo kush ia kë vënë syrin kësaj pasurie nuk është ndonjë lajm. Ai tashmë ka dështuar si politikan dhe inkuadrimin e tij në institucione po e shfrytëzon për interesa biznesi, dorën në zemër ky ka qenë edhe qëllimi i tij qysh kur është futur në politikë. Në fund të fundit ai është një biznesmen dhe mundësinë për të qenë në qeverisje ia ka dhënë me të dy duart vetë kryeministri Hashim Thaçi. Për të realizuar planin e tij me shumë mjeshtri e dredhi ka mbledhur rreth vetes persona të dëshmuar në këtë zanat. Si parti në koalicion AKR iu lejua të kërkojë ministri shtesë. Në këto rrethana politike në momentin më të duhur, Pacolli i kërkoi Thaçit që në emër të riformatimit të qeverisë ta marrë nën kontroll Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik të vendit. Kjo ministri merret me privatizimin e aseteve publike.

Tashmë u shit Distribucioni, gati ka përfunduar edhe shitja e PTK-së, dhe ka mbetur aseti kryesor që Kosova ka – minierat e pasura të “Trepçës”. Pacolli që para dy vjetësh ka bërë publik planin për “Trepçën”, duke këmbëngulur që e ardhmja e këtij gjigandi të vendoset sipas planit të tij. Në vitin 2011, Pacolli kundërshtonte ashpër privatizimin e kësaj ndërmarrje, duke thënë se fillimisht në “Trepçë” duhet të investohet dhe të rritet prodhimi, duke e rigjallëruar atë, dhe më pas të mendohet për një formë të partneritetit publiko-privat. Ai e arsyetonte këtë propozim duke thënë se do të ndihmonte kauzën e punësimit në afat të shkurtër dhe të përfitimit më të madh në të ardhmen.

Ai atë kohë pati akuzuar partnerët e tij qeveritarë për kontrabandim ligjesh, duke drejtuar gishtin kah ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili e ka sponsorizuar këtë ligj në Qeveri e Parlament dhe i cili i ka dhënë autoritet kësaj ministrie që të merret me privatizimin e këtij aseti. Kur e pa se tash kjo ministri do të merret me “Trepçën”, Pacolli, vazhdimisht ka bërë përpjekje që ta marrë në duar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Plani i tij i publikuar parasheh që princit të Kentit, Michael, t’i jepet ekskluziviteti për ta regjistruar “Trepçën” si kompani në Londër. Ndërkohë që “Trepça” do të funksiononte edhe në Kosovë si kompani operacionale, duke planifikuar që pas disa vitesh një pjesë e saj t’i nënshtrohet procesit të shitjes. Për kompanitë britanike të interesuara për “Trepçën”, bëri të ditur në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” dy ditë më parë edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ian Cameron Cliff. Kështu që, Pacolli ka kohë që ia ka vënë lapsin kësaj pune.

E katërta: Emërimi i Fadil Ismailit në krye të MZHE-së me kërkesë të Pacollit është fund e krye interes personal i Pacollit që përmes njerëzve të tij të përfitojë nga “Trepça”. Ismaili tashmë është dëshmuar se nuk e ka problem të shfrytëzojë pozitën e tij për interesa të kompanive private. I emëruar në kuadër të riformatimit të qeverisë Thaçi, për më shumë se dhjetë vjet me radhë ai i ka dhënë tender kompanisë që ka themeluar vetë, “Komtel”, në vlerë prej miliona eurove. Ismajli dyshohet për keqpërdorim të pozitave që ka mbajtur tash sa vjet me radhë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT). Gazeta “Zëri” ka gjetur se Fadil Ismajli ka fshehur se është aksionar edhe në disa kompani me kapital miliona euro duke mos i deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Të gjitha këto rrethana janë tregues se lufta për “Trepçën” ka nisur dhe shumë partnerë duket se janë të përfshirë në këtë proces. E në të njëjtën kohë zhvillimet politike tentohen të kamuflohen derisa pas tyre na dalin interesa të mëdha financiare. E Behxhet Pacolli me sa duket nuk e ka ndërmend ta lëshojë nga dora “Trepçën”. Rezervat minerale të rikuperueshme dhe të vlerësuara të “Trepçës” sillen prej 8 deri në 12 miliardë euro dhe ndërmarrja ka potencial për t’u bërë një nga fituesit më të mëdhenj të valutës së huaj në Ballkan. Kështu së paku thuhet në një dokument të përgatitur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për “Trepçën”.

 

Nga Arbana Xharra

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu