Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha (ii)

0
1978

(PJESA E DYTË)

15. Në çfarë rrethanash u vra Asim Luzha

Së pari bëhet plani i çarmatosjes së fshatarëve të ngujuar. Dy orë para mbrëmjes në shtabin e korparmatës së mbrojtjes popullore fillon aksioni i zhdukjes. Fshatarët e dorëzuar tradhtohen. Ata i japin armët në besë.

Asim Luzha dhe komandanti, rikujton Rrustemi, rrinin në një dhomë, kurse fshatarët e dorëzuar (të ruajtur nga roja e shumëfishtë) në një dhomë tjetër në të njëjtën shtëpi. Në një çast kur çova dru për ta ndezur stufën (siç më detyronin) vërejta se në mes aktivistit Asim Luzha dhe komandantit të batalionit kishte mosmarrëveshje. Biseda bëhej me nervozizëm dhe me ton të ngritur.

Ndërkohë bëhet edhe skenari i zhdukjes së Asim Luzhës në mënyrë që të realizohej më lehtë qëllimi kryesor. Rreth orës 21, më 30 janar, Asim Luzha del prej dhomës së shtabit. Me të dalë, ushtari që ishte caktuar për ta ekzekutuar, e përcillte hap pas hapi, gjoja si truproje, dhe i futi në gjep bombën e kurdisur për eksplodim, e cila e vrau në vend. Kur i lëshoi bombën në xhep, ushtari që e shoqëronte iku si vetëtima, thotë Rrustem Mulaj, dëshmitar i ngjarjes. Më pastaj, ushtari hyn në dhomë, aty ku ishin fshatarët e ngujuar dhe dy nga dy i nxorën jashtë, i lidhën dorë për dore dhe i pushkatuan të gjithë pranë një gardhi, me përjashtim të Musli Kukiqit, i cili në një moment vendimtar vëren se litari ishte i çliruar. Në një moment kur roja kthen shpinën (shëtiste nga të ftohtët, duke pritur komandën), Musliu ikën dhe nga rafalet plagoset në dorë, por shpëton në saje të palltos që i kishte mbetur në gardh, sepse ata menduan se e kishin vrarë.

Në këtë masakër kolektive pushkatohen:

Rexhep Spahiu
Qazim Spahiu
Sheremet Kukaj
Sherif Kukaj
Reshit Kukaj
Veli Kukaj
Sefer Kukaj
Hysen Mulaj
Pajazit Mulaj
Hashim Mulaj (këshilltari, që kishte tubuar meshkujt e lagjes së vet për t’i dorëzuar)
Isa Mulaj
Sadik Mulaj
Ali Keciqani
Fetah Mulaj
Keça
Rifat Dobraj
Hajriz Dvorani
Xhemë Goshani (këshilltar) dhe
Asim Luzha.

Duke u tërhequr nga Tërsteniku, po atë natë në lagjen e Bazajve vrasin të gjithë meshkujt dhe një grua shtatzënë. Në këtë lagje u pushkatuan: Mehmet Bazaj (me gjithë djalë), Feriz Bazaj (me gjithë djalë), Kadri Sefaj, Gruaja e Hasan Kadrisë, Ukë Bazaj, Nebi Bazaj, Abdyl Buzani dhe Bajram Buzani.
Po atë ditë edhe në lagjen e Spahiajve u pushkatuan dhe u dogjën: Selim Spahiu, Emin Spahiu, Xhemile Spahiu, Xheladin Çallapeku.
Ndërkaq, një natë më vonë u pushkatuan edhe 18 të rinj nga ana e Gjilanit, për të cilët u fol më parë.
Vrasja e Asim Luzhës ishte bërë me regji të caktuar. Mund të thuhet se me të dëgjuar që Asim Lusha ishte nisur në Drenicë për të ndërmjetësuar, shumëkujt kjo çështje nuk i shkonte për shtati, aq më pak proçetnikëve siç ishin Petar Brajeviq e Zyfer Musiq. Ish-deputeti i Drenicës, patrioti dhe humanisti Asim Luzha, me të arritur në fshatin Tërstenik, bëri gjithë ç’ishte e mundur për të shpëtuar jetën e fshatarëve të pafajshëm dhe për të ndërmjetësuar në konfliktin që ishte krijuar. Mirëpo Brajeviqi bëri masakër në Tërstenik, duke vrarë edhe Asim Luzhën për t’i mëshehur këmbët e tij të gjarprit. Për këtë flet më së miri letra e Asim Luzhës, dërguar Fadil Hoxhës. Partizanët që i komandonte vet Brajeviqi gjatë rrugës zunë njeriun që duhet të dorëzonte këtë letër. Nuk lejuan që letra të dilte nga labirinti i tyre.
Brajeqi dhe Musiqi, kishin për qëllim që të pengonin çdo iniciativë që kishte kundër derdhjes së gjakut të fëmijëve dhe grave shqiptare. Këta dy ushtarakë-çetnikë, në rroba partizane, do të bëjnë krime të pashembullta, të cilat në raportet e tyre do t’i fshehin. Për të gjithë ata që i vrasin nëpër shtëpi, do të thonë se janë vrarë në front. Pra ajo që bënë këta të dy, nuk është aspak e çuditshme për rrethana të atëhershme e edhe të sotme.
Tërë kjo masakër, më vonë do të reduktohet në dy veta (Pejoviq e Tabakoviq, komandantë të batalioneve) të cilët do të dënohen sipas një gjyqi në Pejë dhe do të burgosen për t’u liruar pas pak kohësh.

KUSH ISHTE PETAR BRAJEVIQI

Petar Brajeviqi në mes të dy luftërave botërore nga Mali i Zi vjen (me siguri si kolonist) në Pejë, ku do të kryejë gjimnazin. Në vitin 1940 do të mbarojë edhe akademinë ushtarake në Beograd. Inkuadrohet në LNÇJ. Gjatë kësaj periudhe do të marrë pozita të larta ushtarake dhe do të arrijë të bëhet komandant në shumë brigada. Me brigadën e tij të Mbrojtjes popullore në Drenicë do të bëjë masakra të pashembullta mbi popullatën shqiptare. Duke qenë antishqiptar i përbetuar, do të vrasë edhe gra e fëmijë. Ai bëri masakrën më të tmerrshme në Tërstenik e Polac. Ditën e fundit në Tërstenik, kur Shaban Polluzha rrethohet nga forca të mëdha ushtarake të Jugosllavisë, do të humbë këmbën.
Për terrorin që bëri në Drenicë, më 1950 do të shpërblehet me gradën e gjeneralit dhe do të shpallet hero i popullit. Nuk është i vetmi ky që, për shkak vrasjeve masive që bënë në Drenicë, në Shalë të Bajgorës, e në rajone të tjera, të jenë shpërblyer e të kenë marrë grada.

18. TRAGJEDIA DHE FATI

Më 3 janar Tërsteniku pëson tragjedinë më të madhe në historikun e tij. Në këtë fshat brigada e korpusit mbrojtës popullore vret në shtëpi nga 60 burra e gra. Një orë para mbrëmjes kjo brigadë hyn në lagjen e Spahiajve, i djeg dhe i vret fshatarët. Në çastin e kobshëm Xhemajlia që ishte duke i dhënë gji foshnjës disamuajshe – Bajramit, kur i nxorën burrat jashtë për ti pushkatuar, Xhemajlia bashkë me foshnjën qenë te oxhaku, ku gatuhej, për të shpëtuar jetën. Xhelatët pasi i vranë tërë burrat e kësaj lagjeje, shtinë edhe në shtëpi, me ç’rast një plumb e goditi për vdekje Xhemajlien me foshnjen në prehër. Bajrami disamuajsh mbet pa nënë. Vinë ditë të vështira. Çdo gjë në fshat katandiset, por me gjithë mënxyrat, jeta vazhdon. Bajrami i vogël rritet. Tash punon dhe jeton në Tërstenik.
Botën në sy – plaçkat në shpinë
Pas këtij tmerri që bënë partizano-çetnikët, në fshat mbretëronte frikë e madhe se ata do të ktheheshin prapë e t’i vrisnin edhe ata që kishin mbetur, që kishin mbetur nga ajo lemeri e paparë. Ngase nuk kishte mbetur burrë në lagjen e Spahiajve dhe nga frika që ishte futur në mesin e grave dhe të fëmijëve, bashkohen nga tri-katër familje në një shtëpi.
Në fillim të shkurtit, kur u intensifikua lufta në mes të forcave të Shaban Polluzhës dhe atyre partizano-çetnike, në Tërstenik u përhap lajmi se do të vinte një brigadë tjetër dhe do t’i vrasë të gjithë ata që do t’i zënë, thonë dëshmitarët e kësaj tragjedie. Frika nga një terror i sërishëm, i detyroi shumë familje të Tërstenikut të lënë plang e shtëpi dhe nëpër borë e të ftohët të madh të nisen për në fshatin Obri, ku do të gjenin strehim për ta shpëtuar jetën. Të ngarkuar me plaçka në shpinë, të lodhur dhe të tronditur nga tmerri që kishin përjetuar, arrijnë deri në gjysmë të rrugës, ku takojnë hallën Sofi, gruaja e Ukë Spahiut, që vinte nga Obria. Ajo u thotë të kthehen sepse andej kah ishin nisur ishte mbushur përplot ushtarë, që po djegin shtëpi dhe po vrasin njerëz të pafajshëm. Pas këtij rrëfimi te të gjithë pllakosi heshtja. Në atë çast nuk dinim ç’të bënim, tregon Mehaz Mjekiqi, i cili si fëmijë u gjend te dajët e vet në Tërstenik. Deshëm të niseshim në një drejtim tjetër, por rrugët ishin të bllokuara nga bora dhe ushtria. Fëmijët qanin, duart dhe këmbët na ishin mpirë nga të ftohtët; i vetmi qen që kishte mbetur, filloi uturimën dhe u krijua një gjendje tejet e rëndë. Në rrethana të tilla, vendosëm të ktheheshim në shtëpitë tona, pa marrë parasysh se çdo të na ndodhte më pastaj.
Erdhi edhe ajo mbrëmje e frikshme, si shumë mbrëmje që pësuan në atë shkurtin e vitit 1945. llambat e vajgurit nuk guxonim ti ndiznim, sepse frikësoheshim që ato shkaktare që sërish, në atë hapësirë të izoluar, të vijë dikush dhe të bëjë ndonjë tragjedi tjetër. Hanim bukë në dritën e stufës. Ne fëmijët binim të flinim, ndërsa gratë më të vjetra rrinim gjatë tërë natës duke shikuar në dritare, duke shikuar se mos po vjen ndonjë brigadë tjetër a brigada që kishte shkaktuar shfarosjen e meshkujve tanë, thotë Mehazi.

19. PSE LIKUIDOHET SHTABI NË PREKAZ

Pse pas masakrës në Tërstenik vazhdon terrori edhe në fshatrat tjera të Drenicës. Vritet e masakrohet popullata e pafajshme nëpër shtëpi. Përveç brigadave serbe e malazeze, fshatrat e këtij rajoni i likuidojnë edhe kolonët, të cilët ishin inkuadruar për të bërë krime sipas llogarive të vjetra. Siç deklaron Vehbi Veliqi, kolonët e Kralicave të Llaushës e të Polacit, nëpërmjet shefit të OZN-ës, Vllada Kërstiqit, bëjnë likuidimin e fshatarëve. Terror të paparë vazhdojnë të bëjnë Zyfer Musiqi dhe Petar Brajeviqi.
Në fillin të shkurtit Brigada e Parë e Kosovës e Metohisë, komandant i së cilës ishte Zyfer Musiqi, përqendrohet në Polac dhe Prekaz të Ulët. Në këto fshatra formohen shtabet e brigadës, që fillojë terrorin së pari, duke plaçkitur dhe duke i detyruar fshatarët që për çdo ditë të presin dhjetra bagëti për ta, e pastaj nisin dhunën mbi njerëz, duke i qitur zdeshur e zbathur në borë. Ata nuk ndalen me kaq. Pasojnë likuidimet në mënyrë tmerruese. Duke parë një terror të tillë, shumë shqiptarë që ishin inkuadruar në brigadat e ushtrisë jugosllave, fillojnë dezertimin. Demoralizimi i shqiptarëve në njësitë jugosllave ishte i madh dhe fare pak kishin besim në të. Ndalimi i përdorimit të flamurit kombëtar të njësive partizane në Kosovë, kishte shkaktuar pezmatim të llojit të vet.
Duke i parë të gjitha këto komandanti i Batalionit të Rinisë së Kosovës (nga Gjilani) vendos të bëjë likuidimin e shtabit të brigadës dhe t’i bashkohet Shaban Polluzhës. Duhet theksuar se ky batalion ishte në kuadër të Brigadës së Parë Kosovare.
Sipas dëshmive, Isuf Gjilani më parë kishte vënë kontakt diku në rajonin e Prellofcit me përfaqësuesit e brigadës së Shaban Polluzhës dhe në atë takim Isufi kishte shprehur dëshirën për t’iu bashkuar forcave të Shaban Polluzhës.
Batalioni i Rinisë së Kosovës në këtë periudhë ishte i ndarë në tri grupe, një në Klinë, një në front e një grup gjendej në Prekaz, ku ishte vendosur edhe shtabi në shtëpinë e Shasivar Alisë. Për të bërë likuidimin e shtabit të këtij batalioni Isuf Gjilani më parë ishte marrë vesh me tre vendas të Prekazit- Bislim Tahirin, Hashim Istrefin dhe Sefer Mikushnicën, duke u treguar atyre shenjën që ishte e vetmja vizë për të hyrë në ndërtesë, ku ishte komanda dhe në mbrëmje i likuidojnë tërë shtabin. Kjo ndodhi, sipas dëshmitarëve, pikërisht në fillim të shkurtit të vitit 1945. Në këtë aksion u likuiduan: Vuk Popoviqi, zëvendëskomandant i batalionit, Shaban Salihu ndihmës-komisar i çetës, pastaj Stanisllav Shutkoviqi, Sllavko Jashoviqi, Milica Vllahoviqi dhe Branka Kadoviqi. Me të kryer të këtij aksion, Isuf Gjilani me pjesën më të madhe të të rinjë të këtij batalioni dezertojnë dhe po në këtë kohë i bashkohen në Rezallë Brigadës së Shaban Polluzhës.
-Më kujtohet si sot kur në shtëpiat tona erdhi Isuf Gjilani me një numër të madh të rinjsh. Erdhi te ne, se shtabi i Shaban Polluzhës ishte vendosur në kullën tonë, rikujton ato ngjarje plaku 86-vjeçar nga Rezalla, Hajzer Malaj. Pra kullës mbajtën fjalim Isufi dhe Adem Shala. Gjithashtu më kujtohen fjalët e tij kur tha se do ti respektojë të gjitha vendimet që merren në qendrën tuaj dhe do të luftojë deri në fund kundër gjithë atyre që po bëjnë terror mbi popullin tonë. Pas këtyre fjalëve të Isuf Gjilanit, pastaj foli Adem Shala, që përmendi terrorin që kishte bërë Petar Brajeviqi në Tërstenik. Në fund mbaj mend një fjalë të tij: “Luftën duhet ta zgjerojmë edhe në viset tjera të Kosovës”.
Si deklarojnë dëshmitarët, Isuf Gjilani mbeti besnik Shaban Polluzhës deri në fund.
I vetmi dëshmitar i kësaj ngjarjeje në Prekaz është Hajriz Lushaku, i cili likuidimin e shtabit e rikujton në këtë mënyrë: një pjesë e batalionit të rinisë së Kosovës erdhi në fshatin tonë dhe (shtabi) u përqendrua në shtëpinë e Shasivar Alisë, kurse disa prej çetave shtëpi të Lushakëve. Mbiemri i tij nuk më kujtohet. Ky komandant kërkoi që në odë të mbeten vetëm një numër fare i vogël njerëzish, si nga ana e tyre, ashtu edhe nga ana jonë. Në të vërtetë tregoi që në atë bisedë të merrnin pjesë njerëzit më të besueshëm: Sefer Mikushnica, Hashim Istrefi, Bislim Tahiri, Hajriz Lushaku, Rushit Istogu, Zeqir Istogu. Dy të fundit ishin nga Polluzha, por kishin qëlluar mysafirë në shtëpinë tonë. Komandanti i çetës, Hyseni na thotë se është marrë vesh me komandantin e batalionit, Isuf Gjilanin, që të likuidohet shtabi që ishte në kullë të Shasivar Alisë. Pasi u morën vesh në detaje për ndërmarrjen e këtij aksioni, Hyseni tha se, pas likuidimit, duhet të informohen të gjithë ushtarët e këtij batalioni se takimi duhet të bëhet në Prellofc, ku priste Isuf Gjilani me disa të tjerë.
Në aksion u nisëm Hyseni, Sefer Mikushnica, Bislim Tahiri, Rushit Istogu, unë dhe Zeqir Istogu. Meqë shtabi ishte nën kontrollin e rojës aty mund të hyhej shumë vështirë. E vetmja mënyre për të hyrë ishte parulla që e dinin vetëm një numër i vogël i kreut të shtabit dhe ushtarakë të tjerë të batalionit. Parullën na e tregoi Hyseni. Kur u afruam afër shtabit, na ndali roja duke na pyetur se kush ishim. Pasi i treguam parullën “Zemun” dhe ata përgjigjen “Maramica”, u lejua hyrja në ndërtesë, kurse unë dhe Zeqir Istogu mbetëm përjashta për të vështruar terrenin bashkë me rojën që kishin vënë ata. Në të hyrë të dhomës ku ishin vendosur, rojat e tjera pasi hynë brenda, me armë në gatishmëri Hyseni u thotë ”duart përpjetë”. Njëri prej antarëve të shtabit tenton të kapë armën, por përnjëherë shtinë me automatë Bislim Tahiri dhe Sefer Mikushnica. Pasi fiken dritat e llambave të vajgurit, nëpër terr zbrazën edhe disa plumba. Kur e pa roja se ç’u bë, iku në mal. Hashimi plagoset dhe ndalet në shtëpinë e tij në Prekaz, kurse ne të tjerët, të gjithë, duke mos kontrolluar fare se kush ishte vrarë në shtab, shkuam në Prellofc te Jusuf Gjilani; ai atje ishte me një grup të vetin. Tubohemi pothuaj të gjithë. Gjatë asaj nate Hyseni dhe Lah Zeqa shkojnë në Klinë dhe marrin atë pjesë të batalionit dhe i sjellin në Prellofc. Kur tubohemi, Isuf Gjilani mban një fjalim; ai ndër të tjera thot se tani e tutje do të luftojmë kundër “partizanëve” dhe do ti bashkohemi brigadës së Shaban Polluzhës. Gjatë asaj nate likuidojmë edhe stacionin e OZN-së në Prekaz dhe të nesërmen shkojmë në Rezallë dhe i bashkohemi Shaban Polluzhës: Hashim Istrefi zihet të nesërmen në Prekaz dhe pushkatohet.
Më 1956, në aksionin e armëve, siç tregon Hajriz Lushtaku, na bien në gjurmë dhe na burgosin mua Sefer Mikushnicën, Bislim Tahirin, Rushit Istogun dhe Zeqir Istogun. Në gjyq lirohemi unë dhe Zeqir Istogu, kurse me pushkatim dënohen Sefer Mikushnica dhe Bislim Tahiri ndërkaq Rushit Istogu dënohet me 20 vjet burg. Pas ankesës edhe dy të parëve ky dënim u shndërrohet në 20 vjet burg.
Pas kësaj ngjarjeje, partizano-çetnikët, edhe pse u kishte dhënë bukë dhe ua kishte lëshuar shtëpinë e pushkatojnë Shasivar Alinë me gjithë djalë, pastaj Binak, Bajram dhe Hasim Lushtakun e disa të tjerë. Të tërbuar nga ndjenjat shoviniste, ata ua fusin flakën të gjitha shtëpive, duke e lënë Prekazin e shkretëruar, – tregon Vehbi Veliqi.

20. KUFOMAT NË KËNETË

Ishte natë pa hënë. Herë pas here binte bore. Polaci jetonte i tëri në ethe – askush nuk e kishte jetën të sigurtë pas ditës së mundimshme, të gjithë njerëzit kishin hyrë nëpër shtëpitë e tyre. Ata që e kishin lënë Prekazin në flakë, së bashku me brigadën që ishte përqendruar në Polac e rrethojnë katundin dhe nxjerrin burra e gra nga shtëpitë. Pas maltretimeve që ua bëjnë atyre nëpër oborre, fillojnë ti lidhin meshkujt dorë për dore e shpinë për shpine. Rreth orës 22 hyjnë tek ne, i kujtohet Sheremet Kocës, i marrin të pesë meshkujt e shtëpisë sonë e i lidhin. Gjatë rrugës i marrin edhe Rushitin dhe Hajdinin. Vëllai më i vogël, Asllani ishte duke u qitur sanë deleve në stallë( bukur larg shtëpisë) e lidhin edhe atë, i marrin delet, kuajt dhe lopët. Nëna nuk e dinte se asnjëri prej tyre më nuk do të kthehej në shtëpi. Në një moment ajo më tha: “M’i çuan djemtë në burg!” me të dalë, nga shtëpitë, disa u kthyen sërish e ua shtinë flakën. Çdo gjë u ndez me përjashtim të shtëpisë që mezi e shpëtuam me ujë, kallëzon plaku 75-vjeçar.
Nga të gjitha anët e katundit dilte flaka. Krisma e mitralozëve nuk pushonte. Të gjithë meshkujt i kishin rreshtuar te këneta e katundit. Pritej komanda e Zyfer Musiqit. Diku rreth orës 23, në fillim të shkurtit pushkatohen 43 fshatarë të Polacit dhe të tjerë që kishin qëlluar të strehuar a mysafirë në këtë katund. Pasi pushkatohen, kufomat qiten në kënetë.
Bora që ra atë natë mbuloi edhe kufomat e atyre që ishin vrarë gjatë rrugës. Çdo gjurmë pastaj kishte humbur. Mëngjesi çeli zymtë. Nëpër borë nënat kërkonin djemtë, fëmijët – baballarët, e gratë – burrat e tyre!
Disa shtëpi që i kishte kapluar flaka një natë më parë, tashmë ngjanin në gërmadha. Atë ditë, nuk qe e mundur të bëhej identifikimi i kufomave, sepse vështirë gjendeshin nëpër borë, sidomos ato që ishin hedhur në kënetë. Pas gjashtë ditësh erdhën njerëz nga të gjitha anët, i mblodhën kufomat, i nxorën edhe ato nga kufoma dhe i varrosën. Në këtë masakër të kobshme atë natë qenë pushkatuar 26 fshatarë nga Polaci dhe 17 të tjerë.

Të pushkatuarit nga Polaci:

Hasan Veliqi
Avdi Koca
Hajdin Gruda
Hazir Gruda
Qazim Xani
Osman Xani
Smajl Hoti
Bilall Hoti
Hajdar Koca
Hajriz Koca
Ahmet Koca
Xhemajl Koca
Sahit Xani
Ali Hoti
Xhemajl Xani
Daut Kabashi
Shak Veliqi
Zeqë Veliqi
Shaqir Xani
Mehmet Aliuka
Miftar Aliuka dhe
Hazir Hoti
Të pushkatuarit e tjerë, si thonë dëshmitarët, kryesisht ishin nga Llapi, që asokohe ndodheshin të strehuar në Drenicë.

21. KUSH ISHTE ZYFER MUSIQI

Zyfer Musiqi ishte nga Plava, ithtar i politikës serbomadhe. Punoi në Shkup, në mesin e Mehmed Bashiqit (drejtor i Medresës së Madhe në Shkup) dr. Hasan Rebecit dhe Favzi Hamsiqit, që kishte orientim proverb. Të gjithë këta ishin kundër Ferat Dragës dhe “Xhemietit”. Më vonë Zyfer Musiqi do të bëhet gazetar dhe në gazetën “Nash Dom” të myslimanëve të Jugut, do të vjellë vrer kundër partisë së Xhemietit dhe liderit të saj. Në disa artikuj të shkruar i kërcënohet Ferat Dragës se nuk do të arrijë për të gjallë të bëhet prijës i shqiptarëve. Ai, nën ndikimin e serbomëdhenjve, do të shkruajë zi e më zi për shqiptarët dhe do të thotë se këta nuk bën madje as të gëzojnë autonomi fetare.
Gjatë luftës, duke pasur një orientim këtillë, do të bëhet komandant i Brigadës, së parë të Kosovës. Në Drenicë, me brigadën e tij, ki kishte shumë të inkuadruar shumë çetnikë, duhet të bëjnë terror të pashembullt, duke vrarë fëmijë, gra dhe pleq. Zyfer Musiqi në Gllogofc, do të urdhërojë të merren njerëz të pafajshëm nëpër shtëpi (me reçeta të kolonëve) dhe do t’i mbysin me thikë e çekiç. Ky farë Zyfer Musiqi do të bëjë masakrën e Polacit duke hidhur 43 fshatarë në kënetë, pasi t’i kenë prerë metrikë e t’i kenë pushkatuar. Zyfer Musiqi i urdhëruar nga Petar Brajeviqi, ngrihet me brigadën e tij famëkeqe kundër çdo gjëje shqiptare dhe kundër Kosovës.

22. SHTABI I SHABAN POLLUZHËS

Shtabi i Shaban Polluzhës, ishte i vendosur në Rezallë, në kulla të Zymber e Hajzer Malajt. Ky shtab në këtë vend strategjik, qëndroi afro një muaj. Nga kjo qendër bëhej strategjia dhe kontrollohej një pjesë e territorit të Drenicës Perëndimore.
Shtabin e përbënin Shaban Polluzha(komandant), Miftar Bajraktari, Sadik Lutani, Ukë Sadiku, Qazim Bajraktari dhe Rifat Maloku. Sali Xhinofci, ishte sekretar i Shaban Polluzhës, i cili me mjaft gjeturi e kryente këtë punë deri në përfundim të luftës së Drenicës. Në përbërjen e shtabit ishte edhe: Hazir Xhaka i Oshlanit, Mulla Iljasi i Brojës, Feriz Boja i Kërnicës, Rexhep Gjeli i Likoshanit, Hamzë Istogu i Polluzhës. Në Rezallë Shtabit i bashkohet edhe Jusuf Gjilani, i cili vjen këtu pasi likuidon shtabin partizan në Prekaz. Në kreun e Shtabit vjen edhe Mehmet Gradica dhe bëhet pajtimi me Shaban Polluzhën. Korrier ishte Nuhi Bradashi i Llapit, për të cilin kanë ditur vetë komandanti dhe sekretari.
Në lagjen e Malajve të Rezallës, ku rrinte Shaban Polluzha, brenda ditës ushqeheshin me bukë dhe qindra njerëz të brigadës, madje edhe shumë të tjerë që u ishin dorëzuar batalioneve, ose ishin zënë rob, gjatë përleshjeve me forcat partizane- tregon Hajzer Malaj. Në këtë fshat, përveç shtabit të Shabanit kanë qenë edhe të ashtuquajturat burgje për vendosjen e të zënëve rob e të të dorëzuarve. Këto burgje ishin të vendosura në kullat e Bajram Halimit, Maliq Eminit dhe Muhamet Sinanit. Brenda ditës, si thotë Hysen Malaj, ka ndodhur të dorëzoheshin nga ana e partizanëve në shtabin tonë edhe me nga 100 e 200 veta, siç ndodhi me Jusuf Gjilanin me batalionin e rinisë së Kosovës ( një pjesë e tij e madhe shqiptarësh).
Në këto “burgje” i mbanim ata të cilët i kishim zënë rob, e për të cilët mendonim se mund të ishin të rrezikshëm. Atyre u jepnim bukë nga tri herë në ditë edhe pse ishte shumë vështirë për ti ushqyer të gjithë.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë të jetë maltretuar apo vrarë ndonjëri prej tyre, sepse Shaban Polluzha ishte komandant me virtyte të larta- tregojnë Hajzer e Hysen Malaj, të cilët ia lëshuan kullat e brigadës për shtab dhe nuk iu ndanë asnjëherë tribunit të popullit, Shaban Polluzhës.
Kur e lëshuam shtabin e Rezallës për të vazhduar luftimet kundër forcave të partizanëve në rajonet e tjera të Drenicës, i liruam të gjithë të burgosurit – thanë ata.
Në Rezallë, në lagjen e Malajve është ruajtur në tërësi kulla, kur ishte vendosur shtabi dhe shumë gjëra të kësaj periudhe ruhen me përkushtim. Në odë ruhet si kujtim sixhadeja në të cilën ulej Shaban Polluzha. Ruhen edhe shumë gjëra të tjera.
– Kur më shkojnë sytë në sixhade, e cila qëndron varur në kullë, më duket se po e shoh atë plak me të gjitha ato virtyte të larta të luftëtarit, Shaban Polluzhën, i cili me të aguar dielli i hipte kalit dhe dilte për t’i vizituar luftëtarët e vet në frontet e luftës dhe kthehej natën vonë – rrëfen Hajzer Malaj. Kjo sixhade më mban kujtimin për të, shpeshherë zhgrehem në vaj, – thotë Hajzeri.

23. Një kullë dhe një burg

Ç’kujtim të ndjeshëm dhe ç’simbol të sotëm Ruan një kullë në Rezallë të Drenicës.
Në rrugën për pavarësi, shqiptarët në pamundësi për të krijuar një shtet krijon shtetet e vogla, që kishin tiparet e provincës, kështjellës a kullës.
Këto shtete përfaqësonin fuqi të mëdha politike e morale të rezistencës ndaj pushtuesve ngado që vinin. Megjithatë atë kishin edhe mangësitë e tyre, ngase copëzonin, lodhnin apo përçanin popullin – rezistenca e të cilit si pasojë ishte më e dobët. Kështu kishte ndodhur me pashallarë e pashallëqe, pastaj me fise e me bajraqe. Ne deri tash kemi pasur rastin të dëgjojmë për këto shtete shqiptare, vetë pjesërisht.
Ndër ta me të drejtë, është shquar pashallëku i Janinës. Pashai i famshëm, nëpërmjet tij i jepte konturet e shtetit kombëtar. Ai kishte forcën edhe dekretet sulltanore, kishte ministra e gjeneralë, ekonominë dhe paranë. Por, a mund të merrej me mend shteti, siç nuk mund të paramendohet as sot, pa burgun, në të cilin ngujohen ata të cilën e meritojnë më pak se sa ata që e meritojnë më shumë.
Mirëpo, pak kush e askush nuk ka mundur të kujtohej se në veri ishte një burg i tillë. Dhe nëse eventualisht kishin kujtuar, atëherë kurrë nuk kanë mundur të besojnë se ky burg nuk ishte i vendosur as në shtet, as në pashallëk e asnjë guvernë tjetër mbretërore.
Ky burg ishte krijuar, ishte vendosur dhe bënte jetën e tij të errët dhe të madh njëkohësisht në një kullë.
Kështu që rrëfimi tashmë i konkretizuar mund të skicohet edhe në këtë mënyrë: në Kosovë ishte një kullë e në atë kullë një burg e atë burg e qeveriste SHABAN POLLUZHA. Duke qenë luftëtar, ai u përpoq që të mos jetë individualist, e njëherësh as episodit. Ai prandaj, me ndjenjën e interesit kolektiv kombëtar, arriti të dukej vërtetë palë e denjë ndërluftuese.
Kishte ushtrinë, e cila sipas normave ndërkombëtare mbante shenja dalluese, bartte armë publikisht dhe kishte komandantin e saj. Kjo ushtri natyrisht kishte edhe një lloj qeverie, e cila selinë e pati vendosur, ku tjetër po në një kullë shqiptare në Rezallë të Drenicës.
Në një kullë tjetër qe vendosur shtabi. Këtu për çdo ditë bëhej plani operativ i lutës dhe në krye të aksionit ndodhej një tribun që kishte vizionin e vet për të ardhmen e Kosovës të shqiptarëve. Për çdo mbrëmje mbante kuvendin e kreut të shtabit për të parë se në ç’drejtim duhej zhvilluar (të nesërmen) lufta. Në atë kullë gatuhej bukë, kopër një sofër, as për dhjetë, po për tërë Kosovën dhe për tërë shqiptarët. Në Rezallë, në këtë kuvend strategjik, vinin lajmet nga të gjitha batalionet e Shaban Polluzhës për rrjedhën e ngjarjeve në terren. Ndërkaq, komandanti që në ag dilte nga kulla për t’u kthyer vonë natën, dhe të nesërmen bënte të njëjtën rrugë, për në fronte të ndryshme. Madhështia e kullës qëndronte në madhështinë e tij.
Të hysh në luftë në moshën 75-vjeçare, do të thotë të kesh moral të fortë dhe optimizëm të papërshkruar, por njëherësh të jesh edhe prijës i asaj lufte në këtë moshë, do të thotë të jesh fenomen. I prirë nga ndjenja atdhedashëse, Shaban Polluzha la gjurmë drejt përpjekjeve tona për pavarësi dhe si vizionar skicoi konturet e shtetësisë në këtë nënqiell. Jo rastësisht thoshte të mos nguceshin të zënët robë, sepse ata duheshin këmbyer me të tanët.
Komandanti e dinte se në luftë ndodhnin tri gjëra: në të mund të vritesh, dhe për këtë nuk mendohej shumë, në të mund të zihesh rob, por edhe të zësh rob lufte nga tabori armiqësor. Dhe burgu ishte aty që të pranonte ata që tradhtonin, po edhe ata që ziheshin robër, të cilët më vonë në lojën e bisedave politike mund të këmbeheshin e çlirimtarët e kapur nga duart e armikut. Kjo kullë që manifestonte tiparet e imta elementare të një shteti të vogël, edhe sot gjendet në Rezallë të Drenicës, në një vend tejet strategjik, që luajti rol poashtu strategjik për kohën e saj dhe të ardhmen tonë.
Ajo është gjallë dhe qëndron midis shkëlqimit të djeshëm dhe të paralajmërimit të sotëm.

24. ZONA E LIRË E DRENICËS

Shaban Polluzha pasi vendosi shtabin në Rezallë, krijon zonën e lirë të veprimit në fshatrat Tërstenik, Baicë, Tërdefc, Obri, e Epërme dhe e Poshtme, Ticë e Rezallë, Plluzhinë, Murë dhe Likofc. Mirëpo, pas një kohe të shkurtër, forcat ushtarake të Shaban Polluzhës detyrohen të tërhiqen nga Tërsteniku, Baica dhe Tërdefci, por për tridhjetë ditë të plota nuk lejojnë që partizanët të qesin një hap përtej. Gjatë kësaj kohe zhvillohen përleshje të ashpra, me ç’rast vriten shumë ushtarë të një brigade malazeze, të Brigadës IV të Kosovës e Metohisë dhe asaj të Malë Sadikut. Ky i fundit, me metodat e tij të ndyta, mashtroi shumë fshatarë, i mashtronte njerëzit dhe pastaj i pushkatonin në mënyrë individuale dhe kolektive. Hazir Gjaka, trimi i Oshlanit, komandant i batalionit të katërt të Shaban Polluzhës i zë të gjitha pritat kryesore, dhe së bashku me vendësit e Obrisë, të Polluzhinës e të Ticës, zmbraps të gjitha aksionet e të gjitha brigadave partizane, sidomos ato malazeze dhe ato të Mal Sadikut.
Muharrem Smakiqi, Rifat Baleci, Rifat Maloku, Fazli Ramadani, Sejdi Hamiti, Ramadan Kurtaj, Lah Ismaili, Hajriz Demaku, Hysen Bajraktari, Murat Kamberi dhe Ajet Bajraktari, u babë ballë trimërisht përpjekjeve të brigadave partizane që të hyjnë brenda kësaj zone.
Gjatë kësaj rezistence 30 ditëshe, sa zgjati në këtë rreth, zhvillohen shumë ngjarje të llahtarshme. Në pjesët e tjera të Drenicës vriten njerëz, kallen shtëpitë dhe pasuria, ikin gra e fëmijë në drejtime të ndryshme për të gjetur shpëtim. Krijohet edhe një gjendje rëndë edhe për shkak të bukës, sepse çdo gjë e fshatarëve plaçkitet dhe zhduket në rrugën pa kthim.
Zona e lirë e Shaban Polluzhës mbretëronte nga të gjitha anët. Brenda saj gatuhet bukë për luftëtarët Shaban Polluzhës, jetohet në mes të shpresës dhe për jetë dhe frikës për likuidimin masiv të banorëve të kësaj treve. Në frontet kyçe janë vendosur trimat e pashoq Hazir Gjaka, Muharrem Smakiqi e të tjerë.

25. KUSHTRIMI I HAZIR GJAKËS

Duke qenë i vendosur në rrugën e tij për çlirim e Kosovës, Hazir Gjaka tregon të gjitha virtytet e një trimi të rrallë për mposhtjen e forcave çetnike; tek ai Shaban Polluzha kishte besim të madh. Në një rast kur heton se “partizanët” ishin përgatitur për të hyrë në zonën e lirë dhe ishin vërsulur me të gjitha forcat që kishin, lëshon kushtrimin siç thoshin dëshmitarët e gjallë të kësaj ane, që u dëgjua në tri katunde. Zëri i tij i thekshëm ushtoi galdueshëm, sa që pushtoi çdo gjë të gjallë. Siç i kujtohet plakut të Polluzhës, Ymer Eminit, Hazir Gjaka thirri luftëtarët dhe popullin që me tërë forcën t’u bëjnë rezistencë çetnikëve të veshur në teshat partizane, se më e mirë do të jetë vdekja se robëria. – Më kujtohet kur në orën 4 të mëngjesit pati thënë edhe këtë mendim: “Të qëndrojmë se ideali ynë gjithherë ka qenë qëndresa”!
Përnjëherë të gjitha katundet e zonës së lirë, i madh e i vogël iu përgjigjën kushtrimit të Hazir Gjakës. Muharrem Smakiqi nga pika strategjike – kulla e Hadakut, fillon luftën për jetë a vdekje. Në të gjitha anët nga Murga, Obria e Poshtme dh e Epërme, Plluzhina, Tica, dalin forca të reja. Për një kohë të shkurtër në një përleshje të fortë, partizanët e Malë Sadikut dhe Brigada malazeze, detyrohen të tërhiqen nga fronti, duke lënë pas shumë viktima.
Kulla e Hadakut si kështjella e Ali Pashë Tepelenës.
Kjo kullë në Obri të Poshtme ishte në periferi të zonës së poshtme të Shaban Polluzhës. Kjo kështjellë e pathyeshme bënte rezistencë të vendosur. Në të ishin luftëtarët nga Obria, të cilëve u printe Muharrem Smakiqi. Kullës iu qelën shumë frengji në mënyrë që tërë territori i zonës të jetë nën kontrollin e tyre e sidomos nga ana Perëndimore dhe Jugore. Gjatë 30 ditëve të rezistencës, Muharrem Smakiqi me shokë nuk lejoi për asnjë hap depërtimin e “partizanëve” në drejtim të zonës së lirë.
Si tregojnë Hajriz Demaku dhe Bilall Kadria, kulla e Hadakut të përkujtonte Kështjellën e Ali Pashë Tepelenës. Në vijën Ticë-Kulla e Hadakut likuidohet pothuaj tërësisht një brigadë malazeze, e cila më parë kishte bërë masakra të papara në fshatrat e Drenicës. Pra, siç shihet, në një mënyrë kjo brigadë e pagoi haraçin për tmerrin që kishte mbjellë në Drenicë. Pas likuidimi9t të kësaj brigade, nga ana partizane vinë forca të reja, por megjithatë nuk mund të depërtojnë në këtë pjesë të Shaban Polluzhës dhe duke parë një gjë të tillë përgjegjësinë e merr Malë Sadiku. I vetëdijshëm se me forcë nuk mund t’ia arrinte qëllimit, ai do të zgjedhë metodat e tij të njohura mashtruese. Siç tregon Hajriz Demaku, i cili një herësh ishte në front tërë kohën – Malë Sadiku dërgon disa njerëz për t’u marrë vesh gjoja me Muharrem Smakiqin për ndërprerjen e zjarrit. Muharremi me shokë, duke mos e njohur fare këtë tradhtar, pranon që të hyjë në bisedime. Malë Sadiku tani do të nisë katër përfaqësues të vet dhe në anën tjetër përgatit brigadën që do të marshojë fshehtas drejt kullës Së Hadakut në mënyrë që derisa të mbaheshin bisedimet, të sulmohen nga të gjitha anët. Mirëpo, kjo tradhti do t’i dështojë, sepse në kulm të kullës ishin vënë roja për çdo rast dhe me të hetuar këtë tradhti, ata do të sulmohen dhe do të mbesin të vrarë katër njerëzit që ishin caktuar për bisedime dhe një numër i madh i ushtarëve që i ishin afruar kullës.
Pas këtij dështimi, lufto do të orientohet në Obri të Epërme, por do të bëhet rezistencë nga kulla e Hadakut dhe Ukë Ymerit, në të cilën ishte edhe Rifat Maloku i Samadrexhës së Vuçitërnës me shokë, por kishte edhe njerëz dhe luftëtarë nga e gjithë Obria. Fronti mbahet përderisa Shaban Polluzha urdhëron se do të shkohet në drejtim të Kotorrit, ngase në zonën e lirë të Rezallës nuk kishte më bukë.
– Gjatë zhvillimit të luftimeve në Obri të Epërme, – rrëfen Tahire Demaku u desh t’i lëshonin shtëpitë dhe me fëmijë në grykë e me disa plaçka, shkuam në kullat e Idriz Miftarit. Duke shkuar rrugës, kisha foshnjën pesëmuajshe në krah dhe mundohesha ta mbroja atë nga plumbat që vinin nga ana e djathtë. Mendoja se kështu sadopak mund të mbrohesha nga murtaja që zbrazeshin në drejtimin tonë. Ishte kohë e vështirë, vazhdon Tahirja. Edhe qante, për çudi, bënin ulërimë të pandërprerë thuajse edhe ata paralajmëronin të keqen që na kishte gjetur dhe që vinte.

26. BINI BURRA SE RA MURGA

Fshati Murgë pas rënies së Tërdecit, Tërstenikut dhe Bajicës, ishte në vijën e frontit. Pas një rezistence të fortë e të gjatë, ishte ndjerë nevoja për përtërirjen e forcave të reja. Dikush nga luftëtarët ë lëshoi kushtrimin duke thirrur popullin në ndihmë: “Bini burra, sera Murga!”.
– Jemi nisu disa nga Obria për të shuar në Murgë. Me vete morëm pesë “mashinka” të cilat kohë më parë na kishte sjellë profesori i nderuar Ymer Berisha, për të cilin mbaj një kujtim dh ]e një nderim të posaçëm – thotë Hajriz Demaku. Aty hymë në një kullë, e cila pothuaj kishte mbetur pa u djegur. E mbajtëm frontin për një kohë. Në artë kullë ishte edhe i zoti i saj, Ajet Zuka, kurse të ishin larguar. Murga, e tëra ishte në flakë-luftohej dhe mbrohej fronti vetëm prej një kulle, nga e cila zmbrapseshin forcat partizane. Kur nga ana partizane arritën përforcime të reja, ne u desh të tërhiqeshim.
I zoti i kullës gjen një partizan malazez afër kullës së tij me këmbë të mërdhita dhe e fut brenda. Mundohej ta shëronte me fletë të lakrave turshi. I thanë të zotit të shtëpisë që të vinte me ne, se do ta vrisnin partizanët, mirëpo malazezi i mërdhirë i premtoi se s’do ta gjente gjë prandaj Ajeti qëndroi në shtëpi. Por çka ndodhi? Posa hynë partizanët në Murgë e lidhën plakun Ajet Zuka për ta pushkatuar. Partizani i sëmurë u rrëfeu se plaku i kishte shpëtuar jetën, por as kjo s’bëri asnjë punë. Pas këmbënguljes së tij se nëse pushkatohej ky, ta pushkatonin edhe atë, ata i nxorën të dy para kulle dhe i pushkatuan të dy.

27. NËNË E BIJË NË PUSHKATIM

Pas largimit të forcave të Shaban Polluzhës nga zona e lirë e Rezallës në Obri të Epërme dhe të Ulët, në Plluzhinë, Ticë, Açarevë, Likofc, hyjnë shumë brigada partizane, të cilat bëjnë terror të pashembullt. Në Plluzhinë ia shtinë flakët 35 shtëpive, plaçkitën tërë pasurinë, duke mos lënë asnjë bagëti nëpër arrije. Në Obri kallën 52 shtëpi. Ky fshat bëhet rrafsh me tokë dhe çdo gjë ishte shkatërruar. Kallen hambarët, gruri, misri dhe çdo gjë tjetër. Familjet, kryesisht ishin larguar prej kësaj zone dhe ishin vendosur në fshatrat tjera të Drenicës, por disa kishin mbetur dhe u nënshtrohen dhunës, terrorit, zhdukjes dhe vrasjeve. Në Obri të Ulët vriten nënë e bijë, Hava Behrami dhe Isma Behrami, që kishin ikur prej Açareve për të shpëtuar jetën. Hava ishte plakë 70-jeqare kurse Isma ishte e paralizuar, të cilën nëna e saj e mbante në shpinë. Pasi e pyesin “partizanët”, si përkujton Idriz Behrami, se ku shkonte, plaka u thotë se po shkoj në gjini. Çetnikët e tërbuar i vrasin me motivacion se dërgonin në atë drejtim postën e forcave “kundërrevolucionare”. Nënë e bijë i vret brigada e IV-të. Pastaj kjo brigadë në oborr të vet vret Osman Behramin, i cili ishte memec. E pyesnin se sa vetë ka pasur Shaban Polluzha, por meqë ai nuk mund të nxirrte zë, i thonë se po shtiret dhe e vrasin menjëherë. Ndërkaq, Sherif Sinani nga Obria zhduket dhe nuk dihet se ç’u bë me të.
Në Obri të Epërme brigada e IV-të vret Hana Rexhën, duke ia çuar këpucët të birit. Te qarku i Rakinicës vritet nëna e Ferat Koliqit me gjithë djalin e plagosur.

28. DYLUFTIMI

Në ditë të vështira ndodhin edhe ngjarje të çuditshme. Kronistët e luftës megjithatë do t’i shënonin një brigadë partizane pasi u tërhoqën forcat shqiptare të Shaban Polluzhës nga rajoni i Rezallës, erdhi në Obri të Poshtme, një oficer malazez (kryelartë). Kërkonte dyluftim me një shqiptar të këtij fshati, duke thënë se nuk kishte qenë në kohën kur ishin zhvilluar luftimet në këtë rajon. Por doli u paraqit Mujë Syla. Vendësit e lutën Mujën që të hiqte dorë nga kjo kërkesë e oficerit, mirëpo ky djalosh i Obrisë nguli këmbë që t’i dilte atij në dyluftim. Ndërkohë u caktua misioni që do t ë mbikëqyrte rrjedhën e dyluftimit. Kur dha shenjë përfaqësuesi i komisionit për fillim, më i shkathtë doli Mujë Syla, i cili me të shtënën e parë e la oficerin e vdekur. Por ç’ndodhi? Brigada që vështronte këtë dyluftim, e vrau menjëherë Mujë Sylën. Muja u nis në këtë dyluftime besë pa e ditur se me të pabesët, nuk ka besë.

29. PUSHKATIME (EDHE) NË RRUGË PËR TË BLUAR

Meqenëse Shtabi i Shaban Polluzhës ishte vendosur në Rezallë, kundërshtarët e tij (partizano-çetnikët), asnjëherë nuk guxuan t’ia mësynin këtij fshati shumë karakteristik të Drenicë, me një pozitë të posaçme. Mirëpo, kur shtabi i forcave shqiptare largohet nga ky lokalitet, fshatarët i nënshtrohen një rreziku të përhershëm. Pas largimit të shtabit, edhe këtu vriten dhe masakrohen nëpër shtëpi dhe të tjerë që për nevoja familjare kishin dalë për të siguruar bukën e familjes, në rrugë për te miqtë, apo në rrugë për të bluar misër a elb. Nga Rezalla vriten babë e djalë, të cilët në qerre kishin qitur dy thasë me misër dhe shkonin në Llaushë për ta bluar.

Në këtë fshat pushkatohen:

Rushit Jashari
Shaban Veseli (djali i vetë i familjes)
Ramë Abdyli
Hasan Hukolli
Feriz Jashari
Eshref Osmani.
Nga Rezalla në front gjatë luftës në Drenicë u vranë:
Ali Malaj
Sokol Malaj
Halil Malaj
Zeqir Delia
Kadri Meha
Miftar Zabelaj
Osman Ramadani
Kadri Kadriu dhe
Ymer Ahmeti.

30. DUKE KËRKUAR TË VËLLANË

Bajram Bajraktari, njeri me autoritet në Gllogofc, me të dëgjuar për masakrat që bënte në Sërbicë OZN-ja famëkeqe, shkon për t’u informuar se ç’po ndodhte atje. Me të arritur në Sërbicë, sheh se si dërgonin njerëz në shtabin e OZN-së, që asaj periudhe ishte bërë kasaphanë. Duke kaluar andejpari, Bajrami arrestohet dhe menjëherë dërgohet në shtab. Ditë më parë siç kemi theksuar, këtu ishin likuiduar në mënyrë barbare 30 fshatarë të rajoneve të ndryshme të Drenicës. Trazirat në Drenicë këtë e gjejnë në burgun e Drenicës. Me të përfunduar lufta në këtë anë, në pranverë të vitit 1945, vëllai i tij Ali Bajraktari, – si thotë ai vetë, i merr disa teshi dhe shkon në Sërbicë dhe ia dërgon të vëllait. Aty i thonë se ai gjendet në burgun Prishtinës, prandaj të nesërmen shkon atje. Roja që gjendej në të hyrë të burgut, pasi i tregon emrin, fillon ta kërkon në listën e të burgosurve. I thotë se ai nuk gjendet në listë. Me të marrë vesh se Ali Shukria gjendet aty pari, – vazhdon Ali Bajraktari, vendosa të hyja tek ai dhe ta pyesja për fatin e Bajramit. Mirëpo, roja nuk më lejoi, prandaj vendosa të prisja para derës deri sa të dilte. Pas një pritjeje shumë të gjatë, Ali Shukria doli në derë menjëherë ia tregova arsyen e ardhjes time. Më pyeti si e ka emrin. I tregova. Ai m’u përgjigj: “Djalë i mirë, shko në shtëpi se vëllai yt nuk ka nevojë as për tesha as për bukë”. Atëherë e kuptoi se ishte likuiduar. Desha të pyes se cila ishte arsyeja e likuidimit dhe a ishte likuiduar në Sërbicë a ndokund tjetër. Me një ton të vrazhdë më tha: “Ec nga ke ardhur, se ta bëj më zi se atij”, tregon rrëfyesi i kësaj ngjarjeje. Më vonë morëm vesh se ai ishte likuiduar në Sërbicë, si të tjerët, me thikë e çekiç.

31. SË BASHKU NË VDEKJE

Gjatë shkurtit të vitit 1945 shtohet dhuna, vrasjet masive dhe represaljet nëpër kashtërat e Drenicës Nga Brigada e Kosovës dhe Metohisë dhe nga shumë brigada të tjera që ndodheshin në rajonin e Drenicës. Nëpër fshatrat Makërmal dhe Likofc, me 7, 8, dhe 9 shkurt, vrasin popullatën e pafajshme dhe djegin pasurinë e tyre duke i lënë fshatrat shkret. Shumëkush mbeti pa shtëpi në mes të dimrit nën qiellin e hapët, pa plëng e shtëpi.
Në kohën kur brigada e Shaban Polluzhës gjendej në Çiçavicë në disa anë të Liskofcit morën qëndrim që të ktheheshim nëpër shtëpitë tona, ngase nuk kishim veshmbathje. Nga Çiçavica u nisëm natën vonë dhe një orë përpara mëngjesit arritëm në malin e Liskofcit, ku u ndalëm të pushojmë, tregon Ramë Zyberaj. Zeqiri dhe Neziri (vëllezër) i thonë axhës së tyre, Jonuz Zyberajt, se duhet të shkonim e të paraqiteshim në Sërbicë. Axha që ishte më i vjetër, na tha se nuk duhet të veprojmë kështu, se do të na pushkatojnë. Zeqiri me të vëllanë ngulën këmbë se duhet të dorëzoheshin. Atëherë axha i tyre, Jonuzi, u thotë se nëse duhet të dorëzohemi, duhej të dorëzoheshin të gjithë. Dhe, ç’rrjedhë tragjike pati ky vendim! Kur dolëm në rrugë për të shkuar në Sërbicë, ndeshëm në një brigadë, për të cilën nuk dinim se nga ishte dhe e informuam se kush jemi dhe çfarë qëllimi kemi. Pa u hamendur fare, komandanti i kësaj brigade, i cili dukej se ishte malazez, na qiti përpara, duke na thënë se së bashku do të shkojmë në Sërbicë, dhe se atje do të dorëzohemi, e pastaj atje do t’iu mobilizojmë nëpër brigadat tona. Duke shkuar rrugës, afër katundit Rezallë, vërejtëm se bisedohej për likuidimin tonë, por atëherë çdo gjë kishte perënduar – thotë Rama. Ne ishim shtatë veta prej dy shtëpive, një nip nga Bainca dhe një i katundit. Në atë çast nga ne u shti nga të gjitha anët dhe kështu mbetëm të vdekur Jonuz Zymberi, Zeqir Zymberi, Haradin Zymberi dhe Isuf Zymberi, ndërkaq unë Zymberi dhe Neziri arritëm të hyjmë në mal dhe shpëtuam nga vdekja. Tërë ditën ndenjëm atypari, dhe, kur u bë natë, sepse nuk guxonim të ktheheshim në shtëpi, dolëm në rajonin e Llaushës, ku qëndruam deri në pranverë.
Të nesërmen rreth orës tetë u morën kufomat dhe u sollën në Likofc. Abdyl Zymberi me gjithë djalë shkuan për ti hapur varret për të vrarët. Te varret kalon një brigadë tjetër, e marrin Tafë Zymberi, djalin e Abdyl Zymberit gjoja për t’ia treguar rrugën për Açarevë. Kur mbërrijnë në Plluzhinë, Tafa u tregon me dorë se atje është katundi që ata kërkonin. Komandanti i cili ishte në kalë, i thotë: “I mirë qenke, por do të bëjmë edhe më të mirë.” Posa përfundon këto fjalë, ia kthen armën dhe e vret.

32. I SËMURI NË PUSHKATIM

Në këtë ndërkohë, të njëjtën ditë, një pjesë e ushtarëve të brigadës malazeze hyjnë nëpër shtëpi të Likofcit dhe i bëjnë terror ë pashembullt. Të gjithë ata meshkuj që i gjetën nëpër shtëpi i pushkatuan. Rasti më tragjik, siç thonë dëshmitarët e gjallë, është ai kur para derës së shtëpisë e marrin Jakup Zymberin, që ishte i paaftë sepse më parë në një fatkeqësi i kishte thyer dy këmbët. “Po ku më çoni mua – u tha plaku. A e shihni se nuk km mbetur për asgjë”. Je i mirë iu përgjigjën. Pastaj e morën dhe e pushkatuan në skaj të oborrit. Çetniko-partizanët pastaj pushkatuan edhe Nezor Zymberin, Nezir Zymberin, Rexhep Azemin, Xhemë Hamzën dhe Lah Rexhepin.
Siç tregon plaku Zeqir Fetahu, nga ky fshat, po të mos iknin të tjerët, katundi do të mbetej pa asnjë burrë. Ata nuk u ndalën me kaq, e kallën me themel shtëpinë e Milazim Mehmetit, të Brahim Mehmetit, shtëpinë time dhe 20 shtëpi të tjera të Likofcit. U dogjën e u bënë shkrumb dhe ato pak rroba që i kishim për mbulojë e shtrojë. U dogj çdo gjë. Edhe ushqimi i bagëtive, edhe gardhiqet, edhe misri e gruri nëpër hambarë.
Në këto raste tragjike, si tregon Zeqir Demiri, nga tri-ketër familje jetonin në një shtëpi. Ishte shumë vështirë, të shohësh aq shumë kufoma e aq shumë shtëpi të digjeshin, po aq më vështirë kur nuk gjendej njeri për t’i hapur varret për të vrarët.
Këto brigada, duke u tërhequr nga Likofci, pas masakrës që bënë, ndalën për një kohë në Makërmal dhe vranë në shtëpitë e tyre: Xheladin Behramin, Zeqë Xhinofcin, Demë Sylën, Tahir Xhinofcin, Halil dhe Muhamet Xhinofcin, e pastaj ua shtinë flakën edhe 20 shtëpive të tjera. U kallën tërësisht pasuritë e Istref Xhinofcit, Behram Xhinofcit, Demë Sylës, Jonuz Goxhulit dhe Brahim Xhinofcit. Edhe shumë shtëpi të tjera u bënë rrafsh me tokë, dhe një numër i tyre pasi u largua brigada e IV-të, që bëri këtë masakër, i shpëtuam duke lokalizuar zjarrin me ujë.
Do theksuar se brigadat partizane përveç masakrave të pashembullta që bënë nëpër Drenicë, i plaçkitën fshatarët , duke ua marrë me dhunë bagëtinë dhe plaçkat nëpër shtëpi.
Në Makërmal merren Sinan Xhinofci dhe Amrush Asllanaj, i pari kishte 16 vjeç, kurse i dyti 22, dhe zhduken pa shenjë e gjurmë. Si tregojnë dëshmitarët e këtyre masakrave, çetnikët, të inkuadruar në shërbimin e OZN-së, varën Halit Gogjulin në zabel të Marinës. Pa gjurmë zhduket edhe djali i Osman Tërdefcit, për të cilin familja e dinte vetëm se ishte nxjerrë nga shtëpia. Për të nuk u kuptua asgjë.

33. BESA PËR TË PABESËT

Shumë fshatarë të Drenicës u pushkatuan në besë, madje në mënyrë tejet të pakuptimtë. Madje shumë sish u vranë vetë pse ishin shqiptarë. Shumëkush u dorëzua në besë.
Rasti i Lubovecit dhe jo vetëm i tij, tregon se sa e llahtarshme është besa për të pabesët. Zeqir Pollurh rrëfen për një tmerr të tillë. Duke kaluar nëpër Lubovec vendosëm që të hyjmë në një shtëpi, ngase ishim të lodhur dhe të uritur. Me të hyrë brenda, diktohemi nga partizanët. Nuk vonoi shumë e në oborr të asaj shtëpie, ku ishim vendosur rreth 30 veta, vjen një partizan, të cilin e njihnim dhe na njihte mirë. Ky ishte terzia nga Gjakova, që kishte ngrënë bukën tonë me javë në Polluzhë. Meqë e njihnim mirë, e shtimë brenda. Ai thotë se ishte dërguar nga komandanti i brigadës se nëse dorëzohemi nuk dot ë ndodhte asgjë. Ai na garantonte se nuk do të ndodhte asgjë, aq më parë pasi na njihte mirë. Është interesant të theksoj – përkujton Zeqir Istogu, se të gjithë u pajtuan të dorëzoheshin përpos meje. Bëhet ndërlidhja dhe vijnë partizanët me Malë Sadikun në krye. Pasi i dorëzuam armët, hetuam menjëherë se u tradhtuam, por atëherë për çdo gjë ishte vonë. Prej tridhjetë, sa ishim, na zgjodhën 20 vetë dhe na deshën në këmisha e tlina. Kur ma hoqën pallton, më doli setra me gradë oficeri të Shqipërisë, e cila nuk di as vetë se si më kishte rënë në dorë, dhe e kisha veshur pasi nuk kisha tjetër.
-Më thanë se ti qenke i Ballit Kombëtar. Jo, iu përgjigja, nuk jam i Ballit kombëtar, por fshatar që nuk i kam bërë askujt asgjë. Pastaj filluan t’i lidhnin të gjithë me litar të kovës, me të cilin familjarët e asaj shtëpie nxirrnin ujë nga pusi. Me të vërtetë kur më erdhi radha mua, që isha i parafundit, përfundoi litari. Ne të dy na lidhën me një zinxhir buallice. Ashtu të lidhur, na qitën jashtë katundit dhe duke ecur vërejta se zinxhiri ishte i lirshëm dhe tinëz i nxora duart por vazhdoja të ecja sikur të isha i lidhur. Në një moment, kur iu afruam malit, ku ishte vendpushimi ynë, nxora duart, por më hetoi një ushtar, e unë shpejt e shpejt e rrëmbeva një ushtar tjetër dhe e nxora përpara si mbrojtje, përderisa kalo dy tre hapa dhe hyra në mal. E përplasa ushtarin dhe ika- tregon Zeqir Istogu.
Të tjerët, që të gjithë u pushkatuan. Malë Sadiku, nuk bëri vetëm këtë tradhti ndaj drenicasve, por edhe shumë tradhti të tjera. Ky udhëheqës ushtarak ishte njëri ndër më të pamëshirshmit ndaj popullit të vet.

Në këtë vend u vranë:

Abdullah Kastrati
Sali Istogu
Liman Istogu
Latif Istogu
Tre prej Tice
Katër nga Rezalla
Dhe 9 të tjerë, që nuk u identifikuan.

SI U VRA SHABAN POLLUZHA

Prej Bezheniqit shkojmë te Dvoranët e Tërstenikut dhe vendosemi në tri kulla. Të nesërmen në mëngjez, me 17.02.1945, rrethohemi nga të gjitha anët prej shumë brigadave e divizioneve ushtarake, që ato ditë ishin përqëndruar në Drenicë. Luftuam prej mëngjezit e deri në ora 15. Meqenëse ishim në kulla, sado që kishin forca të mëdha ushtarake, aa nuk mund të na afroheshin. Diku rreth orës 16, kanë mbërrijtur topat, me të cilët fillojnë të na gjujnë. Gjalet e topit – thot Ramadan Polluzha, rrëzuan një pjesë të kullës, ku isha unë. Kur erdhi mbrëmja, shkova në kullën, ku ishte babai me Mehmet Gradicën. Shaban Polluzha plagoset nga trarët e kullës së rrëzuar, kurse Mehmet Gradicës i kishte rënë gjylja e topit në këmbë. Nëpër terr e kemi shpërthyer rrethimin. Babain e qita në kalë. Kur dolëm në rrugën kryesore, në drejtim të Gllogovcit, atë e mori një plum i kobshëm në gjoks dhe, pa hyrë në Gllobar, Shaban Polluzha vdes. Së bashku me Ali Ahmetin dhe Sejdi Mehollin vendosëm që kufomën e babait ta qojmë në pusin e thellë të lumit Drenica, në afërsi të tunelit të Poklekut. Aty thyem akullin dhe lëshuam kufomën.

P.S.- Pas disa javesh nxjerret kufoma e tij nga lumi dhe varroset në Polluzhë.
Shaban Polluzha, tashmë edhe zyrtarisht është “Hero i Ppullit”.

MUHAMET MJEKU

FUND

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu