Lufta e UÇK-së, shqiptarët kërkoon Statusin e Veteranve në Kosovë

0
571

Plot 574 shqiptarë nga Shqipëria kanë kërkuar pranë Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) me qendër në Prishtinë, për të përfituar statusin e dëshmorit (familjarët), veteranit dhe invalidit të UÇK-së. Menjëherë pas miratimit të ligjit nr. 04/L-054 “Për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre” nga Kuvendi i Kosovës, që ka nisur zbatimin më 1 janar të vitit 2012, edhe aktivistët nga Shqipëria, pjesëmarrës gjatë luftës së Kosovës, kanë nxituar të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm për të përfituar këtë status. Të joshur nga pensionet deri diku të larta dhe që paguhen në euro, aplikuesit nga Shqipëria po shtohen vazhdimisht, edhe pse duhen verifikuar nëse kanë qenë luftëtarë direkt apo thjesht kontribuues. APLIKIMET Sipas përfaqësuesit të Kryesisë së Veteranëve të UÇK-së për Shqipërinë, Sokol Poga, kanë aplikuar 40 persona për statusin e dëshmorëve, 61 për statusin e invalidit dhe 473 për statusin e veteranit. Prej këtyre, 28 janë shpallur dëshmorë, 34 kanë vdekur në mina, 238 janë plagosur nga minat dhe mbi 100 ushtarë kanë vdekur me armë në dorë. Mirëpo, sipas Pogës, për të përfituar statusin e invalidit, dëshmorit apo veteranit, shqiptarët e Shqipërisë të angazhuar në luftë duhet të kenë qenë pjesë e strukturave të ngritura nga UÇK-ja. “Fillimisht do të konsiderohen veteranë të luftës ata persona që kanë qenë të inkuadruar në brigada konkrete, apo në bazat speciale sekrete të UÇK-së të instaluara në Shqipëri, si dhe persona që kanë përcjellë përmes kufirit grupe e materiale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, kontributi i banorëve të zonave kufitare me Kosovën, rretheve kufitare, por edhe i gjithë Shqipërisë ka qenë i pazëvendësueshëm për çlirimin e Kosovës”, – thotë Poga. Nga vëzhgimi i bërë rezulton se gati të gjitha zonat e Shqipërisë “kanë pasur përfaqësuesit” e tyre në strukturat ushtarake që kanë kontribuar për çlirimin e Kosovës. Por, dominante në lista është ajo e Veriut. Rrethi i Hasit (41 invalidë, 27 dëshmorë, 198 veteranë), Kukësit (3 dëshmorë, 25 veteranë), Tropoja (30 dëshmorë, 152 veteranë), Shkodra (1 dëshmor). Më pas vijnë Berati (1 dëshmor), Librazhdi (1 dëshmor, 9 veteranë), Lushnja (2 veteranë), Vlora (10 veteranë), Skrapari (2 veteranë), Pogradeci (1 veteran). Gjithashtu, një kontribut të veçantë kanë dhënë edhe rrethet e Shqipërisë së Mesme, si Kavaja (1 dëshmor), Durrësi(16 veteranë), Elbasani (3 veteranë), Kruja (2 veteranë) dhe së fundmi aplikuesit nga kryeqyteti, Tirana (3 invalidë, 2 dëshmorë, 50 veteranë, të ardhur nga Jugu shumica). Ligji i miratuar rregullon të gjitha statuset e kontribuuesve të luftës së Kosovës, përjashtuar veteranët e kësaj lufte, pasi ata do të rregullohen me një tjetër ligj të veçantë. KONTRIBUUES APO LUFTËTAR Ndërsa shumë shqiptarë të Shqipërisë pretendojnë pension në Kosovë, duket se aplikuesit do të kalojnë në “sitë”. Sadik Halitjaha, anëtar i Komisionit për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të luftës së Kosovës, organizëm shtetëror i ngritur nga Kuvendi i Kosovës, ka bërë të ditur se: “Pjesa më e madhe e aplikuesve do të trajtohen si kontribuues të luftës. Pra, personat të cilët kanë dhënë kontribute në luftë, qoftë me para, ata që kanë ndihmuar ushtarët duke i strehuar, transportuar dhe me ndihma të ndryshme, së bashku me ata të cilët kanë luftuar për një kohë të caktuar dhe janë tërhequr pa dhënë llogari”. Sipas tij, këta të fundit do të quhen pjesëmarrës në luftën e UÇK-së. “Nuk mund ta krahasojmë me atë që ka luftuar deri në fund. Të tjerët që kanë dhënë kontributin kanë qenë në shërbim të ushtarëve, pra nuk mund të kategorizohen me ata që kanë rënë dëshmorë në luftë, që kanë derdhur gjak. Ndaj kemi bërë këto kategorizime për të mos i hyrë në hak askujt, duke i ndarë në një kategori të veçantë, të mobilizuarit në luftë”, thotë Halitjaha. Ai garanton se të gjitha dokumentet e nevojshme që janë të ruajtura nga UÇK-ja do të kontrollohen për të verifikuar për secilin aplikues, nëse ka qenë pjesë e luftës dhe cilit status i përket. LAH LLESHI Lah Lleshi është 56 vjeç dhe ka lindur në fshatin Kishaj, në lagjen Lleshaj në Has të Kukësit. Është një nga dëshmitarët që tregon ekzistencën e UÇK-së që në vitin e hershëm 1995. Para se të shpërngulej në Tiranë, ku tashmë jeton prej 12 vitesh, Lahi ishte me profesion ushtarak, nën gradën komandant i Forcave të Batalionit, Forcave Vullnetare nga Dobruna e deri në Morinë të Kukësit, prej 23 vitesh. Ai ka qenë i aktivizuar në luftë për mbrojtjen e Kosovës dhe trojeve shqiptare në fund të vitit ’95 në moshën 40-vjeçare e deri në përfundim të saj, në 1999-n. Ka qenë inkuadruar në Brigadën 128, e njohur si Brigada e Pashtrikut, me komandat Rruzhdi Selamatin, me detyrë shef armatimi. “Sapo pranova thirrjen, mora edhe detyrën. U vendos që shtëpia ime, pasi ishte më afër kufirit, rreth 1 km e gjysmë, të ishte baza sekrete për kalimin e grupeve, celulave që i adresonte S.Poga tek unë për t’i trajnuar; t’i stërvitja, armatosja dhe pastaj t’i përcillja matanë kufirit”, thotë Lahi. Ai ka humbur edhe vëllanë e tij. “Vëllai im Xhevati ka rënë dëshmor më 10 shtator të ’98-s, në zonën e Gorozhupit. Ishte i martuar me dy fëmijë. Për fat të keq nuk njihet dëshmor as në Shqipëri e as në Kosovë. Kam aplikuar për ta njohur, uroj të mos ia humbin mundin.”, thotë ai Lahi. HASAN KEKAJ Hasan Kekaj ka lindur në Dukat të Vlorës, i transferuar me familjen e tij në Tiranë në vitin 1961. Ka përfunduar studimet në Shkollën e Bashkuar në kryeqytet, i specializuar në fushën e Logjistikës (prapavijë). Sot është 68 vjeç, babai i dy djemve. Ja çfarë tregon ai: “Pasi morëm detyrat, na drejtuan direkt në Ershan të Kukësit, atje u takuam me Fatmir Limën, i cili na çoi te Malit Doçi, i cili ishte pritës dhe përcjellës i trupave ushtarakë të operacionit “Shigjeta”… Unë isha i ngarkuar komandant i Logjistikës nga Fatmir Limaj. Kryeja çdo detyrë që mundja, duke filluar që nga kuzhina, depot e armatimit, elektriku, spitali. Spitali kishte një staf shumë të mirë, të përgatitur, të kryesuar nga Ymer Aliu, nga Presheva, i cili ishte shumë nacionalist. Me të lëvizur nga aty, u nisëm drejt Prishtinës, pasi u krijua Ministria e Mbrojtjes, takuam edhe Azem Zylën (ministër i Mbrojtjes së Kosovës) Fatmir Limajn, (Zv.ministër i Mbrojtjes) dhe Dilaver Gocin (shef Kabineti)”, thotë Kekaj. Ai ka qëndruar rreth një vit në Brigadën 128, me postin e komandantit të Logjistikës në Has. Sot, Hasan Kekaj, si çdo pjesëtar i Luftës së Kosovës dhe si ishpjesë e strukturave të UÇK-së ’95-’99, kërkon të drejtën e njohjes së statusit të veteranit. LARTËSIA E PENSIONEVE Pensionet familjare për familjet e dëshmorëve të UÇK Familja që i ka dhënë një dëshmor: 358,50 euro Familja që i ka dhënë dy dëshmorë: 428,70 euro Familja që i ka dhënë tre dëshmorë: 463,80 euro Familja që i ka dhënë katër dëshmorë: 498,90 euro Familja që i ka dhënë më shumë se 4 dëshmorë: 534,00 euro Pensionet familjare për familjet e të zhdukurve të UÇK Familja me një të zhdukur të UÇK-së: 358,50 euro Familja me dy të zhdukur të UÇK-së: 428,70 euro Familja me tre të zhdukur të UÇK-së: 463,80 euro Familja me katër të zhdukur të UÇK-së: 498,90 euro Familja me më shumë se 4 të zhdukur të UÇK-së: 534,00 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 20 -30%: 144,00 euro Pensionet familjare për familjet e viktimave civile Familja e viktimës civile: 135,00 euro Pensionet familjare për familjet e të zhdukurve civilë Familja e të zhdukurit civil: 135,00 euro Pensionet invalidore për invalidët civilë të luftës Invalidi me dëmtim trupor mbi 80%: 122,00 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 61%: 109,00 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 40%: 96,00 euro Shtesa për përkujdesje dhe ndihmë për invalidët civilë Kujdestari për invalidin me dëmtim trupor me mbi 80%: 40,10 euro Pensioni familjar pas vdekjes së invalidit civil të luftës Invalidi me dëmtim trupor mbi 80%: 98,60 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 61%: 88,20 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 40% 77,80 euro Pensionet invalidore personale për invalidët e UÇK-së Invalidi me dëmtim trupor mbi 80%: 358,50 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 71%: 330,00 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 61%: 315,00 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 51%: 300,00 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 41%: 285,00 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 31%: 255,00 euro Invalidi me dëmtim trupor prej 20%: 180,00 euro Shtesa për përkujdesje dhe ndihmë për invalidët e UÇK-së Kujdestari për invalidin me dëmtim trupor me mbi 80%: 180,00 euro SHOQATA E VETERANËVE TË UÇK-SË NË SHQIPËRI Shoqata e Veteranëve të Luftës së Kosovës në Shqipëri është themeluar më 19 qershor 2006 si organizatë joqeveritare, edhe pse është degë e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Kosovës me qendër në Prishtinë, pra varet nga kjo e fundit. Nismën e ka marrë Sokol Poga, bashkë me ndihmën e bashkëpunimin e ish-ushtarëve të tjerë të UÇK-së nga Shqipëria. U ngrit bordi drejtues me në krye Spiro Butkën. Por, Butka është shkarkuar nga Shoqata e Veteranëve në Kosovë, për shkelje të rregullores së brendshme të saj në qershor të 2010-s. Tashmë kjo shoqatë nuk ka as kryetar dhe as zyrë.

 

Nga, EVA MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu