Luftërat tregtare në Ballkan

0
798

Serbët janë të ashpër kur bëhet fjalë për të shtëna ndaj kosovarëve, megjithëse duket se ikin tinëzisht kur u duhet të përballen me ushtarë të vërtetë. Ballkani sërish po e paguan çmimin e indiferencës së Evropës ndaj nevojës për formësimin e një zgjidhjeje përfundimtare, e cila do të mundësonte që këto komunitete në konflikt të shndërrohen në shtete normale. Edhe pse indiferenca mund të jetë një fjalë shumë e ashpër. Që të dy, William Hague dhe ministri i tij energjik për Evropën, David Lidington, kërkuan nga serbët dhe kosovarët që të negociojnë një marrëveshje të bazuar në tërheqjen përfundimtare të Serbisë nga pretendimi i saj se Kosova një ditë do të ri-integrohet dhe të pranojë sundimin e Beogradit. Shërbimi i Jashtëm i BE-së është gjithçka tjetër përveç indiferent, përderisa zëvendësi i shefes, Lady Ashton, diplomati britanik Robert Cooper, vazhdon të endet mes Prishtinës e Beogradit, në përpjekje të ndërtimit të urave mes tyre. Njësoj si në vitet e 90-të, kur vëmendja botërore ishte përqendruar në rrethimin e Sarajevës, ose tek 8.300 evropianët që ishin marrë nga Srebrenica dhe pastaj ishin vrarë nga serbët, edhe sot politikëbërësit lejuan që çështja e Kosovës t’ua ndërrojë agjendat. Është ky një veprim jetëshkurtër, sepse edhe gjatë viteve të shtypjes serbe qindra-mijëra kosovarë u dëbuan jashtë vendit të tyre, duke u shndërruar kështu në grupin më të madh të refugjatëve evropianë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Më 1999 bota ishte ngopur nga dallaveret e Millosheviçit, andaj, kur ai refuzoi të pajtohej me marrëveshjen finale, që do ta lejonte Kosovën për të qenë Kosovë, një fushatë e shkurtër ushtarake i dha fund viteve të vuajtjes së popullit të Kosovës. Megjithatë, sot nuk ka një zgjidhje përfundimtare. Kosovarët janë të mbrojtur nga një pushtim tjetër i mundshëm ushtarak serb nga forcat e miratuara nga OKB-ja dhe nga prania e misionit më të madh të BE-së nga misioni i fuqishëm 6.000-anëtarësh i EULEX-it. Por, ata nuk gëzojnë asnjë prej të drejtave normale të shtetësisë. Rusia i bllokon të gjitha lëvizjet në OKB, të cilat do t’i lejonin Kosovës që të bëhej një anëtare normale e komunitetit ndërkombëtar. Ndryshe nga Maqedonia, Mali i Zi apo republikat e tjera që u shfaqën pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave, si rezultat i epokës ultra-nacionaliste të Millosheviç-Karadziç-Mladic, Kosovës i është mohuar e drejta për të qenë pjesë e shteteve modeste të Ballkanit. Negociatorët e BE-së u përpoqën tej mase që të bindnin Beogradin, për të parë kuptimin. Por, liderët e Beogradit janë të bllokuar brenda ndjenjës së tërbuar të humbjes, të cilën serbët përgjithësisht e ndjejnë sa herë që e shikojnë rajonin që e sundonin dikur, e të cilëve tani u është thënë se duhet të hapur rrugë qeverive në Prishtinë, Podgoricë dhe Sarajevë, që serbët instinktivisht i konsiderojnë si inferiore dhe të papërshtatshme për të qeverisur me komunitetet serbe në republikat fqinje të Serbisë. Si ministër për Ballkanin, liderët në Beograd më patën thënë se dorëzimi i Karadziçit dhe Mladiçit në Hagë ishte i pamundur, sepse popullata e Serbisë ata i shihte si heronj kombëtarë dhe se, nëse do të ndërmerrej ndonjë aksion kundër dy kriminelëve të luftës, ata do të votonin për një qeveri ultranacionaliste. Edhe tani nënvizohet i njëjti argument, se çfarëdo marrëveshje mes Serbisë e Kosovës nga serbët e tërbuar do të shihej si një tradhti. Si rezultat, Serbia po i krijon vetes vështirësi në raport me pjesën tjetër të Evropës, derisa ka mbyllur vetveten brenda një rruge qorre të vet imponuar të izolimit, e paaftë që të arrijë paqe me Kosovën ose që të pushtojë territoret e populluara me shumicë serbe.
Për t’i bërë gjërat edhe më keq, Serbia nxit irritim të pafundmë në përpjekje që të parandalojë Kosovën për të lëvizur drejt një ekonomie më normale të tregut, përfshirë këtu rritjen e eksportit të prodhimeve bujqësore të saj. Kosova ka miniera fitimprurëse, ndërkohë që së fundmi ka zbuluar edhe mbetje të rralla, të cilat kanë joshur ardhjen e kompanive kineze në Prishtinë me qëllim të përmbylljes së marrëveshjeve të ndryshme, të etura për rritjen e huazi-monopolit kinez në fushën e këtyre raportmaterialeve të vlefshme. Sipas të drejtës ndërkombëtare, tregtia qeveriset nëpërmjet sistemit të vulave doganore, i cili iu lejon mallrave kalimin e kufijve edhe atëherë kur ka mospajtime ndërmjet qeverive. Që nga viti 2008 Serbia ka refuzuar të pranojë mallra që bartin vula të pranuara doganore nga BE-ja, për të hyrë nga Kosova. Ky është njëlloj reagimi fëmijëror. Prodhimeve made in Kosova vetëm sa iu duhet një rrugëtim më të gjatë nëpër vendet tjera të Ballkanit, shumica e të cilave e njohin Kosovën dhe autoritetin e qeverisë së saj. Nga ana tjetër, serbët inkurajuan eksportin e prodhimeve serbe në Kosovë nëpërmjet zonave “të askujt” në veri të Kosovës, mbi popullatën shumicë serbe të së cilës pjesë Beogradi ende ka ndikim. Në pjesën tjetër të Kosovës, komunitetet e mëdha serbe tashmë kanë siguruar paqen dhe ekzistencën e tyre. Gjatë bisedimeve të fundit të mbikëqyrur nga BE-ja, Beogradi dukej sikur do të pranonte që mallrat kosovare të mund të kalonin transit nëpër Serbi. Por, sapo negociatorët e BE-së u kthyen në Bruksel, Beogradi ndryshoi mendje dhe vazhdoi të refuzojë mallrat e vulosura me vulat doganore të fqinjit të tij. Kjo gjë i provokoi kosovarët dhe ata në shenjë hakmarrjeje tentuan të mbyllin vendkalimet kufitare për mallrat serbe. Bllokimi u shndërrua në dhunë, ngase këtë javë një grup zyrtarësh doganorë dhe policorë të Kosovës u përball me paramilitarët e zemëruar serbë, të cilët shtien me armë dhe hodhën granata drejt kosovarëve. Forcat paqeruajtëse franceze dhe amerikane tashmë janë pozicionuar në vendngjarje, për të ndaluar serbët që të vrasin kosovarët. Kështu që, sërish kemi një konfrontim Ballkan. Sikurse që në fillim të javës John Hooper raportonte nga Beogradi, serbët mund të mos jenë më të interesuar që anëtarësohen në BE, nëse kjo do të nënkuptojë se sundimi serb do të jetë i kufizuar vetëm në Serbi. Kjo gjë i shkon për shtati Rusisë, meqë Moska po e rrit ndjeshëm praninë dhe ndikimin e saj në Ballkan. Kremlini e sheh intervenimin e NATO-s, të vitit 1999, për të ndaluar një Srebrenicë të re në Kosovë, si dështimin e fundit të viteve të 90-të, gjegjësisht të intervalit të para ardhjes së Putin në pushtet, kur ai arriti të ndalojë shumicën e bashkëpunimeve mes Rusisë dhe Perëndimit. Mirëpo, derisa ende po luhen këto lojëra gjeopolitike, janë popullata e Serbisë dhe ajo e Kosovës ato që po humbasin. Të dy shtetet duhet të jenë partnere dhe jo të rijetojnë urrejtjen e shekullit të 20-të. Ndonëse, askush nuk është në gjendje t’i bëjë kokë më kokë. Kthimi i dhunës dhe vrasja e kosovarëve me armët serbe do të duhej të ishte një sinjal për zgjim nga gjumi.

Denis MacShane
* (Autori është Ish-ministër i Britanisë së Madhe për Ballkanin, në periudhën 2001-2005).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu