Lugina e Lushtakut!

0
959

Çipi elektronik nga silikoni “Made in Skenderaj” do ta pushtonte botën dhe askush më nuk do të fliste për Luginën e Siliconit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky ishte vizioni i kryetarit Sami Lushtaku po qe se do të realizohej projekti më kapital i kësaj komune, ndërtimi i “Parkut Teknologjik”, në të cilin korporatat e mëdha të teknologjisë si: “Apple” e inovatorit tashmë të ndjerë Steve Jobs, “Cisco Systems”, “Google” do të bënin garë për t’u vendosur, me ç’rast do të sillnin me vete qindra miliona euro investime dhe do të krijonin shumë vende pune.

Kosova, përkatësisht Skënderaj, me këtë rast do të shndërrohej në qendër udhëheqëse rajonale të teknologjisë së lartë, duke i lënë “fjetur” shumë shtete fqinje të cilat do të mbeteshin larg vendit tonë me teknologji si “Skënderbeu me kanaçe”.

Si për dreq, projektet e mëdha në Kosovë dështojnë dhe ky fat e përcolli edhe Parkun Teknologjik të Skenderajt, ndërtimi i të cilit iu kishte besuar kompanisë sllovene “Tehnopolis” nga Celja.

Me dështimin e parkut ranë poshtë edhe premtimet e Lushtakut për sjelljen e investitorëve të huaj dhe zbutjen e papunësisë në komunë.

Investime dhe vende të reja pune nuk arriti të tërheqë as komuna fqinje e Lushtakut, Drenasi, të cilës ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, u përkujdes t’ia ndërtojë Parkun e Biznesit.

Ky park, që filloi të ndërtohet para 8 vjetëve, ende nuk ka arritur të funksionalizohet, ndonëse “gllabëroi” mbi 8 milionë euro investime nga buxheti i Kosovës.

Nga 57 parcela në dispozicion, vetëm 12 biznese janë vendosur në këtë park. As Parku i Drenasit nuk solli investime të huaja e as nuk krijoi qindra vende pune, ashtu siç promovohej në fillim.

Në fund të vitit që lamë pas i vizitova personalisht këto Zona Ekonomike dhe disa inkubatorë të biznesit në vend, pasi që më duhej ta përfundoja temën e masterit në Universitet, e cila ndërlidhej me atraktivitetin e këtyre parqeve për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Republikën e Kosovës.

Për të nxjerrë rezultate sa më të sakta kisha përgatitur edhe dhjetëra pyetësorë për bizneset, të cilët befasisht nuk hezituan t’i përgjigjeshin pikë për pikë.

Si një gazetar me përvojë më shumë se dhjetëvjeçare në sektorin e ekonomisë, rezultatet e kësaj ankete nuk ishin befasuese, duke raportuar shpeshherë për politikat e pafavorshme ekonomike, korrupsionin e lartë, të cilat domosdoshmërisht reflektojnë në dekurajim të investitorëve të huaj për të sjellë kapitalin financiar.

Rezultatet e anketës treguan se 90 për qind e bizneseve të vendosura në zona ekonomike kishin kapital vendor, ndërsa vetëm 10 për qind e tyre janë me kapital të huaj, ose të përzier, ndërsa 40 për qind e bizneseve kishin më pak se 10 punëtorë.

Pra, pavarësisht investimeve milionëshe nga buxheti në ndërtimin e zonave ekonomike, këto të fundit nuk tërhoqën investitorë të huaj e as nuk u krijuan vende të reja pune. Po ashtu vetëm 20 për qind e bizneseve u deklaruan se janë të orientuara vetëm në eksport.

Një tregim krejt ndryshe kanë vendet e rajonit me zonat ekonomike si:Maqedonia, Turqia.

Kjo e fundit tashmë identifikohet me parkun industrial “ESBAS” në qytetin e Izmirit, i cili kur ishte hapur në vitin 1991 kishte 400 punëtorë, ndërsa punësimi në vitin 2011 ka arritur në 20 mijë e 300.

Prej kohës kur është hapur, përkatësisht për dy dekada, ky park ka arritur të tërheqë 801 milionë dollarë amerikanë investime, prej të cilave 568 milionë dollarë investime të huaja, ndërsa vetëm vitin e kaluar ka shënuar një volum tregtar prej 5 miliardë $. Dallimi nga parqet kosovare është se “ESBAS” është themeluar dhe menaxhuar nga biznesi privat, e jo nga institucionet burokratike shtetërore.

Turqia po ashtu e subvencionon eksportin, bizneset që investojnë lirohen nga taksat e korporatave dhe kanë shumë subvencionime tjera.

Ndërsa në Kosovë bizneset jo që nuk subvencionohen nga shteti, por kusht për fillimin e punës e kanë shndërrimin e disa zyrtarëve në aksionarë, punësimin e familjarëve, etj.

Në fund të fundit, kur shihet se parqet e biznesit dështuan të tërheqin investitorë të huaj dhe të krijojnë vende pune për kosovarët, atëherë pse u desh të shpenzohen kot miliona euro nga buxheti i varfër. Kjo pra ta kujton këngën e famshme të legjendarëve Dire Straits “Money for nothing”(Para për asgjë)!

 

Nga Lavdim Hamidi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu