Lugina po zbrazët

0
834

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë duhet të bëjnë maksimumin për shqiptarët e Luginës, sepse ata janë duke u shpërngulur me të madhe. Pasiguria politike, kushtet e rënda ekonomike janë duke zbrazur Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Shteti serb është duke bërë të pamundurën që t’ua vështirësojë jetën shqiptarëve në Luginë.

Bën të ditur në detaje mbijetesën e mundimshme që janë duke e përjetuar në vazhdimësi, shqiptarët e kësaj ane, kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, në një intervistë dhënë gazetës ”Zëri”. Ai thotë se kjo gjendje arsyeton kërkesën e tyre që njëherë e përgjithmonë të integrohen brenda territorit të Kosovës.

“Prandaj është e arsyeshme kërkesa jonë legjitime për një integrim brenda territorit të Republikës së Kosovës për t’u ndier rahat në tokat tona shqiptare autoktone njëherë e përgjithmonë”, thotë gjatë intervistës Mustafa.

Ai kërkon që për shqiptarët e Luginës së Preshevës të dyja qeveritë duhet të bëjnë maksimumin për të siguruar qëndrueshmërinë në tokat e tyre autoktone. Përndryshe paralajmëron se këto vendbanime gradualisht po zbrazen dhe zbrazja e këtyre vendbanimeve është njëlloj sikur po dorëzohemi para pushtuesve serbë.

Zëri: Kur do të jetë e mundur që dy kryeministrat Hashim Thaçi dhe Edi Rama ta vizitojnë Luginën?

Mustafa: Të bëjnë një vizitë sipas kornizave që i cakton Beogradi. Ne kishim për vizitë ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, por ka qenë e rrethuar me një shtetrrethim të hekurt nga qeveria e Beogradit dhe jam ndier shumë keq sepse ka pasur kufizime të natyrave të ndryshme dhe aspak nuk ka qenë këtu ajo ish ndjerë shumë keq, janë parë edhe deklaratat e saj në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, dhe t’i nënshtrohet kryeministri Thaçi këtyre kufizimeve të hekurta nuk kisha dashur në këtë kohë, por kur të vijë të jetë i lirë si në Kosovë edhe në Preshevë. Në këtë drejtim duhet të ketë kujdes kryeministri Thaçi që mos të bjerë pre e provokimeve të Daciqve dhe Vuqiqve, për një vizitë të hekurt nga autoritetet e Beogradit apo shërbimit të sigurimit të Serbisë.

Zëri: Sa jeni i kënaqur me kujdesin e dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë për Luginën?

Mustafa: Nuk ka një kujdes të mjaftueshëm nga dy qeveritë, padyshim këtë po e shpreh nga faktet se Kosova është në rrugën e shtetndërtimit të saj, Tirana përkatësisht Shqipëria zyrtare problemet shumë të rënda në mes pozitës dhe opozitës sa qeveria Berisha nuk ka qenë shumë dorëlirë të veprojë, të funksionojë dhe të ndihmojë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por as qeveria Rama jam i sigurt se nuk do të ketë mundësi, por kufizimet tjera të Shqipërisë dhe Kosovës i bën Beogradi në lidhje me kujdesin e tyre të mjaftueshëm ndaj shqiptarëve në Luginë.

Unë do të kisha dashur që të ketë një kujdes më të madh por ka edhe pengesa serioze nga Beogradi zyrtar që kujdesi të shtohet qoftë prej qeverisë në Prishtinë, qoftë prej qeverisë në Tiranë. Qeveria e Kosovës, nuk është një kosto e vogël që ka dhuruar tekste mësimore që nga klasa e parë fillore deri te klasa e katërt e shkollimit fillor për të gjithë nxënësit absolut janë përafërsisht 3 mijë nxënës dhe ky numër i teksteve dhe kjo sasi e teksteve mësimore padyshim ka pasur koston e saj, por asnjëherë askush nuk e ka diskutuar në qeverinë e Prishtinës, por dua të përmend këtë se as nga opozita në Kosovë askush nuk e ka sulmuar këtë sepse çdo shqiptari i Republikës së Kosovës e ka ndjenjën e solidaritetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Zëri: A mund të bëhet më shumë për shqiptarët e Luginës?

Mustafa: Për shqiptarët e Luginës së Preshevës të dyja qeveritë duhet të bëjnë maksimumin e maksimumit për të siguruar qëndrueshmërinë në tokat tona autoktone, përndryshe këto vendbanime gradualisht po zbrazen dhe zbrazja e këtyre vendbanime është njëlloj sikur po dorëzohemi para pushtuesve serbë. Por, mbi gjithë atë nga të gjitha këto presione dhe kushtet ekonomike të rënda që po jetojnë shqiptarët këtu duhet që edhe qeveria në Prishtinë dhe në Tiranë t’i përkushtohen mbase edhe me fonde të caktuara për të siguruar qëndrueshmërinë e shqiptarëve autoktonë.

Zëri: A janë duke u shpërngulur shqiptarët nga këto treva?

Mustafa: Duhet krijuar kushte më të mira këtu sa që të jetë një lakmi e hapur edhe shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë që të vijnë në Luginë të Preshevës sidomos ata të cilët që kohë më parë janë shpërngulur, të cilët kohë më parë kanë gjetur punë në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës.

Dhe në momentin që krijohen këto kushte dhe siguri më të madhe atëherë do të ruhen këto vendbanime ose pas një periudhe kohore, them kushtimisht 3 deri 50 vjet nuk do të ketë shqiptarë në Luginë të Preshevës, sikurse tani që mendohet vetëm për kthimin e pronave të Çamëve në Çamëri jo kthimin e tyre dhe vendosjen e jetës atje sepse nuk ka mbetur asnjë çati, nuk ka mbetur një vendbanim për një jetë normale, por kthimi i tokave dhe pronave është shumë vendim i drejtë.

Për të mundësuar Kosova pas disa dekadave me këtë problem tani duhet siguruar kushte optimale të zhvillimeve në Luginë të Preshevës sepse në komunën e Preshevës nga 56 mijë banorë që numërohen 98 për qind janë shqiptarë, shkalla e papunësisë për shumë vite të tëra më përpara është duke sjellë deri në 70 për qind të gjithë atyre që janë të aftë për punë janë të papunësuar dhe kjo shkallë aq e lartë e pazhvillueshmërisë ekonomike nuk është shprehur as në Kosovë dhe pas ajo ka dalë prej një lufte më të egër që ka pasur Serbia gjatë viteve 1999.

Zëri: A është ky plan i Serbisë?

Mustafa: Këtë e bën qëllimisht Serbia për të krijuar një pasiguri ekonomike për skaj të gjitha pasigurive të tjera politike në arsim, shëndetësi e të tjera, që të mos mbeten shqiptarët këtu. Dhe për këtë duhet krijuar kushte dhe duhet hapur vende të reja pune, sigurime të fondeve sepse Serbia nuk është e gatshme të ndihmojë me fonde Preshevën, as Bujanocin, as Medvegjën.

Një rast shumë i ri, një rast them është për t’u bindur, vitin e kaluar buxheti republikan i Serbisë ka qenë më i vogël se ky që planifikohet për vitin 2014 dhe për vitin 2014 ka një rritje të buxhetit të Serbisë për 12 për qind, ndërkohë edhe përkundër rritjes së buxhetit të Serbisë buxhetin e komunës së Preshevës, Bujanoc dhe Medvegjë e kanë zvogëluar diku 15 për qind.

Zëri: Çfarë arsyetimi është dhënë për këtë shkurtim?

Mustafa: Kush të jep sqarim? I forti nuk jep sqarim. Të ulet buxheti në këtë shkallë të papunësisë dhe të varfërisë nuk duhet të kapet daullja dhe të them se jemi të diskriminuar dhe këtu Serbia dhe gjithë këtë që po e bën Serbia, është për t’i shpërngulur shqiptarët nga Presheva, prandaj është e arsyeshme kërkesë jonë legjitime për një integrim brenda territorit të Republikës të Kosovës për t’u ndier rahat në tokat tona shqiptare autoktone njëherë e përgjithmonë.

 

Intervistuan: Arbana Xharra & Artan M. Haraqija

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu