Lulzim Basha: Hetohet për 230 mln euro

0
574

Prokuroria e Përgjithshme, sipas burimeve nga ky organ, përgatitet të rihapë hetimet për disa dosje të bujshme korrupsioni në nivel të lartë, ku bën pjesë edhe ajo, e mbyllur me vendimin e dhënë nga ana e gjykatës, për mbylljen e procesit në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve, aktualisht kreu i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i PD në opozitë Lulzim Basha, si dhe ish-drejtorit të Rrugëve, Andi Toma, me një dëm të shkaktuar prej 230 milionë eurosh.

Shpërdorimet e abuzimet që janë bërë në rrugën e Kombit me tarifat aspak të barabarta, me të cilat janë ndërtuar kilometrat e kësaj rrugë, ku një kilometër kushtonte afërsisht 22 milionë euro, ndërsa një kolometër tjetër i ngjashëm me të kushtoi 4-6 milionë euro. Dosja e plotë për përllogaritjen ka qënë në KLSH, i cili e kishte bërë publik auditin e tij, duke deklaruar se nga këto diferenca, pa hyrë në detajet e gjetjes së volumit të punës, gjërësisë së rrugës, vendosjen e mbrojtëseve anash rrugës, mbi 230 milionë euro ishin marrë në mënyrë abuzive nga taksat e qytetarëve shqiptarë, destinacioni i të cilave nuk dihej.

Në rast se Prokuroria e hap çështjen, pritet të bëhet dhe verifikimi dixhital i të gjithë volumit të punimeve, materialeve të përdorura dhe përllogaritja e tyre në bazë të çmimeve të kohës për të nxjerrë në detaje se si janë shpenzuar 1.3 miliardë euro për këtë segment, kur parashikimi fillestar ishte 518 milionë euro, ndonëse tenderi u bë pa projekt.

Ish-zyrtarët në fjalë pritet të riakuzohen se, duke shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar shkelje ligjore që gjatë procedurave të ndjekura për përcaktimin e subjektit që ndërtoi Rrugën Rrëshen-Kalimash.

Sipas dosjes mësohet se, që në fillim të këtij projekti, janë vënë në dukje shkeljet, por gjithçka kaloi në qeveri dhe vendosi Berisha politikisht. Ndërsa dhe kontrata e përpiluar dhe më pas e nënshkruar nga ministri Lulzim Basha e drejtori Juridik, Andi Toma me përfaqësuesit e shoqërisë “Bechtel & Enka” është bërë në bazë të ligjeve angleze dhe jo atyre shqiptare. Kjo kontratë përbën shkelje dhe kundërvënie me rendin shtetëror dhe shoqëror të Republikës së Shqipërisë, si dhe me legjislacionin në fuqi për prokurimet publike. /shqiptarja.com/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu