Lushtaku dhe katër të tjerë ndalen në mbajtje

0
754

Prishtinë, 23 maj – (E plotësuar) Sami Lushtaku është ndalë në mbajtje. Këtë e ka konfirmuar avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci. Përveç Lushtakut, për 24 orë janë ndaluar edhe Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi.
Nesër këta të dyshuar për krime të luftës do të dalin para gjykatësit të procedurës paraprake, i cili do të vendosë për paraburgimin eventual.
Në ndërkohë, të ndaluarit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë janë vizituar nga përfaqësues të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, të cilët kanë biseduar me Sami Lushtakun dhe Sahit Jasharin. Sipas komunikatës së KMLDNJ-së,
Lushtaku dhe Jashari deklaruan se vet janë paraqitur dhe se janë njohur me të drejtat e tyre, si dhe kanë angazhuar avokat mbrojtës.
Ata i deklaruan përfaqësuesve të KMLDNJ-së se nuk kanë asnjë vërejtje në sjelljet e policisë gjatë ndalimit. Ata janë njoftuar për shkaqet e arrestimit dhe u janë lajmëruar familjet e tyre. Sipas tyre, sjellja e oficerëve në Qendër të Ndalimit është korrekte.

Arrestohet Sami Lushtaku (video)
Prishtinë, 23 maj – 11:27 – (E plotësuar) –
Të arrestuar janë Sami Lushtaku për krime lufte në bashkëkryerje, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi

(E plotësuar) – Policia e EULEX-it në bashkërendim me Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), kanë arrestuar sot pesë persona, raporton KTV-ja. Pesë individët janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e cenimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (komuna e Skenderajit).

Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili, si krim lufte. Arrestimet janë urdhëruar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Rasti është duke u hetuar nga një prokuror special i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë sot ndaj Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Shqipëri, Fadil Demaku, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt, Shtilli -truproja i kryeministrit Hashim Thaçi, Sabit Gecit, Sahit Jashari, Ismet Haxhes, e disa të tjerëve.

Sipas burimeve të Indeksonline ata akuzohen për torturim, dhunim e keqtrajtim të popullatës civile gjatë kohës së luftës.

Zëdhënësi i Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Blerim Krasniqi ende nuk ka një informacion që është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ai tha se është në përpjekje të kontaktojë më dikë nga prokuroria speciale.

Ndërkohë raportohet se përveç Sylejman Selimit dhe Fadil Demakut, të gjithë të akuzuarit e tjerë nga “Grupi i Drenicës” janë duke u marrë në pyetje nga prokurorët e EULEX-it.

Sahit Jashari ka qenë i pari që ka shkuar në EULEX për intervistim, pas tij Sami Lushtaku dhe të tjerët.

Këta akuzohen për krime lufte.

(E plotësuar) Sylejman Selimi pritet të paraqitet nesër në seancën e procedurës paraprake, ku një gjykatës i EULEX’it pritet të marrë vendim nëse Ambasadorit do t’i shqiptohet masa e paraburgimit apo do të lihet i lirë.

Seanca do të mbahet në orën 15:00 dhe aty, bashkë me Selimin, do të jenë edhe Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi – të cilët aktualisht po mbahen në mbajtje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu