Luta me shokë shumë

0
853

Ndoshta padashje i ka rrëshqitur nga goja një fjalë që nuk është “dashur” ta thoshte. I ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka treguar për gazetën “Zëri” se si ai takohet me disa politikanë kosovarë. Nuk përmendi shumë emra, por njëri i rrëshqiti- Lutfi Haziri.

Ish-ministri kosovar, që në opinionin e gjerë njihet si njëri nga politikanët më “shmek”, dallohet edhe për fleksibilitetin e shkëlqyeshëm politik që ka, duke e ndërruar tërësisht fjalorin politik brenda 24 orëve. Këtë e ka dëshmuar edhe gjatë mandatit të kaluar qeverisës kur partia e tij- Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës ishin në bashkëqeverisje.

Derisa vetë Lutfi Haziri ishte jashtë përbërjes së kabinetit qeveritar Thaçi I, kishte shprehur vazhdimisht kritika në drejtim të Qeverisë së udhëhequr nga Hashim Thaçi, duke u bërë ndër politikanët më kritik ndaj qeverisjes.

“Nuk do të hyj në asnjë formë në Qeveri të Thaçit. Unë nuk po bëj zhurmë që të bëhem pjesë e qeverisjes”, kështu ishte përgjigjur nënkryetari i dikurshëm i LDK-së, Lutfi Haziri, gjatë një bisede që kisha me të pas përfundimit të një interviste, i pyetur se a po e bën tërë këtë zhurmë vetëm e vetëm për të hyrë në qeveri.

“Që do mund të vëmë edhe bast”, më thoshte me ironi.

Haziri edhe zyrtarisht kishte thënë se nuk do të hynte në qeverinë Thaçi I.

Megjithatë, vetëm pas disa javësh, ai demanton vetveten dhe futet në ekzekutiv, si pasojë e riformatizimit që kishte ndodhur.

Pra, kursi i tij politik ndërron aq shpejt, duke shkelur të gjitha parimet morale.

Tekefundit, për politikanët kosovarë është absurde që të mendojnë për kodin moral. Më e rëndësishmja për ta është të jesh në pushtet dhe t’i realizosh interesat personale dhe të një grupi të ngushtë. Qytetarët janë në rend të fundit, sepse ata nuk të nevojiten deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Por, edhe nëse një politikan i Kosovës shkon në Beograd të takojë politikanë serbë dhe “miq” të vjetër prapë nuk bëhet kiameti. Prapë edhe me politikanët e Beogradit i lidhin interesat e caktuara. Nëse jo për të hyrë në Qeveri, atëherë për ndonjë biznes apo edhe për ndonjë gjë krejt tjetër.

Bogdanoviq ka treguar për “Zëri” një fakt shumë interesant se çka e lidh atë dhe Lutfi Hazirin. “Unë e Lutfi Haziri kemi diçka të përbashkët. Fjalën e kam për një asistente që dikur ka punuar në Kuvendin Komunal të Gjilanit, sa ishte ai kryetar i komunës, ndërsa e njëjta (me nënshtetësi serbe), tani punon në Ministrinë time”.

Kosova ka shumë Lutfi Hazira. Madje, shumë më shumë se që mund të imagjinojmë ne qytetarët e thjeshtë të Republikës së Kosovës. Luta është vetëm “viktimë” e mikut të tij Bogdanoviq.

Paramendojeni sikur Kosova të mos kishte probleme me dokumente të udhëtimit për në Serbi. Ose sikur të ndodhte që shumë shpejt të nisë implementimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviqit, me ndërmjetësimin e Brukselit zyrtar. Me gjasë Tirana, si vendi më i “vizituar” i politikanëve kosovarë do të mbetej zero.

 

Shkruan: Adrian Çollaku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu