LVV-ja e dërgon Thaçin në Kushtetuese, kësaj radhe për votën e Haxhi Shalës

0
175
LVV-ja e dërgon Thaçin në Kushtetuese, kësaj radhe për votën e Haxhi Shalës

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar edhe një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e veprimeve të presidentit Hashim Thaçi me rastin e “detyrimit” të deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin e tij për votën ndaj qeverisë “Hoti”.

Sipas LVV-së, këto veprime të presidentit janë antikushtetuese.

“Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e veprimeve antikushtetuese të presidentit në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Haxhi Shala për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë edhe ashtu jolegjitime”, thuhet në postimin e LVV-së në “Facebook”, transmeton “Zeri”.

LVV-ja thotë se presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ka ndërhyrë në të drejtat e Kuvendit.

“Jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar që deputeti Shala të ndërrojë qëndrimin dhe votën në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Republikës, të datës 3 qershor”, thuhet tutje në këtë postim.

“Si një Qeveri pa legjitimitet dhe e paligjshme, të vetmen mbështetje e kishte tek aranzhimet jokushtetuese në të gjitha fazat e saj. Tablonë e plotë të veprimeve antikushtetuese të kësaj skeme e përmbushi rasti i ndërhyrjes dhe ndikimit mbi deputetin Haxhi Shala, duke i shkuar në shtëpi pasmesnatës. Këtë fakt e shpalosi edhe publikisht deputeti i shënjestruar, por u konfirmua edhe nga vetë Thaçi e Haradinaj”, thuhet më tutje në këtë postim.

“Është e tepërt të thuhet më se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i lejon presidentit rol aktiv në skenën politike, sepse kjo çfarë ka bërë Thaçi nuk është vetëm angazhim aktiv politik, por edhe ndërhyrje e rëndë në rendin tonë kushtetues, por as si e tillë nuk është e para”, përfundohet në reagimin e LVV-së. /Zëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu