Majko: Pa logjikë që Nano të kërkojë kreun e PS, u mërzita nga takimi te Gjiri i Lalzit

0
811

Ish-Kryeministri: Nano është rikthyer në politikë.

“Nëse PS do e kandidonte për President do kishte vota kundër edhe nga e majta”

Deputeti i PS: Nuk ekziston një fabul për aleancë PS-LSI, PS duhet të hedhë sytë nga AK dhe FRD.

Ish-kryeministri Pandeli Majko e vlerëson si të palogjikshme nismën e Nanos për të marrë postin e kreut të PS-së. Në një intervistë në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në Top Channel, ai flet edhe për darkën e Ramës në Gjirin e Lalzit me Metën dhe shanset e PS-së për të ardhur në pushtet në 2013-n.
Heshtje dyvjeçare, përse sot?
Besoj se ka qenë dyvjeçare heshtja. Siç jeni në dijeni, nga nëntori u angazhova me kandidimin tim në Kombet e Bashkuara. Kjo më kushtoi gati 5 muaj, një pjesë e kohës ishte qëndrimi në Nju Jork, konkurrimi nuk ishte aq i thjeshtë. Por, sigurisht nuk ka të bëjë me heshtjen.
Çfarë ndodhi në Kombet e Bashkuara?
Ishte një këshillë e miqve të mi që unë të mos bëja komente rreth kësaj historie, jo se nuk ia vlente të flisja apo të ulja kokën. Unë kandidova në postin e asistentit të sekretarit të Përgjithshëm për PNUD. Jo më larg se 24 orë më parë pashë me kënaqësi që Mabam Helen Klark, që mbulon në mënyrë ekzekutive PNUD-in, ishte drejtuesja e komisionit që më mori në intervistë dhe konkurrova përballë një zonje të nderuar nga Turqia. Më pas, me kërkesë të OKB-së, kandidova për një post tjetër dhe aty pata një konkurrim të rëndësishëm. Por, ngandonjëherë gjërat nuk varen nga mënyra individuale si shfaqesh, por janë edhe provë force që kalon nga individët te shtetet. Ajo që dua të theksoj ishte se m’u pohua mbështetja e shumë vendeve partnere, nga SHBA dhe vendet kryesore të Europës. E nisa këtë pa marrë një garanci nga dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit, Anglia dhe Franca. Kina, Japonia dhe vendet e Azisë më dhanë mbështetje të madhe, isha afër finishit.
Kryeministri shqiptar ju mbështeti?
Absolutisht po, edhe ministri i Jashtëm, edhe Kryeministri, që të dy me letra të veçanta dhe nuk kam nguruar t’u shpreh mirënjohjen.
Kryetari juaj ka hedhur emra për President, është folur se është hedhur emri juaj…
Mendoj se ka pasur një debat shumë të koklavitur për sa i përket procedurës. Edi Rama, në dijeninë time, ka vendosur që mos t’i hyjë detit në këmbë, duke hedhur në tavoline emra si gogla, që do viheshin nën goditje pa asnjë rezultat nga ana e maxhorancës. Po është e vërtetë. Ma ka thënë, më ka marrë në telefon “Pandi në një moment kam përmendur emrin tënd”. Por, kjo ishte jashtë çdo lloj konteksti, në biseda paraprake, unë mendoj se bisedat kanë qenë të një natyre të tillë dhe nuk është lejuar hapja e bisedave të kësaj natyre për të zgjedhur një kryetar shteti që të kishte vulën edhe të maxhorancës, edhe të opozitës. Procesi filloi dhe mbaroi nën presionin dhe krizën e brendshme të maxhorancës. Kjo duhet thënë kështu siç është.
Mendoni që ndoshta Fatos Nano mund të kishte hapur së paku garën në raundin e katërt?
Fatos Nano, në një mënyrë apo një tjetër, i dhuroi një fushatë skenës politike. Pse jo, edhe PD-së. Por, nuk besoj që do të kishte të garantuar një fitore në sensin e futjes në gare, sipas meje ishte e sigurt se futja në garë…
Ama do ta stresonte kundërshtarin…
Po flasim për rezultatin, jo për stresin. Nëse do flasim me logjiken e stresin, tërheqja e kandidateve të maxhorancës nuk është pak. Por, unë mendoj dhe ia kam thënë Fatosit se është mbyllur historia se nëse ai do konkurronte përballë një kandidati të maxhorancës, ai do të humbiste. PD do e votonte kundër dhe kam përshtypje që do kishte vota kundër edhe nga e majta.
Pra, ju mendoni se dhe nga Grupi i PS-së do kishte rrjedhje votash kundër zotit Nano?
Për të qenë i sinqertë, Po.
Për çfarë arsyeje?
Mendoj se pas 2005-s ka pasur goxha ankesa, që do shpreheshin në votimin e fshehtë. Mënyra e të sjellurit të Fatosit në perceptimin e shumë socialistëve kishte krijuar irritim në momente të caktuara. Këtë që po të them, ia kam thënë edhe vetë Fatosit, dhe mendoj e ky acarim pas 2005 që në perceptimin e socialistëve që shpesh e kishin parë të ulej me përfaqësuesit e së djathtës në kulmin e fushatës elektorale, do të sillte një efekt domino, që do ta vinte emrin e tij në këtë siklet që do bënte që votat e së majtës do shkonin djathtas. Do kishte socialistë që do preferonin më shumë të kishin një President të djathtë, se sa Fatos Nanon President.
Ju thatë që e takuat zotin Nano, si ju është dukur ai? Karrocier i dehur i së majtës, apo pjesë e shpirtit të revoltuar opozitar për dështimin e radhës përballë Berishës?
Jo, jo. Ai është politikan profesionist dhe mendoj që kandidimi i tij për President është më tepër një kthim politik, se sa një kërkesë me se s’bën President i Republikës.
Sa serioz duket paralajmërimi i anëtarit të Asamblesë Fatos Nano për një lëvizje që kërkon rilindje socialiste para rilindjes shqiptare?
Që Fatos Nano ka të drejtën e Zotit të kthehet në politikë, këtë s’e mohon askush. Por, t’i thotë PS-së një vit para zgjedhjeve se do të vij unë të zëvendësoj kryetarin e partisë, këtë…dhe ai vetë nuk besoj se mund ta mendojë si një logjikë që është për t’u vlerësuar, në këto kushte që ndodhet e majta, PS dhe opozita. PS nuk ka komoditet sot që të shikojë edhe njëherë një konkurrim të ri, sa dhe të vjetër, se kush do të jetë kryetari i PS-së, një vit para fushatës.
Mendoni se ka vend për një rilindje socialiste?
Jo nuk ka nevojë as për rilindje, as për histori të natyrave të tilla brenda PS. Ne na nevojitet të ndërtojmë një opozitë të madhe, që të përfshijë të gjithë atë që quhet psikike opozitare në Shqipëri. Po e bëmë këtë, mendoj se do të jetë thelbi i atij ndryshimi që kërkon shoqëria shqiptare. Shoqëria shqiptare ka një problem me opozitën me shumë se çka opozita me shoqërinë. Ka problem, sepse shikon disa opozita. Një konkurrencë mes opozitave dhe vizioneve të ndryshme opozitare. Kemi një konkurrencë që kështu nuk vazhdohet më, dhe kjo është shumica, problemi është që e shikon këtë në mënyrë diskrete. Dikush thotë që me opozitar jam unë, dikush thotë që jo kjo që po bën Edi Rama s’është opozitë unë e bëj më mirë, kur në thelb më shumë se nevoja për të thënë se kush është burri më i mirë i opozitës, është nevoja për të thënë se kush duhet ndryshuar në Shqipëri.
Si e pritet lajmin e darkës së famshme të Gjirit të Lalzit?
Çfarëdolloj përgjigje që të jap unë, e di që do bësh ironi.
Jo s’do bëj ironi, mjaft të më thuash të vërtetën…
Në fillim u mërzita, mendoj që është e shpjegueshme dhe e imagjinoj që do kishte një takim mes Ramës dhe Metës, por nuk e mendoja që do shkonte në shtëpinë e Metës për çdo lloj arsyeje.
Jua tregoi vetë zoti Rama, apo e morët vesh nga mediat?
E mora vesh nga miq të tjerë, e mora vesh punë orësh që ai ishte duke darkuar. Mora vesh se kush kishte qenë interlokutor. Në fillim u mërzita jashtëzakonisht, dhe nuk e kuptova dhe për interlokutorët, ata më mërziten më tepër. Por, problemi…sot mund të bëj edhe pyetjen tjetër: A iku Rama për të ulur kokën përballë Metës, për t’i kërkuar falje për ndonjë gjë? A iku për të harruar katër të vrarët e 21 janarit, se ishte penduar për diçka, se ishte fiksuar për t’u bërë Kryeministër dhe kjo ishte rruga më e shkurtër? Mendoj se arsyeja bazë ishte se Rama donte të sfidonte një skemë për zgjedhjet presidenciale në Shqipëri. Donte të realizonte një presion të brendshëm në maxhorancë, ashtu siç ajo ndodhi në fazën e parë. Mori një risk të madh duke e kryer atë veprim, por në fund mendoj se plani i tij ishte ajo që shkroi në editorial, ai donte rrëzimin e qeverisë, të Sali Berishës.
Pra ju nuk shikoni në një të ardhme PS-LSI?
Po të shikojmë rrethanat, mendoj se janë mjaft kokëfortë, nuk mendoj se sot ekziston një fabul. Një parti që ndryshon ministrat, kemi të bëjmë me një rifreskim kontrate.
Jo më larg se të hënën Rama deklaroi se nëse LSI ikën nga qeveria, PS do të bashkëpunojë me të. A është kjo deklaratë e konsultuar me Kryesinë e partisë?
Nuk mendoj se gjërat e natyrave të tilla duhet patjetër të konsultohen me Kryesinë e PS-së. Mendoj se gjithë kjo histori nga Gjiri i Lalëzit deri më sot ka dhënë përgjigje se çfarë duhet të bënte PS me LSI në sensin si do shkojë e majta në zgjedhje. Këtë përgjigje, më shumë se zoti Rama, e ka dhënë LSI me dy vendimet e fundit, Presidentin dhe ndryshimet në qeveri. Ajo që i takon PS-së është të shikojë majtas dhe djathtas se kush është opozitar në Shqipëri. Titullin opozitar në Shqipëri nuk ta jep PS me mënyrën se si ta ofron bashkëpunimin. Sot ka parti të reja në skenën politike, një mënyrë dhe mikroklime në atë që quhet jeta e rëndësishme e opozitës, dhe mendoj se gjithë perceptimin opozitar në një ditë në kutinë e votimit…
Zoti Rama thotë se nëse LSI ikën nga qeveria, PS do bashkëpunojë me të. Ju jeni dakord me këtë deklaratë?
Mendoj se përgjigjen e ka dhënë zoti Meta.
Zoti Rama duket plotësisht i bindur nga veprimet e tij, se fitorja e plotë dhe pa ekuivokë në 2013-n vjen vetëm nga bashkimi me LSI-në. Ndërkohë po shtohen zërat nga PD-ja se në vitin 2013, PD më mirë të futet në zgjedhje pa LSI-në. Shikoni inkoherencë apo gabim taktik të PS-së dhe kryetarit të saj në këtë pikë?
Jo. Më tepër është një… nuk kemi deklamacione të kësaj natyre, zëra të brendshëm që s’mund t’i pohojmë. Mendoj që në këtë moment, jemi në fazën e gjysmëfinales, që secila skuadër bëhet gati kush do jetë në opozitë dhe kush në maxhorancë. Dhe të mos harrojmë një gjë: nuk është komoditet për PS-në të hyjë me LSI në zgjedhje. E kam fjalën që nëse do kishim në krah LSI, do të investonim në këtë koalicion 8 vjetët e opozicionit, sepse do humbte vija ndarëse me atë që ka ndodhur në pushtetin e PD-së, si ndryshim me atë që mendon opozita. Unë mendoj, ne do të investonim goxha nga vetja në një koalicion me LSI, që do na vinte në pozitë aspak komode. Por, përgjigjja…nuk mund të ngrihet pikëpyetja….jo me Gjirin e Lalëzit, por me një proces që Rama mori përsipër gjithë rrufetë në shoqërinë shqiptare, harroi…. dhe në fund fare mendoj që LSI e dha përgjigjen.
Megjithatë, kur mendon se zgjedhjet janë shumë afër, zoti Majko, duket se këto pakënaqësi brenda PS-së e koalicionit opozitar në spektrin e gjerë të opinionit që shikon apati dhe anemi në reagimin e opozitës, fakti se parti të tjera do kenë impakt me të madh, shtrojmë pyetjen: A jeni ju gati për fitoren në 2013-n?
Edhe sikur t’ju thosha që ne jemi gati për fitoren, kjo s’do të thotë ndonjë gjë të madhe. Sepse kjo s’është histori gatishmërie por më e gjerë, dhe ajo që unë e përsëris si frikën time, nuk ka të bëjë me zgjedhjet që vijnë, me faktin që a është gati PS-ja. Ajo që ndiej unë si problem është një tentativë në vazhdim e një lloj flame konfromizmi, heqja e vijës ndarëse mes atij që do ndryshimin dhe atij që është ulja e kokës, duke thënë kjo është, politikanët këtë punë kanë. Ky është një biznes i ulët i një grupi njerëzisht që nuk ndahen në të majtë e të djathtë, nuk ndahen në njerëz që ofrojnë shpresë dhe njerëz që kanë humbur çdo gjë përveç kolltukëve dhe kjo flamë është sfida e vërtetë më shumë se gatishmëria e PS. Prandaj s’ju thashë në një mënyrë për të thënë diçka interesante, ne na duhen të gjithë, edhe Skënder Gjinushi me atë konstantën e vet historike, që është një koordinatë e pandryshueshme e së majtës. Na duhet edhe Paskal Milo që ta thotë në publik edhe atë që nuk duhet të ta thotë. Na duhet edhe Dulja, por ne nuk mund ta kalojmë finishin e të bërit opozitë po nuk kthyem sytë nga AK dhe nga FRD, partia e Oketës. Partia e Oketës ka një rol shumë ekskluziv që nuk ka të bëjë, do më falë Bamiri, me rolin e tij personal, por ka të bëjë me dhënien e garancive të një të majte në pushtet nesër që nuk është geunine për disa shtresa si ish-të përndjekurit apo pronarët dhe partia e Bamir Topit mund të ketë një rol ekskluziv. Bamiri nuk mund të jetë një kartë legaliteti për një shtëpi të paligjshme, që ne si të majtë duam të ndërtojmë në një ambient të djathtë. Por, kësaj shtrese i nevojiten garanci, sepse në thelb qeverisja është kontratë e madhe shoqërore, është shpresë.
Ju po thoni se nëse nuk bashkoheni me AK, me FRD dhe gjithë fraksionet e tjera opozitare, ju nuk e kaloni finishin e opozitës?
Unë mendoj se opozita do ketë një problem shumë të madh, duke hyrë në zgjedhje e duke konkurruar me veten. Sepse, siç e kuptoj unë, pavarësisht nga dallimet e ndryshme, qoftë nga programet dhe përfaqësimit të shtresave, qoftë kërkesat për më shumë indentit si AK. Të gjithë në bashkon një mision, ne duam të ndryshojë kjo status quo. Është bërë një shtet partiak, monopartiak. Në fund fare, pas zgjedhjes së ish-ministrit të Brendshëm mendoj se Berisha nuk tregoi profesionalizmin e vet. Tregoi se Berisha përsëriti një gjë që kishte ndodhur shumë kohë më parë kur ishte President. Gjërat kanë ndërruar vetëm 200 metra, ajo që deri dje ndodhte te godina e Presidentit, sot ndodh te godina e Kryeministrit.
A është 2013-ta basti i fundit i Edi Ramës?
Ju flisni sikur 2013-ta do jetë një histori ku dështimi i opozitës është dështimi i Edi Ramës. Mendoj se është shumë më e gjerë se diskutimi i fatit të Ramës, dhe do ishte shumë sempliste që gjithë këtë histori ta lidhnim me faktin se ai do të hynte apo jo si Kryeministër një ditë pas zgjedhjeve të 2013-s. Mendoj se edhe ai vetë e di që qenia e tij Kryeministër është vetëm, vetëm, vetëm një detaj.
Këtu bashkoheni me atë që thotë Blushi, që ka thënë se PS-në e dëmton obsesioni për të bërë Ramën Kryeministër….
Thashë që është vetëm një detaj. Në të gjithë kemi një kapak që në një mënyrë apo në një tjetër po i bën, edhe PD. Sot PD, pas 20 vitesh, ka ardhur në cilësi dhe kualitete në përfaqësimin qeveritar në atë që PP ju deshën 30 vjet që erdhi te niveli si Lenka Cuko, apo ku di unë. Dhe kjo do të thotë se po mbyllet një cikël që nuk ofron shpresë, ofron premtime, sistem blerjeje, dobësish në funksion dhënie-marrjesh, por shpresë jo.

SOKOL BALLA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu