Mali Athos dhe shqiptarët

0
1308

Kronikat e kohës nuk e thonë se kush ua solli lajmin se pikërisht ata do të pikturonin në Malin e Shenjtë. Por edhe po të dihet, nuk është se ka ndonjë rëndësi. Ai që e solli u tha thjesht se nga Mitropolia i kishin thënë t ua dorëzonte në dorë kumtin e mirë dhe të gatiteshin sa më parë. Insistimi i Konstandinit dhe i Athanasit nuk mori asnjë përgjigje. Zografët, siç do të njihen gjithnjë e më shumë në historinë ikonografike të shekullit të XVIII, panë njëri-tjetrin në sy. Ia kishin dalë mbanë. Njësoj si pak syresh nga Epiri dhe nga Maqedonia Perëndimore dhe ca më pak shqiptarë, kolegë të tyre. Në fakt, kumti i Malit të Shenjtë, kishte kohë, që ishte bashkë me mitin dhe me kanonet e tij tek piktorët shqiptarë. E kishin sjellë të gjallë vizitorët e paktë atje, priftërinjtë, murgjit dhe akoma më pak specialistët e ikonave bizantine.

Në ditët e sotme
Bizanti, që dha shpirt më 1453, jeton si i gjallë në Republikën e Malit të Shenjtë, ashtu siç duket dhe sot e kësaj dite. Në kalendarin e tyre Julian fiksohet çdo gjë, ndërsa murgjit e pakët të 20 manastireve as nuk e njohin njëri-tjetrin. Për femrat duhet të harrosh praninë, ngaqë as edhe kafsha e gjinisë së saj, nuk lejohet të kalojë sinoret e “republikës”. Më kot u bë për këtë qëllim raporti i një deputeteje evropiane, i cili daton prej 2003-shit, për barazinë e gjinive, në këtë zonë. Ai nuk është votuar, siç mund të merret me mend, nga vetë deputetët grekë. Larg tyre, e vetmja gjë që e lidh Athosin me bashkëkohësinë është elektriciteti që punon me gjeneratorët që ka çdo manastir dhe prania në listën e vyer të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, vlerësuar për koleksionin e artit orthodhoks, për ikonat, afresket dhe për dorëshkrimet e vjetra dhe arkivat e çmuara.

Tek shqiptarët
Kaq i çmuar është Mali Athos, saqë është bërë edhe vend pelegrinazhi i medievalistëve të ndryshëm. Plot 50 vjet më vonë nga lajmi që u erdhi piktorëve korçarë, ndërsa ishte duke këqyrur në Malin Athos, medievalisti rus V. Grigoroviç do të gjente evidencat e para të emrit të Gjon Kastriotit, por edhe dokumentet që lidhen me Skënderbeun në oborrin e sulltanit. Dy akte në serbishten bizantine bënin fjalë për marrëdhëniet e të atit të Skënderbeut me Malin e Shenjtë. Akti i parë bën fjalë për një akt-dhurimi (akt-legjitim) i lëshuar nga Gjon Kastrioti në emrin e tij dhe të katër djemve të vet, në favor të manastirit të Hilandarit. “Akti u shkrua në vitin 6934”, që me kalendarin tonë përkthehet në periudhën prej 1 shtatorit 1425 deri më 31 gusht 1426. Gjoni do të shkruajë: “unë mëkatari dhe i pamerituari… Gjon Kastrioti me djemtë e mi Stanishin dhe Reposhin dhe Kostandinin dhe Gjergjin… dhe pasi u këshillova me djemtë e mi i dhuruam manastirit të shenjtë sipas fuqisë sonë… fshatin Radostushë me kishën e Shën Marisë së Papërlyer që është në atë fshat Radostushë, si dhe fshatin Trebisht…”. Më tej, në akt, Gjon Kastrioti zotohet të heqë dorë nga të drejtat që gëzonin deri atëherë mbi këto dy fshatra, duke ia deleguar të drejtat manastirit të Hilandarit. Akti i dytë është një akt shitjeje, ku igumeni i manastirit, jeromonaku Athanas, në emrin e këshillit të murgjve të Hilandarit, i shet Gjon Kastriotit dhe tre djemve të tij pirgun e Shën Gjergjit së bashku me disa prona të kësaj kulle. “Gjon Kastrioti… shfaqi dëshirën të blejë pirgun e Shën Gjergjit për vete dhe për djemtë e tij, zotin Reposh dhe zotin Kostandin, dhe zotin Gjergj, së bashku me vreshtat, ullinjtë dhe të gjitha ato që i përkasin pirgut dhe me katër adelfate që ti zotërojnë zoti Gjon, zoti Reposh, zoti Kostandin, zoti Gjergj. Në rast se ndonjëri prej tyre largohet ti merret adelfati prej manastirit. Dhe kur të largohen (nga kjo botë) të katër personat e sipërshënuar, pirgu do ti kthehet përsëri manastirit dhe në librin e të vdekurve emri i tyre të përkujtohet derisa të ekzistojë Hilandari. Për të gjitha këto (Gjoni së bashku me tre djemtë e vet) i dhurojnë manastirit 60 florinj”1. Në të njëjtat dokumente do flitet sesi vëllai i Skënderbeut, Reposhi, djali i dytë i Gjon Kastriotit, vdiq si murg më 25 korrik 1431. “Sa për Reposhin, djalin e madh, Barleti na thotë se ishte ba mungar [murg], por përpara edhe ky qe me të tre vllazent i dhanë peng n’Adriene; e se aty, u martue me një zojë turkinë e pat me të një djalë, Hamza Kastriotin. Gjon Muzaka përkundra nuk e zën Reposhin të dhanun peng Sulltanit. Për të thotë se kishte qenë djalë shumë i përshpirtshëm e ishte ba mungar në manastirin e malit Sinai, ku kishte pasë jetue e dekë: Repossio predetto Ju uomo de santa vita e se n’ando at monte Sinai e se fe frate e li morese. (16). Kjo asertë e Gjon Muzakës dhe e disa shkrimtarve tjerë, se Reposhi nuk qe dhanë peng para se t’u bajte mungar, historikisht asht krejt e gabueme, tuj qenë se biografët e Skënderbeut, Hamza Kastriotin e diftojnë për djalë të Reposhit të lemë n’Adriene2. Në epigrafin e varrit, Reposhi mban titullin e lartë fisnik dukë”. Gjon Kastrioti në kohën më të mirë të pushteti të tij i shtrin zotërimet deri në Fushë Dardani dhe më tej. Këto janë vende të njohura për plumb, argjend dhe hekur dhe kjo ka bërë që Gjon Kastrioti të ketë mes të tjerave edhe lidhje me Malin e Shenjtë. Por në evidencat e Hilandarit, autoria sllave Zorica Dokoviq, do shkojë dhe më tej3. Në regjistrat e manastireve veç Hilandarit, pikërisht në Iviron, Lavra, Kseropotam, Esfigmën, Zograf, Ksenofon, ajo, do të gjejë emra të banorëve arvanitas, të ardhur në vend shumë kohë para periudhës së Skënderbeut. Bëhet fjalë për regjistra ku regjistroheshin vetëm fshatarët në varësi të manastireve (parikët) dhe lidhen me shekullin e XIV duke përbërë një dëshmi nga treva edhe më të largëta, nga Maqedonia Lindore, më saktë Kalkidhiqia Perëndimore (në jug të Selanikut) që i takojnë gjysmës së parë të shekullit XIV dhe që, siç vëren Prof. Aleksandër Meksi, flasin për një diasporë të vjetër drejt asimilimit, në zona pak të njohura në këtë aspekt nga studiuesit shqiptarë.
Por, nga ana tjetër, në Malin e Shenjtë përgatiten priftërinjtë që vijnë në Ballkan. Ata mundohen të ruajnë ekuilibrin e brishtë të kohës, që do të thotë të mos e prishin me Portën e Madhe, por edhe ta kenë grigjën shqiptare të orientuar përgjithnjë kundër Kishës së Perëndimit. Priftërinjtë, para se të vinin në Shqipëri, përgatiteshin mirë në Malin e Shenjtë Athos4. Larg patetizmave të historianëve tanë, duhet pohuar se shqiptarët janë besimtarë të mëdhenj dhe kronikat do ta lidhin devocionin e shumë murgjëve me origjinë shqiptare me të shkuarit në Malin Athos. Një rast i tillë është në shekullin e XIV, kur murgu Nifon nga Lukova, i cili mbyllet në një manastir në Malin Athos, u shqua aq shumë për përshpirtshmërinë e tij, saqë u kanonizua dhe u shpall shenjt nga Kisha Orthodhokse Bizantine. Por në manastiret e Athosit apo të Thesalisë ka edhe shumë murgj të tjerë shqiptarë. Për të mos thënë deri në klasën e bujarëve vendas. Reposhi, vëllai i Skëndërbeut, varroset në të ashtuquajturin Pirgu Shqiptar pranë Hilandarit dhe ka në epitaf përcaktimin si Duka i Ilirisë.
Më vonë vijojnë periudha të zbrazëta për shkak të mungesës së studimeve, por prania e personazheve arbërore do të vijojë deri në mesin e shekullit të shkuar. Në kohët e sotme, At Foto Cici, përmend një ngjarje që lidhet me hierarkun e lartë, Pandeleimon Kotokos, që nga Mali Athos, merr pjesë në një problem të Kishës Autoqefale Shqiptare në mesin e shekullit të shkuar, ku përmendet edhe Imzot Noli.

Piktorët
… E shkuara e kish bërë atelienë e piktorëve korçarë të ishte e njohur dhe vendasit mburreshin me ta. Vëllezërit Zografë, Konstandini dhe Athansi, kishin arritur jo vetëm të punonin përmes kanoneve më të avancuara të kohës, por të kapnin në parametra të larta shqetësimet artistike dhe ideologjike të Perandorisë Osmane të kohës. Dhe të merrje atë porosi, në atë kohë, do të thoshte se nami i tyre i kishte kaluar trevat ku jetonin shqiptarët e Perandorisë. Tematika e ikonografisë së tyre mbështetej në skemën që kishin vendosur piktorët kretezë në kishat e tipit të atonit në shekullin e XVI. Tiparet kryesore të afreskeve, që do zhvillohen prej tyre janë konservatorizmi, elementet e artit popullor, një dobësi në vizatim dhe njëfare ngurtësie në figurat. Studiuesi grek, Georgios Tsigaras, që i studion në kohën tonë, do të shkruajë se në vitin 1757, vëllezërit punuan “në kishën e Skitit të Shën Anës, në një kohë kur debatet për memorialet sapo kishin filluar. Në këto piktura murale, ata padyshim tregojnë se janë të pjekur artistikisht dhe sjellin të dhëna për një ripërtëritje të tyre, duke përdorur ngjyra të çelura dhe elemente të traditës popullore. Figurat janë të vizatuara mirë, me dritë dhe efekti i tyre i përgjithshëm është i këndshëm. Më 1765, ata punuan në litin (narteksin) e kishës së manastirit të Filoteut. Ende konservative, vepra e tyre gjithsesi shquhet nga figurat e vizatuara saktësisht me proporcione të drejta dhe nga një përpjekje e dukshme për të dhënë botën e tyre të brendshme…”. Sipas këtij autori,5 Konstandini dhe Athanasi u ndikuan edhe nga veprat e shkollës së shekullit të XVI në Greqinë Veriperëndimore, por vetëm në detaje të veçanta të kompozimeve. Kjo përvojë përvijohet edhe mes vetë shqiptarëve. Në lidhjen e Malit Athos me ikonografinë shqiptare, do të mësojmë se piktorë të shquar shqiptarë të afreskeve kanë punuar në manastiret e këtij vendi. Para Zografëve punoi i madhi David Selenica (1715), afresket e të cilit janë në manastirin e Laurës së Madhe, në Malin Athos. Tradita përvijohet edhe me emra të tjerë që vijnë deri në shekullin e shkuar. Njëri prej tyre, Grigor Zdruli (vdiq në 1906), prift, e mori profesionin e zografit në Malin e Shenjtë. Ai arrin jo vetëm që të formojë atelienë e tij, por edhe tua mësojë zanatin të rinjve shqiptare. Grigor Zdruli (i riu), Spiridhon Dunka, Dhimitër Papaveshi e të tjerë janë ndër nxënësit e tij. Ndër ta, Grigori (i Riu), që mban emrin e gjyshit të tij (emri i vërtetë i të cilit është Kristo Andon Zdruli), përveç punës në Athos punon dhe angazhohet edhe me veprimtari politike, për të cilën do të bënte plot 3 muaj burg. Më pas e përzënë nga Greqia dhe shërben në manastirin e Shën Gjon Vladimirit. Vdekja i vjen në vitin 1958 kur ishte në Kuçovë. Në Muzeun e Korçës ndodhen disa ikona të tij të vitit 1903. Një piktor që është pak para tij, Anton Zengo, prift, e ushtroi po ashtu krijimtarinë e tij në gjysmën e parë të shekullit te XIX-të e deri në fund të atij shekulli në Athos. Një tjetër, që njihet thjesht me emrin Leonodha, punoi si piktor në Malin e Shenjtë dhe në Korçë. Dhe, historia vazhdon, pasi shqiptarët përcjellin jo vetëm një shkollë të mirë, por edhe janë shumë të zotë në veçantitë e tyre në artin ikonografik.

Në veçantitë e tyre, veprën e fundit në kishën e manastirit të Kseropotamit, e cila ishte rindërtuar me ndihmën financiare të Kaisarios Dapontes, vëllezërit Zografi e kryen duke patën si ndihmës djalin e Athanasit, Naumin. Kjo tregonte se tradita do të vazhdonte. Gjerësia e madhe e mureve ofronte një sipërfaqe ideale për një numër ciklesh ikonografike, mirëpo afresket janë vizatuar dobët, thotë studiuesi grek Tsigaras. “Dobësia e tyre zbutet nga detaji ikonografik që i pasuron kompozimet nga ngjyrat e gjalla dhe nga dekoracioni i pasur. Trajtimi i fytyrave është stilistikisht interesant, por koloriti është tërësisht i mbuluar me të gjelbër, çka do të thotë se ata ndihen deri-diku të pasigurt; figurat kryesore nuk janë të ndriçuara”. Megjithatë efekti përfundimtar është pozitiv dhe plotësisht në përputhje me dëshirat e manastirit, të cilat parashtroheshin në marrëveshjen e bërë përpara se të kryhej puna. E tillë, në përgjithësi, mbetet në Athos përshtypja për shqiptarët: plot nderim për devocionin e tyre. Dhe, është e vërtetë. Devocioni i tyre është i njëmendët.

Shkrimi u mbështet në referencat e marra nga:
1- “Skënderbeu, jeta dhe vepra” i Prof Kristo Frashërit
2-”Në Shka Fajiset Skanderbegu?” e Marin Sirdanit
3-”Shqiptarët në Selanikun e Mesjetës” nga Aleksandër Meksi
4-”Antishqiptarizmi tradicional i Patrikanës së Stambollit” e Sherif Delvinës
5-” Piktorët Konstantin dhe Athanas nga Korça dhe veprat e tyre në Malin Athos” e studiuesit Georgios Tsigaras

Legjenda e Malit Athos
Sipas mitologjisë, emri Athos i takon një Titani të Trakës. Gjatë konfliktit të Zotave dhe Titanëve, Athosi hodhi një shkëmb të madh kundër Poseidonit (Zotës), por guri i rrëshqiti nga gishtërinjtë dhe ra në det duke krijuar një bllok të stërmadh, që njihet tani si Mali Athos. Në një version tjetër të mitit ishte Poseidoni ai, i cili hodhi një gur kundër Athosit. Guri e dërrmoi Athosin dhe ai u varros nën të. Që atëherë, ky shkëmb u quajt Mali Athos. Deri në shekullin e III para Krishtit, në gadishull ekzistonin vetëm pak qytetthe të vogla greke. Më vonë, për arsye të panjohura, këto qytete iu nënshtruan shkatërrimit të kohës apo u rrënuan, duke rezultuar një hapësirë e tërë shkretëtire për shumë shekuj me radhë.
Sipas një tradite fetare, historia e vendit ka lidhje me të afërmit e Krishtit. Virgjëresha Mari me Gjonin, në udhën e tyre për të vizituar Lazarin në Qipro, u kapën nga një stuhi e egër në det që i detyroi ata, përkohësisht, të kërkonin strehim në bregun e një limani, i cili tani njihet si Manastiri i Shenjtë i Ivirës. Virgjëresha Mari duke admiruar bukurinë e egër të vendit, i kërkoi Zotit t ia dhuronte asaj këtë mal. Tradita rrëfen se vetë Zoti ia blatoi me fjalët:”Le të jetë ky vend fati yt, kopshti yt dhe parajsa jote, po aq sa edhe u bëftë shpëtim dhe liman për ata që kërkojnë ndihmë”. Që nga ajo kohë, Mali Athos është konsideruar si “Kopshti i Mari Virgjëreshës”. Do të ishte shekulli i V pas Krishtit, koha kur erdhën në këtë vend murgjit e parë, të cilët, të zhgënjyer nga mërzia e jetës së përditshme shoqërore, e panë këtë vend të mrekullueshëm dhe të pabanuar, si ideal për lutjet e tyre. Sot, Mali i Shenjtë, me 400 km2 e tij është një pjesë e vetëqeverisur brenda shtetit grek, subjekt i Ministrisë së Jashtme në aspektin e saj politik dhe i Patriarkanës Ekumenike të Kostadinopojës, kuptohet duke vlerësuar aspektin e religjionit. Kjo zonë është e ndarë në plot njëzetë e gjashtë territore të vetëqeverisura. Çdo territor konsiston në një manastir kryesor dhe në disa manastirthe, institucione që i rrethojnë ato (manastirëza, qela, shtëpiza, konaqe, streha oshënarësh).
Të gjitha manastiret janë bashkësi (të natyrës së manastirit) që do të thotë se kanë një liturgji të vetme, një predikim të vetëm, një strehim, dhe një ushqim dhe puna bëhet nga vetë murgjit. Primati i një manastiri, zgjidhet nga murgjit për të gjithë jetën dhe është përgjegjës për punët e manastirit. Primatët e manastireve janë anëtarë të Asamblesë së Shenjtë dhe ushtrojnë autoritetin legjislativ.

 

 

Nga, Ben Andoni

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu