Mali i Zi, procedohet shqiptari që këndoi “Xhamadani vija-vija”, në mbrojtje vetëm një parti

0
657

SHKODËR – Ka kënduar bashkë me shokët këngën “Xhamadani vija-vija”, duke dashur të festojë 100-Vjetorin e Pavarësisë, por ndaj tij policia malazeze ka filluar procedim penal. Kjo i ka ndodhur një 18-vjeçari, nxënës në vitin e katërt të shkollës së mesme të Ulqinit. Fatlum Çapriqi, 18 vjeç, nga Krytha, në natën e 28 Nëntorit së bashku me disa shokë të tij në oborrin e shkollës së mesme të Ulqinit ka kënduar këngën “Xhamadani vija-vija” dhe ka pasur flamurin kombëtar me vehte. Për këtë, ai është shoqëruar në polici dhe është marrë në pyetje.

Ndonëse i riu shqiptar me nënshtetësi malazeze, i cili vjen nga një familje shqiptare në Mal të Zi, ka rrëfyer në polici të vërtetën e këngës dhe faktin që kanë dashur të festojnë 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ashtu siç festojnë atë të Malit të Zi, në proces- verbalin e formuluar  nga personi i autorizuar në policinë malazeze përkthehet gabimisht vargu, duke u deformuar. Në  proces verbal thuhet: “Me datë 28.11.2012 rreth orës 14:00 deri në orën 19:00 kam qenë në orarin e pasdrekës në shkollë në të cilën jam edhe nxënës në vitin e katër të Qendrës Shkollore Vllazërim- Bashkimi. Aty rreth orës 19:00 me kanë thirrur shokët e mi të klasës.

Me këtë rast kemi festuar Ditën e Flamurt Shqiptar. Kemi kënduar të gjithë së bashku këngën “Xhamadani vija-vija, o është Kosova është Shqipëria, rreh si zemër çiftelia, sa e madhe është Shqipëria”, që në përkthim do thotë: “Zemra më rreh si çiftelia, kur shoh Shqipërinë e madhe dhe Shqipërinë etnike”. Fatlumi tregon se ka pasur me vete Flamurin e Shqipërisë. “Flamurin ma ka dhënë dikush nga këta shokët, por nuk më kujtohet saktësisht se cili. Shokët e mi të lartpërmendur nuk kanë pasur Flamurin e Shqipërisë, por kanë pasur bluza me shqiponjë në të. Pas disa çastesh, duke kënduar jashtë ka dalë zv/drejtoresha e shkollës, Melinda Duraku dhe na ka thënë të ndërpresim këngën dhe këtë e kemi bërë.

Kemi vazhduar të qëndrojmë për disa kohë në oborr të shkollës, por më nuk kemi kënduar asgjë. Gjithashtu, na ka paralajmëuar edhe polici, Aleksandar Zhivkoviç të mos këndojmë këto këngë dhe ne e kemi dëgjuar. Unë gjithashtu festoj edhe Pavarësinë e Malit të Zi dhe jam qytetar i rregullt i këtij shteti. Kjo ndodh ndërsa forcat politike shqiptare në Mal të Zi bëjnë koalicion me pushtetin me votat e shqiptarëve. Në lidhje me këtë incident, kur një adoleshent maturant pse këndon shqip shoqërohet në polici ka reaguar vetëm Lidhja Demokratike në Mal të Zi e Mehmet Bardhit dhe asnjë forcë tjetër politike apo subjekt tjetër.

/Shekulli Online/Anila Dushi/M.A./

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu