Maman Saliu, Labi i madh Patriot

0
1573

Post-Mortum

Labëria vazhdimisht në rrjedhat e kohërave ka nxjerrë burra, që me bëmat e tyre kanë mbetur përjetësisht në memorien e historisë të kësaj treve dhe asaj kombëtare. Edhe pse në kohë të ndryshme, ata përbëjnë zinxhirin e madh të linjës atdhetare. Në vargun e këtij gjerdani trimëror renditet edhe  labi i madh, biri i Vranishtit kreshnik, Maman Saliu, burri  i mençur dhe i sakrificave të mëdha për mbrojtjen e aspiratave të lirisë dhe flamurit kombëtar. Maman Saliu, i cili u nda nga jeta para disa ditësh, ishte pjesë e traditës patriotike të kësaj familjeje, pasardhës i denjë i Heroit të Popullit Sali Muratit, përjetësuar me vargjet lapidare: ”Kapedan Sali Vranishti,/ Sa rrojti, i punoi gishti”.

Maman Saliu u edukua e u frymëzua qysh fëmijë me patosin e madh të këngëve patriotike të Vranishtit e Labërisë. Mjerimi, skamja, padituria, që kishin pllakosur vendin, si dhe okupimi fashist, ngjizën dëshirën e zjarrtë të këtij biri vranishtiot për t’iu bashkuar ortekut  antifashist për një botë të re, Shqipëri të lirë e të pavarur. Te figura e tij janë mishëruar cilësitë dhe virtytet më të mira të plejadës  të këtij brezi të lavdishëm të Labërisë, që skaliti emra të tillë, si  Memo Meto, Mumin Selami, Hysen Çino, Zaho Koka,  Hajredin Bylyshi, Fejzi Micoli, Laze Nuro etj, të cilët u martirizuan në themelet e lirisë për të mos vdekur kurrë.

Shokët e tij bashkëluftëtarë, kuadro e njerëz të thjeshtë, flasin plot dashuri e respekt për këtë komandant trim partizan, ushtarak të zotin e intelektual me vlera të spikatura, që diti të drejtojë me mençuri, guxim, shembull personal e përkushtim cep më cep të Shqipërisë.

Doli nga lufta me shumë plagë në trup, por ato e bënë më të fortë, e kalitën si çeliku.

Edhe plagët e shpirtit, që  ju shkaktuan nga humbja e shumë shokëve të llogoreve partizane, s’ishin  të pakta. Por as këto plagë nuk e zbehën  stoicizmin e tij.

Atdheu i çliruar nga bisha nazi-fashiste qe shkrumbuar nga flakët e luftës. Ai kish nevojë të rindërtohej e ndërtohej, por më shumë se kurrë e ndjente të domosdoshme të mos lejonte cenimin e lirisë nga ata që kërkonin me çdo kusht e mjet përmbysjen e pushtetit të popullit, themelet e të cilit ishin vaditur me gjakun e bijve të tij më të mirë.

Përballë këtij rreziku real që kërcënonte Shqipërinë e Re, Maman Saliu, krahas shokëve të tij të dalë nga zjarri i luftës, si Asim Aliko, Mehmet Jaho, Jonuz Mersini, Mevlan Dervishi, Banush Goxho, Çobo Osmëni etj, investoi gjithë aftësitë e tij morale, shpirtërore e fizike për asgjësimin e bandave diversioniste. Prej vitit 1945 deri në vitin 1957, këtë luftëtar trim të Vranishtit do ta gjeje kudo në rrethet e vendit në funksione të larta komanduese të strukturave të Sigurisë Kombëtare. Që nga Shkodra e deri në Sarandë ai gërshetoi guximin dhe trimërinë me mençurinë në drejtim.

Për t’ju bërë ballë punëve për mbrojtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit, koha kërkonte jo vetëm patriotë të vendosur, por edhe njerëz të shkolluar në nivelet më të kualifikuara. Për këtë qëllim, Maman Saliu u dërgua për studime të larta ushtarake ne Moskë. Edhe  këtu,  në katër vitet e studimit, ai la gjurmët jo vetëm të një studenti me intelekt, por edhe të një shqiptari kurajoz e besnik karshi Atdheut të vet.

Kolonel Maman Saliu vazhdoi të punojë më përkushtim si kuadër i lartë ushtarak deri në vitin 1966, kur vullnetarisht largohet familjarisht nga Tirana dhe shkon në vendlindje, jo për të rrëmbyer të mira materiale e morale, por për t’i shërbyer popullit.

Punoi disa vjet si kryetar i komitetit ekzekutiv te lokalitetit të krahinës së Mesaplikut dhe Kurveleshit të Poshtëm, ku gju më gju dialogoi me banorët e Lumit të Vlorës dhe ngriti me kurajo e besueshmëri shqetësimet e tyre në strukturat më të larta  të shtetit. Fjala e tij ish përgjithësim i vlerave të mençurisë popullore. Ajo ndikoi pozitivisht  në zhvillimin e ekonomisë, arsimit, kulturës dhe emancipimit të jetës familjare e shoqërore të gjithë krahinës. Figura atdhetare, autoriteti dhe pesha e fjalës së tij, u bë e njohur jo vetëm në Labëri, por në gjithë vendin.

Edhe pse i rënduar nga pesha e  viteve të tij, pavarësisht se banonte në Tiranë, ai mendjen e zemrën e kishte  te vendlindja e tij, te njerëzit e thjeshtë me të cilët jetoi, punoi e qau hallet e jetës për dy dekada me radhë.

Maman Saliu, me luftën e bërë, deri në thellësi të tokave jugosllave, punën e bëmat e tij, është një personalitet i shquar i krahinës së Labërisë. Të befason fakti, se edhe pse në moshë të thyer,  botoi  dy libra me titujt metaforikë: “Trokitje në kujtesë”  dhe  “Në vorbullën e jetës”. Janë kujtime për luftën,  shokët e orëve të para të rezistencës antifashiste, për trimat e pavdekshëm që flijuan jetën në moshën më të bukur, për nënat partizane dhe bujarinë shqiptare, pa lënë mënjanë as bastardët që nxori ajo kohë. Gjithashtu,  mendja dhe pena e tij fokusohet  edhe për agimin e lirisë, ballafaqimin me vështirësitë e shumta, devocionin e njerëzve për transformimin rrënjësor të Shqipërisë, besën e malësorit  si dhe guximin, vendosmërinë e intuitivitetin e gjithë atyre që ju ra barra t’i mbanin përsëri shqisat e armët ngrehur kundër bandave diversioniste etj.  Admirimi dhe respekti për heronjtë, me të cilët pati nderin t’i kishte bashkëluftëtarë të kësaj epoke, si  Bardhok Biba, Hajdar Tafa, Pal Mëlyshi etj, e nxisin veteranin Maman Saliu të mos e kursejë  zemërimin për rehabilitimin e vrasësve të tyre nga segmente të caktuara të politikës, në emër të “luftës kundër komunizmit”.

Në librat e Maman Saliut, ngjarjet e shtjelluara  karakterizohen tej e fund nga fryma e atdhedashurisë dhe dinjitetit burrëror në shërbim të kombit. Veç patriotizmit, të bie në sy stili i të shkruarit, serioziteti e vërtetësia e ngjarjeve, pa lejuar deformimin e e tyre. Kjo shpreh karakterin dhe qëndrueshmërinë e palëkundur të autorit. Edhe pse lakejtë e kohëve të sotme mohojnë luftën antifashiste çlirimtare dhe anatemojnë plejadën e këtyre burrave që u kacafytën dhëmbë për dhëmbë me pushtuesit,  u përzhitën mes flakëve të luftës dhe që e radhitën Shqipërinë në palën e fitimtarëve, emrat e tyre do të mbeten përherë të ndezur në mendjen dhe zemrën e popullit si medaljone të shndritshme të lirisë, pavarësisë e prosperitetit mbarë kombëtar.

Një medaljon i tillë është edhe burri i hekurt i Labërisë, Maman Sali Vranishti.

Ne brezi që vijmë pas tij, themi me plotë gojën: hallall i qoftë pushka, djersa, puna dhe kontributi që derdhi për Labërinë e kombin shqiptar.

 

 

Ruzhdi Bajrami

Kujtim Leskaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu