“Man Kukaleshi merrte 25 mijë lireta në muaj”

0
982

Vazhdon nga Nr. i kaluar

ETHEMI: – Nuk e di. Kjo ishte një nga pikat për të cilën duhej të raportonim.
PROKURORI: – Ju pra erdhët për të mbështetur sulmin për të cilin flet gazeta e Romës “La libertà d’Italia” me titullin: Tirana kërcënohet (Prokurori lexon tituj të tjerë të gazetave reaksionare shqiptare, që kanë të njëjtën përmbajtje).
PROKURORI: – Pasi zbritët në tokë, çfarë bëtë?
ETHEMI: – Dolëm pak të dëmtuar nga ulja në tokë, sepse nuk ishim hedhur në vendin e caktuar, por në një terren shkëmbor. Unë u plagosa në kokë dhe Kasëmi në dorë. Në vendin e uljes kemi qëndruar deri të nesërmen, domethënë deri mëngjesin e datës 9 korrik. Atëherë takuam një djalë të vogël, i biri i një çobani dhe i kërkova që të bisedoja me babain e tij, mbasi e njihja. Ai shkoi në stan dhe u kthye me babain e tij, një farë Myrto Kurra nga Progonati, me të cilin u takova. I shpjegova se ishim hedhur me parashutë nga aeroplani që kishte fluturuar natën e kaluar dhe i propozova që të na fshihte, duke i premtuar të holla. Por nuk pranoi dhe na tha që të largoheshim. Pasi kishim fshehur një pjesë të materialeve, nën drejtimin tim, duke qenë se unë isha përgjegjësi i grupit, u nisëm drejt Progonatit. Gjatë rrugës, afër mbrëmjes, papritur u gjendëm të rrethuar nga forcat që ishin në gjurmët tona dhe që, me sa shihnim, përbëheshin nga agjentë të policisë dhe populli i armatosur; atëherë u fshehëm në shkurre dhe kështu mundëm të shpëtojmë. Rreth orës një të natës, të datës 10 korrik, u afruam te një përrua pranë fshatit të Progonatit për të pirë, por edhe këtu u gjendëm të rrethuar. Pas një përpjekje të shkurtër për 15 minuta, duke përfituar nga errësira, arritëm të largoheshim. Gjatë përleshjes harxhuam rreth dy karikatorë të pushkëve automatike, me përjashtim të Llukman Lutfiut të cilit i ngeci automatiku dhe qëlloi me pistoletë. Pas përleshjes, gjatë ikjes sonë të shpejtë, Zyber Lika u shkëput nga ne dhe që atëherë nuk e kemi parë më. E njëjta gjë ndodhi dhe me Kasëm Zhupën. Ndërsa ndiqeshim pa pushim nga forcat e policisë dhe populli, mëngjesi i 10 korrikut na gjeti në hyrje të fshatit Gusmar, ku unë dhe Llukman Lutfiu qëndruam të fshehur midis murrizëve deri në mbrëmjen e 11 korrikut, duke qenë se lëvizjet tona ishin bërë të pamundura për shkak të ndjekjes që na bënin. Mbrëmjen e 11 korrikut, unë dhe Llukman Lutfiuu nisëm duke u drejtuar për në Kuç, ku mendonim të gjenim një strehë. Gjatë rrugës dhe pikërisht në vendin e quajtur Kroi i Kasnecit, pasi pimë ujë, u zbuluam nga populli i cili pa përjashtim, ishte vënë në ndjekjen tonë i armatosur me sopata, thika dhe hunj.
PROKURORI – Pas kapjes tuaj, keni komunikuar me padronët tuaj në Itali?
ETHEMI: – Kam qenë në lidhje me Ministrinë e Brendshme Italiane dhe kam pasur një shkëmbim prej 109-110 radiogramesh, por për të cilat ishte në dijeni sigurimi.
KRYETARI: – I pandehur, e pranoni proces-verbalin tuaj të përpiluar gjatë hetimeve?
ETHEMI: – Po, e pranoj.
PROKURORI: – Me çfarë merreshit gjatë pushtimit italian?
KASËMI: – Gjatë pushtimit italian bëja pjesë në milicinë fashiste.
PROKURORI: – Kur jeni futur në organizatën e Ballit?
KASËMI: – U futa në organizatën e Ballit në muajin korrik të vitit 1943.
KRYETARI: – Deri kur keni qëndruar në radhët e Ballit Kombëtar?
KASËMI: – Deri në tetor të vitit 1944. Atëherë e kuptuam se forcat e Ballit nuk mund të rezistonin më përballë presionit të forcave partizane. Duke mos e ndjerë veten të sigurt, unë, Damin Cami, Muhedin Nivica dhe Isuf Cami vendosëm të mos dorëzoheshim, por të braktisnim vendin.
PROKURORI: – Çfarë ndodhi pas riorganizimit të Ballit Kombëtar në Itali?
KASËMI: – Pas këtij riorganizimi, secilit prej nesh ju dha një skedë biografike në anglisht dhe në shqip, në të cilën duhej të shkruanim gjeneralitetet tona, duke treguar se kush ishim, çfarë aktiviteti kishim zhvilluar nga viti 1939 deri në atë moment.
PROKURORI: – Ata merrnin rrogë nga qeveria italiane?
KASËMI: – Po, merrnin rroga të larta nga qeveria italiane. Kjo qeveri, zyrtarëve që ndodheshin në radhët e Bllokut Indipendent i pagoi të gjitha pagat e prapambetura që nga vitit 1943, deri në atë moment. Për shembull, Neshat Kolonja mori 1.500.000 lireta. Kamber Proda, spiun i klasave të vjetra udhëheqëse italiane që nga vitit 1918, 2.000.000 lireta, Hysen Prishtina 1.600.000 lireta. Edhe krerët e Bllokut merrnin paga, si për shembull Kol Bib Mirakaj, që paguhej drejtpërdrejt nga Vatikani, Ernest Koliqi etj. Di edhe që Man Kokaleshi, i cili ishte miku im, kishte një pagë prej 25 mijë lireta në muaj. Shqiptarë të shumtë e merrnin këtë shumë për t’u konvertuar në katolikë.
PROKURORI: – Pse ju burgosën?
U thirra nga Xhemil Meço, i cili më propozoi të më shënonte për të shkuar në shtetet arabe. Atëherë unë i thashë se nuk do shkoja, duke i zbuluar se donin të na dërgonin atje për të luftuar dhe për të fituar të holla me gjak. Atëherë Xhemili u zemërua nga fjalët e mia dhe më tha se unë isha një komunist, duke shtuar që të reflektoja mirë për atë që kisha thënë. I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga të tjerë, si për shembull Bajram Alushi nga fshati Gorisht i Vlorës, Isuf Struga nga Struga, Hito Alushi, Muhamet Hoxha dhe Muho Xhaka nga Nivica. Të nesërmen, që të gjashtë u thirrëm në komandën e kampit ku ndodhej edhe Xhemil Meço, i cili na pyeti përse nuk donim të niseshim për në Siri. Po atë mbrëmje erdhën në kamp policë italianë që na arrestuan dhe na çuan në burgun e Ankonës. Atje qëndisën proces-verbalet kundër nesh. Unë qeshë i detyruar të deklaroja se isha komunist që nga viti 1938. Nuk doja ta firmosja proces-verbalin, por më rrahën aq shumë sa isha i detyruar ta firmosja. Pas kësaj u dërguam në burgun e Fraschettas. Aty qëndrova 11 muaj dhe saktësisht deri në muajin janar të vitit 1948. Në këtë kohë erdhën të më kërkonin Ethem Çako, De Agostini, Pietro Grilli dhe amerikani me të cilin na kishte vënë në lidhje Shazivar Aliu, në kampin e Reggio Emilias.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu