Manipulohen mësuesit – s’ka buxhet

0
737

Kreu i qeverisë, Hashim Thaçi ka një kategori të caktuar të cilën nuk heziton ta manipulojë sa herë që i duhet për vota. Edhe kësaj here gjatë fushatës ai premtoj se do të ketë rritje pagash qind për qind përgjatë katër vitesh dhe njohje të stazhit të paraluftës bashkë me kompensimin për mësimdhënësit.

Për të realizuar premtimin për kompensimin e  stazhit të paraluftës gjatë viteve 90-të  duhen edhe  100 milionë euro më shumë, ndërkohë që të dhënat nga linjat zyrtare buxhetore nxjerrin në pah mungesën e këtyre mjeteve.

Thaçi ka premtuar ngritje page për mësimdhënësit që nga viti 2014, kurse nga viti 2015 të ju dalin në konto të mësimdhënësve edhe  mjetet financiare për njohjen e stazhit.

Mirëpo me projektbuxhetin për vitin 2014 janë paraparë gjithsej 484 milionë në llogarinë e pagave (48 milionë më shumë nga viti 2013), në vitin 2015 janë planifikuar 520 milionë euro për paga (37 milionë ngritje) kurse në 2016 janë paraparë 525 milionë euro (apo vetëm pesë milionë ngritje). Këto të dhëna zyrtare tregojnë se edhe për pagat bazë pa kompensim nuk do të ketë rritje qind për qind, ndërkohë që askund nuk mund të gjendet 100 milionëshi që nevojitet për ata mësimdhënës që kanë punuar gjatë viteve 90-ta.

Më 17 tetor të këtij viti gjatë fushatës zgjedhore në Mitrovicë, kryeministri gjatë një darke me mësimdhënës dhe punëtorë të shëndetësisë ka thënë ; “Rritja do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke përfshirë të gjitha kategoritë e shoqërisë tonë, ju garantoj se gjatë mandatit të ardhshëm 4 vjeçar pagat e juaja do të rriten 100 për qind”. Ndërkaq, kryeministri në fillim të shtatorit në Gjilan u tregua më i kujdesshëm duke premtuar vetëm ngritje meritore të pagave për mësimdhënës.

Kurse, dy javë më parë, pas miratimit të buxhetit, edhe ministri i financave, Besim Beqaj, ka insistuar se do të ngritën pagat në vitin 2014 për të gjithë shërbyesit në institucionet e Kosovës, ndonëse sikurse shefi i tij nuk ka treguar se sa do të jetë kjo ngritje, por vetëm se ajo do të jetë meritore. Ministria e Arsimit, nuk ka komentuar rreth premtimeve të kryeministrit pavarësisht se barra e pagesës i takon dhe këtij dikasteri. Arbër Morina, këshilltar i ministrit të arsimit, Ramë Buja ka thënë për gazetën se  çdo vendim që vjen prej Ministrisë së Financave dhe qeverisë, kjo ministri është e gatshme ta zbatojë.

Për detaje, ai ka theksuar se do të bazohen në projektbuxhet. Eksperti i arsimit, Jonuz Salihaj ka thënë se zakonisht kryeministri i Kosovës është i njohur për premtimet e tij për shërbyes civil në kohë fushate. Por, kësaj radhe ai thekson  se rritja e pagave vetëm për fushatë, është dëshmuar nga vet kryeministri sidomos me darkat dhe drekat që ka shtruar, e që këtë herë i ka përqendruar vetëm në komunat ku qeveris PDK-ja, që sipas tij, nuk është një veprim i duhur nga një kryeministër vendi, pasi ai nuk duhet të bëjë ndasi, por të llogaris të gjithë mësimdhënësit të barabartë.

Salihaj vlerëson se obligimi i çdo qeverie është të njihet stazhi i punëtorëve të arsimit para luftës, mirëpo, premtimi i Thaçit për ta realizuar këtë, ai tha se  krahasuar me buxhetin e vendit është larg jetësimit, aq më tepër që rritja për paga është premtuar çdo vit prej 25 për qind. “Për vitin 2014 është caktuar buxheti,  nuk ka buxhet që rritja të bëhet në 2014 për paga, por në qershor priten zgjedhjet e reja dhe kështu që një “ineksion” edhe mund të vijë nga kryeministri”.

Salihaj tha se në arsim ka shumë ku investohet dhe nuk janë vetëm pagat ato që rrisin cilësinë. Ai ka thënë se nevojë urgjent është të ndërhyhet në inventarizim, laboratorë…Rritja e pagave prej 100 për qind, sipas tij është tregues i një veprimi krejtësisht elektoral. Se mësimdhënësit po joshen me paga vetëm në fushatë për nga numri i madh që mund t’i sjellë vota secilës parti, tregon edhe gjendja e administratës në nivelin universitar dhe atë parauniversitar, pagat e të cilëve puntorë nuk kanë shënuar ngritje.

Bardh Bardhi, kryetar i Sindikatës së  Universitetit dhe Shkencës të Kosovës (SUSHK) ka theksuar se administrata e universitetit është anashkaluar dy herë kur është bërë ngritja e pagave. “Kemi pasur takime dhe kemi kërkuar nga të gjitha instancat që të rriten pagat dhe për administratën e universitetit sikurse për shërbyesit e tjerë civil”. Ai shpreson se kjo do të ndodh në 2014-në me ngritjen e pagave, pasi sipas tij është duke u punuar në rregulloren për “Sistematizimin e vendeve të punës për administratën e UP-së”, e cila pritet të ndihmojë në këtë çështje. Kjo sindikatë ka paralajmëruar dhe një konferencë për media të premten lidhur  me çështjen e pagave.

 

Nga: Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu