Maqedonasit të shqetësuar “shtetësinë për çdo shqiptarë”

0
622

Ekspertët dhe diplomatët maqedonas kanë shprehur doza të shqetësimit lidhur me paralajmërimin e kryeministrit shqiptar Sali Berisha për dhënien e shtetësive për çdo shqiptarë, kudo që është. Shqetësime dhe reagimet janë shprehur sidomos për valën e mundshme të shqiptarëve nga Maqedonia për tu pajisur me pasaportën shqiptare.

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Tiranë, Risto Nikovski deklaroi se paralajërimi i Berishës për shtetësi shqiptare për çdo shqiptarë, sidomos për ata në Maqedoni është një provokim i ri.

“Kjo përputhet me retorikën e tij të deritanishme për Shqipërinë e Madhe, gjegjësisht bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet. Ky është një provokim i ri, ndaj të cilit me seriozitet duhet të reagojmë. Nuk duhet të ketë dyshime se Tirana edhe deri tani ka bërë të njejtën gjë, por fuqizimi me ligj i kësaj praktike i jep dimension të ri tërë procesit”, deklaroi për gazetën “Dnevnik” diplomati Nikovski, duke shtuar se këto qëllime nuk janë të mira.

Trajan Bendevski, eksperti për të drejtën ndërkombëtare vlerëson se nuk duhet të jetë shqetësuese ky vendim i Tiranës zyrtare, por sipas tij motivet janë të paparashikueshme. “Dhënia e shtetësive edhe për shqiptarët në Maqedoni nuk do të ndryshojë gjendjen në vend. Ata njerëz që do të kenë shtetësi të dyfishtë nuk do të kenë të drejta më të mëdha. Ato të drejta ata mund ti kenë vetëm në shtetin tjetër që i ka dhënë pasaportën. Tek ne do të vlejnë detyrimet siç i ka çdo shtetas. Nuk ka mundësi që të parandaloni një shtet tjetër ti jap pasaporta shtetasit tonë. Problemet në Maqedoni në planin ndëretnik me shqiptarët janë të natyrave dhe origjinave tjera, dhe jo për shkak të shtetësive”, ka deklaruar eksperti Bendevski.

Ai ka shtuar se duhet të bëhet dallim midis motiveve për maqedonasit që marrin shtetësi bullgare dhe për shqiptarët që do të marrin shtetësi shqiptare.

“Motivet për shtetësinë bullgare janë ekonomike, ndërsa për shtetësinë shqiptare mund të jenë edhe dëshirat për bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Por, unë mendoj se ata vështirë do të arrijnë këtë qëllim. Ne si vend duhet të bëjmë çmos për të siguruar sovranitetin tonë”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare në Maqedoni. /ina/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu