Marifetet e një Spijuni

0
1286

UDB-a

Më kujtohet mirë pranvera e bukur e vitit 1969. Nga largmajat e Sharrit  ne horizont duken sikur puthen me qiellin e hapur! Natyra kishte gjelbëruar në çdo anë. Shkupi dukej sikur buzëqeshte me ato pallate të bardha.

Njerëzit çaponin trotoareve sikur për ta pranvera kishte ardhur,bri brigjeve të Vardarit sikur të kishin çelë monopatet përtej stinës dhe jetës sëtyre.

Isha vetëm 22 vjeç dhe kisha filluar punën si operativ në Sektorin Special për Ndjekje dhe Vëzhgim të SDB-së republikane për Maqedoninë. Së bashku me dy operativë të tjerë të këtij shërbimi kishim nën vëzhgim një person, që në terminologjinë e komunikimit zyrtar të SDB-së quhej “objektiv”.

Ai ishte një atashe ushtarak i një vendi fqinj që kryente spiunazh, por kuptohet që e realizonte këtë nën “petkun” e diplomatit. Atasheu, që e njihte mirë konspiracionin, shihte vazhdimisht me kujdes majtas e djathtas teksa kontaktoi për rreth 2-3 minuta personin N.N., të cilin me pas e identifikoi plotësisht ekipi operativ i degës së 11-të. Në raportin zyrtar personi N.N., u kodua me emrin “Jabllan”,(sepse,keshtu vepronte ai Sherbim- UDBJA ).

..Pas disa ditësh në restorantin “Qendër”, përballë Urës së Gurit në Shkup, rastësisht pashë se “Jabllan”-i ishte duke pirë kafe me një person tjetër, i cili m’u duk fytyrë e parë. Bëra raportin zyrtar me të dhënat e mia operative dhe kërkova nga sektori përkatës identifikimin e personit në fjalë.

Të nesërmen, kur kërkova gjeneralitetet e tij, shefi i grupit operativ Ilija Bllazhevski më tha prerë: “Lëre personin që ke parë të bisedonte me ‘Jabllanin’.

Ai është informatori ynë, Moamer Vishko, gazetar në Radio Shkupin dhe si mjaft produktiv për SDB-në, është i regjistruar me pseodonim të veçant!,,

Pra, e dija se kush ishte Moamer Vishko. E takoja ndonjëherë kur Talat Afçen, Abdylazis Islamin etj., por, kur i pyesja për Moamerin flisnin me drojë. “Qoftë i mallkuar, është spiun dhe njeri i keq”, – tha një gazetar.

“Moamer Vishko?! Mos ia përmend emrin është i ndyre dhe i pa shpirt, spiunon edhe nënën e vet”, – vijoi Shaban Prevalla.

“E montova reportazhin tënd letrar. Më pëlqeu shumë, por kam probleme me disa operativë të UDB-së, sepse më ka spiunuar Moameri.

Më thanë se nuk duhet ta montoja atë reportazh që fliste për jetën e malësorëve mbi bjeshkët e Malit të Thatë, sepse aty gërshetohen motive migjeniane dhe të folklorit shqiptar, që iu dukeshin me nuanca të nacionalizmit romantik”, – përfundoi poeti Abdylazis Islami, njëherësh edhe redaktor i emisionit letrar në Radio Shkupi. Që nga ajo kohë problemet e tij me SDB-në mbetën të përhershme…Eshte rrefim i gjatë për fytyrën e vërtetë prej spiuni, informatori dhe katili të Moamer Vishkos, atij tradhtari të shitur e të mallkuar.

Kur punoja në Sektorin e Analizës së SDB-së për Maqedoninë, m’u dha rasti që të lexoja dosjen e atij bashkëpunëtori të UDB-së. Ishte i regjistruar që në vitet 1960-të, madje, i çregjistruar dhe përsëri i regjistruar në verë të vitit 1963, në kohën e Rankoviçit. Moameri ishte rekrutuar nga UDB-ja dhe spiunonte disa kuadro të Bashkësisë Islame në Shkup, në veçanti hulemanë Bedri Efendiun.

Fillimisht si bashkëpunëtor vullnetar e ka mbajtur në lidhje udbashi Stevo, Boshnjakovski, Dushko Cvetkovski, Ilija Bllazhevski, Ivan Ginovski, Arizan Nesterovski – Marçe, Krste Rajcevski, etj.

Vishko e ka zhvilluar veprimtarinë e tij të spiunit edhe pas Plenumit të Brioneve dhe pas rënies se Rankoviçit, duke u transferuar për interes të SDB-së në detyrë si gazetar pranë Radio Shkupit, programi në gjuhën shqipe.

Aty ai ka spiunuar një numër të madh gazetarësh të këtij institucioni (edhe në redaksinë e Televizionit dhe më gjerë). Dua të përmend vetëm disa prej tyre si p.sh: Talat Avçen, Abdylazis Islamin, Shaban Prevallën, Ekrem Sadikun, Murat Isakun, Luan Starovën, Jusuf Gërvallën, Teki Dervishin, Hysni Hoxhën, Qamil Kitën, Hazbie Lisin, Rahim Ganiun, Xhelal Lushin, Mustafa Morinën, Askajn, Xhevahir Tahirin, Vahit Eminin, Enver Muratin, Nazif Selimin, Ferid Fejzullahin, Gani Kolallin, Rufki Kikun,  Mustafa  Spahiun, Alush Kamberin, Nurije Rushitin, Lutfi Turkeshin, Osman Shalën, Rashid Poshkën   ( ky i fundit vetëm pse ishte i biri i Xhelo Poshkës, ballist nga Struga) etj.

Dhe,në verën e vitit 1981 Moamer Vishko, në vijim të veprimtarisë anti shqiptare, së bashku me Zhivko Çingon, Kole Çashilen zhduku një fond të tërë të këngëve shqipe si në Radio-televizionin shtetëror, ashtu edhe nëpër ato lokale.

Ai nuk nguroi të fuste hundët edhe në fondet e shoqërive kulturoartistike shqiptare siç ishin “Migjeni” në Strugë, “Besa” në Gostivar, “Emin Duraku” dhe “Ibe Palikuqen” në Shkup, “Xheladin Zeqiri” në Tetovë. Paralelisht me këtë aksion operativ të SDB-së, të cilin e kryente me aq përkushtim “shqiptari i ndershëm” Moamer Vishko, Radio Shkupi, sipas instruksioneve të UDB-së, nisi të transmetojë një emision, një libër-pamflet me titull “Shqipëria e Enver Hoxhës” të përgatitur dhe botuar nga Agjencia Jugosllave “Tanjug” e Beogradit, që kishte përmbajtje tërësisht antishqiptare. Moamer Vishko, i cili ishte vetëm një injorant, një gjysmanalfabet, e që gjuhen shqipe e fliste si të ishte turk, (shumë i ngjashëm me të folurit e Evzi Mehmetit).

Këtë e dinin të gjithë koleget e tij në Radio, por nga frika se ishte spiun i UDB-së i shmangeshin konfrontimit me të. Megjithatë Moameri, përsëri sipas instruksioneve operative dhe në bazë të “materialeve komprometuese”, arriti të zgjerojë rrjetin e shërbimit sekret në redaksi ku punonin një numër i konsiderueshëm gazetaresh e intelektualesh shqiptarë.

Për t’i mbajtur në vëzhgim të vazhdueshëm ata për të cilët SDB-ja kishte formuar të ashtuquajturën “lista e zezë” rreth vetes rekrutoi edhe disa gazetarë të tjerë si Lutfi Turkeshin, Shaip Mehmetin, “O-shin”, Nurije Rushitin,

Alush Kamberin, Hisen Shaqirin, etj,. Disa prej tyre i mbante në lidhje operative udbashi Bexhet Bexheti, me pseudonimin “Lepuri”.

Gjatë viteve 1977-1978 pata disa kontakte të vazhdueshme me Hysen Ramadanin, funksionar politik në Shkup. I rrëfeja gjatë për përplasjet me krerët e SDB-së, si edhe për qëndrimet antishqiptare të Moamer Vishkos dhe marrëzitë që ai bënte në Radio Shkupi, apo me gjerë si udbash i rrezikshëm për cilindo që e pengonte për diçka. Gjithashtu, e njoftova Hysenin se ky njeri i mallkuar po shkruante raporte si informator i Çedomir Najdovskit, Kiro Koshtanovit, Sllave Vasovskit, si edhe disa të tjerëve, të cilët ishin ekspozuar në sektorin operativ të SDB-së si antishqiptarë të përbetuar.

Hisen Ramadani, me të cilin kisha edhe miqësi familjare në relacionin Çegran- Pirok, ngaqë më njihte mirë, sa kohë isha në kabinetin e tij në Këshillin Ekzekutiv të Maqedonisë, më dëgjoi me vëmendje dhe kur mbarova u ngrit në këmbë dhe më tha: “Ky njeri ose ka pak mend, ose nuk është normal. Si ka mundësi të ketë një sjellje të tillë dhe të merret me punë që nuk i takojnë atij. Ky është një turp i madh dhe do ta shikoj ketë punë. Gazetari duhet të jetë gazetar e jo antishqiptar”.

Nga ajo kohë morra vesh se Hysen Ramadani kishte ndërhyrë, si njeri me autoritet e kishte biseduar problemin me Azem Zylfiqarin e Kerste Markovskin, dhe kishin dalë në konkluzionin për të informuar Stojan Dimovskin e Angel Çemerskin, Çedo Stojkovskin dhe disa funksionarë të tjerë të Republikës së Maqedonisë. Por, çdo ajo që kishin thënë ra “në vesh të shurdhët”. UDB-ja duke kuptuar se bëhej fjalë për Moamer Vishkon, kishte formuar një raport zyrtar ku e merrte në mbrojtje informatorin e saj, duke nënvizuar se “Moamer Vishko është i angazhuar për interes të shërbimit”…Që atëherë në mënyrë konspirative u vunë nën vëzhgim, përgjim, ndjekje dhe survejim, madje iu hapën dosjet me raporte e komente spiunësh edhe Hysen Ramadanit, Azem Zylfqarit, Burhan Ademit dhe disa të tjerëve me të cilët kontaktoja veçanërisht pas kthimit tim nga Amerika.

Moamer Vishko, mashë e ndryshkur dhe e gjorë, ai antishqiptar, nuk e ndali revanshin e tij për të survejuar shqiptarët për interes të serbo-çetnikëve dhe të politikës mafioze të Milosheviçit dhe të Klanit të Zemunit. Ai nisi të shkruaj edhe fejtonë mafiozë në disa revista të Beogradit, si p.sh “Osmica” e Gordana Igriçit të vitit 1988 në disa numra ku rrëfen se në ç’mënyrë i ka përndjekur dhe spiunuar kolegët e vetë gazetarë. Më tej përsëri në gazetën “Svet” boton fejtonin “Krvavim stazama albanski nacionalista” duke “zbërthyer” ngjarje kundër Sigurimit të Tiranës, ashtu siç ia servirnin punëdhënësit e tij, bylykbashat e UDB-se jugosllave…

Dosjet e shqiptarëve të plotësuara nga Moamer Vishko, sipas direktivave të UDB-së, janë një sage më vete, një dramë tmerri me fund tragjik, dosje qe ende mbahen në kasafortat e UDB-së.

P.S.

Pas disa vitesh që kur u shkrua ky tekst morra vesh për vdekjen e Moamer Vishkos. Ne varrim kishin marrë pjesë vetëm të afërmit dhe familjarët e tij dhe 5-6 të tjerë, maqedonas. “Ai ishte i mallkuari i Noes”, -do të thoshte publicisti dhe avokati i shumë vuajtur Nafiz Bezhani.

 

Shkruan: Nafi Çegrani

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu