Mark Dodani: Bandat e Mirditës urdhëruan vrasjen e Mehmet Shehut

0
949

Mark Dodani është njëri prej eksponentëve kryesorë të Sigurimit komunist, të cilit i kushtoi gjithë jetën e vet, duke u përfshirë që nga periudha e luftës partizane kur u krijua ky shërbim. Ai me veprimtaritë e tij, u bë një nga njerëzit me tepër efikasitet në radhët e këtij Sigurimi, duke vendosur kështu lidhje direkte për punën e vet me drejtuesit qendrorë të Sigurimit komunist, si Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun. Biografia e tij e punës është ndërtuar kryesisht në luftën e madhe që është bërë nga Sigurimi i Shtetit me bandat e “Komitetit të Maleve” që vepronin në zonën e veriut, të cilat luftonin në një organizim të përsosur për të rrëzuar me çdo formë, mënyrë dhe mjet sistemin komunist të drejtuar nga Enver Hoxha. Nga numrat e kaluar keni lexuar pikërisht se si hyri Mark Dodani në këtë shërbim. Vrasja e babait dhe vëllait të tij, pas një aktivizimi në Kongresin e Dytë të Rinisë Antifashiste në Tiranë. Hakmarrja që vendosi ta bënte në emër të shtetit me ndihmën e Sigurimit, duke përdorur një lojë të gjatë të miratuar që nga Tirana. Kur e dëgjoi për herë të parë emrin e Kadri Hazbiut dhe si u gjend papritur ndër emrat më të besuar të Sigurimit të Shtetit për operacionet më sekrete që ndërmerrte Ministria e Brendshme. Mënyrat e Sigurimit për të përçarë dhe eliminuar bandat e maleve dhe si bënin të mundur futjen e njerëzve të vet në radhët e tyre.
Ndërkohë, në vijim të intervistës së tij, Mark Dodani dëshmon për urdhrin e marrë për të bërë kontaktin e fundit me bandat në veri dhe thirrja që duhej t’u bënte atyre. Si e mësoi lajmin e tmerrshëm, se “Komiteti i Maleve” kishte dënuar me vdekje Mehmet Shehun. Fakti dramatik, kur kolegu i Mark Dodanit u ngatërrua nga bandat me Mehmet Shehun. Si arriti ai t’i shpëtonte plumbit që i ishte bërë gati. Gjithçka do mësohet, në intervistën e mëposhtme të vetë zotit Dodani.

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Dodani. Le të flasim hollësisht për punën tuaj në strukturat më speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të shtetit komunist, kur dihet se të arrije aty, kërkohej një besim absolut nga të gjitha strukturat e ingranazhit të sofistikuar të atij shërbimi. Në lidhje më këtë, unë do të doja të dija se kur shkuat saktësisht me emërim në atë ministri?
Nga fundi i vitit 1948, si kisha shpëtuar me ndihmën e Hysni Kapos nga vrasja që më ishte organizuar nga Koçistët, u emërova në dikasterin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mirëpo kjo nuk i pëlqeu shumë sekretarit të parë të Mirditës, Bardhok Biba. Ai donte që ne, djemtë e Mirditës, të mos largoheshim nga vendi ynë, se aty mund të ishim shumë të efektshëm, pasi njihnim mentalitetin, zakonet dhe njerëzit e zonës. Kështu që, Bardhoku shfrytëzoi një mbledhje të Komitetit Qendror dhe takoi Kadri Hazbiun. Mirëpo kërkesës së Bardhokut, Kadriu iu përgjigj menjëherë se, nuk kishte forcë në këtë emërim, pasi ishte porosia e Mehmet Shehut, prandaj ta linte këtë problem të mbyllur.
Ku synonte puna juaj në atë kohë?
Puna jonë si specialistë në dikaster u përqendrua te problemi dhe lufta e madhe që duhej të bënim ndaj bandave, të cilat po përfshinin shumë njerëz nga dita në ditë. Të shumtët arratiseshin për t’u shpëtuar konflikteve që kishin krijuar. Ky kontingjent kryesisht kërkonte ndihmën dhe mbrojtjen e Sigurimit të Shtetit. Ishte kjo situatë që doli si detyrë emergjente, që unë dhe shefi im i asaj kohe, Idriz Seiti, të shkonim në Mirditë si të ngarkuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marrë kontakt me bandat.
Çfarë do të bënit konkretisht në banda?
Nëpërmjet një amnistie të miratuar ato ditë, kishim detyrë të takonim dhe të tërhiqnim sa më shumë njerëz nga bandat, – ata që nuk kishin bërë krime, – që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Kjo ishte një punë e madhe, që do të bëhej me ndihmën e fuqishme të këshillave të fshatrave dhe të njerëzve patriotë me influencë. Detyrë tjetër, e ngarkuar direkt nga Kadri Hazbiu, ishte që të zbulonim organizimin e grupeve të bandave dhe si vepronin ato në drejtim të larjes së hesapeve me njerëzit e shumtë që kishin vënë në lista, të cilët bëheshin më pas objekt i organeve të shpagimit të këtyre bandave. Më kryesorja ishte detyra specifike e njerëzve të strehuar në banda, të cilët donin me patjetër që pushtetin ta merrnin me dhunë, ku në qendër të veprimtarisë së tyre kishin terrorin në popull.
Si e organizonin këtë terror?
Thjesht fare. Ata vrisnin njerëz të piketuar që kishin ndihmuar luftën. Vrisnin njerëz që ishin anëtarë partie, madje dhe në qoftë se ishin të thjeshtë. Por më e tmerrshmja ishte se, në shumë njerëz bënin tortura, që i kalonin logjikës njerëzore. Kështu kishin arritur të torturonin dhe të vrisnin gra e vajza përparimtare, që edhe të t’i kujtoj, s’ka nevojë, se tashmë dihen. E pra, ky ishte objekti i punës sonë: Të shuanim këtë revansh që kishte shpërthyer tek kaçakët e maleve.
Shkuat në Mirditë pas urdhrit që morët?
Po. U paraqitëm për koordinim dhe bashkëpunim, direkt e në zyrën e Bardhok Bibës. Ai sa na pa, kujtoi se mos unë isha kthyer në Mirditë sipas kërkesës që ai kishte bërë te Kadri Hazbiu. “Hë, erdhët?, – na tha. – E dija që do të vinit, se kisha folur me shokun Kadri”. “Erdhëm, – ia ktheva unë, – por këtë herë unë nuk ju kam shef juve, por Idriz Seitin. “Mirë, mirë, – tha. – E di që keni ardhur për Sigurimin, por edhe ai për partinë punon”. Unë i tregova detyrën e posaçme që më ishte ngarkuar nga Kadri Hazbiu, madje dhe me dijeni të Mehmet Shehut. Bardhoku u kënaq në mënyrë të jashtëzakonshme. Kuptova se gjithçka e kishte, që Tirana nuk e linte në harresë Mirditën, por e mbante në konsideratë të vazhdueshme. “Nga do t’ia fillosh?, – më tha”. “Nga njerëzit e mi, nga fisi im fillimisht”, – iu përgjigja. Kështu, u ndava me të, duke marrë urimet për detyrën e vështirë që do të kryenim dhe ndërkohë, duke shprehur gatishmërinë e tij në rast nevoje.
Si e filluat aktivitetin?
Para se të fillonim takimin me njerëzit e bandave, erdhi për koincidencë edhe vetë Mehmet Shehu. Siç duket, për të elektrizuar situatën në favor të shtetit, për vetë gjendjen e vështirë që ekzistonte në atë zonë. Mehmeti, sipas planit të bërë më parë bashkë me Bardhok Bibën, bëri një miting në Shpal (Mirditë). Ndërmjet të tjerash ai bëri dhe prezantimin e misionit tim, duke thënë:
“Këtu ju kam dërguar Mark Dodanin, për t’ju ndihmuar për qetësimin e situatës, për problemet dhe konfliktet që keni me bandat. Ai do të arrijë atë që i kërkohet këtu, kur të ndihmohet mirë dhe fuqishëm nga të gjithë”.
Ju, u ndodhët në miting?
Ku më tepronte koha mua në këtë mënyrë! Pastaj, me se do të shkoja aq larg dhe si do të zhvendosesha menjëherë në një zonë tjetër?! Gjithsesi, në ato momente ndodhi një peripeci e madhe, gjë që më ngeli mua mbi kurriz dhe që ma vështirësonte shumë punën.
Çfarë peripecie?
“Komiteti i Maleve” siç quhej, apo i bandave të themi për t’u kuptuar më mirë, duke parë se nga ana e shtetit po intensifikohej një punë e madhe kundër tyre, duke parë se Mehmet Shehu e elektrizoi shumë situatën në disfavor të tyre, morën vendim për ta vrarë. “Të vritet Mehmet Shehu me patjetër, kudo që të ndodhet!”, – ishte vendimi i prerë i tyre.
Po si do të mund ta zbatonin këtë urdhër, kur Mehmet Shehu kishte ikur?
Kjo është peripeci tjetër. Pikërisht këtu qëndron gjithë meseleja, se ata e dinin që ai nuk do të ikte dhe meqenëse kishte përmendur emrin tim, kujtonin se do të vazhdonte të punonte me mua, duke u ulur gju më gju me njerëzit.
Pse, njiheshe mirë ti nga bandat?
Si emër po. Ndërkohë më njihnin shumë edhe si fytyrë, pasi shumë prej tyre i kisha pasur shumë shokë që në fëmijëri, apo që në shkollën e Oroshit. Kështu u ndamë atëherë: Nga shokë të ngushtë që kishim qenë dikur, më pas e kërkonim njëri-tjetrin në vrimë të miut, apo i punonim njëqind e një rrengje për ta futur në grackë. Ç’ta zgjasim, se këto janë gjëra të njohura.
Dhe si vepruan?
Që në atë moment, kur u mor vendimi për t’u vrarë Mehmet Shehu, u caktuan njerëz që ta bënin një gjë të tillë. E veçantë dhe paksa humoristike ishte fakti se kolegu im i Sigurimit, Idriz Seiti, mendohej nga të gjithë se ishte vetë Mehmet Shehu. Kështu që filluan të më ndiqnin mua, që të gjenin Mehmet Shehun.
Pse, nuk njihej Mehmet Shehu në publik?
Njihej, por sidoqoftë, jemi në vitet e para pas çlirimit dhe mendja vizive nuk ishte e hapur masivisht. Aq më shumë që Idriz Seiti ngjet shumë me Mehmet Shehun. Po ta shikoje atë jo me shumë vëmendje, aq më tepër për njerëz që nuk kishin qenë afër tij, të ngjante me të vërtetë sikur ishte Mehmet Shehu. Më shumë për këtë gjë ndikoi dhe fakti që Mehmet Shehu kishte folur për emrin tim gjatë mitingut në Shpal dhe të gjithë mendonin, se ne ishim shokë dhe bashkëpunëtorë të përditshëm, se ai kishte ardhur si ilegal me mua. Mentalitetet e zonave të largëta janë të çuditshme.
Si vepruan?
Unë, siç të thashë më lart, kur fola për Bardhok Bibën se punën do ta nisnim nga njerëzit e fisit tim, apo si të thuash nga miqtë e trungut tonë të familjes, shkuam në fshatin Dom të Mirditës (tani është i Pukës) dhe bujtëm në shtëpinë e Llesh Dedës, që është konkretisht i fisit të Bibajve, pra i një fisi me ne. Aty fola me Lleshin për misionin tim që më ishte ngarkuar nga Tirana, pa ditur gjë se unë po kërkoja bandat për të biseduar, ndërkohë, po kërkohesha edhe prej tyre për të më vrarë “Mehmet Shehun” që kisha në krah, (Idriz Seitin). Dhe kjo nuk zgjati shumë, por përplasja e parë u bë që të nesërmen.
Si ndodhi?
Ndërsa rrinim në shtëpinë e Lleshit, aty erdhi na takoi njëri, që ishte anëtar i bandave të maleve. Quhej Zef Përpjetri. E kisha pasur shumë shok që në shkollën e Oroshit, ku kishim qenë bashkë. Ne kujtuam se erdhi për të biseduar me mua për sa i përkiste pendimit të tij, apo për ndonjë propozim a gjë tjetër. Mësuam se kishte ardhur jo në emrin e tij, por në emër të “Komitetit të Maleve” dhe kishte detyrë të veçantë për të kryer. Zefi, si u shtrua në muhabet, m’u drejtua mua disi në konspiracion: “Ne, meqë të kemi njeri të njohur të fisit, pra të kemi gjak, aq më shumë që je në shtëpinë e Llesh Dedës, duam të ta kursejmë jetën. Vendimi ynë është që të vrasim Mehmet Shehun që ti po e shoqëron, dhe mos kujto se keni mundur ta maskoni. Prandaj, që të mos të të ha në besë, po të them që të mundohesh të ndahesh nga ai. Në të kundërt, po të themi se jo vetëm ti, por edhe Lleshi, apo kushdo që ka qejf të rrijë me të, nuk do të mundë të shpëtojë dot nga vdekja”. Atëherë unë ia ktheva: “Dëgjo mirë dhe mos merr flakë si kashta. Se kush është ky, s’ka rëndësi. Por ne kemi ardhur si burrat këtu dhe jo të fshehur. Dhe ashtu siç është detyra juaj që të vrisni Mehmet Shehun, po ju tregojmë detyrën tonë, që ka të bëjë me takimin me të gjithë ju. Qëllimin e kemi për t’ju dalë borxhit, që t’ju bëjmë edhe njëherë thirrje që, kush s’ka bërë krime, të kthehet në shtëpi. Ne do t’i dalim garant për ta mbrojtur. Në të kundërt, duhet të dish një gjë, ti dhe kush të ka ngarkuar ty, që na ndan një rrugë: O t’ju vrasim, o të na vrisni!”.
Pse nuk iu treguat që shoku juaj nuk ishte Mehmet Shehu?
E para, po t’ua thoja, do të mundohesha kot, se nuk do të më besonte njeri, pasi do të mendonin se e thoja për t’i mashtruar nga frika. Ndërsa e dyta është që, le të mendonin si të donin, unë doja t’i jepja njëfarë rëndësie vetes, se shoqërohesha me njerëz të mëdhenj të qeverisë dhe se ato që iu premtoja, nuk do të viheshin në diskutim, për vetë mbështetjen që gëzoja nga shteti.
Pse nuk e arrestuat?
Ne mund ta arrestonim kur të donim, por qëllimi ishte gjetkë dhe s’ishte për të arrestuar një njeri. Në radhë të parë, donim që ai t’u çonte fjalë shokëve të bandave për sa po i tregonim, dhe e dyta ishte se, kishim qëllim që ta vinim në shërbimin tonë.
A pranoi më pas të vinte në shërbimin tuaj?
Absolutisht jo. “Çdo gjë pranoj, – tha, – vetëm që t’i shërbej Sigurimit tuaj nuk pranoj kurrë”.
Si e pati përfundimin ai?
Në burg.
Patët kërcënim tjetër?
Si s’patëm. E di ç’do të thoshte të vinte detyrë emergjente “Komiteti i Maleve” që të vritet Mehmet Shehu dh e që të kujtohet si Mehmet Shehu, ai që ti ke në krah?! Llesh Deda, i zoti i shtëpisë ku kishim bujtur, mori përsipër që të na ndihmonte në punën tonë, duke na bërë të mundur takime me pjesëtarë të ndryshëm të bandave. Kështu, më pas, ai na takoi në fshatin Kimëz me një të arratisur tjetër që quhej Pjetër Kimza, i cili më vonë përfundoi në Amerikë. Mbaj mend mirë që atë takim e kemi bërë te një mulli. Ai, sa na takoi, tha: “Unë e shikoj që ti ke ardhur me Mehmet Shehun; e di dhe urdhrin që kam marrë unë apo të gjithë ata që e takojnë apo e shikojnë, që ta vrasin në vend. Këtë besoj se e dini dhe ju. Por unë po ju them gjithashtu, se e mora vesh dhe qëllimin që kishit, kur më bëtë haber të vija te ju. Megjithatë, unë ju them se personalisht nuk do të ngre pushkë mbi ju, por edhe me ju nuk do të bëhem sa të jem gjallë”.
Po si mundët të shpëtonit nga ndonjë plumb, kur ishte dhënë një urdhër i tillë?
Po edhe mund të vriteshim dhe kjo mund të ndodhte në çdo çast. Madje unë i thoja me shaka Idrizit, – që e kujtonin të gjithë se ishte Mehmet Shehu: “Idriz, do ta hash në ndonjë çast, por është mirë që të më lësh porositë, para se të na lësh shëndenë”. Ai më kthehej po me të njëjtën shaka, që, “Po e hëngra unë, mos kujto se do të shpëtosh ti që je shoqëruesi i ‘Mehmet Shehut’”. Ne kthim mbrapa nuk dinim, sido që të komplikoheshin situatat. Sigurisht, marrja e sinjalit që ishim vënë në shënjestër për t’u ekzekutuar, na ndihmoi që të mbroheshim dhe të siguroheshim në baza të mira, duke thërritur në takime banditë të shoqëruar nga njerëz të njohur dhe duke përdorur normat morale të besës. Megjithatë, ishte një stres dhe tension i madh të punoje në ato kushte, kur në çdo moment mund të të fishkëllente plumbi, kur s’e kishe në mendje.
Rezultati i atij misioni tepër të vështirë?
Atë unë e konsideroj një aksion me rezultate të shkëlqyera. Qindra e qindra anëtarë të bandave që ishin arratisur, duke u gënjyer apo nga ndonjë frikë tjetër, u kthyen në shtëpi. Këtu sigurisht nuk është vetëm kontributi ynë, por i shumë shokëve, që i kishin ngarkuar për të njëjtin qëllim. Sidomos vlerën e veçantë në këtë mision e ka Bardhok Biba. Sigurisht, në këtë kontekst, ne kemi punën tonë modeste dhe vetëm kaq. Ndërkohë, për shumë të tjerë që nuk dorëzoheshin dhe kishin dhënë prova të padiskutueshme si kriminelë, ne shfrytëzuam konfliktet që kishin mes tyre dhe që i njihnim mirë, për të bërë të mundur acarimet e situatave dhe si përfundim të kalonin në vrasjen e njëri-tjetrit.
Ka shumë viktima të kësaj kategorie?
Plot. Thonë se në këto forma është arritur deri te vrasja e Llesh Gjon Markajt, që ishte i biri i Gjon Mark Gjonit.
Pse e jep të pasigurtë; ti, a nuk ishe në këto procese të Sigurimit?
Unë të bëj të ditur fjalën “thonë”, kur flitet për Gjon Markajn, se jo për çdo gjë kisha dijeni dhe se jo në çdo vend isha i pranishëm. Unë kisha dhe shumë shokë të tjerë, prandaj nuk i di mirë të gjitha gjërat. Për ato që isha kompetent, po të tregoj, madje me ndërgjegje shumë të qetë.

(Vijon nesër)

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu