Mark Dodani: Beqir Balluku na vuri në dispozicion Alfred Moisiun

0
969

Mund të bëjmë zoti Dodani një rezyme të shkurtër për atë çfarë dëshmuat dje në lidhje me zbulimin e grupit agjenturor të Devollit në shërbim të Asfalisë Greke dhe paskësaj të vijojmë më tej me subjektin e asaj ngjarjeje?

Sigurisht që mund të përsëris diçka sa për kujtesë. Ju tregova se ka qenë viti 1959. Në zyrën e Kadri Hazbiut vjen një informacion misterioz dhe tepër alarmant. Në zonën e Devollit kishte të dhëna se Asfalia (zbulimi i fshehtë grek) kishte organizuar një rezidenturë të sofistikuar kundër pushtetit popullor. Ky informacion u sigurua nga kundërzbulimi i rrethit të Korçës dhe iu transmetua Kadri Hazbiut nga vetë Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Korçës, Jani Naska. Në informacionin e siguruar nga kundërzbulimi i Korçës, bëhej i ditur një fakt që për ne ishte tepër i rëndësishëm. Ky ishte fakti se informacioni i siguruar kishte arritur që pak a shumë të kishte edhe të dhëna për rezidentin që ishte vetë komandanti i kufirit të zonës së Braçanit në Devoll, i quajtur Jani Zoga. Po ashtu, diheshin edhe emrat e dy prej anëtarëve të atij grupi. Këta njerëz që ishin në shërbim të kësaj organizate në dispozicionin të Asfalisë greke, paguheshin me rroga tepër të majme nga ai shërbim. Ne si grupi special i sigurimit filluam të zbatonim në kohën e duhur, planin e hartuar në moment nga Kadri Hazbiu, pasi ai kishte aftësi të jashtëzakonshme për të vlerësuar situatat dhe për të dhënë udhëzimet mbi to, me një operativitet të mahnitshëm për çdo situatë, sado e vështirë që të ishte. Ne arritëm, pas një jave pa gjumë dhe me stres të madh, të merrnim një informacion tjetër për anën financiare që kishte në dispozicion grupi. Gjithashtu saktësisht mësuam se misioni i tij ishte që të lidhej me Asfalinë për të bërë të mundur që në vendin tonë të vinin diversantë për të kryer veprimtari antishqiptare.
I arrestuat?
Absolutisht jo. Në punën tonë vlerësohen të gjithë elementët para se të bëhet veprimi i fundit. Ne, megjithëse i kishim konstatuar anëtarët e tij, vepronim me mjeshtëri, duke mbledhur fakte të tjera dhe për të zbuluar elementë të tjerë.
Thatë diçka nga numri i kaluar se njerëzit e këtij shërbimi kishin shpërblime të majme nga misioni grek për shërbimet që bënin. Do të dëshiroja për interes të lexuesit të mësoja konkretisht se sa ishte vlera që paguheshin anëtarët e grupit?
Në dispozicion të tyre, – që administroheshin nga Jani Zoga dhe Zenel Tarolli, – ishin mbi një milion lekë të asaj kohe.
Si një milion?
Ato lekë sigurisht që i kishin për momentin që hetohej ngjarja. Po t’i konvertosh me vlerat e sotme, merre me mend sa kishin. Me këto para, paguheshin anëtarët e kësaj organizate.
Si vepruat më tej?
Megjithëse arritëm të siguronim shumë të dhëna, sërish kishim enigma që na shqetësonim. Njëra prej tyre, madje do ta quaja më e veçanta dhe e rëndësishmja, ishte se si e bënin të mundur ndërlidhjen me Shërbimin Grek. Këtu ishte fjala që jo vetëm me radio-transmetuese, por në raste të tilla përdorin dhe shumë mënyra të tjera. Megjithatë fillimisht iu vumë punës për të gjetur radio-ndërlidhjen. Kishin kaluar 7-8 ditë që kur kishim shkuar nga Tirana dhe kishim nisur punën, kur filluam punën për hapin e fundit.
Përse me patjetër duhej gjetur radio-ndërlidhja, kur ju kishit grupin dhe mund ta arrestonit?
Ne, duke gjetur radio-ndërlidhjen, do të merrnim të gjitha mënyrat e komunikimit dhe pastaj arrestonim grupin një e nga një në fshehtësi të plotë dhe fillonim e vinim në shërbimin tonë. Në këtë rast zbulimi grek do të vazhdonte komunikimin dhe këta agjentë do të kthenin përgjigje në praninë tonë.
Pra do të futeshit në lojë me Asfalinë greke?
Patjetër. Ne kemi hyrë shumë herë në lojë me shërbimet e huaja, jo vetëm me grekët por dhe me shërbime të vendeve me eksperiencë në këtë drejtim. Këtë ti e di mirë, se e pranoi humbjen para shërbimit shqiptar dhe vetë Toni Bleri.
Mundët ta gjenit radio-transmetuesen?
Në fillim morëm informacionin shtesë për këtë çështje. Këtë e bëmë të mundur nëpërmjet agjentit tonë, që bënte të mundur kontakte me anëtarë të veçantë të bandës dhe kishte siguruar miqësinë e tyre. Në një farë mënyre ai quhej i pranuar në radhët e kësaj organizate. Konkretisht mësuam se radioja ishte vendosur në fshatin Braçan, dhe pikërisht ishte futur nën tokë në bahçen e një personi që ishte anëtar i grupit agjenturor në shërbimin grek. Këtu ishte një vështirësi tjetër, që të mos na kuptonim se çfarë kërkonim, pasi të thashë që në fillim se po të merrej vesh se ne kishim rënë në gjurmë të grupit, ata merrnin masa dhe neve na binte efikasiteti. Por për të gjetur radion na duhej një specialist i fushës së xhenios në ushtri, pasi të thashë që radioja ishte futur nën tokë.
E morët?
Për këtë i kërkojmë Kadri Hazbiut, – të cilin e informonim në çdo moment për sa arrinim, – që të na dërgonte një specialist xhenier që të kërkonte nën tokë me pajisjet e mina-kërkueseve. Kadri Hazbiu, me seriozitetin që merrte çdo gjë, i kërkoi urgjent ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, një nga specialistët më të mirë të fushës së xhenios që kishte ushtria shqiptare, pasi duhej për një detyrë tepër speciale në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Pas kësaj ndërhyrjeje, që të nesërmen na vjen në Korçë një oficer i xhenios që quhej Alfred Moisiu (ish-Presidenti i Republikës).
Ju, e njihnit më parë Moisiun?
Personalisht unë e njoha për herë të parë aty. Mësova që ishte i biri i Spiro Moisiut, pra i një familjeje tepër të njohur në Shqipëri. Megjithatë, që nga ai moment kur ne punuam aty, u bëmë shumë miq.
E gjetët radion pas kësaj?
Këtu është një histori më vete. Ne të gjithë shkuam në fshatin Braçan ku ishte fshehur radioja, të maskuar si fshatarë për të mos u kuptuar që ishim njerëz të Sigurimit. Shkuam në bahçen që kishim të dhënat, duke u paraqitur si punonjës bujqësie dhe kërkonim të hapnim kanal apo pus për të siguruar ujë për vaditjet në bujqësi. Për të siguruar fshehtësinë e plotë ne nuk kishim marrë asnjë punëtor operativ të zonës ku vepronim, se kuptohej që nuk ishte punonjës bujqësie por i Sigurimit. Kështu shkuam që të nesërmen në mëngjes si erdhi Alfred Moisiu dhe filluam nga puna. Ne si punëtorë i jepnim lopatës dhe kazmës që ç’të të them. Po bënim qilizmë dynjanë.
Pse, nuk ishte në gjendje aparatura xheniere për të diktuar radion që ishte fshehur nën tokë?
Ishte dhe shumë bile. Mirëpo ajo kishte aftësi që të jepte sinjal për çdo copë metali që ishte nën tokë, qoftë dhe për një gozhdë. Kështu që ne, pas çdo sinjali që jepte aparatura, detyroheshim që të bënim gropa të thella dhe kur nuk gjenim gjë, vazhdonim kërkimin diku më tej.
E kishit të përcaktuar në cilën pjesë të bahçes ishte futur radioja?
Po, por nuk po e gjenim dhe po humbisnim kohë. Në këtë punë, duke bërë gërmime me metra të tëra, na zuri pasditja. Alfred Moisiu pas kësaj pune, duke parë dhe rezultatet e deri atij momenti, konkludoi në mënyrë tepër profesionale, duke na bërë të ditur që ta ndërprisnim menjëherë punën se radio në atë vend nuk kishte.
Dhe ju e latë punën?
Patjetër. Ndihma e Moisiut ishte që, pasi u bind mirë, na dha mundësinë që të mos humbisnim më kohë, që për ne ishte shumë e çmuar në ato momente.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Në këtë situatë, na erdhi një ndihmë tjetër nga një informatori ynë. Konfirmuam se ndërlidhjen me Asfalinë greke, shefi i grupit, Jani Zoga, e mbante duke u takuar dhe fizikisht, pasi kalonte kufirin duke shfrytëzuar detyrën që kishte.

(Vijon nesër)

 

Nga Fatos Veliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu