Marrëveshja e Brukselit i ka ndihmuar Serbisë

0
873

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja 15 pikëshe për normalizimin e marrëdhënieve në mes këtyre dy vendeve, ka qenë temë e një debati të organizuar të shtunën në Ferizaj nga Lëvizja Vetëvendosje. Kreu i kësaj lëvizje, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja e arritur në mes Thaçit dhe Daçiqit, instalon asociacionin apo bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe e cila do të ketë një marrëdhënie me shtetin e Kosovës të ngjashme me marrëdhënien që ka Republika Srpska në Bosnje me shtetin e Bosnjës.

“Ne këtë rast kryeministri i Kosovës është shfaqur si një bashkëpunëtor shumë i devotshëm i Serbisë dhe i ka ndihmuar asaj në dy rrafshe kryesore. Rrafshi i parë është rehabilitimi i kriminelëve serbë të luftës që janë në majat e pushtetit në Beograd, Daçiç, Nikoliq e Vuçiç, të këtyre që për një vit nëpërmjet dialogut me Thaçin, i cili përfaqëson shoqërinë e viktimave, popullin shqiptar, u rehabilituan, u amnistuan dhe ju hapën të gjitha dyert nëpër qendrat kryesore evropiane e posaçërisht në Bruksel”, ka thënë Kurti, për të shtuar se askush para një viti nuk do të mund të imagjinonte se këta tre kriminelë kaq shumë do të ishin të pranishëm në Bruksel.

“Kjo u mundësua dhe u realizua nëpërmjet këtij dialogu. Kjo është ndihma e parë e madhe që ia ka bërë kryeministri Thaçi kriminelëve të luftës në Beograd që drejtojnë shtetin atje”, ka potencuar Kurti, duke vënë në dukje edhe rrafshin e dytë që, sipas tij, është avancimi i shtetit serbë drejtë rrugës së integrimeve evropiane. “Dialogu teknik ia solli Serbisë statusin e vendit kandidat në kohën e Tadiqit, tash dialogu politik po ja mundëson ngadalë por sigurt datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE”, ka nënvizuar Kurti.

Për më tepër, ai, para të pranishmëve, ka vënë në spikamë se strukturat serbe në veri janë nën ndikimin direkt të Beogradit dhe këtë më së miri e dëshmon fakti se menjëherë pas marrëveshjes, Kuvendi i komunave të veriut shpalli autonominë. “Ata të cilët mendojnë se strukturat ilegale armiqësore e kriminale të Serbisë nuk kanë lidhje me Daçiqin, Vuçiqin e Nikoliqin, duhet të kujtojnë ata zëra para më shumë se një dekade kur thoshin se Mlladiqi e Karaxhiqi nuk kanë lidhje me Millosheviqin”, ka theksuar Kurti.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka pohuar se Serbia do të përfiton miliona euro prej fondeve dhe programeve të BE-së për shkak se po dëshmon se marrëdhëniet me Kosovën nuk i ka të këqija, në fakt marrëdhëniet me Kosovën i ka të këqija, por marrëdhëniet me Thaçin i ka të mira, ka nënvizuar Kurti.

“Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk po ndodh, po ndodhë abnormalizimi i shtetit të Kosovës dhe normalizimi i marrëdhënieve Daçiq-Thaçi”, ka thënë Alin Kurti duke shtruar pyetjen se pse po bëhen të gjitha këto koncesione e pazare të dëmshme në kurriz të Kosovës. Këta janë njerëz të cilët janë pasuruar tepër shumë, tepër shpejtë pa djersë dhe faktorët ndërkombëtar i kanë dosjet e tyre, të cilat po i mbajnë peng këta politikan. Në tavolinë në Bruksel është dialogu, nën tavolinë dosjet e EULEX-it”, ka shtuar Kurti.

Se çka ka humbur, sipas Vetëvendosjes, shteti i Kosovës me këtë marrëveshje të pranishmit i ka informuar kryetari i Qendrës së Vetëvendosje të Ferizajt, Faton Topalli, ndërsa pjesa tjetër e debatit është zhvilluar në formë të bashkëbisedimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu