Marrëveshja është prishur, serbët ndërtojnë e shqiptarët po pengohen

0
798

shtepit e serbve

Marrëveshja gojore që ishte bërë në mes të banorëve shqiptarë dhe atyre serbë të lagjeve veriore të Mitrovicës, posaçërisht të “Kroit të Vitakut” dhe “Kodrës së Minatorëve”, për të mos ndërtuar asnjëra palë, pa u pajisur paraprakisht me leje ndërtimi, qëmoti është prishur, kanë thënë banorë shqiptarë të lagjes “Kroi i Vitakut”, përfaqësues të të cilëve kanë kërkuar ndihmën e Komunës Veriore për t’i ndërtuar shtëpitë e djegura dhe të shkatërruar në luftë, me mjetet e fondi “Ndihmo edhe ti”. Të njëjtën gjë e kanë kërkuar edhe banorët e lagjes “Kodra e Minatorëve”, ku është duke u penguar vazhdimi i ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve, të filluara me mjetet nga ky fond.

Përveç me organet komunale serbe të Komunës Veriore, banorët e kësaj lagjeje janë duke u përballur edhe me probleme të tjera, sidomos me kompanitë që janë kontraktuar për ndërtimin e shtëpive, e të cilat nuk janë duke i kryer punët.

Një prej banorëve të lagjes “Kodra e Minatorëve”, Gani Hysenaj, ka thënë se kompania që ka për obligim t’i ndërtojë 6 shtëpi të shqiptarëve në këtë lagje “Lili Group” ka refuzuar ta kryejë punën, madje siç ka thënë ai, pronari i kësaj kompanie u ka thënë se nuk do t’i kryejë fare punët.

Banorët e këtyre lagjeve, duke mos pasur mbështetje nga Komuna e veriut dhe duke mos gjetur rrugë tjetër, sërish ia kanë mësyrë kryetarit, Agim Bahtiri, nga i cili kanë kërkuar që të ndërhyjë për ta zgjidhur problemin. Përfaqësues të këtyre lagjeve thanë se serbët po vazhdojnë të ndërtojnë, ndonëse ishin marrë vesh, madje edhe me kryetarin e Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, që askush të mos ndërtojë pa u pajisur me leje ndërtimore, të cilat, sipas marrëveshjes do t’i lëshonte Zyra Administrative e Kosovës në veri. “Marrëveshja ka qenë vetëm sa për ta qetësuar situatën, pasi që edhe serbët edhe shqiptarët patën bllokuar rrugët në këto lagje. Ishim marrë vesh që edhe ne edhe serbët të pajisen me leje e pastaj të fillojë ndërtimi, por derisa për serbët nuk vlen marrëveshja dhe ata kanë vazhduar me ndërtimet, ne po pengohemi”, kanë thënë ata, shumica prej të cilëve thanë se janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, para, gjatë dhe pas lufte.

Përfaqësuesit e këtyre lagjeve, që takuan kryetarin e Mitrovicës, thanë se jetojnë në kushte shumë të vështira dhe se paguajnë qira për shtëpitë që i kanë marrë për banim në jug të Mitrovicës.

E duke folur për problemin, kryetari Agim Bahtiri, tha se të gjitha shtëpitë që kanë filluar të ndërtohen me mjetet e fondit “Ndihmo edhe ti” do të përfundojnë dhe se ai është duke bërë përpjekje të vazhdueshme që punët të përfundojnë. Madje, ai tha se ka takuar dhe ka biseduar edhe me kompanitë që kanë për obligim ndërtimin e shtëpive në lagjet “Kroi i Vitakut” dhe “Kodra e Minatorëve”, të cilët siç ka thënë ai, “janë të detyruar që t’i ndërtojnë shtëpitë atje”.

“Jam shumë i hendikepuar, pasi që tani ne nuk kemi kurrfarë kompetencash në veri, andaj edhe nuk po mund të ndërmarrë masa të tjera, përveç atyre që po flas me kompanitë e kontraktuara që të vazhdojë ndërtimin dhe punët të kryhen sa më shpejt dhe unë kurrë nuk do të ndalem, përderisa ato familje të hyjnë në shtëpitë e tyre”, siguroi i pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu