Marrëveshja Kosovë – Serbi

0
577

Marrëveshja e Parë lidhur me Parimet e Qeverisjes dhe Normalizimit të Marrëdhënieve. Marrëveshjen në tërësi mund ta lexoni në vijim:

1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Me marrëveshjen e anëtarëve të asociacionit, anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo komunë tjetër

2. Asociacioni/Bashkësia do të krijohet me statut. Shpërbërja e asociacionit mund të ndodh me vendimin e komunave anëtare/pjesëmarrëse. Garanci ligjore do të ofrohen nga ligjet në fuqi dhe ligjet kushtetues (përfshirë edhe shumicën prej 2/3)

3. Strukturat në Asociacion/Bashkësi do të themelohen në bazë të statutit ekzistues të Asociacionit të Komunave të Kosovës psh. Presidenti, zëvendës-presidenti, kuvendi, këshilli.

4. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Europiane për Vetë-qeverisjen Lokale dhe sipas ligjeve të Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë me qëllim ushtrimin e fuqive të tyre në mënyrë kolektive përmes Asociacionit/Bashkësisë. Asociacioni/Bashkësitë do të kenë një vështrim të plot të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural të rajoneve që përfaqësojnë

5. Asociacioni/Bashkësia do të ushtrojë kompetenca shtesë ashtu siç i delegohen ato nga autoritetet qendrore.

6. Asociacioni/Bashkësia do të ketë një rol përfaqësues në autoritetin qendror dhe me këtë qëllim do të ketë një ulëse në Këshillin konsultativ të komuniteteve. Në zbatimin e këtij roli parashihet një funksion monitorues.

7. Në Kosovë do të ketë vetëm një forcë policore, e cila do të quhet Policia e Kosovës. E gjithë forca policore në Kosovën veriore do të integrohet në kornizën e Policisë së Kosovës. Pagat do të merren vetëm nga Policia e Kosovës.

8. Anëtarëve të strukturave serbe të sigurisë do t’u ofrohet një vend ekuivalent në strukturat e Kosovës.

9. Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq). Komandanti i këtij rajoni do të jetë Serb Kosovar i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme nga lista që asaj do t’i ofrohet nga katër kryetarët e këtyre komunave dhe në emër të Asociacionit/Bashkësisë. Përbërja e Policisë së Kosovës në very do të reflektojë përbërjen etnike të katër komunave. ( Do të ketë edhe një tjetër Komandant Rajonal për komunat e Mitrovicës Jugore, Skenderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal dhe katër komunat veriore do të bashkëpunojnë me komandantët e tjerë rajonalë.

10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë sipas kornizës ligjore në Kosovë. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel të përbërë me shumicë gjyqtarësh serbë kosovarë, të cilët do të merren me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.

11. Një divizion i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga personeli administrative dhe gjykatësit do të ketë selinë e përhershme në Mitrovicën veriore (Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Secili panel i divizionit të sipër-përmendur do të përbëhet nga shumica gjykatës serbë të Kosovës. Gjykatësit e duhur do të caktohen varësisht nga rasti që do gjykuar.

12. Me ndihmën e OSBE-së, gjatë vitit 2013, në komunat veriore do të organizohen zgjedhjet komunale, të cilat do të mbahen në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

13. Diskutimet për Energjinë dhe Telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

14. arritur pajtimi që asnjëra palë të mos bllokojë, as të inkurajojë të tjerët për bllokimin e përparimit të palës tjetër drejt rrugës për në BE.

15. Me ndihmën e BE-së, do të krijohet një komitet për zbatimin e marrëveshjes nga të dyja palët. /RTK/

Thaçi: Marrëveshje historike

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me të dalë nga takimi, marrëveshjen e ka cilësuar si historike. 

“Ne sapo kemi nënshkruar marrëveshjen e parë historike ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë, me garancitë e baroneshës Ashton. Kjo marrëveshje është nënshkruar inicialisht mes dy kryeministrave të dy shteteve me garancinë e baroneshës Ashton”.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje është njohje e Kosovës , e subjektivitetit ndërkombëtar, sovranitetit dhe integritetit territorial”.

“Marrëveshja është bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona dhe popujve tanë, prandaj jam i kënaqur që gjendem sot këtu në Bruksel me baroneshën Ashton dhe kryeministrin Daçiq, që kemi arritur këtë marrëveshje për të ardhmen e të dy vendeve tona, të ardhmen evropiane”.

“Jemi të vetëdijshëm se do të ketë njerëz edhe në Kosovë edhe në Serbi që nuk do të jenë të kënaqur me këtë zgjidhje por kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë edhe për rajonin dhe për Bashkimin Evropian”.

“Jemi të vendosur që ta zbatojmë në praktikë këtë marrëveshje në ditët e ardhshme, që do të bëjmë marrëveshjen për implementimin. Do të thotë deri më 26 prill ne do të kemi edhe draftin përfundimtar për implementim dhe akterët implementues, institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-in,  NATO-n, dhe një rol lehtësues të Serbisë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.

Daçiq: Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje

Mediat serbe citojnë kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ketë thënë se “Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje”.

“Unë i kam vënë inicialet në tekstin e propozuar, për pranimin ose refuzimin e të cilit të dyja palët do të deklarohen gjatë ditëve në vazhdim”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se ky tekst sot është gjithsesi më i përshtatshëm seç kanë qenë propozimet e deritashme.

Bashkësia e komunave serbe do të ketë autorizime të mëdha, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e komandantit, përkatësisht ajo do ta propozojë komandantin rajonal të policisë; do të ketë përbërje serbe në sistemin e drejtësisë, do të ketë një përfaësi të gjykatës së qarkut në veri të Mitrovicë”.

“Selia e bashkësisë do të jetë në veri të Mitrovicës, do ta ketë pronën e vet, xhirollogarinë e vet, kuvendin, presidentin, nënpresidentin dhe këshillin, si një formë qeverie. Do të ketë mbikqyrje të plotë dhe autoritet ekzekutiv kur bëhet fjalë për arsimin, shëndetësinë, kulturën, planifikimin  hapësinor”, ka thënë Daçiq.

Barroso: Marrëveshja të zbatohet shpejt

Marrëveshja e arritur është një akt historik, e cila tani duhet të zbatohet sa më parë, thotë presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, në kumtesën e tij ku përshëndet marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam i bindur se marrëveshja e arritur mes palëve do të hap rrugën që Këshilli të merr vendimet për hapat e Serbisë dhe Kosovës në integrimet evropiane. Populli i Serbisë dhe Kosovës dëshiron që të ecën përpara, dhe të shohin perspektivën e tyre evropian në realitet. Kjo gjë është thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Evropës Jug-Lindore dhe të Bashkimit Evropian si tërësi”, ka thënë Barroso.

“Unë përgëzoj arritjen e Serbisë dhe Kosovës në dialogun e tyre. Kjo është një marrëveshje historike, e cila tani duhet të zbatohet sa më shpejt që është e mundur. Unë uroj të dy liderët për përkushtimin, kurajon dhe vizionin e tyre”, tha ai.

***

Arrihet marrëveveshja

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë se negociatat kanë përfunduar, tekstit i janë vënë inicialet nga të dy kryeministrat.


“Dua t’i uroj të dy për vendosmërinë dhe guximin që kanë pasur gjatë këtyre muajve. është e rëndësishme që ajo që po shohimt ani është një hap më larg nga e kaluara dhe për të dy një hap më afër Evropës”, u ka thënë Ashton gazetarëve në Bruksel.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.  Ende nuk dihen hollësitë e marrëveshjes së arritur. Lajmi është konfirmuar nga Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Mediat serbe citojnë kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, të ketë thënë se “Serbia nuk e ka pranuar sot këtë marrëveshje”. “Unë i kam vënë inicialet në tekstin e propozuar, për pranimin ose refuzimin e të cilit të dyja palët do të deklarohen gjatë ditëve në vazhdim”, ka thënë Daçiq.

Zëvendëskryeministri Aleksandar Vuçiq ka thënë se të gjitha propozimet e Serbisë janë pranuar se pika 9 është e paprekur dhe sipas dëshirës serbe është modifikuar pika 14.

Menjëherë pas konfirmimit të lajmit nga Baronesha, Catherine Ashton, Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle ka uruar Kosovën dhe Serbinë për kurajon dhe angazhimin e tyre në këtë dialog.

Më tej, në reagimin e tij në Twitter, Fyle siguron dy vendet për mbështetje të plotë nga Bashkimi Evropian në rrugën e tyre drejt integrimit.

***

Gjuriq: Bashkësia serbe do të ketë fuqi ekzekutive

Marko Gjuriq, këshilltari i presidentit serb, Tomisllav Nikolliq, dhe pjesëtar i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ka thënë sot se “Hashim Thaçi, në vazhdimësi manipulon me opinionin dhe flet të pavërteta mbi përmbajtjen e propozimit”, që gjendet para dy delegacioneve.

“Bashkësia e komunave serbe do të ketë fuqi ekzekutive, posaçërisht në fushën e policisë, përmes zgjedhjes së komandantit, gjë që do të jetë në përgjegjësinë direkte të bashkësisë së komunave serbe”, u ka thënë Gjuriq gazetarëve në Bruksel.

Çështja më sfiduese për palën kosovare, sipas tij, “është fakti se në veri do të jenë vetëm pjesëtarë të përkatësisë etnike serbe të policisë së Kosovës dhe se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do të jenë të pranishme në atë pjesë, pa dakordimin e NATO-s dhe lejen e bashkësisë së komunave serbe”.

“Shpresë për marrëveshje ka, por nuk duhet të manipulojmë me opinionin, marrëveshje mund të kemi nëse i përmbahemi asaj që është në propozim”, ka thënë Gjuriq.

Thaçi: Shpresoj që Serbia ta pranojë sot marrëveshjen

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke hyrë në ndërtesën ku po mbahen takimet në Bruksel, ka shfaqur shpresën që raundi i dhjetë i bisedimeve të jetë përfundimtar për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, nën udhëheqjen e kryeministrit serb, Ivica Daçiq, takohen sot me kërkesën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, për t’i dhënë edhe një mundësi marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Shpresoj që edhe Serbia ka reflektuar dhe do ta pranojë sot marrëveshjen, në mënyrë që të pajtohemi në parim”, u ka thënë Thaçi gazetarëve të mbledhur.

Sipas tij, marrëveshja do të mundësonte lëvizje të lirë te njerëzve dhe mallrave, si dhe zhbërje të strukturave të paligjshme serbe në veri.

Ai tha se sistemi i policisë dhe drejtësisë do të jenë një sistem unik, sipas ligjeve të Kosovës, ndërsa Asociacioni i komunave serbe, tha kryeministri i Kosovës, s’do të ketë rol legjislativ, ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.

Kosova është në proces të sigurt për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO, OSBE dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. /Radio Evropa e Lirë/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu