Marrëveshja PDK- LDK u arrit në Prishtinë, para 3 javësh?! Berlini e ambasadorët ishin kamuflazh

0
784

Atifeti

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi marrëveshjen për bashkëqeverisje e kishin arritur thuajse para tri javësh. Kështu kanë bërë të ditur për Gazetën Blic burime brenda Kryesisë së LDK-së. Sipas këtyre burimeve vizita në Berlin dhe gjoja presioni ndërkombëtar për një koalicion ishin kamuflazh e parisë së LDK-së për t’u arsyetuar para liderëve të Bllokut dhe para anëtarësisë së LDK-së.
“Marrëveshja ndërmjet dy liderëve është arritur në Prishtinë, pak ditë para se Mustafa të udhëtoj për në Berlin. Vizita në Berlin ka qenë një kamuflazh për t’u arsyetuar me një far forme nga Blloku dhe për t’u arsyetuar para elektoratit të LDK-së”, ka thënë ky anëtarë i Kryesisë së LDK-së në kushte anonimiteti.
Sipas këtij anëtari të Kryesisë, të martën kur është mbajtur mbledhja e Kryesisë gjithçka ka qenë e përfunduar. “Madje, në mbledhje është thënë se LDK ka një ofertë të mirë nga PDK, ku do të marrë postin e kryeministrit dhe 50% të ministrive. Mirëpo, në fakt gjithçka ka qenë e kryer”, ka thënë ky burim.
Sipas këtij burimi, për dallim nga informatat që i janë dhënë Kryesisë në mbledhje, Këshillit të Përgjitshëm të partisë nuk i është thënë asnjë fjalë për këtë ofertë, por u është kërkuar vetëm “viza” për bisedime me PDK-në.
Këtë gjë e ka konfirmuar edhe një anëtar tjetër i Kryesisë, mirëpo ka preferuar që të mbetet anonim, për shkak të presionit që kanë nga partia në rast se flasin publikisht.
Marrëveshja PDK- LDK u zyrtarizua vetëm pak orë pasi lideri i LDK-së, Isa Mustafa mori leje nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë për negociata me partinë e Hashim Thaçit.
Gazeta ka kontaktuar disa anëtarë të Kryesisë së LDK-së, mirëpo nuk kanë qenë të gatshëm që të flasin në lidhje me arritjen e marrëveshjes PDK- LDK.
LDK edhe pse në vazhdimësi po thotë se Isa Mustafa do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi i ka thënë Gazetës Blic se nuk është diskutuar ende posti i kryeministrit. Megjithatë, Kuçi ka thënë se do të tejkalohen të gjitha paqartësitë ndërmjet koalicionit.
Hyrja e LDK-së në koalicion me PDK-në ka shkaktuar pakënaqësi të shumta. Pos që shumë anëtarë të LDK-së të rebeluar janë larguar nga partia, madje disa edhe duke iu bashkuar edhe Vetëvendosjes, pakënaqësi ka pasur edhe në Kryesi dhe në Këshillin e Përgjithshëm. Të paktën pesë deputetë të LDK-së kanë paralajmëruar se ata nuk do të votojnë koalicionin me PDK, e ata janë: Vjosa Osmani, Alma Lama, Doruntinë Maloku, Adem Salihaj, Kujtim Shala.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu