Marrëveshja

0
909

Marrëveshja e KFOR-it për territorin e Kosovës u bë me qeverinë e Serbisë pa konsultuar qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje nuk përfshin reciprocitetin e as taksat doganore. Çka po llogarisin Kryeministri dhe ministrja e Tregtisë? Në pushimet verore? Apo në dajret e RTK-së?

Në shtator do të kemi një opinion publik të zhvendosur në ndonjë temë tërësisht tjetër. Askush nuk do ta bëjë pyetjen nëse është duke u zbatuar reciprociteti apo jo, nëse kufiri verior është duke u kontrolluar si një kufi mes dy shteteve apo si një vijë që bashkon rajonin me status special të veriut me Serbinë. Në shtator thjesht nuk do të jetë ky koncentrim me këtë temë. Ky konkludim është arritur shumë herë nga qeveria e Kosovës, përkatësisht Kryeministri.

Në vjeshtën e vitit 2009, për shkak të qëndrimit neutral të EULEX-it në raport me pavarësinë e vendit dhe për shkak të mossqarimit të ligjit që do ta zbatojë, opinioni publik kosovar ishte në masë të madhe kundër pranimit të këtij misioni. Atë kohë patëm organizuar demonstratat të cilave qytetarët iu përgjigjën në numër si asnjëherë më parë në Kosovë që prej mbarimit të luftës. Njerëzit në këtë demonstratë i thanë jo EULEX-it me këtë bazë, por qeveria shfrytëzoi pamëshirshëm RTK-në për ta gënjyer publikun se EULEX-i do ta zbatojë Kushtetutën e Kosovës.

Atëbotë ka qenë vendimtare një deklarim i kryeministrit aktual për t’ua ndryshuar mendjen shumë njerëzve. Thaçi pati thënë: “Ne do ta pranojmë EULEX-in në këto kushte vetëm nëse ajo do të sigurojë mbisundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës”. EULEX-i bëri shfaqjen e vet nën asistencën e KFOR-it dhe kamerat e televizioneve të Kosovës i përcollën ata tek bënë një shëtitje në veri deri në pikat kufitare që u dogjën më 2008 dhe u dogjën prapë tani më 2011. Asnjë nga këto media nuk u kthyen më për të parë se si po sillet EULEX-i në këtë pjesë dhe as zotimi i Thaçit se do të rishikojë marrëdhëniet me EULEX-in nëse ai nuk siguron mbisundim të ligjit në tërë territorin, nuk u përmend më.

Gjatë këtyre javëve kemi një situatë ku qartazi shihet se në fakt kushti kryesor me të cilin Thaçi e kishte lidhur pranimin e një misioni tjetër ndërkombëtar në Kosovë nuk është plotësuar. Sot kemi një situatë të re në veri. Rrethanat e krijuara atje nga 25 korriku mund të krijojnë një bazë për një ndarje funksionale të kësaj pjese, ashtu siç e pati propozuar Bogdanoviç dhe siç e kishte propozuar Ban Ki-Mun me planin e famshëm gjashtëpikësh.

Megjithëse qeveria e Kosovës e ka të qartë se këtë nuk mund ta shesë si fitore, ajo po bën veprime që i ndihmojnë për ta kaluar kohën deri në humbjen e vëmendjes së opinionit publik nga kjo çështje. Kështu, Thaçi vazhdon të thotë se nuk ka kthim mbrapa, ashtu sikundër edhe vendet e Quintit, por nuk tregon se ku do të shkojmë nëse nuk po kthehemi mbrapa. KFOR-i arriti një marrëveshje me qeverinë e Serbisë, të cilën Thaçi e kundërshtoi të enjten, por të njëjtën e pranoi pas një takimi me komandantin e KFOR-it edhe pse ky i fundit thjesht erdhi në Prishtinë për ta informuar Kryeministrin dhe jo për t’ia kërkuar atij pranimin e një marrëveshjeje me qeverinë e Serbisë, të cilën tashmë po e zbatonte në praktikë.

Pra, kemi të bëjmë me një marrëveshje që as nuk e zbaton reciprocitetin, sepse tashmë kemi një kalim të kamionëve në këto pika. Mirëpo, kemi një marrëveshje që nuk i zbaton as pagesat doganore, që do të thotë se situata tashmë gati është kthyer në gjendjen e para 25 korrikut.

Në shtator mund të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i cili para së gjithash mund të jetë një dialog mbi nivelin e dialogut. Ka shumë mundësi që ky dialog të shndërrohet në një bisedim se si të formalizohet gjendja e re që po krijohet në veri, e cila do të rrjedhë nga marrëveshja mes KFOR-it e qeverisë së Serbisë, marrëveshje kjo që tashmë është pranuar nga të gjithë.

Në rastin e EULEX-it na u tha se ai vjen në Kosovë për ta shtrirë sovranitetin në tërë vendin. Ai erdhi në Kosovë dhe sipas një regjie të caktuar bëri shfaqjen që u quajt “shtrirja e EULEX-it”, e cila përfshiu qindra raporte të medies kosovare me qëndrimin se nuk ka dyshim se mbisundimi i ligjit po ndodh ne veri. Askush nuk u kthye më në veri. Afro dy vjet prej këtij momenti të gjithë e konfirmuan se nuk kishte shtrirje të mbisundimit të ligjit. Sot qeveria po pretendon se nuk do të ketë kthim mbrapa dhe se reciprociteti do të zbatohet. Mendoj se më i rëndësishëm se reciprociteti në këtë rast është zbatimi i taksave doganore. Asnjëra, as tjetra nuk janë të parapara me marrëveshjen e KFOR-it. Së paku deri nga mesi i shtatorit KFOR-i do ta zbatojë kontrollin në këto pika doganore, ndërkohë që kosovarët do të shkojnë në pushime.

(Autori është bashkëthemelues i organizatës “ÇOHU”)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu