Masakrat në Mejë e Korenicë, Interpoli kërkon arrestimin e 17 oficerëve serbë

0
888

Varrezat e Mejes

Interpoli ka nxjerrë të mërkurën një lajmërim duke bërë thirrje për arrestimin e kreut aktual të komisionit parlamentar për siguri në Serbi, Momir Stojanoviq, dhe të 16 personave të tjerë që ishin pjesë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, duke i akuzuar ata për krime lufte kundër civilëve.

Ata dyshohen për përfshirje në vrasjen e më shumë se 300 shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Mejë dhe Korenicë, afër qytetit të Gjakovës, në fund të prillit 1999.

Përveç Stojanoviqit, njerëzit që kërkohen janë Nikola Miçunoviq, ish-kreu i Departamentit Ushtarak të Gjakovës, Momqilo Stijoviq, një ish-oficer policie, vëllezërit Momqillo, Milutin dhe Miladin Novakoviq, gjithashtu ish-oficer policie, Muharem Ibraj, ish-komandant policie në Gjakovë, Sreten Camoviq, një ish-oficer i sigurimit të shtetit, Dimitrije Rasoviq, ish-inspektor policie, dhe një sërë luftëtarësh të tjerë serbë: babai dhe djali Dragan dhe Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Mirash Gegoviq, Predrag Stojanoviq, Misho Popoviq, Lazar Drashkoviq dhe Zoran Mirkoviq.

 “Fletarrestimi, reagim ndaj formimit të Gjykatës Speciale në Kosovë”

“Kartelat e kuqe”, të konsideruara si gjëja më e përafërt me një urdhër arresti ndërkombëtar, janë lëshuar në bazë të një kërkese nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Stojanoviq, tani deputet i Partisë Progresive Serbe, i ka mohuar akuzat duke thënë se lëvizja kishte për qëllim vetëm të frikësonte serbët në mënyrë që ata të mos kthehen në Kosovë. “Shpresoj të kem shtetin pas meje dhe se ai do të thotë fjalën e tij për këtë gjë,” u tha ai gazetarëve në Parlament të mërkurën.

Ai sugjeroi gjithashtu se urdhrat ishin lëshuar në reagim ndaj krijimit të pashmangshëm të një gjykate speciale të mbështetur nga BE-ja për të gjykuar anëtarët e UÇK-së për krime gjatë dhe pas luftës.

Në prill të vitit 1999, sipas grupit ndërkombëtar “Human Rights Watch”, i cili dokumentoi krimet e luftës në Kosovë, ushtarët jugosllavë dhe forcat speciale serbe të policisë rrethuan fshatra në rajonin e Rekës së Keqe, i rrethuan banorët dhe i detyruan ata të iknin në rrugën drejt Gjakovës.

Shumë prej fshatrave u dogjën sistematikisht,

HRW gjithashtu identifikoi disa prej autorëve të dyshuar, përfshirë vëllezërit Novakoviq. Tre dëshmitarë thanë për HRW-në se ata panë Milutin Novakoviq, i njohur si Stari, i cili ishte një polic në atë kohë, në një pikë kontrolli pranë fshatit kur ndodhën vrasjet më 27 prill. HRW-së u tha gjithashtu se vëllai i tij Miladini ishte atje.

Këto masakra ishin edhe në padinë e ngritur nga Gjykata e Hagës

Vrasjet në Gjakovë janë listuar gjithashtu në padinë kundër ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq dhe pesë zyrtarëve të tjerë serbë nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë.

Një dëshmitar i mbrojtur, i cili dëshmoi në gjyqin e Millosheviqit, tha se arsyeja e sulmit ishte vrasja e pesë policëve serbë nga UÇK-ja në një pritë në afërsi të qendrës së Mejës më 22 prill 1999.

Nikë Peraj, një ish-oficer i Ushtrisë Jugosllave, i cili dëshmoi në gjyqin e Millosheviqit si dëshmitar të brendshëm, tha se deputeti aktual serb Stojanoviq ishte ndër ata që pas këtyre vrasjeve u dha urdhër vartësve të tij se të paktën 100 njerëz duhet të vriteshin për të marrë hak.

Sandra Orloviq, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtën Humanitare, e cili ka dokumentuar krimet në Gjakovë, tha se kërkimi i saj dhe dokumentet e gjykatës së Hagës tregojnë se njësitë përgjegjëse për sulmin ishin Brigada 549 e Motorizuar e Ushtrisë Jugosllave, e udhëhequr nga Bozhidar Deliq, gjithashtu anëtar i partisë në pushtet në Serbi dhe ish-deputet, si edhe Brigada 125 e Motorizuar, e udhëhequr nga gjenerali tashmë i dalë në pension Dragan Zhivanoviq, i cili aktualisht po hetohet nga prokuroria serbe për krime të dyshuara lufte të kryera pranë qytetit të Pejës.

Orloviq tha se vrasjet në Gjakovë përbëjnë vrasjet më të mëdha në masë gjatë konfliktit të vitit 1999. Shumica e trupave më vonë u gjetën në një varr masiv në qendrën e trajnimit policor të Batajnicës pranë Beogradit.

“Ky ishte një operacion i gjerë që përfshinte ushtrinë dhe policinë speciale. Operacioni nuk kishte për synim vetëm dëbimin e civilëve, por edhe largimin dhe fshehjen e trupave”, tha ajo për BIRN.

Deri tani Serbia nuk i ka hetuar krimet, pavarësisht një njoftimi të disa vite më parë se do të hapej një çështje, tha Orloviq. “Ndjeshmëria e kësaj çështjeje është se për shkak të numrit të njësive të përfshira, hetimi do të çojë në vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve të lartë aktualë”, tha ajo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu