Masakrimi i rojës së shkollës, ç‘thonë familjarët?

0
1624

(E plotësuar)Vrasja makabër e mbrëmjes së katër nëntorit në shkollën fillore që mban emrin e gjigantit ekonomik ‘’Trepça’’ në fshatin Banjë të Istogut, ka tmerruar të gjithë banorët e kësaj ane por edhe opinionin e gjerë, sidomos me mënyrën monstruoze të masakrimit me thikë të trupit të viktimës.

Këtë e ndjejnë posaçërisht nxënësit të cilët çdo ditë shkojnë në këtë shkollë, ku katër  ditë më parë,roja e kësaj shkolle Nexhat Muzlijaj u masakrua mizorisht mu në objektin e shkollës. Atmosfera e vdekur brenda shkollës dhe shikimi i nxënësve në vendin ku rrinte rojtari,tashmë i ndjerë, të rrëqethin dhe ta krijojnë përshtypjen që ke shkuar në të pame, e jo në  shkollë. Që nga ajo ditë, në vend që shkolla të ishte e stolisur me buzëqeshjen e fëmijëve ajo është mbuluar me hijen e vdekjes, me hijen që e ndjen sapo hyn brenda.

Dy veta dolën nga shkolla

Kryerësit e këtij akti çnjerëzor mbesin ende të panjohur edhe pse organet policore së bashku me njësitë e hetuesisë po punojnë pandërprerë në zbardhjen e këtij rasti që ia vuri hijen e zezë jo vetëm Istogut por tërë rajonit të Dukagjinit.

Roja e shkollës, Nexhati ishte nga fshati Orroberdë i Istogut, fshat afër Banjës, ku edhe punonte si rojtar nate  i shkollës së këtij fshati. Ai ka lënë dy djem të rritur  me gruan e parë, e cila  ka vdekur vite më parë, ndërsa gruaja e tij e dytë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tash e dy vite dhe nuk ka mundur të vijë në funeralin e burrit të saj. Nexhati jetonte me dy djemtë në shtëpinë e tyre në fshatin Orroberdë, dhe kishte një tufë prej 20 delesh për të cilat kujdesej gjatë ditës, kurse natën punonte si rojtar shkolle.

Mbrëmjen e së hënës me katër nëntor, rreth orës 18:30 Nexhati kishte shkuar në shkollë vetëm t’i ndizte dritat dhe të kthehej ta vazhdonte çajin me shokët e tij në një lokal aty afër  deri në orën 19:00 kur edhe i fillonte orari i punës. Muzgu i asaj mbrëmje ndryshoi gjithçka. Dikush kishte hyrë në objektin e shkollës ku e priste rojën dhe kreu vrasjen makabre me thikë duke e goditur shume herë me thike në shpinë e organe tjera dhe duke ia prerë qafën .

Banorë të lagjes kishin parë dy persona,duke dalë nga shkolla me vrap,dhe pastaj kur kishin shkuar brenda në shkollë kishin hasur trupin e Nexhatit të mbytur në gjak që ishte masakruar. Të tmerruar e kishin njoftuar policinë, të cilët kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes së bashku me prokurorin kujdestar dhe me të gjitha njësitë përkatëse hetimore, duke përfshirë edhe njësinë K 9, njësitin e qenve nuhatës për të ndjekur gjurmët që mund të çojnë te vrasësit e mundshëm që ishin parë duke u larguar me vrap.

Djali i axhës së viktimës, Ahmet Muzlijaj, tregon për tmerrin që e ka përjetuar në këtë rast të rëndë për tërë familjen Muzlijaj dhe më gjerë.

‘’Kanë shkuar dy veta, i kanë ndalë dritat dhe e kanë sulmuar me thika. E kishin pas pre shumë, kokën krejt ja kanë hequr, përveç një damar kishte mbet. Ia kanë dhanë 32 thika, krejt shpinën ia kanë shpuar. As hoxha nuk ka pasur çka lanë në të, veç e kanë sjellë prej Prishtinës edhe e kemi varrosë’’ shprehej i përlotur axha Ahmet.

Vëllai: Asnjë problem, me askënd!

Edhe vëllai i Nexhatit, Syla me zë drithërues e sy të përlotur tregoi se ka qenë shumë i lidhur me vëllain e tij tashmë të vdekur duke u çuditur se si një njeriu si Nexhati t’i ndodhë diçka e tillë. Ai gjithashtu e rrëfen edhe momentin kur e ka marrë lajmin për vdekjen e tmerrshme të vëllait. ‘’Unë në punë kam qenë dhe kur  jam kthyer kam  dalë në një restorant në Istog. Një i afërm, tha hajde se ka ndodhë një tragjedi me vëllain tënd e kur kam shkuar e kam gjetur policinë në vend të ngjarjes. Ata  i kanë vazhduar hetimet, rreth 5-6 orë kanë zgjatur. Kanë ardhur  edhe me qenë prej Prishtinës dhe janë mundu në atë të veten me zbuluar diçka. Për  fillim kanë punuar mjaft, por është rast i ndërlikuar shumë, qysh edhe po shihet’’ është shprehur vëllai Syla.

Ai thotë  se Nexhati nuk ka pasur asnjë problem me askënd. ‘’Me sa dij unë, s’ka pas problem me askënd. Po të kishte unë e kisha ditur se kam pas raporte të e mira me të, as borxh kujt nuk e di që i ka pasur. Gjendjen nuk e ka pasur aq të mirë, por për ekzistencë të veten ka qenë e mirë. I ka mbajt disa dele te shtëpia, orarin e punës e ka respektuar, si roje nate në shkollë. Gruan e ka në Amerikë, nga pak para i ka dërguar edhe ajo kur ka pasur nevojë’’.

Syla nuk mund të përmbahet kur e mendon mënyrën si i është mbytur vëllai i tij duke shtuar se as në luftë nuk ka dëgjuar për ndonjë rast të tillë.

‘’Aty ka qenë një mllef i madh, qysh kanë mundur ta bëjnë atë. E kur askush nuk e di që i ka bërë dikujt diçka, po na çudit. Ai  nuk ka mundur t’ia ngjallë dikujt gjithë atë mllef për një orë ose dy. Njerëzit kanë qenë me të, kanë pirë çaj në çajtore aty afër. Ata dëshmojnë se  veç  ka shkuar për t’i ndezur dritat dhe për t’u kthyer prapë për ta vazhduar çajin, sepse ka qenë ora gjashtë e gjysmë ndërsa ai punën e ka filluar prej orës shtatë. Veturën e ka kthyer dje Policia që e ka marrë për hetime. Vetura ka qenë aty në parking, as nuk ka qenë e mbyllur, se veç e ka lënë në parking edhe ka hyrë në çajtore’’ thotë Syla duke mos mundur të flasë më nga lotët.

Në Policinë e Kosovës thonë se janë duke bërë gjithçka që është e mundur, me të gjitha njësitet e duhura, që ky rast të zbardhet sa më shpejt. Ata thonë se kanë  një pistë të qartë hetimi dhe është duke punuar drejt kapjes së autorëve të këtij krimi makabër.

Policia shpreson se është në rrugën e duhur drejt gjetjes së personave që e kryen njërin nga krimet më të rënda në Kosovë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës,  Xhevat Ibraj ka thënë për Zëri-n se policia ka bërë disa bastisje dhe dhjeta  intervistime që kanë rezultuar me ndriçimin sado pak të rrugës drejt identifikimit të kryerësve të këtij krimi. Megjithatë, deri tash nuk është njoftuar se kush janë të dyshimtit e mundshëm, sa bastisje janë bërë dhe sa persona janë intervistuar. Në të mirë të hetimeve Policia nuk ka dhënë asnjë hollësi lidhur me këtë rast të rënd kriminal.

 

Nga: Tahir Lushi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu