Masat ndaj deputetëve, të padrejta

0
683

Albin Kurti

Në një konference të mbajtur dje ish-avokati i popullit, njëherësh anëtar i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Sami Kurteshi, ka kritikuar punën e sistemit të drejtësisë, ndërsa i ka quajtur të pakuptimta vendimet e gjykatave për deputetët opozitarë. Ai ka thënë se për dyshime të njëjta janë marrë masa të ndryshme.

Kurteshi mori shembull rastin e një qytetari, i cili po këtë vit kishte kryer të njëjtën vepër duke hedhur gaz lotsjellës, por që është dënuar me 400 euro, kurse disa prej deputetëve po mbahen në paraburgim, e disa në arrest shtëpiak, për të njëjtën vepër.

“Në maj të këtij viti një qytetar ka përdorur gaz lotsjellës, ky vendim bëhet vetëm me gjobë (400 euro) e në anën tjetër kemi masa të ashpra në lidhje me njëjtin veprim. Kemi një numër të deputetëve të Kuvendit që i janë shqiptuar masa të ndryshme si: Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Faton Topallit, Donika Kadaj-Bujupi… Ata në thelb janë përndjekur për të njëjtin veprim. Ismaili dhe Haxhiu nuk kanë përdorur gaz lotsjellës dhe kanë marrë masa të ndryshme. Këtu vërehet qartë shkelja e parimeve në gjyqësi”, është shprehur ai, shkruan gazeta Zëri.

Ndërkohë, Bajram Ajeti nga partia tjetër opozitare “Nisma për Kosovën” ka shtuar se deputetët janë kategori e veçantë dhe si të tillë kanë edhe shumë të drejta.

“Të gjitha veprimet e arrestimeve kanë rënë ndesh me Kushtetutën dhe rregulloren e punës së Kuvendit. Deputetët gëzojnë imunitet dhe ne jemi dëshmitarë për të gjitha veprimet që janë kryer në Kuvend. Deputeti nuk mund të arrestohet, derisa është duke kryer detyrat e tij të deputetit”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Muhamet Kelmendi u ka bërë thirrje Qeverisë që të luftojnë krimin dhe korrupsionin, e jo opozitën. Ai ka thënë se kjo masën e shqiptimit është diskriminuese edhe për vetë deputetët të cilët, edhe pse kanë kryer vepra të njëjta, nuk janë dënuar njësoj.

Ndërsa, lidhur me vlerësimin e Departamentit Amerikan, i cili para disa ditëve doli me qëndrimin se demarkacioni me Malin e Zi është në suaza të territorit të vendit, Kelmendi theksoi se ky konkludim është i papranueshëm, sepse, siç tha ai, nuk është bërë nga terreni, por në bazë të dokumentacionit që i është dhënë nga Qeveria e Kosovës.

Në momentin që ky vendim të anulohet dhe të merret vendimi për shpërbërjen e komisionit, atëherë opozita do të jetë e gatshme të bisedojë me Qeverinë për formimin e komisionit të ri, ka thënë anëtari i AAK-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu