Maskimi patriotik i Kelmendit

0
834

Shpend Ahmeti e nisi aksionin për rrënimin e objekteve pa leje me një mesazh të fortë. Zgjodhi pikërisht objektin e një personi të fuqishëm financiarisht dhe njëkohësisht deputet në Kuvendin e Kosovës, për t’ua bërë me dije edhe të tjerëve se “po nisim nga të fortët”.

Ramiz Kelmendi, duke besuar se nga pozita e financuesit kryesor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo e cila ia mundësoi ulësen e deputetit të Kosovës, e që në rrethana normale të një shteti si duhet, ai as që e kishte parë me sy këtë privilegj, i ra në “tesull” rrënimi i objektit nga pushteti që mban “Vetëvendosja”. I mësuar të funksionojë mbi bazën e pazareve, ku gjithçka kryhet me kesh, dhe marrëveshje nën tavolinë, Kelmendi nuk e përballoi që dikush del dhe nuk e pyet se “kush je, sa para ke, apo kush qëndron pas teje”.

Dhe në momentin kur shteti në këtë rast (pushteti lokal i Prishtinës) del dhe ndërmerr diçka, ky deputet i Kosovës del me akuzë publike se po rrënohet objekti, sepse nuk e ka dhënë haraçin që “Vetëvendosja” ia paska kërkuar. Ende pa dalë pala tjetër për të sqaruar se cili është problemi mes tyre për këtë objekt, lind pyetja: Pse Kelmendi nuk ka folur më herët për këtë çështje? Pse iu desh të heshtë deri në momentin kur po i rrënohej objekti i ndërtuar jashtëligjshëm? Një vepër e tillë nëse nuk denoncohet është e dënueshme edhe për palën e dëmtuar.

Ndonëse për çudi akuza për haraç e përmendur nga njerëz të partisë me epitet të tillë, disi tingëllonte në start si qesharake. Sidoqoftë, mjaftoi kjo akuzë për të përçuar mesazhin e nivelit të papërgjegjësisë së këtij deputeti, i cili e mat fuqinë e tij me milionat që ka. Kjo mendësi që fatkeqësisht nuk fillon e mbaron me Ramiz Kelmendin, përfaqësohet nga një pjesë e madhe e njerëzve në skenën tonë të degraduar politike. Fuqia financiare dhe lidhjet me partitë më të mëdha në pushtet u kanë dhënë komoditetin që të veprojnë pa pyetur as për ligj e as për shtet.

E në këtë rast Ramiz Kelmendi, dhe njëherësh pronar i zinxhirit të hipermarketeve ETC, me 56 milionë euro pasuri, një nga politikanët më të pasur, i cili ka mbajtur gjallë për vite të tëra partinë të cilën edhe e përfaqëson në Kuvend, i ra në ujë përpjekja për të shmangur fokusin nga problemi, duke ngritur akuza të rrejshme për haraç.

Por meqë është mbështetës i AAK-së dhe deputet, kjo i shërben për maskimin patriotik, ndonëse, bëhet fjalë për kontribuuesin më të madh të prodhuesve serbë që ua ka hapur tregun në Kosovë. Përmes angazhimit të Kelmendit, brenda vitit nga Kosova për në Serbi eksportohen mbi 300 milionë euro para të gatshme. Dhe jo vetëm kaq, importuesi kryesor i mallrave serbe në vend, ka bërë që të bien në dy gjunjë bizneset e vogla dhe prodhuesit vendorë. Dorën në zemër, ky është edhe kontributi kryesor i Kelmendit në vend.

Dhe nuk i mjafton me kaq, jo shumë vonë, Kelmendi në emisionin “Rubikon” ka folur për vështirësitë e të bërit biznes në Kosovë. Nuk i ka mjaftuar që të krijojë miliona me mall të Serbisë, nga konsumatori i varfër vendor, por edhe kërcënoi- se nëse nuk do të ketë lehtësira financiare nga bankat do të jetë i detyruar që të investojë jashtë Kosovës: Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Kështu skena politike e vendit vazhdon të ketë edhe nga këto figura që s’kanë lidhje me politikë e që na shfaqen me përparësitë që u ofrohen si financues të partive politike, duke u bërë pjesë e ligjvënësve të vendit.

Por, vjen një ditë kur del dikush e s’të pyet se “ku i ke dajtë”.

 

Nga: Arbana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu