“Mazuti” kancerogjen

0
946

Mbeturinat që lirohen nga rreth 400 anije në muaj të cilat lundrojnë në Danub në pjesën e Serbisë, mblidhen për t’u shitur në Kosovë si vaj riciklues, i cili përdoret për ngrohjen e shkollave dhe të banesave kolektive. Ky vaj është konstatuar se përmban sasi shumë më të madhe të sulfurit sesa që përcaktohet nga normat e lejuara.

Ky konstatim ka dalë nga laboratori i doganës së Kosovës pak muaj më parë, pas analizave që i ka bërë mostrave të këtij vaji. Ky vaj importohet në Kosovë për ngrohje të shkollave dhe të objekteve kolektive.

Në këtë biznes janë përfshirë një kompani nga Kosova dhe një nga Serbia.

Kompania importuese kosovare, “VEI” SH.P.K nga Malisheva, në bashkëpunim me fabrikën “Delta Eko sistem” d.o.o., me pronar Mladen Gençiq, janë importues të vajit riciklues në Kosovë. Fabrika që udhëhiqet nga Gençiq është e vendosur buzë lumit Danub, ku mbledh të gjitha mbeturinat që i lirojnë nga qindra anije në muaj që lundrojnë aty . Gazeta “Zëri” posedon të gjitha dokumentacionet të cilat hapin dyshime të mëdha për praninë e vajit kancerogjen ndaj të cilit ekspozohen edhe fëmijë nëpër shkolla.

Laboratori zbuloi përmbajtjen kancerogjene

Më 20 nëntor të vitit 2013, në pikën kufitare në Merdare që ndan Kosovën me Serbinë, në Doganën e Kosovës importuesi nga Malisheva “VEI” SH.P.K, vajin e ricikluar e kishte deklaruar si mazut. Ai kishte paraqitur për zhdoganim rreth 24 tonë të kësaj lënde djegëse për t’iu shmangur taksës së akcizës.

Pas verifikimit të dokumenteve të certifikatës së konformitetit nga shteti i origjinës (Serbia), njësiti Doganor kishte vërejtur se përmbajtja e sulfurit ishte 1,34 %, derisa përmbajtja e sulfurit me normat standarde nuk guxon të tejkalojë 1 %. Kjo përmbajtje e sasisë së sulfurit kishte nxitur dyshime në këtë maunë. Për t’i larguar dyshimet lëndës djegëse i ishin dërguar mostrat në laborator. Dhe sipas analizës laboratorike nga laboratori i doganës të kryera me datë 19.11.2013 është konfirmuar se mall i deklaruar si lëndë djegëse “Mazut”, ishte në të vërtetë vaj i ricikluar me përmbajte kancerogjene.

“JugoInspekt” vërteton rrezikun

Edhe në raportin e inspektimit të “JugoInspektit” (Izveshtaj o kontrolisanje kvaliteta) nga Beogradi XI/04-6191 të datës 30.01.2013, të cilën e ka siguruar gazeta “Zëri”, thuhet se ky produkt nuk i plotëson kriteret për djegie. Kjo fabrikë në Kladovo ishte hapur me qëllimin që të ndalte ndotjen e lumit Danub, kurse në Kosovë këto mbeturina të rrezikshme po futen dhe po përdoren edhe për ngrohje pa asnjë problem.

Ndaj këtij vaji kancerogjen nuk ka reaguar deri më tash as trupa inspektuese në Kosovë nga “Saybolt pan Adriatika” e cila merret me kontrollimin e këtyre lëndëve djegëse. Gazeta “Zëri” ka mësuar se inspektori kryesor i kësaj kompanie në Kosovë është Aleksandër Gjurgjeviq, i cili është ish-punëtor i “JugoInspektit” në Beograd.

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor deri më tash nuk ka hapur asnjë procedurë ndaj importuesit “VEI” SH.P.K. Ndonëse ligji Nr.03/L-160 i cili ka hyrë në fuqi me datën 25 shkurt 2010, saktëson se përmbajtja e sulfurit në lëndën djegëse që e tejkalon 1 për qindëshin nuk guxon të përdoret për lëndë djegëse. Pika 1 e këtij neni thotë: “Vajrat e rënda te të cilat përmbajtja e sulfurit e tejkalon një për qind (1%) të masës nuk mund të shfrytëzohen si lëndë djegëse për impiante për djegie prej 1 janar 2014”. Kurse vaji riciklues që Dogana ka ndaluar kishte përmbajte të sulfurit 1,34 %. Për këtë rast zyrtarët e kësaj ministrie, më saktësisht këshilltarët e ministrit Dardan Gashi, nuk kanë dashur të japin sqarime duke mos kthyer përgjigje.

Vaji riciklues i deklaruar si mazut

Valon Mazreku, pronar i firmës “VEI” SH.P.K, kishte bërë deklarim të rrejshëm të këtij vaji duke e paraqitur si mazut për t’iu shmangur taksës së akcizës. Sipas dokumenteve të doganës që posedon gazeta, kjo shmangie do të dëmtonte buxhetin e shtetit me 10.522.40 euro.

Kurse shmangia nga Tatimit në Vlerën e Shtuar (TVSH) në bazë të vlerës së deklaruar është 1.683.60 euro. Në total firma importuese e këtyre vajrave të ricikluara do t’i shmangej taksave 12.206.00 euro. Me këtë rast Dogana në bazë të nenit 276, pika K, të Kodit Doganor të Kosovës, rasti është vlerësuar si kundërvajtje doganore. Ky importues për Doganën e Kosovës ishte i njohur si mashtrues pasi që edhe në raste të tjera kishte ngritur kallëzime penale ndaj tij.

“Dogana e Kosovës ka ngritur dy kallëzime penale kundër kompanisë “VEI” SH.P.K të cilat momentalisht janë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, ka thënë Adriatik Stavileci, zyrtarë për informim në Doganë. Valon Mazreku me kompaninë e tij importuese, “VEI” SH.P.K gjithashtu ka edhe dy kundërvajtje doganore në Podujevë.

Këto kundërvajtje doganore ishin proceduar pasi që kjo kompani kishte tentuar të bëjë importin e derivateve pa licencë, kurse në një rast tjetër, kishte tentuar të ndryshojë numrin tarifor të produktit me qëllim të shmangies së taksave. Pronarin e kësaj kompanie, gazeta “Zëri” ka provuar ta kontaktojë përmes numrin që figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit, te kontakti i kompanisë “VEI” SH.P.K, por ai numër rezulton të posedohet nga një person krejt tjetër.

 

Nga: Liridon Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu