Mbi 3 miliardë euro për autostrada

0
671

Mbi 3 miliardë euro për autostrada

Më shumë se dy miliardë euro janë shpenzuar deri më tash në vendin tonë për ndërtimin e autostradave që lidhin Prishtinën me Shqipërinë, Shkupin, Pejën, Mitrovicën dhe së fundi me Gjilanin. Hiç më pak se 1 miliard euro të tjera pritet të shpenzohen për përfundimin e punëve në autostrada ekzistuese, por edhe nisjen në ndërtimin e autostradës së re prej 91 kilometrash, që do ta lidhë Istogun me Prizrenin, shkruan sot Gazeta “Zëri”. 

Ende pa përfunduar në tërësi punimet në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup, Qeveria e Kosovës tashmë ka nisur ndërtimin e autostradës së re, që lidh Prishtinën me Gjilanin.

Po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore Qeveria ka iniciuar edhe hartimin e projektit për ndërtimin e autostradës së fundit, asaj që do ta lidhë Istogun e Prizrenin, e cila pritet ta ketë koston më të lartë se të të gjitha autostradave të tjera për shkak të gjatësisë, por edhe numrit të madhe të pronave që pritet të shpronësohen për realizimin e saj, shkruan më tutje “Zëri”.

Duke u bazuar në të dhëna të Ministrisë së Infrastrukturës, vetëm për realizimin e autostradës që lidh Prishtinën me pikën kufitare më Morinën janë shpenzuar rreth 1 miliard euro.

Po ashtu më shumë se 600 milionë euro do të shpenzohen për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup.

Qindra miliona euro para të buxhetit të shtetit, të donatorëve, por edhe të borxheve janë shpenzuar deri më tash për ndërtimin e dy autostradave, që punimet kanë nisur kohë më parë, asaj Prishtinë – Pejë, si dhe autostradës Prishtinë – Mitrovicë.

Zyrtarë për informim në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) në një përgjigje me shkrim për gazetën “Zëri” nuk kanë ofruar të dhëna se sa është kostoja totale e projekteve për ndërtimin e autostradave, me pretendimin se këto shifra do të bëhen të ditura tek pas pesë vjetësh, kur parashihet të përmbyllet qarkorja e autostradave.

“Ajo çka mund të themi tani për tani, për projektet që ju i potenconi është se disa nga to do të rinisen në këtë vit, njëra nga to, ajo Prishtinë deri në Han të Elezit. Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ do të përfundojë në ketë vit dhe kostoja është rreth 600 milionë euro”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Infrastrukturës.

15 milionë euro për 32 kilometra

Aty më tutje thuhet se autostrada Prishtinë – Pejë do të nisë aty nga mesi i këtij viti dhe kostoja e saj për 32 kilometra do të jetë rreth 150 milionë euro.

“Një pjesë e buxhetit për ketë investim është nga BERZH-i, një pjesë nga EIB-i dhe pjesa e tretë nga buxheti i shtetit, ky projekt pritet të përfundojë brenda dy vjetëve nga dita e nisjes së tij”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Vetëm nënshkrimi i kontratës e fillimi i punëve po pritet për projektin e autostradës Prishtinë – Mitrovicë. Disa procedura tenderuese veçse kanë përfunduar.

Kështu bëhet e ditur më tutje në përgjigjen e kësaj ministrie.

“Sa i përket autostradës Prishtinë – Mitrovicë, Loti i parë tashmë i kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe pritet vetëm nënshkrimi i kontratës dhe fillimi i punëve. Edhe për dy lotet e tjera po vazhdohet me procedurat teknike, ligjore e të prokurimit dhe besoj shpejt, pa vonesa do të përfundojnë për t’u mundësuar fillimi i punimeve. Investimet në ketë projekt mbulohen nga tri fondet e vendeve arabe”, theksohet në përgjigjen e Ministrisë.

Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të ministrit të Infrastrukturës, ka thënë se kostoja e autostradës më të madhe të Kosovës, nga Istogu deri në Prizren, nuk mund të përcaktohet ende pasi është në fazën e fizibilitetit.

“Autostrada më e madhe e Kosovës, ajo nga Isotgu deri në Prizren do të fillojë në vitin 2019, do të jetë e gjatë rreth 91 kilometra dhe kostoja ende nuk mund të përcaktohet, sepse është në fazën e fizibilitetit të saj, nga do t’i bjerë traseja, elaborati i shpronësimit dhe kushtet e tjera do të maten tani për tani për të ardhur deri të një kosto e përafërt”, ka treguar Zejnaj.

MI: Kostoja e autostradave kuptohet në vitin 2023

Në Ministrinë e Infrastrukturës po shprehen të bindur se me këto investime nuk do të rrezikohet stabiliteti financiar i Kosovës.

“Buxheti i Kosovës është i paraparë për çdo vit në atë mënyrë për t’u ndarë që të mos e rrezikojë stabilitetin financiar të Kosovës, por në të njëjtën kohë behët e mundshme që të mbulohen projektet me vija buxhetore. Kostoja totale e përafërme e autostradave dhe e investimeve që i bën Ministria e Infrastrukturës do të kuptohet në vitin 2023, kur edhe parashihet sipas një plani dinamik të përmbyllet qarkorja e autostradave dhe rrugëve që janë investim i Ministrisë”, ka deklaruar Argjend Zejnaj, këshilltar për medie.

Zejnaj ka treguar edhe për mënyrën e sigurimit të fondeve për ndërtimin e autostradave.

“Një pjesë nga këto investime burim e kanë buxhetin e shtetit dhe pjesa e tjetër është nga kreditë. Kryesisht kreditë, huamarrjet me kamata të ulëta janë marrë nga institucionet financiare të Bashkimit Evropian, por edhe nga vendet arabe, siç është rasti me autoudhën Prishtinë – Mitrovicë. Por, ne si Kosovë kemi bërë kërkesë për investime edhe si pjesë e Procesit të Berlinit për lidhje të korridoreve, siç e kemi rastin e autoudhës Prishtinë – Merdare, apo korridori që vjen nga Morina, që e prek Prishtinën dhe shkon deri në Nish. Pra, investimet janë bashkëdyzim buxheti nga jashtë, por edhe prej buxhetit vendor”, thuhet më tutje në përgjigjen me shkrim të tij.

Shatri: U keqpërdorën 5 miliardë euro të parasë publike

Por në anën tjetër, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj njëkohësisht, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka përmendur edhe aspektin e keqmenaxhimit të parasë publike.

Shatri ka treguar në detaje për analizën, së cilën i referohet në aspektin e keqpërdorimit, duke përmendur keqpërdorimet me kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.

“Sipas një përllogaritjeje personale, prej 2008-ës deri në shtator 2017 për 10 vjet pavarësi rreth 5 miliardë para publike janë keqpërdorur. Ne i kemi pesëqind milionë euro në vit prej buxhetit të destinuara për investime kapitale dhe 200 milionë për mallra dhe shërbime bëjnë 700 milionë, edhe ndërmarrjet publike kanë investuar, kanë bërë shpenzime për mallra dhe shërbime diku 300 milionë, që i bie 1 miliard në vit janë shpenzuar para publike për investime kapitale dhe mallra e shërbime. Prej 1 miliard të shpenzuara para publike 20 për qind janë shmangur prej destinimit, janë keqpërdorur. Këtë po e dimë të gjithë, po e shohim të gjithë, po e shohim pasurinë e njerëzve. Kanë blerë, kanë shitur, janë pasuruar, i kanë degraduar ndërmarrjet publike, ato para diku kanë shkuar. Por minimumi 20 për qind me 1 miliard janë 200 milionë në vit. Për krejt periudhën del përllogaritja ime”, ka shtuar këshilltari i kryeministrit Haradinaj. Sipas Shatrit, shuma e destinuar për projekte kapitale është e përballueshme.

“Shuma e destinuar për projekte kapitale është e përballueshme, 500 milionë në vit dhe 200 milionë prej kredive janë 700 milionë në vit investime kapitale. Vëllimi i mjeteve është i përballueshëm, burimet janë të sigurta. Asnjë kontratë nuk guxon të lidhet pa e siguruar burimin e financimit. Rruga për në Shkup e ka të siguruar buxhetin, edhe pjesës që fillon tash për Gjilan – Dheu i Bardhë, me një kornizë afatmesme që nesër është në Qeveri e më vonë shkon në Kuvend, i bëhet vendi brenda kapacitetit buxhetor”, ka shtuar mes të tjerash ai.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave ka treguar se këtë vit dhe vitin tjetër pritet të lirohen prej obligimeve për autostradën për Shkup.

“Autostrada e Dukagjinit nuk do të fillojë as këtë vit e as tjetrin, por është planifikuar të merren parametrat dhe dihet sa do të shpenzohen për infrastrukturë rrugore. Ne lirohemi prej obligimeve këtë vit dhe vitin tjetër për autostradën për Shkup. Ai kapacitet na lirohet në vitin 2020, që të fillojë pjesa e Dukagjinit”.

Ekspertët e ekonomisë: Të rritet përqindja për investime kapitale

Ekspertë të ekonomisë në vend shumat të cilat janë të dedikuara për investime kapitale po i vlerësojnë si të ulëta. Ata po kërkojnë rritje të përqindjes për këto investime.

Eksperti i ekonomisë, Naim Gashi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se duhet të rritet përqindja për investime kapitale që gjenerojnë fitim afatgjatë dhe krijimin më të madh të vendeve të punës.

“Fakti se vetëm 36 për qind e buxhetit është e dedikuar për investime kapitale tregon nivel të ulët të shpenzimeve për këto projekte. Duhet të rritet përqindja për investime kapitale që gjenerojnë fitim afatgjatë dhe krijim më të madh të vendeve të reja të punës. Pjesa tjetër e buxhetit shkon në mallra, shërbime, paga dhe mëditje. Minimumi duhet të ishte të paktën 40 për qind, ndërsa unë insistoj që të jetë të paktën 50 për qind të buxhetit për investime kapitale”, është shprehur Gashi.

Sipas tij, për zhvillim më të mirë ekonomik Qeveria duhet të orientohet në sektorin privat.

“Për zhvillim më të mirë ekonomik Qeveria duhet të jetë e fokusuar në sektorin privat. Sektori privat duhet të jetë bartës i zhvillimit ekonomik. Gjatë vitit 2016 dhe 2017 për herë të parë sektori privat ishte bartës i rritjes ekonomike, sipas Bankës Qendrore dhe kjo praktikë duhet të vazhdojë”, ka përfunduar eksperti i ekonomisë.

Ndryshe prej tij mendon njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri. Sipas tij, investimi në projekte kapitale nuk duhet të jetë prioritet i Kosovës, kur ka fusha të tjera më të rëndësishme investimi.

“Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2018 është i orientuar kryesisht në investime kapitale dhe atë me 687 milionë euro dhe kryesisht në asfalt, pra gjëra të vdekura, jo që Kosova nuk ka nevojë për rrugë, por mendoj se nuk është prioritet i Kosovës shpenzimi i shumicës së buxhetit në asfalt, ku është zhvillimi ekonomik, shëndetësia, arsimi, kultura, punësimi, integrimet evropiane, pra një ndarje klienteliste e buxhetit dhe për interesa personale të grupeve të caktuara”, është shprehur Beqiri

Shkruan: Fitnete Rrahimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu