Mbi 300 policë nën hetime

0
963

Policia e Kosovës ka në strukturë rreth 8500 policë ndërsa gjatë vitit të kaluar 328 prej tyre janë hetuar nga Inspektorati Policor për shkelje të procedurave ligjore. Këto statistika që janë publikuar nga Inspektorati dhe dënimi e hetimi ndaj policëve të tjerë, kanë motivuar kryetarin e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi që të vazhdojë akuzat mbi policinë e Kosovës.

Deputeti i “Vetëvendosjes” në këtë komision, thotë Policia e Kosovës, komandantët e saj, ministria e Brendshëm e madje edhe kryeministri Thaçi janë të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion. Ai ka thënë se akuzan e tij e mbështet në fakte, duke thënë se dy vjedhjet në dhomën e dëshmive në Prishtinë respektivisht të Pejës tregojnë më së miri se zyrtarë të policisë janë të përfshirë në krim të organizuar.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Policisë së Kosovës e konsiderojnë deklaratën e Krasniqit si tendencioze ,e cila sipas tyre, ka për qëllim jo vetëm njollosjen e njësiteve të Policisë së Kosovës por dhe të njësive speciale.

Megjithatë, kohëve të fundit për disa zyrtarë policor inspektorati i policisë kishte marrë masa suspendimi pasi kishte konstatuar shekeje nga ana e tyre. Rastet e fundit lidhen me pjesëmarrjen e policëve në lojëra të fatit, kondrabandim me qenie njerëzore.

Megjithatë në bazë të raportit vjetor të Inspektoratit Policor të Kosovës shihet se gjatë vitit 2013 janë evidentuar 8458 punonjës të PK-së. “Në total 328 punonjës kanë qenë subjekt i hetimit të inspektoratit. Te paraqitur në formë përqindjeje kjo i bie që 4 për qind i tërë punonjësve të PK-së ishin nën hetim”, thuhet në raport.

Ndërkaq, vet Florin Krasniqi nuk tërhiqet nga akuzat e tij. Ai ka thënë se atë që e ka thënë një ditë më parë e pos provave faktike e mbështet edhe me prova gjeneralë. Sipas tij, janë rastet e dy dhomave të dëshmive të cilat janë vjedhur, ajo në Prishtinë dhe në Pejë.

“A mund dikush t’i besojë këto vjedhje që nuk është bërë pa lidhjen e pushtetit, padijeninë e njerëzve më të mëdhenj të policisë, ministrit e kryeministrit, nuk kishin mund të bëhen këto veprime në polici. Unë mendoj si qytetar dhe deputet se njerëzit që i kanë thyer dhomat e dëshmive e kanë lidhjen prej kryeministrit”, ka thënë Krasniqi duke shtuar se ata që thyen këto dhoma janë të lidhur vet me kryeministrin.

Përndryshe, sipas tij, involvimi i EULEX-it dhe i të gjitha instancave të tjera do t’i kishin gjetur këta njerëz sepse vjedhja është bërë brendapërbrenda policisë.

Këta njerëz, ka thënë Krasniqi, nuk janë gjetur për faktin se janë vegla të Hashim Thaçit. “Edhe askush nuk guxon t’i prekë dhe ky është fakt. Është rrjedhojë logjike e një sistemi të korruptuar demokratik”, ka thënë Krasniqi.

Se ka policë të inkriminuar tregon fakti se për rrahjet brutale që i janë bërë deputetëve të “Vetëvendosjes”, askush nuk është ndjekur. E në anën tjetër për një zyrtar serb që është ndaluar në mënyrën më profesionale, hetohen 11 zyrtarë policorë.

Kosova transit i drogave, policia u ndihmon kriminelëve

“Unë nuk kam problem me ata njerëz që kanë rënë në verifikim, por me ata që kanë kaluar verifikimin dhe janë favorizuar nga politika dhe janë të lidhur me pushtetin pa e akuzuar agjencinë që është në shërbim të pushtetit. Këto janë prova të mjaftueshme për policinë, ministrin dhe kryeministrin”, ka thënë Krasniqi.

Ai shkon më tutje duke thënë se Kosova është vend transit i drogave, kjo thuhet në çdo raport madje edhe ndërkombëtar “dhe po mos të ishin policët të lidhur me pushtetin nuk do të mund askush ta bëjë as edhe një qese më drogë”.

Nga kjo, sipas Krasniqit del që politika i di të gjitha dhe me mbështetjen e pushteti bëhen të gjitha gjërat e pista në Kosovë. “Ato që i di nuk guxoj t’i them sepse jam kryesues i komisionit dhe pa u bë të njohura nga organet e drejtësisë, unë nuk mund të tregojë asgjë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, Rashit Qalaj drejtor i Departamentit të Operativës në Policinë e Kosovës thotë se Krasniqi me deklaratën e tij është tendencioze dhe ka për qëllim jo vetëm njollosjen e njësiteve të Policisë së Kosovës por dhe të njësive speciale. Sipas tij, policia e Kosovës është shumë e hapur shumë transparente dhe çdoherë kur ndonjë individ brenda policisë së Kosovës ka qenë i dyshuar për implikim në ndonjë vepër penale ose ka bërë ndonjë shkelje policia ka qenë institucioni që më së shumti është marrë me vetveten.

“Deklaratat e Krasniqit dhe lidhja e verifikimit që bëhet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës me protestat që kanë ndodhur në të kaluarën qoftë në Prishtinë apo diku tjetër, tregon qartë se është një tendencë që Krasniqi tenton ta sulmojë policinë e Kosovës”, ka thënë Qalaj duke ftuar Krasniqin që për çdo informatë që ka për cilido individ dhe cilido pjesëtarë të policisë së Kosovës të shkojë në Polici, Inspektoratin e PK-së, në Prokurori më të afërt dhe ta denoncojë.

Kjo sipas tij është obligim qytetarë, mirëpo aq më shumë kur Krasniqi është i zgjedhur i popullit është deputetë në Kuvendin e Kosovës.

“Edhe anëtarët tjerë nga i njëjti komision e kanë demantuar deklaratën në fjalë, mirëpo për ne është shumë shqetësuese që lidhet verifikimi i AKI-së me protestat e “Vetëvendosjes”. Këtë e them për dy arsye, njëra e kuptojmë se po vjen fushata zgjedhore dhe do të ketë zgjedhje shumë shpejtë dhe ndoshta zotëri Krasniqi ka obligime ndaj zgjedhësve të vetë dhe e dyta si një presion që tentohet t’i bëhet Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në verifikimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë Qalaj.

Tutje ka thënë ai se Policia e Kosovës nuk do të veprojë asnjëherë në bazë të agjendave të individëve të caktuar me qenë se individ të caktuar me agjendat e tyre bëjnë presion që polica e Kosovës të bëjë sipas tyre, por absolutisht jo, policia e Kosovës vepron vetëm sipas ligjit për policinë dhe ligjeve tjera që i kemi në Kosovë.

Kelani pranon se në Polici ka të përfshirë në krim

Nga ana tjetër, Baki Kelani ka thënë se Policia e Kosovës është institucioni i cili më së shumti është marrë me individë brenda organizatës. “Ne menjëherë kemi ndërmarrë veprimet tona policore, dhe për këtë mund të them që është institucioni i cili ka larguar punonjës të saj në shifër më të madhe. Kjo dëshmon që ne nuk përjashtojmë askënd duke përfshirë çdo punonjës që është brenda institucionit, por edhe të gjitha ata që janë të involvuar në krim”, ka thënë Kelani.

Arbër Beka ka thënë se kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Fitim Shishani së shpejti pritet të marrë pjesë në seancë dëgjimore dhe do të raportojë para Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, për këto çështje.

Florian Qehaja eksperti i sigurisë ka thënë po të ishte deputet do të ishte më i kujdesshëm në deklarata publike.

“Unë pajtohem që në Policinë e Kosovës ka elementë të tilla, por jo në atë masë sa të akuzohet njësia speciale apo një departament i tërë, nuk jam i sigurt nëse Krasniqi ja ka qëlluar departamentit të duhur të njësisë speciale”, ka thënë Qehaja. Ai ka thënë se Krasniqi duhet t’i shikojë elementet e tilla në AKI sepse edhe aty ka probleme të ndryshme.

“Mirëpo, nëse një deputet i kuvendit bënë këso akuza, atëherë me siguri ai ka fakte dhe ato fakte duhet t’i bëjë publike, sepse kjo është një akuzë e rëndë. Ai ka mandat ta mbikëqyrë AKI-në dhe nëse një institucion i sigurisë ka probleme ai është pikërisht AKI për shkak të menaxhimit të dobët dhe implikimeve të ndryshme dhe nepotizmit”, ka thënë Qehaja.

Disa policë të inkriminuar në krim

Deri më tani janë gjetur fajtorë disa policë të njësisë speciale që kanë marrë pjesë në atë që ishte quajtur “Rasti Sekiraqa” ku nga shpërthimi i një eksplozivi kanë humbur jetën dy qytetarë dhe disa të tjerë janë plagosur.

Lidhur me shpërthimin në fjalë, Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim për vepra penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Eksplozivi kishte shpërthyer më 27 shtator 2007 në lokalin “Sekiraqa”, që ndodhet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, nga i cili ishin plagosur edhe njëmbëdhjetë vetë, si Xhelal Sinani, Vigan Zeneli, Liridon Nishevci, Gëzim Syla, Esat Nishevci, Naim Hyseni, Fadil Berisha, Luan Kadriu, Shkëlqim Syla, Milot Kadriu dhe Teuta Kadriu.

Rasti ishte konsideruar si hakmarrje e zyrtarëve policorë për kolegun e tyre, Triumf Riza, që besohet që është vrarë nga njerëz të Enver Sekiraqës.

Mirëpo, gjashtë vjet pas shpërthimit të eksplozivit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka deponuar aktakuzën e dytë që i akuzon tetë veta për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e njëmbëdhjetë të tjerëve.

Dyshimet për kryerjen e veprave të njëjta penale rëndojnë edhe mbi policët Bejtullah Mehmeti (1979), Luan Qerkini (1977), Bekim Suma (1970), Fadil Sadiku (1979), ish policët Arbresh Dalipi (1981) e Mehmet Mehmeti (1975). Të gjithë këta pjesëtarë të ish njësive speciale.

 

Nga: Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu