Mbi 4 mijë euro në muaj nga “objekti i paligjshëm”

0
526

Prishtinë, 23 mars – Mbi katër mijë euro në muaj janë derdhur në llogarinë bankare të djalit të ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, për shfrytëzimin e një objekti që dyshohet se është ndërtuar në mënyrë të paligjshme.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka qenë e vendosur në objektin e ndërtuar nga familjarë të Nuhi Ukës në pronë komunale afër Muzeut të Kosovës. Ajo nga viti 2005 deri në vitin 2010 për qira ka paguar nga 4.300 euro në muaj. Kjo veprimtari për prokurorin e EULEX-it, Maarten Groothuizen, është e paligjshme. Ai ka nisur hetimet kundër Fehmi Havollit, zyrtar i Gjeodezisë në Komunën e Prishtinës, Nuhi Ukës, ish-kryetar Gjykate, Sanije Muqollit, ish-gjyqtare dhe Naser Krasniqit, avokat i komunës. Ata dyshohen për katër vepra penale – legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë, mashtrim, pengim i të provuarit dhe shpërdorim i pozitës zyrtare.

Prokuroria dyshon se prona me adresë në rrugën “Hamdi Mramoni”, numër 1, e njohur më parë si rruga e Shkupit, që gjendet pas Muzeut Kombëtar të Kosovës, në pjesën e vjetër të Prishtinës, është marrë nëpërmjet mashtrimit.

Prokurori pretendon se Gjykata Komunale e Prishtinës, përkatësisht gjyqtarja Sanije Muqolli, ka nxjerrë vendim që prona komunale të tjetërsohet dhe të qitet në emër të prindërve të bashkëshortes së Ukës. Por kjo mohohet nga Uka. Ai thotë se e gjitha është një keqkuptim, sepse Gjykata nuk ka bartur pronësinë, por ka vendosur për të drejtën e shfrytëzimit të përhershëm. Ai thotë se dyshimi i prokurorisë për bartje të dokumenteve false ka ardhur për shkak të emërtimit të rrugëve.

“Ky dyshim i tyre ka ardhur për shkak të emërtimit të rrugëve, duke aluduar në rrugën ‘19 Nëntori’ që tash quhet rruga ‘Garibaldi’ e jo sheshin ‘19 Nëntori’ përballë Grandit. Ai shesh është quajtur ‘Sheshi i Republikës’ jo ‘19 Nëntori’. Aty është dyshimi”, ka thënë ai.

Prokurori ndërkohë ka lëshuar një urdhër për ndalimin e shitjes ose transferimin e pronësisë së tokës apo ndërtesës në parcelën kadastrale 5602 në vendin i cili tani quhet rruga “Hamdi Mramoni” numër 1. Ai ka urdhëruar bllokimin e një llogarie bankare, e cila thotë se është e Nuhi Ukës, çka mohohet nga ai. Ai thotë se llogaria është e djalit të tij dhe një e motrës së gruas, e cila, sipas tij, është bashkëpronare e objektit së bashku me 5 motrat tjera të saj përfshirë gruan e tij.

Prokurori thotë se bartja e pronës nga gjyqtarja Sanije Muqolli është bërë në kundërshtim me përmbajtjen e dy raporteve të gjeodezisë. Ai ka shkruar në urdhrin për sekuestrim të përkohshëm se ekzekutimi i ndërtesës komerciale afariste në këtë parcelë dëshmon se përmbajtja e secilit prej këtyre dokumenteve ishte i rremë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu