Mbikëqyrja po vazhdon!

0
788

Jo vetëm që nuk po përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, por po errësohet perspektiva për sovranitet në kohën kur po behën përgatitjet për kompromise të dhimbshme për veriun e Kosovës.

Ky është vlerësimi që e dhanë të enjten ligjvënësit kosovarë gjatë seancës plenare të Kuvendit, të cilët adresuan kritika të ashpra në drejtim të Qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi rreth pompozitetit që po i jep përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit. Sipas deputetëve nuk po përmbyllet procesi i mbikëqyrjes, por po mbyllet vetëm Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO).

Deputeti nga partia opozitare “Vetëvendosje”, Liburn Aliu, tha se Kosova nuk po ecën drejt një shteti normal.

“E tëra që po mbyllet është Zyra e ICO-së dhe kjo po quhet heqje e mbikëqyrjes. Vetë fakti që një gjë e tillë po ndodh në kohën kur po bëhen përgatitje për dialog politik me Serbinë për veriun e Kosovës, tregon që nuk po ngjan e ashtuquajtura përmbyllje e mbikëqyrjes për të shtuar pavarësi për shtetin, por për t’i hequr territor vendit tonë. Kompromiset që do të bëhen do të jenë përtej pakos së Ahtisarit, dhe meqë këta duan të shkojnë edhe përtej Planit të Ahtisaarit, kjo i bie se duhet të shkojnë edhe përtej Peter Feithit”, ka thënë Aliu. Sipas tij, në të ardhmen do të bëhen kompromise shtesë, dhe në këtë drejtim, ka shtuar ai, do të ketë depërtim edhe më të thellë të Serbisë në Kosovë.

“Çdo negociatë, çdo takim, çdo tentativë për ndryshime të gjendjes, shpie në kompromise shtesë. Tani do të kemi çdoherë pazare, ku kërkohen ulëse shtesë, kërkohen komuna, zona të veçanta, të drejta shtesë, status i veçantë për veriun, dhe të gjitha këto janë të mundshme. Prandaj, me këtë politikë, vetëm një gjë nuk është e mundshme, e ajo është se nuk do të ketë ndryshime në drejtim të duhur”, ka thënë Aliu.

Ndërkaq, në seancën plenare të Kuvendit, deputetët kanë kontestuar çështjen e votimit të amendamenteve të pakos së 21 ligjeve që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, të miratuara javën e kaluar, sipas Komisionit Ad-Hoc për Amendamentimin e Kushtetutës.

Deputeti i PDK-së, Hydajet Hyseni, kërkoi rishikimin e votimit të amendamenteve, duke kërkuar nga kryetari i Kuvendit, dhe nga presidentja e shtetit që të mos nënshkruajnë Ligjin për Përfundimin e Mbikëqyrjes së Pavarësisë, ku përfshihen 21 ligje.

Ai tha se në rast se do të bëhet nënshkrimi i këtij ligji, atëherë do të kërkojë sqarim nga Gjykata Kushtetuese. Për këtë çështje u zhvillua debat i ashpër në mes deputetit të LDK-së, Sabri Hamitit dhe kryeparlamentarit Jakup Krasniqi rreth shkeljeve procedurale.

Derisa i pari kontestoi çështjen e votimit të amendamenteve, i fundit tha se pakoja ligjore me 21 ligje është aprovuar dhe ky fakt është “muhabet” i kryer, edhe pse kanë marrë pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit, por që komunitetet kanë votuar kundër, që do të thotë se këto amendamente nuk e kanë marrë votimin e dyfishtë.

Deputeti nga LDK-ja Hamiti akuzoi kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqi, për falsifikim të shifrave (votat e deputetët), duke i thënë se “për falsifikim shifrash shkon në burg”.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të Kuvendit Krasniqi, i cili i është drejtuar deputetit të LDK-së, me fjalët “nuk jeni këtu për t’i larguar njerëzit nga puna”. Pas këtij debati fjalën e mori deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, i cili tha se “nuk është koha e shfaqjeve patriotike, pasi që ne të gjithë jemi patriotë të mëdhenj. Por dua të them se këtij ligji i jemi qasur me përgjegjësi të plotë dhe ai ka kaluar”.

Ndërkaq, deputetja serbe, Vesna Mikiç, fajësoi komunitetin ndërkombëtar që, sipas saj, nuk ka arritur t’i realizojë pritjet e serbëve në implementimin e standardeve, sidomos në çështjet pronësore. Por, deputetja serbe mori një përgjigje nga kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili tha “standardet janë plotësuar, por në shekullin 21 nuk mund të shkohet me syzet e Millosheviqit”.

Ligjvënësit kosovarë ndërkaq me propozim të LDK-së kanë hequr nga rendi i ditës Projektligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti. Sipas deputetit të LDK-së, Ali Sadriu, ky projektligj është diskriminues sidomos për mësimdhënësit që kanë punuar para vitit 1999.

“Është turp që të mos njihet stazhi i punës për punonjësit e arsimit shqiptar që kanë për periudhën 10-vjeçare para lufte. Ky projektligj duhet t’i kthehet qeverisë për ndryshim”, ka thënë ai.

Mocioni i LDK-së për heqje nga rendi i ditës u hodh në votim dhe mori përkrahjen e pothuajse të gjitha grupeve parlamentare në përjashtim të AAK-së, subjekt ky i cili vlerësoi se deputetët duhet debatuar rreth këtij projektligji dhe ta votojnë kundër e më pas t’i kthehet qeverisë për përmirësim.

Ligjvënësit kosovarë në vazhdim kanë shqyrtuar disa projektligje, ndërkaq të premten pritet që deputetët me 2/3 votave ta ratifikojnë këtë letërkëmbim të presidentes së Kosovës, Atifete Jahajaga me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikës të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, për zgjatjen e mandatit të EULEX-it edhe për dy vitet e ardhshme.

 

Nga Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu