Mbyllja e “Javës Çame, publikohet libri për një figurë të Çamërisë, Jasin Sadikun Kapedani i Margëlliçit, një monografi nga historiani Hajredin Isufi

0
763

Pas disa monografive të suksesshme për figura historike si ajo për Dom Nikollë Kaçorrin dhe Musa Demin, historiani i palodhur, një ekspert dhe arkiv i gjallë veçmas për historinë e Çamërisë, Hajredin Isufi apo “profesori”, siç e njohin të gjithë, publikon një monografi të re kushtuar një figure pothuaj aspak të njohur, një libër për Jasin Sadikun, kapedanin çam të Margëlliçit, i cili rezulton një figurë interesante e historisë së Çamërisë në vitet ’30-’40 të shekullit të kaluar, pikërisht në atë periudhë kur u vendos fati tragjik i kësaj treve shqiptare që, për fat të keq, iu dhurua Greqisë jo vetëm nga Fuqitë e Mëdha që bënin ligjin mbi kufijtë e Ballkanit të asaj kohe, siç thuhet rëndom në literaturën historike, por u vulos edhe si rezultat i marrëveshjeve të hapura e të fshehta të fqinjëve në kurriz të shqiptarëve, siç ishte rasti i marrëveshjes greko-turke për shkëmbimin e popullsisë. Kjo marrëveshje, që shpesh mënjanohet nga kujtimet e sjelljet politike në partneritet rajonale që ndërton shteti shqiptar, u bë çelësi grek për pastrimin etnik të trojeve shqiptare në Çamëri, duke i shitur shqiptarët si myslimanë turq në shkretëtirat e Anadollit, ashtu si u përdor më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, karta e gjoja bashkëpunimit të çamëve me fashizmin.

Jasin Sadiku (1888-1942), arrestuar dhe arratisur nga burgu në Greqi, mërguar dhe jetuar në Shqipëri (Lushnje) për disa vjet e rikthyer në Greqi në vitet ’40, një figurë pothuaj e panjohur deri para publikimit të kësaj monografie, rezulton sa pjesë e historisë së Çamërisë, e vorbullës dramatike dhe tragjike të  saj, aq edhe një individualitet me ndikim në këtë histori, sidomos për rajonin e Prevezës dhe të krahinës së Margëlliçit ku u lind, punoi dhe veproi për shumë kohë. Përmes dokumenteve, dëshmive, analizave autori i monografisë për Jasin Sadikun shpalos të vërtetat dhe manipulimet historike që u bënë për Çamërinë pas vitit 1912. Vlera e kësaj monografie, që në pamje të parë duket si një biografi për një individ të spikatur, në të vërtetë qëndron tek mjeshtëria e autorit për të shpalosur përmes kësaj figure historinë e Çamërisë, historinë e Shqipërisë e shqiptarëve përballë sfidës së asimimilit dhe nacionalizmit shovinist.

Libri “Jasin Sadiku, kapedani çam”, botuar nga shtëpia botuese “Naimi” në kuadër të “Javës Çame”, zbulon enigmën e një prej vrasjeve më të bujshme gjatë Luftës së Dytë Botërore në Çamëri, pikërisht vrasjen e Jasin Sadikut në dhjetor 1942, në një nga periudhat më të komplikuara të historisë së kësaj krahine, kur ndërthureshin e vepronin shumë faktorë njëherësh si pushtimi italo-gjerman, fronti fashist dhe antifashist në Greqi, ndërkohë që pritej orientimi i komunitetit çam në këtë katrahurë. Jasin Sadiku, kapedani i Margëlliçit, njeriu më me ndikim e autoritet në këtë krahinë, i cili sapo kishte finalizuar një kuvend mirëkuptimi mes shqiptarëve myslimanë e të krishterë si edhe komunitetit vllah të krahinës, vritet pabesisht nga një bashkëpunëtor i Napolon Zervës. Për më tepër, siç del nga libri, Jasin Sadiku ishte i ftuar edhe në konferencën e Pezës si përfaqësues i krahinës së Prevezës. Kush qëndronte pas kësaj vrasje të bujshme për kohën, që intrigonte shqiptarët mes njëri-tjetrit, përkatësisht myslimanë e ortodoksë, rrymat politike e nacionaliste greke dhe qarqet fashiste pushtuese? Libri i Hajredin Isufit jep hollësi mbi rolin dhe synimet e të gjithë aktorëve në këtë vrasje dhe pasojat imediate dhe të mëvonshme mbi shqiptarët e Çamërisë.

 

Nga Naim Zoto

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu