Me forcat serbe komandonin oficerët rusë

0
1058

Duke e vlerësuar situatën se çka mund të ngjajë nëse hamenden në taktizim, aty kah ora 10:00, komanda serbe do të urdhërojë për sulm regjimentin 2 (pa një batalion) dhe Batalionin e tretë nga regjimenti 3, duke e përkrahur nga Divizioni i artilerisë (pa batalionin 3) që menjëherë të kalojnë në sulme dhe t’i përmirësojnë pozicionet duke e larguar llogoren e nizamëve shqiptarë në fshatin Mirovc. Me këtë synohej që Regjimenti I në saje të përkrahjes së Baterisë 3 fillojë për ta sulmuar Majën e Matarovës. Ajo njësi sllave pastaj kishte për synim që të depërtojë në Dumnicë të Poshtme dhe kështu të pozicionohet në istikamet e nizamëve. Kjo taktikë sllave ishte treguar e suksesshme, kur formacioni i Regjimentit 2 kishte filluar të dalë në vijën kufitare për sulme të mëtejme ofensive.

 

Forcat shqiptare në mbrojtje me dy batalione të kreshnikëve

Në ato kushte, Regjimenti 3 prej Eshalonit të dytë (pa një batalion), menjëherë do të orientohet në fortifikatën e Borovcit, duke marrë pozitë të re për sulm, gjithnjë për t’i ndihmuar Regjimentit 2. E tërë kjo strategji udhëhiqej prej oficerëve rusë, të cilët ishin të njoftuar me tërë forcën shqiptare, si prej agjentëve të tyre të shumtë nga misionet e murgjve, po ashtu edhe prej shumë informatorëve në kuadër të tarafeve tradhtarë në ushtrinë osmane.

Pasi që Regjimenti 2, nuk e kishte filluar sulmin me kohë, Regjimenti 1 kishte kaluar në sulm rreth orës 12. Dokumentet serbe theksojnë se duke mos pritur mundësi që të arrijë Bateria 3, e cila ka qenë dashur ta përkrahë, ai në bashkëveprim të Regjimentit 12, të Divizionit I të Shumadisë dhe përkrahjes së një baterie nga i njëjti divizion, do të dalë në shkrepin kufitar. Të njëjtat forca serbe kishin kaluar pa vështirësi kah Dumnica e Ulët dhe kah istikamet e nizamëve. Sulmi, megjithatë nuk kishte përfunduar ashtu si mendonin serbët, sepse istikamet e nizamëve ishin treguar të pathyera. Mbrojtja shqiptare kishte treguar se ka tjetër karakter edhe pse ishte e armatosur shumë dobët. Mu për këtë shkak, aty kah ora 17:00, Komanda e Divizionit II të Moravës, kishte urdhëruar që sulmi të ngadalësohet dhe të ndalohet, duke u përqendruar në kufi, sepse forcat shqiptare u kishin dalë serbëve në krahun e djathtë kah Dumnica e Ulët dhe në krahun e majtë kah Merdari me dy batalione të kreshnikëve. Kështu hovi serb ishte ndaluar për një kohë, para zjarrit mbrojtës të shqiptarëve.

 

Përgatitjet për pozicion superior në mbrojtje

Këto operacione ishin bërë edhe në regjionin e Regjimentit 12 të Divizionit I të Shumadisë. Por, pasi që në urdhëresën serbe nuk theksohej tërheqja në kufirin e caktuar ndërkombëtar (1879), ndërsa shqiptarët nuk jepnin shenja se do të sulmojnë, Regjimenti I serb kishte vendosur që të stacionohet në vijën e parë kufitare, pozitë kjo që i kishte mjaftuar njësisë shqiptare të kreshnikëve të studiojë mirë qëllimet serbe dhe të marrë pozicion superior për mbrojtje. Kështu, njësia e Kreshnikëve shqiptarë, kishte vendosur që ta mbrojë vijën e istikamit të nizamëve.

Ndesh me Urdhëresën e Divizionit 2, nuk kishte kaluar në sulm, sepse duhej akorduar veprimin me Batalionin 4 të Regjimentit 3, i cili e kishte për detyrë që të sulmojë në krahun e majtë dhe pastaj të okupojë territorin e pyllëzuar juglindor prej Karakollit të Merdarit në lindje, ku llogaritej se gjendeshin forcat më të përgatitura shqiptare. Kështu kishin kaluar dy orë derisa ishin përforcuar pjesët e Batalionit 2 të Regjimentit 2 të thirrjes së III. Lidhur me këtë, shihet qartë se me forcat serbe komandonin oficerët rusë, sepse ata ishin autorë të instalimit gllomaz në front, instalim ai që pastaj shkaktonte probleme, si në akordim, ashtu edhe në lëvizjen eventuale me sistem strategjik. Kjo formë e luftës, sipas dokumenteve serbe, shihet se i nervozonte serbët, të cilët kishin synime të depërtimit me lehtësi, në forma guerile çetnike dhe të rrufeshme. Por, ato qëllime i kishin edhe shqiptarët, me të cilat serbët dilnin se nuk janë të barabartë. Prandaj, planet e oficerëve rusë nuk ishin të pabaza, sepse mbrojtjen shqiptare mund ta shkatërronte vetëm një sulm masiv këmbësoro-artilerik gjë që edhe do të zbatohet me përpjekje gjatë operacioneve.

Në këto rrethana shqiptarët do të këndojnë përkundër pësimeve:

…Lum Shipnija ka e ka të parë,

Për m’i dal shkaut n’Merdar,

E ka Beqën dhe Nezirin,

Qi Murati (Xhakja) e ka më të mirin.

E ka Beqën dhe Fazlinë (Xhakën),

Se lanë në Kosovë me dalë Serbinë.

(…)

 

Nesër:

 

• Cilat ishin shanset e shqiptarëve që të destabilizojnë efektivat serbe?

• Nga sa bateri serbe përkrahej sulmi serb në drejtim të Merdarit?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu