“Më keq se sot, jemi drejtuar nga Dushani”

0
474

Shkrun: Gilmana Bushati

Studiuesi Pëllumb Xhufi, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” flet për situatën aktuale duke bërë një krahasim me ngjarje të ngjashme të ndodhur në Shqipërinë tonë. Sipas tij, këta që drejtojnë shtetin sot, nuk kanë asnjë interes, as atë kombëtar

, që të sponsorizuar nga qarqe të dyshimta, ashtu siç qenë disa bashkëkombës tonë jo dinjitozë, po bëjnë të gjitha përpjekjet për të mbajtur pushtetin, duke përdorur këtu edhe vrasjet. Deklarata e së hënës paradite në mbledhjen e grupit parlamentar, ku Berisha i quajti pjesëmarrësit në revolucionin të qershorit të vitit 1924, si “bashibozukë” apo “aventurierë politikë”, sipas Xhufit, është dalja e hapur e kryeministrit të një vendi në krah të atyre, që deshën ta shkatërronin Shqipërinë. Xhufi i kujton Berishës që t’i referohet mirë historisë, se edhe shqiponja që mban në Kryeministri nuk është e shqiptarëve, por e Stefan Dushanit të Serbisë.

 


Zoti Xhufi tani që Shqipëria që duket se është kthyer në pikën zero, si shumë herë të tjera, me çfarë ju ngjan, pra cila është ajo ngjarje në historinë e lashtë dhe atë të re të shqiptarëve?

Shqipëria ka njohur edhe më parë një zhvillim historik me spazma, me ndërprerje e kthime prapa. Kjo lidhej me copëzimin e madh krahinor, kulturor e fetar, nga njëra anë, por edhe nga ndikimi i madh që fuqitë e huaja, përkatësisht ato fqinjë, kishin tek elitat sociale e politike të vendit. Kujtoj p.sh., që në fillim të shek. XIII, pas shekujsh sundimi bizantin, principata e Arbërit u duk se u orientua nga Perëndimi, duke u lidhur politikisht e kishtarisht me fuqitë europiane dhe me Papatin. Me sa duket ky orientim europian u ndërpre shpejt, sepse shohim që mbi principatën e Arbërit vendoset përsëri ndikimi i Bizantit e sidomos i Serbisë. Shprehje e këtij ndikimi është edhe martesa e princit Dhimitër të Arbërit me Komnenën, vajzë e mbretit serb Stefan Nemanja. Një shembull më i ri është ai i vitit 1914, kur Shqipëria e porsa pavarësuar dhe e drejtuar nga ajka e inteligjencës dhe e qytetarisë, rrezikoi të përmbytet nga hordhitë haxhiqamiliste, të nxitura e të manipuluara nga Beogradi e Athina si dhe nga vegla e tyre në Shqipëri, Esad Pashë Toptani. Pra këto ngërçe historike, ku do përfshija edhe këtë aktualin, janë rezultate të përplasjeve që ndodhin tash kah mot mes shpirtit e kulturës europiane e demokratike, e përfaqësuar sa nga etërit e Rilindjes, aq edhe nga të rinjtë e rezistencës antifashiste në vitet 1940 apo nga ata të lëvizjes studenteske të dhjetorit 1990, nga njëra anë, dhe shpirtit e kulturës bizantino-otomane, të përfaqësuar nga turmat haxhiqamiliste e nga krerë anadollakë fisesh e krahinash, të montuar e të sponsorizuar më së shumti nga Beogradi e Athina, të cilët asnjëherë nuk kanë munguar të shfrytëzojnë injorancën, veset e kotësinë e tyre.


Pse rikthehemi sërish te kjo pikë, mendoni se është vetëm nga karakteri i vështirë dhe kokëfortë i shqiptarëve, pra pse përsëritet i njëjti refren?

Le të rrimë vetëm në ngërçet e këtyre 20 vjetëve të tranzicionit. Dhe le t’i analizojmë ato nëpërmjet historisë politike të një protagonisti të përhershëm të krizave të demokracisë shqiptare, të zotit Berisha. Përfaqësues tipik i Shqipërisë së vjetër z. Berisha ka krijuar një sistem antidemokratik brenda partisë së tij e brenda institucioneve të shtetit, i cili siguron pushtetin e tij, në mënyrë të pandarë e të pakushtëzuar. Edhe pse bartës dështimesh e tragjedish epokale, zoti Berisha vazhdon të jetë në majat e pushtetit. Është i vetmi lider i Europës Lindore, i cili ka mundur të mbijetojë politikisht, në një kohë kur personalitete të tilla madhore, si Valesa, Havel, Kuçan e plot të tjerë, të cilët kanë moshën e tij, por nuk bartin aspak mëkatet e tij, ka vite që janë kthyer në pensionistë të thjeshtë, të vlerësuar e të respektuar nga populli i tyre. Zoti Berisha nuk reziston sepse njerëzit e duan, sepse fiton zgjedhjet. Jo, ai mbijeton me zgjedhje të vjedhura, me institucione të kapura, me korrupsion, me shantazh, me frikë. Demonstrata e 21 janarit ishte një ulërimë e popullit të revoltuar ndaj një qeverie e një mënyre të tillë qeverisjeje, ndaj zoti Berisha përdori dhunën e egër, deri dhe vrasjet, për të ruajtur një status quo, që nuk mund të mbahet më. Vështroni një aspekt tjetër të zotit Berisha, marrëdhëniet e tij me opozitën. Dhuna verbale, shantazhet, kërcënimet me vdekje, diversionet synojnë thjesht demonizimin e deri shkatërrimin e opozitës, sa herë që kjo tenton të jetë në rolin e vet. Kush mund të përmendë qoftë edhe një gjest të vetëm mirëkuptimi, tolerimi, kompromisi e dialogu me opozitën nga ana e kryeministrit? “Nuk mund të ketë dialog, kur njëra palë kërkon të ketë gjithçka e nuk pranon të lëshojë asgjë”, – deklaroi para ca ditësh një përfaqësues i huaj në Tiranë. Dhe, me siguri fjalën e kishte për zotin Berisha. Ky ka treguar në këta 20 vjet se me të mund të bisedohet, vetëm po u pranuan arsyet e qëllimet e tij. Kundërshtarët e tij të dikurshëm, Fatos Nano e Ilir Meta u transformuan papritur nga “kriminelë” e “padrino” , në “liderë historikë të së majtës”, në “paladinë të integrimit”, vetëm kur pranuan të futen nën ombrellën e tij.

Sa e rrezikshme për ne është rikthimi te një pikë e vdekur, kur shumë faktorë përpiqen të na pajtojnë dhe ne nuk gjejmë rehati dot as me veten?

Rikthime të tilla mbrapa bëhen gjithnjë e më të rrezikshme për Shqipërinë, pasi me ritmin e një çekani, rrahin në të njëjtën pikë të dobët të imazhit tonë, diku duke futur dyshimin, diku tjetër duke përforcuar bindjen, se shqiptarët janë ende të papjekur për të jetuar në një kontekst demokratik. Ne të gjithë e ndjejmë se sot, partnerët tanë ndërkombëtarë janë gjithnjë e më shumë indiferent ndaj problemeve tona, shumë më tepër se në vitin 1990, 1997 apo 1998. A ka pasur raste të tjera në historinë tonë, kur të huajt kanë ndërhyrë për të pajtuar politikanët shqiptarë? Duke përjashtuar historinë e 20 vjetëve të fundit, zakonisht të huajt kanë ndërhyrë jo për të pajtuar, por për të përçarë ose për të sjellë në pushtet klanet ose agjenturat e tyre. Kujtoni rastin ekstrem të Esad Pashë Toptanit, i cili megjithëse urrehej e përçmohej nga shqiptarët, doli disa herë në paraskenën e jetës politike në Shqipëri, një herë si beniamin i turqve, herën tjetër si mik i serbëve, pastaj i grekëve, më tej i italianëve e në fund edhe i francezëve. Natyrisht, përpjekjet që sot ndërkombëtarët bëjnë për të ndërmjetësuar në tejkalimin e krizës politike e institucionale, nuk kanë asgjë të përbashkët me ndërhyrjet e natyrës klienteliste e agjenturore të fillimit të shekullit XX. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend afër BE-së, dhe si e tillë problemet e saj janë edhe probleme të partnerëve të saj. Në këtë kuptim, unë gjej edhe një rast tjetër në historinë tonë të vjetër, kur të huajt kanë ndërhyrë me të njëjtin disponim pozitiv e qasje prej aleati, për të sheshuar kontradiktat mes vetë shqiptarëve. E kam fjalën për ndërhyrjen e Papës Kaliksti III (1458) dhe Papa Piu (1459), për të pajtuar Gjergj Kastrioti Skënderbeun me princin Lekë Dukagjini e vëllezërit e tij. Ashtu si sot, edhe atëherë Shqipëria ishte pjesë e një aleance të madhe anti-turke të Europës e udhëhequr nga Papati, dhe kjo aleancë nuk mund të toleronte që grindjet midis prijësve shqiptarë të komprometonin qëndrueshmërinë e kësaj aleance në pikën më delikate të frontit anti-turk, d.m.th, në Shqipëri.

Pse nuk kemi mësuar nga “bëmat” e historisë sonë zoti Xhufi?

Pas puçit haxhiqamilist të vitit 1998, më duket se kemi mësuar më së paku, që në pushtet nuk vihet me dhunë. Por edhe ky mësim ka ndikuar për keq në një drejtim tjetër, i ka nxitur politikanët tanë, që të gjejnë rrugë më të sofistikuara, por gjithnjë të paligjshme, për të rrëmbyer pushtetin, siç është vjedhja e zgjedhjeve. Nuk kemi mësuar nga historia faktin që burrat që kanë drejtuar këtë vend, jo gjithnjë kanë qenë burra të mirë: kemi pasur plot edhe qeveritarë injorantë, të paaftë, të dhunshëm, të shitur te të huajt, të korruptuar e korruptues, autokratë, antipopullorë e antishqiptarë. Harrojmë që ky vend ka pasur drejtues, që kanë nxjerrë në pazar deri interesat e vendit, kanë shitur nderin, dinjitetin, integritetin, tokën e detin pa iu dridhur dora fare. Dhe është vërtet e trishtueshme, që gjeneralë të tillë nuk ngelen asnjëherë vetëm, e gjejnë gjithnjë një grusht ushtarësh, të lidhur pas tyre me lëmoshën e gojës, me vendin e punës apo me ndarjen e pola së vjedhur.

Të burgosurit politikë e lidhën këtë ngjarje me revoltën e Qafë Barit, ku ekzekutuesit e të vrarëve në burgje u dekoruan dhe u shpërblyen me 15 ditë pushime në Drilon. Ju me cilën gjë do e lidhni në këtë rast?

Do mund ta lidhja me sjellje të ngjashme të të gjithë diktatorëve. Por po kufizohem ta krahasoj këtë “apoteozë” të dhunës e të organeve të dhunës pas vrasjes së qytetarëve të pafajshëm, me një gjest identik të vetë Berishës. Më 28 maj 1996, pas shtypjes së dhunshme të manifestimit të opozitës kundër manipulimit të zgjedhjeve, zoti Berisha në atë kohë President, lëshoi një mesazh përgëzimi për forcat e rendit “që kryen detyrën e tyre në mbrojtje të ligjit e të demokracisë”. Domethënë, që masakruan në shesh e para kamerave të të gjithë botës opozitën dhe deputetët e opozitës. Me sa duket, në konceptin e tij primitiv, dhuna nuk dënohet, por shpërblehet.

Pse gjithnjë drejtuesit e shtetit kanë ndjenjën se janë në qendër të vëmendjes për t’u eliminuar, a nuk është kjo një retorikë e vjetër që na kujton mendësi të cilave duhet t’u largohemi, apo ata duhet të na largojnë vëmendjen ngaçështja më kryesore, te vrasjet?

Le t’i themi gjërat me emrin e tyre. Ata që i tremben atentateve e vrasjeve politike, janë gjithnjë politikanët me ndërgjegje të trazuar. Të tillë ne kemi plot. Ne kemi politikanë që kanë mbi ndërgjegjen e tyre shitjen e interesave kombëtare, vjedhjen e pasurisë publike, bashkëpunimin me krimin e organizuar, shkeljen e demokracisë, vrasjen e shtypit të lirë, varfërimin e deri vrasjen e qytetarëve të tyre. Politikanë të tillë i kanë të gjitha arsyet të kenë frikë nga njerëzit, e të lëvizin në shoqërinë e një ushtrie të tërë me gardistë, me uniformë e pa uniformë. Shikoni se ç’thuhet në një kronikë historike të shek. XV për sundimtarin serb të Janinës, Thoma Preljuboviçin, i cili i urrente dhe i tiranizonte aq keq shqiptarët, saqë janiniotët e mbiquajtën “shqiptaro-vrasësi”: “Despoti Thoma e do pushtetin për shkak të ambicies, si ambicioz bën padrejtësi, si i padrejtë është grykës, si grykës rrëmben, si rrëmbyes shpif, si shpifës shan, si sharës akuzon, si akuzues frikësohet, si frikacak vret, si vrasës mashtron, si mashtrues bën sikur ndërton kisha, sikur organizon festa e sikur shpërndan lëmosha” (To Chronikon ton Joanninon, bot. L. Vranussi, Athinë 1965, paragr. 6).

A mendoni se prapambetja jonë, qoftë historike, por edhe ajo aktuale vjen si pasojë e këtij drejtimi të keq të shtetit?

Dikush thotë, se fajtor për një gjendje të tillë është sa klasa politike, aq edhe shoqëria shqiptare, e cila me prapambetjen e saj nuk mund të prodhojë veçse një klasë politike të paaftë, të pandërgjegjshme, të korruptuar. Nuk më duket se është kështu. Në historinë e njerëzimit njihen raste të panumërta kur burra shteti me vizion e me integritet kanë tërhequr me shembullin e tyre popuj të varfër e të prapambetur drejt rrugës së lirisë, demokracisë e prosperitetit. Kujtoni se ç’ishte Turqia në vitet 1920, kur atë e mori në dorë një burrë shteti si Mustafa Qemali. Por, Mustafa Qemali hyri në rrugën e politikës duke u njësuar me interesat e kombit të tij. Problemi ynë është, se drejtuesit tanë të sotëm nuk vijnë si ngadhënjimtarë nga betejat, nuk vijnë as nga vota e popullit, por vijnë nga vota e vjedhur e në ndonjë rast, vijnë edhe si beniaminë të qarqeve e të interesave të huaja, përfshirë edhe ato antishqiptare. Dhe gjëja e parë që bëjnë kur vijnë në pushtet, është që të shpërblejnë shpurën e mbështetësve të tyre dhe të rimodelojnë institucionet e shtetit dhe vetë shoqërinë civile, sipas imazhit të vet. Të gatshëm për çdo lloj lëshimi të paprincipatë e antikombëtar ndaj “miqve” të tyre të huaj, këta politikanë tregojnë dhëmbët e sillen mizorisht deri në vdekje ndaj “armiqve të brendshëm” që u rrezikojnë pushtetin.

Kur është drejtuar ndonjëherë tjetër shteti më keq se sa sot, përjashto këtu diktaturën?

Në kohën e carit serb Stefan Dushani, i cili kishte vënë në krye të qeverisjes së vendit xhelatë, si Thoma Preljuboviçi i Janinës. Sipas burimeve historike, Shqipëria e viteve 1350, ishte kthyer në vendin e dhunës, të plaçkitjeve e të frikës së madhe. Sigurisht, Dushani e kishte një rrethanë lehtësuese, ishte pushtues.

Të hënën e kaluar zoti Berisha deklaroi ndër të tjera se ngjarja e 21 janarit është “Si një ngjarje, që në Shqipëri ka ndodhur vetëm në vitin 1924, kur aventurierët politikë, larguan me dhunë kryeministrin e vetëm në Ballkan të zgjedhur me votën e qytetarëve të tij dhe bënë, që ai të rikthehet dhe t’i përzinte nga pushteti, bashibozukët dhe aventurierët, që i morën pushtetin me forcë”. Çfarë komenti do t’i bëni kësaj deklarate zoti Xhufi, a mos këtu e ka fjalën për Nolin e madh?

Berisha ka gabuar gjithmonë kur ka tentuar t’i qaset historisë. Ngatërron gjithçka: datat, ngjarjet, personalitetet, simbolet. Po, po, edhe simbolet: ka marrë me vete në Kryeministri shqiponjën e Stefan Dushanit të Serbisë, dhe s’dihet se kush dreqin i ka mbushur mendjen se ajo është shqiponja e Skënderbeut! Për sa i përket rastit që ju përmendni, mua më duket se më në fund zoti Berisha e deklaroi hapur përkatësinë e tij politike, sociale e kulturore. Ai u rreshtua hapur si adhurues i atyre krerëve të shitur, të cilët me mercenarë të paguar nga Serbia luftuan qenërisht kundër pavarësisë së Shqipërisë. Luftuan kundër Ismail Qemalit, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit, Elez Isufit, që nëse zoti Berisha do të mësojë emrat e këtyre tradhtarëve, që e kishin aq shumë për zemër Serbinë, le të lexojë librin me kujtime të patriotit dibran Ismail Strazimiri, “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë”. Ka mundësi që pas këtij leximi ta kuptojë, se cila është ajo shtysë “historike”, që e bën atë të admirojë partinë e esadistëve dhe të urrejë partinë e fanolistëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu