Me këtë vendim Isa Mustafa themeloi Fondin e 3 përqindëshit (Dokument)

0
751

25 vjet më parë, Isa Mustafa, nënshkroi një dokument për të cilin po i kërkohet llogari tani.

Si ministër i atëhershëm i Financave të Qeverisë së Kosovës, bashkë me Bujar Bukoshin kryeministër, në vitin 1992, nënshkruan vendimin për themelimin e fondit të 3 për qindëshit.

Gazeta Fjala, sjellë dokumentin origjinal të asaj kohe, me të cilin kërkohej mbështetje financiare për Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila vepronte në ekzil.

Me këtë obligoheshin punëtorët që punonin në shtetet e jashtme, ata që gëzonin ndihma nga shtetet ku ishin strehuar dhe pronarët e firmave private të ndanin 3 për qind nga të ardhurat e tyre për këtë fond në shtetet ku jetonin, shkruan Gazeta Fjala.

“Bartës të grumbullimit të mjeteve në shtetet e jashtme janë Këshillat Koordinues të subjekteve politike, përkatësisht partitë politike dhe shoqatat e qytetarëve (lobi)”, thuhet në këtë dokument.

Mediat kanë raportuar se qindra mijëra euro janë tërhequr nga ky fondi i 3 përqindëshit mes viteve 2006-2011. Shuma prej 512 mijë e 936 eurove është nxjerrë nga bankat jashtë vendit nëpërmjet 16 transaksioneve të dyshimta.

Bukoshi e kishte pranuar në vitin e kaluar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh. Ai ka thënë se të gjitha janë bërë me miratimin e Bordit të Unionit të Fondeve të Republikës së Kosovës (UFORK), pjesë e të cilit ka qenë kryeministri aktual Isa Mustafa. E, Mustafa ka heshtur.

Këto para, sipas raportimeve të insajderit, janë tërhequr nga bankat në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë, ku janë të deponuara fondet e 3 përqindëshit.

Të dhënat e këtyre fondeve, tregojnë se Fondi i Republikës së Kosovës-i regjistruar si OJQ- ka llogari në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë.

Llogari për këtë fond, sot kryeministrit i ka kërkuar edhe zyrtari i lartë i NISMA’s, Jakup Krasniqi.

Sipas tij kryeministri dhe jesmenët e tij, (duke iu referuar reagimit të këshilltarit të kryeministrit, Bajram Gecajt) sa herë që ndodhen në vështirësi, përdorin gjuhën e “akademikëve” të nivelit të “lartë” që është goxha vështirë ta hasësh edhe në gjuhën e rrugës në qytetet tona.

“Ata nuk e kanë për gjë që të hedhin një mal akuzash ndaj atyre që i sollën në qeverisje të vendit. E në anën tjetër, harrojnë se e sabotuan luftën çlirimtare, nuk e dhanë asnjë llogari për fondin e trepërqindëshit, nuk dhanë raport për Dardania Bankën dhe i harruan 70 dosjet e të qeverisurit në Prishtinë!”, ka thënë Krasniqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu