Me ligji kundër të fortëve!

0
678

(E Plotsuar) Liburn Aliu, katër ditë pasi ka marrë detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit ju çon selam të gjithë atyre që shkelin ligjin se do të kenë punë me të.

Ai premtoi se do të jetë gardiani interesave të çdo qytetari që e do Prishtinën.

Aliu thotë se Rexhep Lucit nuk do t’i ndërtojë përmendore në bronz, por një përmendore më të mirë, atë që ai ka synuar, “zbatimin e ligjit ndaj të gjithë shkelësve”.

Ai kështu thotë në intervistën e parë dhënë “Zëri” duke folur për atë çka ka pritur e çka ka gjetur.

Rreth asaj se cilat janë te gjeturat në këtë Drejtori dhe si e filloi punën, Liburn Aliu thotë se ende është në hulumtim të të gjeturave duke marrë informacione.

Në pyetjen relaksuese të “Zërit” se a i keni porositur tashmë buldozerët dhe eksplozivin për gjithë ato rrënime që paralajmëroni?

Ai thotë: “jo, jo… ende jo. Por do të shohim…”.

Mirëpo Aliu garanton se shkelësit e ligjit, nëse janë edhe më të fortit në vend, do t’i luftojë deri në fund.

Aliu thotë se ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit në Kuvendin e Kosovës, për t’iu bashkuar qeverisjes së Shpend Ahmetit, kryetari të ri.

Zëri: Z. Aliu, si ju shkuan këto katër ditët e para të punës së re?

Aliu: Që në fillim kam kërkuar nga shefat e sektorëve dhe personeli një raport ashtu që ta shohim gjendjen reale.

Aq sa kemi mundur të shohim në sy të parë na duhet plan për ndryshimet e para të nevojshme, sa i përket drejtorisë brenda përbrenda, që ka të bëjë së pari me komunikimin përbrenda personelit, përmes emailave zyrtare.

Deri tash kjo paska munguar dhe komunikimi është bërë përmes emailave private.

Jemi në hulumtim të analizës së procedurës aktuale, të zinxhirit të trajtimit të lëndëve dhe mendojmë që edhe këtu ka nevojë të ndërhyhet, që koha e marrjes së përgjigjes nga pala të shkurtohet.

Diçka tjetër me rëndësi, është rregullimi i arkivit të dokumentacionit në mënyrë që ai të jetë lehtë i qasshëm, nga personeli por edhe nga publiku.

Që secili të ketë qasje të lehtë në dokumentet zyrtare dhe të marrë përgjigje sa më shpejt.

Kemi lëndë apo objekte që kanë filluar të trajtohen sipas ligjit të vjetër e tash duhet ta bëjmë një prerje të qartë sepse prej tash të gjitha lëndët e reja do të fillojnë me Ligjin e ri të ndërtimit.

Deri tash është punuar me ligjin e vjetër të Planifikimit Hapësinorë.

Tash është ndërprerë puna dhe me vendim të Ministrisë së Planifikimit hapësinor janë pezulluar punët në planet rregulluese, meqenëse me Ligj të ri nuk ka më plane rregulluese por harta zonale e plane te hollësishme, dhe trajtimi i pjesëve të qytetit që kanë qenë si pjesë të planeve rregulluese do të trajtohen në përputhje me Ligjin e ri por në këtë aspekt do të na duhet të presim disa muaj, deri sa të na vinë udhëzimet administrative nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

Zëri: Ndërkohë, çka do të bëhet ?

Aliu: Do të vazhdohet të punohet. Ligji i ri i ndërtimit jep mundësinë e trajtimit të lëndëve, pati apo nuk pati plan hapësinor .

Nëse ka plan hapësinor trajtohen në bazë të planit por nëse nuk ka atëherë lëndët trajtohen në përputhje me Ligjin, ku palët japin një zgjidhje urbanistike dhe pastaj është Drejtoria e Urbanizmit ajo që jep mendimin për to.

Do të ketë edhe një komision të brendshëm këtu, për trajtimin e këtyre lëndëve, të cilat mund të vijnë dhe për të cilat nuk ka plan hapësinor. Plani rregullativ nuk ekziston ndërkaq Ligji e parasheh që edhe për ato mund të jepet leja, në rast se këtë e trajton Drejtoria e Urbanizimit.

Zëri: Çka keni bërë për këto ditët e ara?

Aliu: Kam kërkuar nga të gjithë një raport urgjent dhe tash jam kah i trajtoj ato raporte. Kam marrë informacionin e duhur e ndërkohë jemi duke u marrë me lëndët të cilat janë në procedurë dhe të cilëve u skadon afati dhe qytetarët nuk pyesin për ndërrime pushtetesh.

Zëri: Si e gjetët drejtorinë, mirë apo..?

Aliu: Jo nuk ka qenë në gjendje të mirë. Mos të harrojmë faktinse brenda Drejtorisë trajtohen lëndë të pakompletuara dhe palët janë kthyer shumë shpesh në mungesë të një dokumenti dhe kjo tregon se ka nevojë të intervenohet në organizim të brendshëm.

Tjetra, mungesa e stafit të përgatitur në sistemin GIS,sistemi informativ gjeoteknik dhe ky është një ndër prioritetet ashtu që punët që bëhen mos të përfundojnë në sirtar, por në sistem gjeodezik, të qasshëm lehtë nga të gjithë.

Zëri: Po planet rregulluese, i keni shikuar?.

Aliu: Ende nuk kam kohë të merrem me to por shumë nga planet lënë hapësirë për diskutim. Janë do plane të mëhershme, ta zëmë “Dodona” i miratuar më 2005 e që nuk është reviduar asnjëherë dhe ende aty jepen leje me atë plan. Kushtet urbanistike në atë plan, sipas mendimit tim, janë të paanalizuara mirë, madje të dëmshme.

Zëri: Përveç “Dodonës” edhe “Mati”..

Aliu: Po, unë mendoj se në shumicën e këtyre lagjeve do duhej të trajtohej së pari lejet e dhëna, disa nga lejet dhe natyrisht, në përputhje me Ligjin, eventualisht të bëhet revidimi i planit.

Zëri: Po ndërtimet pa leje, tejkalimet?

Aliu: Është Ligji për legalizim i cili pak ditë më parë ka kaluar në Kuvend, ai që e përcakton procedurën e trajtimit të objekteve pa leje. Tejkalimet në të gjitha objektet do të trajtohen sipas Ligjit. Është sektori i veçantë për legalizimet dhe afatet e caktuara për aplikim.

Ato që kanë aplikuar trajtohen , ato që janë në përputhje me planet urbanistik legalizohen. Të gjitha objektet që bien ndesh me planet urbanistike, Ligji e thotë qartë, do të rrënohen.

Zëri: Ku ka ndërtime pa leje më shumë?

Aliu: Në zonat periferike, që janë më pak të qasshme nga inspektorët të cilët, ndryshe nga deri tash që ishin në terren nga ora 08 deri në ora 17 , duhet të punojnë 24 orë dhe të jenë vazhdimisht me realitetin në terren.

Zëri: Po zonat ekonomike?

Aliu: Ekziston plani zhvillimor i miratuar në Kuvend. Ato në fund të fundit, i kanë përcaktuar orientimet . Ato plane janë miratuar, janë ato që janë dhe ne do ta zbatojmë Ligjin.

Zëri: Unaza e Prishtinës, do të ndërtohet?

Aliu: Nuk është çështje vetëm e urbanizmit. Kryetari vendos për këtë, dhe prioritetet do të caktohen ashti siç i vendos kryetari.

Zëri: Ka apo nuk ka Prishtina mafi ndërtimore, siç u fol?

Aliu: Më shumë kisha thënë se ka shkelje të ligjit gjithandej. Detyrë e imja është të zbatoj Ligjin dhe të gjitha kërkesat e qytetarëve për ndërtim të bëhen në përputhje me Ligjin. Kudo që ka tejkalim të ligjit, do merren masat, to të rrënohen.

Zëri: Edhe atyre të fortëve, vëllezërve më të fortëve?

Aliu: Po po, të gjithëve, edhe atyre, normalisht!

Zëri: A kanë nisur tashmë tentimet për favore?.

Aliu: Ende nuk kanë filluar. Më shumë janë kërkesat e qytetarëve se sa përpjekje tjera.

Zëri: Para jush, ka qenë një tjetër, i ndjeri Rexhep Luci që deshi të mbrojë kryeqytetin. A do t’ia ngrisni së paku një përmendore?

Aliu: Unë mendoj se përmendorja më e mirë për Rexhep Lucin do të ishte zbatimi i ligjit.

Nëse ne arrijmë ta zbatojmë ligjin, do t’i ndërtojmë përmendoren më të mirë. Duke zbatuar ligjin, atë që ai e ka dashtë. Kjo do te jetë përmendore nga ana ime si drejtor, ndërkaq përmendore nga ana fizike, këtë do ta vendosë Kuvendi Komunal.

Zëri: Ju i llogaritni edhe sfidat?

Aliu: Po gjithsesi. Jam i gatshëm të përballen me të gjitha. Për vetë faktin që e kam pranuar këtë detyrë , e di që do të ketë vështirësi. Por jam i gatshëm të përballem me të gjitha.

E kam menduar edhe kam ardhur këtu të përballem. Nëse mendon edhe përballjen fizike, do të përballem. Nëse e mendon përballjen materiale edhe aty jam gati. Unë kam lënë detyrën e deputetit me rrogë më të mirë..

Zëri: Po ata dinë të ofrojnë pagën vjetore të deputetit

Aliu: E di, e di…(qeshet) por s’ka ashtu. Zbatimi i ligjit nuk i parasheh bakshishet ..

Zëri: A i keni porositur tashmë buldozerët dhe eksplozivin për gjithë ato rrënime që paralajmëroni?

Aliu: Jo, jo… ende jo. Por do të shohim.

 

Nga: Ali Cenaj&Lindita Canolli


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu