‘Me luftë do të ndriçojmë Epirin e Veriut’

0
596

Me bashkim dhe luftë do të ndriçojmë qiellin e Epirit të Veriut”. Nën këtë parullë janë zhvilluar ditën e djeshme në Delivnaqi festimet në përkujtim të 98-vjetorit të “Protokollit të Korfuzit”, në bazë të të cilës Prefektura e Korçës dhe ajo e Gjirokastrës do të ishin praktikisht autonome nga pjesa tjetër e shtetit shqiptar. Të gjitha ceremonitë e zhvilluara janë udhëhequr nga Mitropoliti i Konicës Andreas, i cili është i njohur për thirrjet e tij për autonominë e Epirit të Veriut. Gjithashtu, Mitropoliti Andreas njihet dhe si një prej drejtuesve të organizatës SFEVA, e njohur për veprimet e saj të herëpashershme në mbështetje të Epirit të Veriut. Ceremonia është zhvilluar në qendër të qytetit, i cili është vetëm pak kilometra larg kufirit me Shqipërinë, ku fillimisht banorët me flamuj të Epirit të Veriut kanë shëtitur përgjatë qendrës së qytetit duke shoqëruar Mitropolitin Andreas dhe priftërinjtë e tjerë. Gjatë këtij aktiviteti ra në sy pjesëmarrja e disa kandidatëve për deputet të parlamentit grek. Mes tyre ishte gazetari Vasilis Chitos, njëkohësisht dhe kandidat për deputet i partisë “Grekët e Pavarur” si dhe kandidati i partisë neo-naziste, “Agimi i Artë” Christoforos Tsanakas.
Fjalimi
Ka qenë vetë Mitropoliti i Konicës Andreas, i cili për më shumë se 30 minuta ka mbajtur fjalën e rastit përpara personave që ishin të pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore. Gjatë fjalës së tij, Mitropolit Andreas bëri thirrje për bashkim dhe luftë për të arritur sa më pranë Epirit të Veriut. Gjithashtu, ai bëri thirrje për t’i dhënë fund nacionalizmave shqiptare kundër Greqisë. Ndërkaq, Mitropoliti lexoi dhe një herë tekstin e “Protokollit të Korfuzit”, sipas të cilit dy prefekturat në jug të Shqipërisë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar do të kishin një administratë më vete, pothuajse autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit. Gjatë fjalës së tij, Andreas vuri theksin edhe tek tekstet shkollore të Shqipërisë të cilat sipas tij janë të mbushura me gabime. “Dëgjoni ata injorantët e historisë që supozojnë që Janina dhe i tërë Epiri është shqiptar duke kërkuar “Shqipërinë e Madhe”. Problemi kryesor është se lidershipi i “Veriut: Është i ndarë. Ne e kemi identifikuar prej kohësh të vërtetën, ku rasti më flagrant ishte vitin e shkuar. Për fat të keq udhëheqja është e shurdhër për ankesat tona dramatike. Dhe e keqja vazhdon duke sjellë dëme maksimale për Epirin e Veriut”, – mbylli fjalën e tij Mitropoliti Andreas.

Çfarë është “Protokolli i Korfuzit”?
Më 24 prill 1914 Fuqitë e Mëdha e njoftuan Kryeministrin grek Venizellos se ishin të gatshme t´u bënin lëshime “vorio-epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të Greqisë. E ndodhur nën një presion të gjithanshëm, qeveria shqiptare u detyrua më në fund më 5 maj t´ia besonte Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit zgjidhjen e konfliktit shqiptaro – grek. Bisedimet ndërmjet KNK dhe përfaqësuesve “vorio-epirot” u mbajtën në Korfuz. Ato filluan më 10 maj dhe përfunduan më 17 maj me nënshkrimin e një protokolli, e që u quajt “Protokolli i Korfuzit”. Në këtë protokoll parashikohej që dy prefekturat në jug të Shqipërisë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar do të kishin një administratë më vete, pothuajse autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit. KNK pranoi gjithashtu edhe kërkesën e Spiromilos për t´i njohur krahinën e Himarës, në një zonë që shtrihej tani në 14 fshatra të bregdetit të Jonit.

 

Nga Thimi Samarxhiu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu